U mbajt takimi i dytë konstultativ i përfaqësuesve të subjekteve politike/
Është zhvilluar sot takimi i dytë konsultativ midis përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare, i cili u drejtua nga Adem Mikullovci, kryesues i seancës konstituive, lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Legjislaturës VI të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Takimi përfundoi me njoftimin e kryesuesit Mikullovci se vazhdimi i seancës, ashtu siç është thirrur, do të mbahet nesër, në orën 10:00. Nuk pati konsensus lidhur me propozimin që vazhdimit të seancës t’i paraprijë një takim tjetër konsultativ të mërkurën e ardhshme, më 16 gusht 2017.
***
Mikullovci: Nesër seanca e Kuvendit, nuk anulohet/
-Takim konsultativ i partive për vijimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës/
-VV: Takimet konsultative janë të panevojshme, prandaj nuk morëm pjesë/
PRISHTINË, 9 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ U zhvillua sot takimi i dytë konsultativ i përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas të parit të zhvilluar në 4 gusht, ftuar nga deputeti më i vjetër Adem Mikullovci, kryesues i seancës. “Nesër seanca në orën 10:00, nuk anulohet”, e përfundoi kështu takimin kryesuesi, ndërsa nga përfaqësuesit e koalicionit PDK-AAK-Nisma u kërkua edhe një takim konsultativ të mërkurën e pas një jave dhe caktimin e seancës më pas në dy ditët në vijim, në 17 a 18 gusht. Ky koalicion shprehu qëndrimin se nesër nuk merr pjesë në vazhdimin e seancës konstituive.
Mungoi Lëvizja Vetëvendosje, e cila që më parë ka deklaruar se, “nuk do të marrë pjesë në takimin konsultativ të ditës së mërkurë”.
“Takimet konsultative janë të panevojshme, prandaj nuk morëm pjesë”, tha Lëvizja Vetëvendosje, duke shtuar se thirrja e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit është në kompetencë të kryesuesit.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e nisur para një jave, në 3 gusht, e mbetur e papërfunduar, është ftuar për të vijuar nesër me axhendë zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit, ndërkohë që po bëhen dy muaj nga zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit e ka kaluar një muaj nga çertifikimi i rezultateve në 8 korrik.
Koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe i partnerëve të tjerë, në një komunikatë të dërguar “shpreh shqetësim për vendimin arbitrar të kryesuesit të seancës konstituive për vazhdimin e kësaj seance në ditën e enjte” dhe thekson se, “qëndrimin për vazhdimin e seancës konstituive do e jap pas takimit konsultativ të vendosur me pajtueshmëri mes shumicës së subjekteve politike për të mërkurën”.
Në zhvillimet e seancës konstituive në 3 gusht, gjatë një votimi të propozimit për shtyrjen për dy orë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, u pa mungesa, të paktën edhe e një vote, pasi rezultati ishte rrëzim me barazim – pro 60 dhe kundër 60.Pas kësaj, koalicioni PDK-AAK-Nisma u largua nga salla e seancës, e cila më tej nuk mund të vazhdonte pasi sipas një vendimi të para tre viteve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës vetëm subjekti fitues i zgjedhjeve ka të drejtën të propozojë kryetarin e Kuvendit. Pa zgjedhjen e kryeparlamentarit nuk mund të kalohent në votimin e kryeministrit e qeverisë.Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë nuk i kanë dhënë numra të mjaftueshëm koalicionit fitues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Poashtu, rezultatet e zgjedhjeve, nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re, prandaj koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, që do ishin të dytat brenda vitit 2107, kur janë edhe zgjedhjet e rregullta lokele në 22 tetor. Ka analistë që shprehen edhe të sigurt se në Kosovë do ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, madje se mund të jenë në të njëjtën ditë me lokalet.
NJOFTIM NGA LDK
Sot në vazhdën e takimeve që po mbahen me përfaqësuesit e degëve të diasporës dhe degët tjera, Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, z. Ismet Beqiri priti në takim kryetaren e Degës së LDK-së në Suedi znj. Qibrije Hoxha dhe kryetarin e nëndegës Nordrein Wesffalen në Gjermani, z. Jakup Gërguri.
Gjatë këtij takimi përfaqësuesit nga diaspora u informuan për përgatitjet që po bëhen për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, poashtu është shtruar nevoja që degët tona në diasporë të jenë më aktive në njoftimin e bashkatdhetarëve tanë për mëyrën e regjistrimit në mënyrë që ata të kenë mundësi të votojnë në këto zgjedhje lokale, duke pasur parasysh përmbushjen e afateve kohore nga KQZ-ja. Nga znj. Hoxha dhe z. Gërguri u shpreh gatishmëria e sa më shumë bashkatdhetarëve tanë të informohen për këtë proces zgjedhor dhe që sa më shumë të votojnë nga diaspora për LDK-në duke pasur parasysh faktin se është një numër i madh i bashkatdhetarëve që njëkohësisht janë edhe antarë të LDK-së.Beqiri i informoi mysafirët për zhvillimet e fundit dhe qëndrimet e LDK-së, poashtu falenderoi të gjithë aktivistët e LDK-së në diasporë të cilët po japin kontribut për LDK-në dhe vendin.