Në ditën e parë të vizitës së tij në New York, Kryeministri i Kosovës është pritur në një takim nga Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon. Pas takimit, Thaçi ka bërë të ditur se me Sekretarin e OKB-së kanë biseduar për proceset politike që po kalon Kosova.Zbatimi i marrëveshjes se arritur në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit ka qenë tema kryesore e këtij takimi.
Deklarata e Thacit: Ishte një takim jashtëzakonisht i mirë, takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, me të cilin diskutuam lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, për progresin e arritur, për marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet shtetit të Kosovës dhe të Serbisë. Fituam një mbështetje të fuqishme siç ka qenë edhe më herët nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon për këtë marrëveshje, për procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjithashtu edhe për implementimin e nevojshëm dhe të domosdoshëm të këtyre marrëveshjeve. E informova Sekretarin e Përgjithshëm edhe për organizimin e zgjedhjeve më 3 nëntor që do të jetë jetike edhe për participimin e serbëve por edhe për integrimin e komunave të veriut, ka thënë Thaçi për RTV 21, pas takimit.