Gjilani sërish mikpritës i studentëve nga vendet e ndryshme të botës
Te hënën ka filluar edicioni i pestë vjetor i Programit Ballkanik të Paqes në Gjilan, në të cilin po marrin pjesë studentë të huaj, kryesisht nga Kanadaja, Britania, SHBA-të, etj. Programi Ballkanik i Paqës, i njohur ndërkombëtarisht përmes Universitetit të Albertës në Kanada, për temë bazë ka Zhvillimin dhe Politikën Ndërkombëtare ne Shoqëritë e Paskonfliktit, ku vëmendje e veçantë i jepet Kosovës në veçanti dhe Ballkanit në përgjithësi. Përveç studentëve të huaj, fal angazhimin të Fondacionit Bislimi Grup, në këtë program akademik veror ndërkombëtar po marrin pjesë edhe dhjetra studentë të përzgjedhur vendorë.
“Angazhimi im dhe i Fondacionit gjithherë ka qenë dhe mbetet ofrimi i mundësive sa më të mira për shkollim kualitativ për të rinjtë e vendit tonë. Ne kemi dhjetëra studentë të Kosovës që kanë studiuar e studiojnë me bursa të plota akademike në SHBA e Kanada, të aranzhuara përmes Fondacionit tonë. Ky është investimi më i mirë që mund të bëhet për Kosovën,” ka thënë Faton Bislimi, themelues i Fondacionit dhe drejtues i Programit Ballkanik të Paqës. “Tani jemi thuajse ne një vit jubilar për Programin – edicioni i pestë vjetor – dhe të vet punës së Fondacionit – 10 vjetori i punës sonë vullnetare, ku respekt të veçante për angazhim vullnetar në këtë aspekt meriton Drejtori Ekzekutiv i Fonacionit tonë, z. Halit Bislimi,” ka shtuar profesor Faton Bislimi.
Ndërsa, partner lokal në realizimin e këtij programi, që nga viti 2014, është bërë edhe Universiteti Publik i Gjilanit “Kadri Zeka”. Përkrahja e Universitetit nuk ka munguar. “Ky program sjell një mundësi të veçantë për studentet dhe Universitetin tonë. Programe të tilla të karakterit akademik ndërkombëtar janë shumë domethënëse për neve, vecanerisht si universitet i ri, por ambicioz,” ka vlerësuar Prof. Dr. Bajram Kosumi, Rektor i Universitetit Publik të Gjilanit.
Pëvec Faton Bislimit që shërben si ligjërues në këtë program, bashkë-ligjëruese është edhe Liza Gashi, tani e disa vite udhëheqëse e Komitetit Nacional të United World Colleges (UWC) për Kosovë. Ajo tani po ashtu shërben edhe si Drejtoreshë Programi e OJQ-së Germin. “Për mua është një përvojë shumë e mirë dhe besoj se për studentët pjesëmarrës në program është një mundësi unike për mësim dhe shkëmbim përvojash. Përndryshe, programi po ashtu ofron një pasqyrë reale dhe personale të Kosovës tek studentet e huaj,” ka thënë Gashi.
Studentët e huaj janë vendosur nëpër shtëpi nikoqire gjilanas dhe do të qëndrojnë këtu deri në fund të gushtit. Përveç qëndrimit në Gjilan, studentët e huaj pjesëmarrës në këtë program do të vizitojnë edhe pjesët tjera të Kosovës si dhe viset tjera shqiptare në Mal të Zi, Shqipëri, e Maqedoni.