Foto: Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në 17 Shkurt 2008 pak para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me drejtorin e përgjithshëm të ATSH në atë kohë, Artur Kopani, dhe korrespondentin në Kosovë, Behlul Jashari/
17 Shkurt 2008: PRESIDENTI SEJDIU: NE NUK KEMI FRIKË NGA E ARDHMJA/
-Presidenti i Republikës së Kosovës flet ekskluzivisht për ATSH-në pak minuta para se Kuvendi të miratonte shpalljen e pavarësisë-/
PRISHTINË, 17 Shkurt/ATSH-Artur Kopani/- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë ekskluzive dhënë për ATSH-në, pak para se 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës, deklaroi se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja”./
Zoti President, faleminderit që na pritet në këtë orë historike për Kosovën dhe pranuat intervistën me Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Fillimisht, si po ecet me axhendën e Pavarësisë së Kosovës?
Presidenti Fatmir Sejdiu: Janë bërë të gjitha përgatitjet institucionale dhe pak me parë mbaruam një seancë të kryesisë së parlamentit, ku ishin dhe shefat e grupeve parlamentare. Ishte një iniciativë e përbashkët e imja dhe e Kryeministrit Thaçi që të thirret seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit. Ishte miratim i rendit të ditës që e kishim propozuar si ide dhe do të procedojmë më vonë me seancën solemne që do të jetë seancë historike për Kosovën, që natyrisht ndan një kufi shumë të qartë me të kaluarën që ka qenë e dhimbshme, e vështirësive të shumta dhe hapjes së një kapitulli të ri të zhvillimit tonë dhe ecjes së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, të mbështetjes së Kosovës edhe nga miqtë e saj të mëdhenj që ka patur në këtë proces të madh që kemi kapërcyer për të përmbushur ambicjen tonë dhe natyrisht udhëtimin tonë suksesshëm, besoj me qasje të përbashkëta dhe ndihmë po kështu drejt procesit të integrimeve euroatlantike. Ajo është po ashtu synimi jonë që Kosova, bashkë me vendet e tjera të rajonit, shumë shpejt të jetë në kulmin e këtyre integrimeve.
A keni marrë një konfirmim sa vende do të jenë në valën e parë që do ta njohin pavarësinë e Kosovës?
Unë them se do të jenë shumë vende. Unë që mbrëmë edhe sot kam punuar gjithë ditën që të bëjë letrat me nënshkrimet, ku do t’ju adresoj shteteve, udhëheqësve të shteteve, të qeverive të tyre, në një pjesë të nënshkruara bashkë me Kryeministrin Thaçi, po një pjesë nga unë, natyrisht sipas protokolleve që duhet respektuar. Dhe, mendoj se do të jetë një fluks i madh pozitiv i vendeve që do të na mbështesin. Eshtë shumë e rëndësishme që do të jenë në radhë të parë gjithë këto vende që kanë qenë prijetare në proceset e mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kyçe të Bashkimit Evropian. Po edhe shumë vende të botës demokratike s’do të mungojnë në këtë qasje dhe kujtoj ndonjë prej vendeve që ka pasur ndonjë hezitim të deritashëm do të jetë në kuadër të kompozicionit të përbashkët. Vlerësoj shumë lart rolin e Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës
A jeni në kontakt me autoritetet shqiptare dhe çfarë ndihme po ju ofrojnë ata në këto momente?
Këto janë kontakte shumë korrekte, shumë të thella. Unë dëshiroj edhe një herë të vlerësoj shumë lart qasjen që ka patur Shqipëria, institucionet e saj, presidenti, kryeministri, parlamenti, pozitë dhe opozitë dhe në të gjitha kohërat. Që nga koha kur Kosova ka hyrë në një rrugë dinamike të zhvillimeve, që nga fundi i viteve ’80 të një procesi institucional, por edhe të rezistencës. Dhe mendoj një përkujdes i natyrshëm për të dhënë ndihma të veçanta edhe në rrjetin diplomatik, për të ndihmuar çështjen e Kosovës, për të arsyetuar ato argumenta që i kemi shtruar dhe janë të natyrshme, që janë pasqyruar gjithashtu edhe nga rrjeti diplomatik, por edhe në mënyra të tjera me angazhimet e drejtëpërdrejta që ka patur qoftë përmes kryeministrit, presidentit, kryetarit të parlamentit, si edhe drejtuesve të tjerë në pozitë dhe opozitë, përmes rezolutave të rëndësishme që ka mirtatuar Kuvendi i Shqipërisë.
Çfarë dimensioni ka për ju pavarësia e Kosovës, parë në rrafshin kombëtar?
Unë mendoj se është përmbushje e një ambicje të madhe që shqiptarët në Kosovë, si shumicë, të jetojnë të lirë, të kenë respekt ndaj pakicave që i kemi brenda, si një larmi etnike. Është shumë e rëndësishme se ne do të shpejtojmë hapin tonë në ndihmë reciproke për të ecur në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe NATO, për të dhënë një shembull të jashtëzakonshëm të asaj që shquhet në identitetin tonë, të respektit të të drejtave dhe lirive njerëzore, të raporteve të mira që duhet t’i kemi me fqinjët, po ashtu edhe në një ndihmë të mirë të përvojave që kanë kapërcyer Shqipëria, por edhe vendet e tjera të rajonit për të shpejtuar edhe Kosova hapin e saj drejt integrimit dhe zhvillimit.
Prandaj unë me këtë rast dëshiroj të përgëzoj njëherësh të gjithë mbështetësit e Kosovës, gjithë Shqipërinë, që ka qenë në të gjitha kohërat ndihmë e veçantë për ecjen tonë, që është edhe ambicja e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për të patur këtë ditë për Kosovën dhe të bëhet gjithashtu edhe pjesë e përkushtimit edhe e vendeve të tjera që nuk na janë ndarë edhe në kohët më të vështira.
A ka Presidenti i Kosovës ndonjë frikë sot?
Jo unë kam një gërshet emocionesh, siç është tek çdo qytetar i Kosovës në këtë ditë historike. Ne nuk kemi frikë nga e ardhmja. Kemi punuar për të hyrë në këtë kapitull të jetës. Të gjithë sëbashku kemi një krenari të veçuar për të mbajtur me nderim edhe në vertikale ecjen tonë, dhe po ashtu një respekt të vecantë për të gjithë ata njerëz që kanë sakrifikuar veten e tyre për Kosovën, edhe në luftën e armatosur, edhe në lëvizjen e fuqishme politike, që është bërë dhe ka qenë një kombinim i mirë në ecjen në kohë të vështira, në orët e liga që kemi patur.
Natyrisht dua të çmoj në veçanti këtë pjekuri, këtë maturi, durim dhe kulturë politike dhe shtetformuese që kanë qytetarët e Kosovës. Ndaj, kjo na bën të fortë, na bën që të besojmë në perspektivën tonë, kjo na bën që të reflektojmë me urti edhe me serbët dhe komunitetet e tjera që i kemi në Kosovë, si edhe për ata që mund të kenë një drojë të veçantë rreth këtyre proceseve në këtë kapitull të ri ku po hyjmë. Kosova do të jetë e qytetarëve të saj. Kosova do të shprehë identitetin e vet shtetëror në këtë ecje të suksesshme në trendet e reja që do të ecë dhe shansin e madh e ka. Nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar. Flas edhe në kuptimin ndërkombëtar, sepse vetë populli i Kosovës e ka bekuar me vullnetin e vet të lirë.
Në këtë ditë mungojnë shumë nga ata që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën. Mungon Ibrahim Rugova dhe luftëtarë të shumtë që kanë dhënë edhe jetën e tyre?
Janë të shumtë ata që mungojnë. Na mungon Presidenti Rugova, na mungon Adem Jashari, gjithë plejada e luftëtarëve të lirisë, që siç thashë edhe më herët, kanë patur një gërshet të fuqishëm të ambicjes politike, për ecjen politike, por edhe të rezistencës, për të qëndruar në kohët e vështira që kemi patur. Gjithashtu na mungojnë edhe shumë e shumë breza që kanë dhënë edhe veten e tyre për Kosovën. Ideja e pavarësisë dhe lirisë së Kosovës nuk ka qenë asnjëherë ide e tëhujësuar, apo jashtë genit, jashtë shpirtit, jashtë idesë themelore të artikuluar, që ka patur një kontinuitet për të patur këtë ditë. Pra, një kontinuitet të organizimeve politike. Ka shumë njerëz që kanë shkuar me syçelë për të parë Kosovën e lirë. Eshtë fat i kësaj gjenerate, pavarësisht moshës, fati i këtyre njerëzve që ta gëzojnë këtë që mbështetet në tabanin e gjithë kësaj të kaluare të lavdishme dhe njëkohësisht që të japë një garanci për të patur një Kosovë të mirë, një Kosovë europiane, një Kosovë që vjen në djepin e vet, pjesë e civilizimit antik të një Dardanie që ka qenë thellësisht e njohur me vlerat e saj. Dhe kjo gjakon në ecjen tonë, në shpirtin tonë.
Rreth muajit qershor është lajmëruar mbajtja e një konference ndërkombëtare të donatorëve. A janë të përgatitura institucionet e Kosovës për të prezantuar projektet e tyre të zhvillimit dhe për të orientuar mbështetjen financiare ndërkombëtare?
Ka një projekt që është bërë më parë nga qeveria paraardhëse. Mendoj se në kontinuitet është marrë hapi që të përfundohet me ekipin aktual të qeverisjes së Kosovës, në një bashkëpunim shumë të thellë me Bankën Botërore dhe me mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë. Ne mendojmë se do të jetë një përkushtim i veçantë i vendeve në këtë konferencë për të ndihmuar me një inxheksion të parë Kosovën, por në të njëjtën kohë e kemi thënë se do të jemi të përkushtuar që këto mjete, këto para që do t’i jepen Kosovës nuk do të harxhohen kot së koti, por do të jenë mjete që do të investohen në projekte kapitale për të nxjerrë ciklin e rëndësishëm të zhvillimeve tona. Prandaj ne e besojmë këtë konferencë, e besojmë ndihmën e shumë vendeve që edhe ashtu Kosovës i janë gjendur pranë, pa ndërpreje ne projekte të shumta.
Po ashtu, besojmë se do të kemi edhe shumë qasje të tjera paralele, se Kosova do të ketë një mundësi shumë më të madhe të operimit të saj, si vend i njohur ndërkombëtarisht, që të hyjë në fondacione monetare ndërkombëtare, që të hapë portën e investimeve të guximshme dhe me garanci në Kosovë për investitorët e huaj dhe për diasporën shqiptare, që të jetë shfytëzuese me prioritet e pasurive të shumta që i ka falë zoti. Një basen, apo shumë basene të pashtershme të mineraleve që i ka, të një toke të plleshme dhe të bukur, në kuptimin e bonitetit të saj, sepse nevojiten investime për teknologji moderne për të pasur artikujt ushqimorë të industrisë ushqimore, të agrikulturave që Kosova mund t’i ketë brenda vetvetes dhe të gjejë një shtrat të fuqishëm të veprimit dhe të inkorporimit të kësaj popullsie të re që është një begati e jona. Ne kemi rreth 60 përqind të popullsisë të Kosovës nën moshën 30 vjeçare. Ata njerëz kërkojnë punë, sepse ka një shkallë të papunësisë mbi 40 përqind. Ata njerëz duhet ta kenë shansin e vet.
Ndërkohë që Serbia ka paralajmëruar një bllokadë, a mendoni se Kosova është pak e vonuar në investimet për rrugën Prishtinë-Morinë, ndërsa qeveria e Tiranës ka angazhuar shumë fonde dhe mjete për të ndërtuar këtë rrugë në një kohë rekord?
Unë mund të them se nuk mund të ketë bllokadë ndaj shtetit të Kosovës. Mund të ketë në kuptimin e një presioni politik, sepse fundja edhe ata që duan të bëjnë bllokadë, sigurisht bëjnë bllokadë edhe ndaj vetvetes.
Së dyti, ne kemi një raport ekzistues, të shkëlqyeshëm të marrëdhënieve të mira me Maqedoninë, me Shqipërinë dhe Malin e Zi, por edhe me vendet e tjera të rajonit dhe do të lëvizim fuqishëm.
Së treti, që është shumë e rëndësishme, mendoj se rruga ka marrë kahun e vet dinamik të përfundimit. Ne na kujtohet Presidenti Rugova kur ka pas dhënë idenë e parë, që të ringjallim këtë rrugë të komunitetit, prej antikitetit, dhe të marrë fuqinë e vet të investimeve dhe është shumë mirë që qeveria shqiptare ka bërë këto veprime kaq të rëndësishme, që kushtojnë, por që nuk kanë aspak peshën e asaj dobie të madhe që do të ketë bota shqiptare, që do të ketë Shqipëria, që do të ketë Kosova me komunkime të tilla. Mendoj se nga ana e Kosovës do të punohet shumë shpejt. Është një rrugë që megjithatë mund të lëvizet mirë, sepse nuk ka ndonjë problematikë të posaçme, sepse është rrugë e kalueshme, që nuk ka probleme të mëdha për të investuar, për të patur magjistralen e re dhe do të bëhet shumë shpejt.
Shumë faleminderit, zoti President dhe urime!
Ju përshëndes dhe urime edhe ju!/klod/s.s./