Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Korrik 2015 – Komisioneri i BE-së për Edukim, Kulturë, Rini dhe Sport, Tibor Navracsics, sot në Prishtinë në takim me kryeministrin Isa Mustafa vlerësoi progresin në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Bashkimit Evropian.
Duke çmuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur proceset që lidhen me edukimin, kulturën, rininë dhe sportin, komisioneri Navracsics, po ashtu shprehu përkrahjen e BE-së në këto aspekte të rëndësishme të zhvillimeve në Kosovë.
Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u bisedua për progresin e Kosovës në të gjitha fushat, me theks të veçantë në proceset integruese evropiane dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur avancimin dhe reformat në arsim, kulturë dhe mbështetjen e rinisë e sportit në Kosovë.
Kryeministri Mustafa e njoftoi edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, për prioritetet e Qeverisë që lidhen me zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, forcimin e shtetit ligjor, si dhe reformat në shëndetësi e aspekte të tjera në kuadër të zhvillimit të vendit.
Kryeministri Mustafa theksoi se reformat në drejtim të ngritjes së cilësisë në arsim dhe kulturë, si dhe përkrahja e fuqishme për rininë e sportin, janë prioritete të programit qeveritar, duke e njoftuar komisionerin e BE-së me hapat konkretë të Qeverisë në këtë drejtim.
Lidhur me proceset integruese evropiane, kryeministri Mustafa shprehu nevojën që Kosova sa më shpejt të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe që BE-ja të marr vendim për liberalizmin e vizave, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund të qarkullojnë të lirë në vendet evropiane ashtu si qytetarët e të gjitha vendeve tjera në rajon.
Edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, pret në takim Komisionerin Navracsics, të shoqëruar edhe nga Samuel Zbogar, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Komisioneri i BE-së për Edukim, Kulturë, Rini dhe Sport takon poashtu ministrin kosovar të Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Shala, ndërsa mbanë një ligjëratë në Universitetin Veror të Prishtinës.