-Nuk u realizuan skenaret serbe për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës me daljen e Listës Serbe nga koalicioni qeveritar e kalimin në opozitë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 2 Prill 2018/ Në zhvillimet e reja në Kosovë, pas daljes së Listës Sebe nga Qeveria, Kuvendi 120 anëtarësh ka ndryshime që e bëjnë opozitën shumicë e koaliconin qeverisës pakicë.
Opozitën e bëjnë: Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, më i madhi në Kuvend, me 27 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje me 19, i ndarë nga ajo Grupi i Deputetëve të Pavarur me 12 dhe e larguar nga koalicioni qeverisës Lista Serbe me 10.
Koalicionin qeverisës e bëjnë: Partia Demokratike e Kosovës me 23 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 11 – pas kalimit në te të një deputeteje të Vetëvendosjes, Nisma me 6, Grupi 6 Plus i komuniteteve pakicë me 6 dhe Aleanca Kosova e Re me 2 deputetë, të cilët janë pa grup parlamentar.Pa grup parlamentar jnë edhe 4 deputetë tjerë, një prej të cilëve serb – i Partisë Liberale Serbe e tre të tjerët të komuniteteve tjera pakicë.Pas këtyre zhvillimeve, Lidhja Demokratike e Kosovës deklaronte javën e kaluar se në asnjë rast nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës.“Në këtë gjendje të re të krijuar, LDK-ja garantonte qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës”, siguronte partia më e madhe opozitare pas daljes së Listës Serbe nga koalicioni qeverisës.Paralajmërohej se, qëndrimet e lidershipit të LDK-së, edhe në ditët në vijim, do të jenë në dobi të përmirësimit të situatës dhe të kthimit të saj në favor të Kosovës.Javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës doli Lista Serbe, e cila kishte tre ministra, njëri prej tyre edhe zëvendëskryeministër. Por, kështu nuk bie Qeveria e Kosovës, e cila vazhdon me shumë punë. Nuk u realizuan skenaret serbe për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës me daljen e Listës Serbe nga koalicioni qeveritar e kalimin në opozitë.