• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË MOS JEMI VAMPIRË TË ATDHEUT

February 6, 2017 by dgreca

THJESHT ATDHEDASHURI – TË JEMI BIJ TË ATDHEUT, TË MOS JEMI VAMPIRË TË ATDHEUT – Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Ta duam atdheun aq sa ai është, ta duam as më të madh se është, as më të vogël se është. Më parë se të jenë fjalët e mia, këto janë fjalët e François-Marie Arouet (Voltair), nga vepra e tij “Fjalori filozofik”. Filozofi i madh optimist francez i shekullit XVIII është shembull i intelektualit krijues të papajtuar me politikën, i cili mbahet mend si kryqëzues i tiranisë e dogmatizmit dhe për aftësitë e tij të mprehta satirizuese e kritike ndaj shoqërisë së kohës.

Pra, thjesht atdhedashuri. Për ne shqiptarët kjo do të thotë ta duam atdheun tonë në të gjithë shtrirjen e tij hapësinore, ta duam atdheun tonë në pesë gjashtë shtetet ku ai ndodhet në vijimësi të pandërprerë gjeografike, në vijimësi të pandërprerë historike prej disa mijëvjeçarësh. Ta duam Republikën e Shqipërisë dhe të mos e duam Republikën e Kosovës, kjo nuk është atdhedashuri. Dhe anasjelltas: Ta duam Republikën e Kosovës dhe të mos e duam Republikën e Shqipërisë, kjo nuk është atdhedashuri. Ta duam Myzeqenë dhe të mos e duam Luginën e Preshevës (Kosovën Lindore), kjo nuk është atdhedashuri. Dhe anasjelltas: ta duam Luginën e Preshevës dhe të mos e duam Myzeqenë, kjo nuk është atdhedashuri. Ta duam Tropojën dhe të mos e duam Bujanocin, kjo nuk është atdhedashuri. Dhe anasjelltas: ta duam Bujanocin dhe të mos e duam Tropojën, kjo nuk është atdhedashuri. Me pak fjalë: Ta duam atdheun tonë në të gjithë hapësirën e tij, në të gjitha nënhapësirat e tij, në të gjitha qytetet dhe fshatrat e tij, pavarësisht se në cilën njësi shtetërore ndodhen sot. Ta duam njëri-tjetrin pavarësisht nëse është shqiptar i Shqipërisë, shqiptar i Kosovës, i Maqedonisë shqiptare (hapësirës shqiptare të Maqedonisë), i Malit të Zi shqiptar (hapësirës shqiptare të Malit të Zi), pavarësisht nëse ai është myzeqar, lab, malësor, dibran, tetovar, kumanovas, ulqinak, preshevar, çam pavarësisht ku ka lindur, pavarësisht ku jeton apo ku ndodhet. Kjo është atdhedashuri. Është atdhedashuri e kulluar, e dlirë, e kthjellët. Është në të mirën tonë dhe në dëmin e askujt.

Atdhedashuri është një term i brumit të mirëfilltë shqip. Duket se është i vetmi term që i shkon fjalorit tonë. I kam dëgjuar në media dhe i kam lexuar shumë nga teorizimet që këto kohët e fundit i bëjnë, kryesisht në Tiranë, të ashtuquajturat mendje të kombit. Këto teorizime janë absolutisht pakaluese, janë frut i mungesës së ndjeshme të dijes në fushën përkatëse. Në vend që ta ndriçojnë një objekt të shenjtë, siç është atdhedashuria, siç është çështja aq e përbërë shqiptare, këta, qoftë nëpër studio, qoftë nëpër tribuna, vetëm sa e errësojnë, e komprometojnë dhe e ndotin këtë objekt. Kjo e bën të domosdoshme që të heqim dorë nga përdorimet fjalëve të huaja (termave ndërkombëtarë), por edhe nga përdorimet e fjalëve tona me parashtesa apo me prapashtesa të huaja. I njëjti term ndërkombëtar, nëse përdoret nga një i huaj çfarëdo, tingëllon shumë më butë dhe shumë më pranueshëm se kur ai është i shqiptuar nga një shqiptar, qoftë në një jubile, qoftë në një përvjetor të thjeshtë, në një festë zyrtare apo private, në një bisedë në një studio, në një kollonë anash faqes së një gazete.

Ta duam atdheun do të thotë të ndërtojmë një raport të drejtë me atdheun. Të jemi bij të tij dhe jo sundues të tij. Të jemi përkushtues ndaj tij, të jemi shërbyes ndaj tij dhe jo ta vëmë atdheun tek këmbët tona. Të mos e shikojmë atdheun si çifligun tonë, që mund t’ia zhveshim malet nga pyjet, mund t’ia gërryejmë shtretërit e lumenjve, që mund t’ia nxjerrim në shitje për gati kurrgjë pasuritë dhe thesaret e tij të dhuruara nga Zoti apo të krijuara nga njeriu në mijëvjeçarë. Ta mendojmë atdheun jo vetëm si atdhe të brezave bashkëkohës, por edhe si atdhe të brezave pasardhës, ta mendojmë atdheun jo vetëm si atdhe të atyre që e banojnë përkohësisht, por edhe si atdhe të atyre që janë detyruar të largohen prej tij dhe ndodhen nëpër botë, duke e mbajtur me bukë shumicën e popullit shqiptar që ndodhet ende në atdhe. Ta duam atdheun do të thotë të rritim mirëqenien e të gjithëve dhe jo vetëm të një grushti të vogël njerëzish.

Të jemi bij të atdheut. Të mos jemi vampirë të atdheut. Hypja në karrike, jetesa me lugë floriri, nuk të jep të drejtë që ta katandisësh atdheun në zhele. Nuk do të thotë ta ndjesh veten gjel dhe atdheun ta ndjesh plehun mbi të cili ti vikat. Të jesh vampir i atdheut do të thotë t’i grumbullosh për vete miliardat dhe të tjerëve, anekënd, t’ua lësh vetëm morrat. Pse sot, pas njëzet vitesh të hapjes ndërmjet shqiptarëve, të hapjes së tyre ndaj botës, nuk ka pasanik që të guxojë ta bëjë transparente pasurinë e tij të vënë në këto njëzet vite? Sepse këta janë vampirë të atdheut dhe nuk janë bij të atdheut.

Paradoksi tjetër është se pikërisht këta, pikërisht vampirët e atdheut, janë ata që bëjnë retorika të mbrapshta se shkrihen krejt për atdheun, për kombin, për shqiptarët. Dhe nuk bëjnë gjë tjetër veçse e komprometojnë çështjen më të shenjtë në botë, çështjen shqiptare.

Duke qenë te kjo pikë e temës sonë, le të kthehemi tek Voltairi (Volteri). Tek fjala Atdheu, ai shkruan: “Një atdhe është i përbërë nga më shumë se një familje; e si rëndom përkrahet familja jote thjesht për dashuri, kur nuk ke një interes të kundërt, kështu thjesht për dashuri përkrahet qyteti yt ose fshati yt që quhet atdhe. Sa më shumë që ky atdhe rritet aq më pak duhet, sepse dashuria e pjesëtuar dobësohet. Është e pamundur që të duhet një familje tepër numerike që sapo e ke njohur.

Kush ka ambicjen të jetë prijës, tribun, udhëheqës, diktator bërtet se e do atdheun, ndërkohë që e do vetëm veten e vet. Secili ka dëshirë të mund të flejë në shtëpinë e tij pa pasur dikush tjetër pushtetin që ta marrë dhe ta çojë të flejë diku tjetër, secili dëshiron të jetë i sigurt për pasurinë e tij dhe për jetën e tij. E kështu, meqë të gjithë kanë të njëjtat interesa, dhe nga interesat e veçanta përbëhet interesi i përgjithshëm: i përkushtohemi republikës, kur në fakt jemi duke iu përkushtuar thjesht vetes sonë.”

Në epokën e integrimeve perëndimore, në epokën e integrimeve globale, në epokën që kërkon më shumë se kurrë integrim, dashuri midis njerëzve, për ne shqiptarët është e pamundur ta gjejmë veten në rajon, në kontinent, në botë, pa e gjetur më parë tek njëri-tjetri. Është e pamundur që interesat tona të jenë të përputhshme me të tjerët, pa qenë të përputhshme mes njëri-tjetrit. Është e pamundur të jemi bindës për të tjerët, kur nuk kemi mirëkuptim dhe mirëpajtim, kur nuk kemi dashuri të mjaftueshme për njëri-tjetrin. Është e pamundur që retorikat tona të mos tingëllojnë të zbrazëta, të pabazuara, prandaj të dëmshme për veten tonë dhe të tjerët. Ata që janë kundër çështjes shqiptare, vërtet bëjnë edhe ata retorikë, por retorika e tyre është pjesë gati e papërfillshme e veprimit të tyre. Kështu çëshjen shqiptare e dobësojnë kundërshtarët e çështjes sonë dhe, njëkohësisht, e dobësojmë ne vetë. Prandaj miqtë dhe aleatët na këshillojnë ne të heqim dorë nga retorikat, të shohim punën tonë, ta përparojmë punën tonë, ta realizojmë çështjen tonë në të gjithë përbërësit e saj dhe në tërësinë e saj. Kështu do ta ndihmonim veten tonë, kështu do të na ndihmonin miqtë dhe aleatët, kështu do të na ndihmonte vetë Zoti. Atdhedashuria jonë, atdhetaria shqiptare, në shenjtërinë e saj, është absolutisht e paparagjykueshme, është absolutisht qytetare, është absolutisht e pandalshme drejt triumfit të saj. Siç do të thoshte vetë Voltaire – ajo është qytetare e botës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Nga SKËNDER BUÇPAPAJ, TË MOS JEMI VAMPIRË TË ATDHEUT

FISHTËN BOTOJENI – MOS E PËRDHOSNI

February 2, 2015 by dgreca

NGA SKËNDER BUÇPAPAJ/
Zëra nga Tirana këto ditë sikur kërkojnë që Fishta ‘të përshtatet në shqipen e sotme’. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë deri sot një propozim kësisoj për Naim Frashërin, pararendësin e tij, as për Andon Zako Çajupin, bashkëkohësin e tij.
Po bëhen 25 vjet nga vendosja e pluralizmit dhe ende Fishta realisht nuk është rehabilituar. Me kërkesën për ta përshtatur në gjuhën e sotme, sikur po ia lënë fajin gjuhës së Fishtës pse ata nuk e kanë rehabilituar dhe pse nuk e kanë ndërmend këtë as në të ardhmen.
Nga padija ose edhe nga keqdashja e tyre, zërat për një nevojë të përshtatjes së poetit kombëtar ‘në shqipen e sotme’ i kam dëgjuar qysh në vitin 1990. Kjo mua më shtrohej në formën e pyetjes: A nuk do të ishte mirë që krijimtaria e Gjergj Fishtës të përshtatej si krijimtaria e Jeronim De Radës?
I kam hedhur kategorikisht poshtë këto mundësi. Kam kërkuar, që, për t’i shmangur dhe për t’i tejkaluar këto paragjykime të dëmshme, vepra e Fishtës të botohej sa më shpejt, pa humbur kohë. Lexuesit, duke e pasur në duar këtë vepër, pas rreth një gjysmë shekulli, do të kenë mundësinë disa të rifillojnë, disa të tjerë të fillojnë komunikimin e ndërprerë apo komunikimin e munguar me një kolos të madh të fjalës shqipe, i cili bëri revolucionin më të madh në lëvrimin e saj, duke sjellë me këtë gjuhë një kryevepër të epikës si “Lahuta e Malcis”, të cilën shumëkush e ka krahasuar me “Iliadën”, ndërsa unë e kam krahasuar në atë kohë me romanin “Lufta dhe Paqja”; duke sjellë me këtë gjuhë satira të paarritshme nga poezia jonë; duke sjellë me këtë gjuhë lirika të mrekullueshme; duke filluar me këtë gjuhë traditën e përkthimeve të letërsisë antike, nëpërmjet sjelljes në shqip të këngës V të Iliadës; duke sjellë me këtë gjuhë një publicistikë brilante, oratori, polemika dhe eseistikë të pashoqe.
Duke e konsideruar domosdoshmëri urgjente të kohës sjelljen e Fishtës në duart e lexuesve, kam paraqitur, bashkë me dy kolegë në Shtëpinë Botuese ‘Naim Frashëri’, projektin për botimin e veprës. Meqë unë kisha kohë që shfletoja dhe studioja në Arkivin e Shtetit veprën e tij, u ngarkova me përgatitjen e saj, si dhe me parathënien paraprirëse të të gjithë kolanës. Ndërsa dy kolegët e mi do të ishin redaktorë të saj dhe do të përgatitnin parathëniet për vëllime të ndryshme të kolanës. Një redaktor i brendshëm u caktua, ndërkaq, për ta ndjekur nga afër procesin e botimit.

Iu vura një pune tejet të vështirë, delikate, të lodhshme dhe përgatita parathënien e kolanës, përgatita veprën e parë “Epika”, ku përfshihej vetëm “Lahuta e Malcis”. Vëllimi i parë u bë gati plotësisht për të shkuar në shtyp. Ndërkohë dërgova në shtëpinë botuese Vëllimin II, ku përfshihej lirika dhe poema epike “Moisi Golemi e Deli Cena”, dhe po përgatisja me sukses Vëllimin III, satirat. Isha vënë në komunikim me botuesin e Fishtës jashtë vendit, At Daniel Gjeçajn, i cili jetonte në Romë. Kisha filluar edhe lidhjet me At Viktor Volajn, botuesin skrupuloz të krijimtarisë së Fishtës dhe mendoja se duhej përfituar sa më shpejt ngaqë ai ishte ende në jetë.

Kjo kolanë ishte pajisur me një aparat botues tejet skrupuloz, duke përfshirë aparatin e mëparshëm të At Viktor Volajt dhe, nën shembullin e tij, duke e pasuruar atë me të dhëna të reja. Do të ishte kështu një botim që do t’iu drejtohej të gjitha shtresave dhe përkatësive të lexuesve në shqip, si dhe nxënësve, studentëve e dijetarëve filologë.
Fishta, në të gjallë, e kishte menduar kolanën e tij në këto vëllime: Epika, Lirika, Satirika, Dramatika dhe përkthimet, Proza. Në projektin tim parashikohej edhe një vëllim me letërkëmbimin tejet të pasur dhe intervistat e tij. Ato janë në shqip, në italisht, frëngjisht, sllavisht e tjerë. Këto të fundit do të botoheshin nga njëra faqe të përkthyera në shqip, ndërsa në faqen përballë do të ishin në gjuhën nga ishin përkthyer.
Ndërkohë, njëri koleg më vuri në dijeni se shtëpia botuese e kishte hequr nga përparësitë botimin e veprës së Fishtës. Ai më sqaroi se pengesë ishte bërë Kisha Françeskane, sipas së cilës të drejtën ekskluzive për botimin e Fishtës e kishte Vatikani.
Me këtë koleg ne shkuam në Kishën Françeskane. Unë iu tregova se e kisha shfletuar me duart e mia gjithë trashëgiminë e Fishtës dhe se nuk kishte asgjëkundi një dokument ku të thuhej apo të nënkuptohej se këtë të drejtë e kishte Kisha. Madje u përmenda se në shtratin e vdekjes ai ua kishte lënë amanet njerëzve të tij më të afërt: Jo vetëm Kisha, edhe Kombi e ka pjesën e vet në mue. Pra, me këtë amanet, me këtë testament, Fishta i kishte lënë Kombit të drejta të barabarta me Kishën ndaj veprës dhe figurës së tij.
Pashë se pretendimi i Kishës ishte vetëm një pretekst që i përshtatej Shtëpisë Botuese ‘Naim Frashëri’. Në një përurim të botimit të “Lahutës së Malcis” nga Salih Kabashi të organizuar së bashku në Lidhjen e Shkrimtarëve, disa të pranishëm ngritën gjoja shqetësimin e tyre pse po vonohej botimi i veprës së Fishtës. Shefi i redaksisë së poezisë pranë kësaj shtëpie botuese i kundërakuzoi ata se ishin vetë që po e pengonin duke e përdorur madje edhe Kishën për këtë qëllim.
Vite më vonë, në Prishtinë, në formë kolane iu bë një ribotim veprës së Fishtës. Ishte një botim i tipit fotografike, pra, pa prekur asgjë. Nuk pashë të protestonte dikush ndaj këtij botimi, i cili, krahasuar me tërësinë e vërtetë të veprës së Fishtës, do të ishte një botim cung. Dhe nuk pashë që ky botim të luante ndonjë rol në rivendosjen e komunikimit mes autorit dhe lexuesve.
Krahas përgatitjes së kolanës së plotë, kryesisht për nxënësit dhe studentët, unë atëbotë përgatita dhe arrita të botoj në Shtëpinë Botuese ‘Naim Frashëri’ vëllimin me lirika “Mrizi i Zanave”, një ndër librat poetikë më të mirë shqip të botuar në Shekullin XX. Në këtë botim, nga satirat përfshiva kryeveprat “Metamorfoza” dhe “Dredha e Djallit”. Ia lejova vetes këtë liri botimi, duke pasur parasysh se ato kishin tematikë patriotike të afërt me “Mrizin e Zanave” dhe se vetë autori, kur kishte qenë në jetë, kishte bërë përfshirje të kësaj natyre në ribotimet e librave të tij poetikë.
Gjergj Fishta kishte një vetëdijë gjeniu ndaj gjuhës. Pasuria e fjalori të tij krahasohet me pasurinë e fjalorit të Shekspirit. Duke mos pasur formim të mirëfilltë filologjik vetë, intuitën e tij ia nënshtronte edhe këshillimeve me gjuhëtarë të mirëfilltë si Justin Rrota. Më vonë ai do të kishte botues të tijin një filolog të mrekullueshëm si At Viktor Volaj. Fishta, gjithashtu, kishte pranë vetes sekretarë të shkolluar jashtë vendit në linguistikë. Dhe versionet përfundimtare të krijimtarisë së tij janë të gjitha në bukurshkrim nga dora e këtyre sekretarëve.
Gjatë shfletimit të trashëgimisë së tij në Arkivin e Shtetit, unë kisha vënë re se ai iu bënte përmirësime të vazhdueshme gjuhësore veprave të tij, duke u nisur nga drejtshkrimi i kohës si dhe nga ecuria e lëvirimit të shqipes në çastin e dhënë. Pra, supozohej se, po të kishte pasur ribotime të tij, nisur nga e njëjta logjikë, atëherë vepra e Fishtës do të kishte pasur përmirësime të tjera gjatë atij gjysmë shekulli që iu mungonte botimeve shqipe, natyrisht në atë nivel dhe masë që iu janë bërë pararendësve apo bashkëkohësve të tij të letërsisë shqipe. Edhe në botimin që ia bënte në Romë më 1958 “Lahutës së Malcis”, At Daniel Gjeçaj i bënte asaj përmirësime të reja gjuhësore.
Nisur nga ky parim, unë pa prekur dhe pa cënuar tekstin, i hoqa të gjitha apostrofet e panevojshme në trajtat e bashkuara të peremrave dhe apostrofet e vëna brenda fjalëve për hir të ruajtjes së numrit të rrokjeve apo vendit të theksave në vargje. Gjithashtu e lehtësova veprën nga një pjesë e shenjave të shumta diaktritike që diktoheshin nga veçoritë dialektore, sidomos të natyrës së të folmeve veriperëndimore të shqipes, posaçërisht të shkodranishtes.
Nga fundi i vitit 1992 apo nga fillimi i vitit 1993, shtëpia botues “Naim Frashëri” shpalli falimentimin. Nuk u muar vesh më fati i rreth 2 000 faqeve, të përgatitura nga unë, të veprës së Fishtës.
Gjatë këtyre 25 viteve kam dëgjuar gjithandej ankesa pse Fishta nuk zë vendin e merituar në botimet, në kulturën shqiptare, në programet shkollore e tjerë. Por nuk kam dëgjuar asnjëherë se u bë ndonjë përpjekje apo u ndërmuar ndonjë nismë për këtë, ndonëse me Fishtën e kanë gojën plot që nga politikanët e deri tek më të rëndomtit.
Tash dilet me tezën e përshtatjes apo ripërshtatjes së gjuhës në veprën e Fishtës. Kjo iu është bërë autorëve arbëreshë, për shkak se arbërishtja është një dialekt i shqipes i cili i ka shkëputur pothuajse krejtësisht prej shumë shekujsh me dialektet e tjera. Vepra e arbëreshëve është përshtatur në një toskërishte që do të ruante gjithsesi ngjyrimet e arbërishtes. Dhe nuk mund të përfytyrohej që vepra e tyre të përshtatej në gegnishte. Ndonëse gegnishtja i ruan disa forma lakonike të shprehjes që kishte edhe toskërishtja në kohën kur arbëreshët filluan eksodin masiv për në Apenine. Nuk është e rastit që këtë e bën pjesë të stilit të vet në poezinë e tij një autor si Martin Camaj, i cili vjen nga të folmet veriperëndimore të shqipes.
Ndaj autorëve që vijnë nga kjo e folme ka pasur gjithnjë tundime për t’i përshtatur në letrarishte. Kësaj s’i ka shpëtuar as Migjeni, më i botuari dhe më i studiuari i autorëve të kësaj përkatësie. Kjo ia humbte atij pa masë koloritin gjuhësor.
Unë kam parë si veprohet në Perëndim ndaj autorëve të para disa shekujve, si Dante Aligieri, për shembull, apo Shekspiri. Për nxënësit, studentët dhe dijetarët ata botohen në origjinal, siç janë botuar kur ishin gjallë, pa asnjë ndryshim, por të shoqëruar me aparate të gjera e të hollësishme, tejet eksperte, ku shpjegohen fjalët e panjohura, si dhe trajtat e të folurit që nuk janë më në përdorim, po ashtu figurativiteti që nuk është më aktual. Për lexuesin e gjerë botohen me përmirësime të kujdesshme, të cilat pothuaj nuk bien fare në sy. Ndërsa autorët latinë botohen me origjinalin majtas dhe me përshtatjen në italishten e sotme djathtas.
Tek ne me përmirësime të ndjeshme e kompetente mund të ribotohen Buzuku, Budi, Bogdani. Gjithnjë duke pasur përballë orijginalin. Natyrisht, duke i sjellë në gjendjen e sotme të lëvruar të të folmeve përkatëse.
Gjergj Fishta sivjet ka 75 vjetorin e vdekjes. Ndërsa vitin e ardhshëm ka 145 vjetorin e lindjes. Kjo, mendoj unë, duhet të bëhet shkak që qeveria e Shqipërisë të ndërmarrë botimin e plotë të veprës së Fishtës, duke përfshirë krijimtarinë e botuar kur ai ishte gjallë, atë të botuar pas vdekjes së tij, si dhe krijimtarinë e tij që nuk është botuar asnjëherë deri sot. Po ashtu Fishta të ndriçohet në të gjitha anët e tij, si politikan, si veprimtar kombëtar, si klerik e tjerë. Askush nuk ka pse t’iu trembet kundërthënieve që e karakterizojnë figurën e tij, sepse asnjë figurë ndonjëherë nuk iu ka shpëtuar kundërthënieve. Madje, sa më të mëdha kanë qenë ato vetë, aq më të mëdha kanë qenë kundërthëniet e tyre.
Letërsia jonë kombëtare, kultura jonë kombëtare tejet e pasur me relieve, ato janë një natyrë me plot relieve të larta apo shumë të larta. Duke e mbajtur në hije apo gjysmëhije Fishtën, ne i shërbejmë vetëm varfërimit të dhunshën të letërsisë sonë, kulturës sonë, konstitucionit tonë kombëtar.
Dhe, le ta dimë: Fishta nuk është nga ata që mund ta mësosh si të flasë, Fishta është nga ata që na mëson ne si të flasim.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fishten botojeni, mos e perdhosni, Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

2014 – VITI KUR NUK U NDËRTUA ASGJË

December 28, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Viti 2014 ‘socialist’ në Shqipëri kaloi në shenjë të stigmatizimeve ndaj vitit 2013 ‘demokratik’, çka na i kujtoi stigmatizimet gjysmëshekullore që iu bënë në këtë vend vitit 1938.
U largua, me ritme të papara, administrata militante pd-iste dhe u zëvendësua nga administrata militante ps-iste.
U bë gjithnjë e më largët ajo kohë kur Shqipëria do të ketë një administratë të qëndrueshme profesioniste, qytetare.
U bënë vetëm çndërtime, duke rrënuar ndërtimet e paligjshme kaotike të periudhës së tranzicionit. Ato janë aq shumë saqë, po të vazhdohet me ritmet – konsiderueshëm të larta – aktuale të prishjeve të tyre, çndërtimi do të kërkonte të paktën një dekadë.
U çthanë disa nga ndërtimet e thëna nga regjimi i mëparshëm. Për shembull, përfundimisht, në jugun e Shqipërisë nuk do të ndërtohen më hidrocentrale. Kështu, viti 2014 shënon mbylljen e perspektivës së zhvillimit energjitik të Shqipërisë. Ashtu siç ndodhi gjatë gjithë periudhës së ‘ndërtimit socialist’ të vendit, ashtu siç ndodhi gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, në jug nuk do të ndërtohen hidrocentrale. Sepse ato do t’i cënuakëshin parqet kombëtare. Ndërsa në veriun e Shqipërisë nuk ka më se ku të ndërtohen hidrocentrale.

U ritha vetëm Rruga e Arbrit, e cila do të rifillojë së ndërtuari më 1915, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në Beograd në mes qeverisë kineze dhe qeverisë shqiptare. Le të shpresojmë.
Asnjë vepër e projektuar nuk nisi, asnjë vepër e nisur nuk vazhdoi, asnjë vepër e lënë përgjysmë nga 2013-a nuk mbaroi së ndërtuari nga 2014-a.
2014-a ishte vit i moratoriumit të ndërtimeve.
Mirë, po pranojmë se gjatë vitit 2014 u punua për ndërtimin e imazhit të Shqipërisë. Këtu autorët dhe përkrahësit e kësaj teze kanë parasysh kryesisht Lazaratin. Kanë parasysh kandidimin zyrtar të vendit në BE. Kanë parasysh ardhjen e Papës Françesk në Shqipëri. Kanë parasysh dronin në Beograd. Dhe nuk përmendin se po gjatë këtij viti pati ndodhira të cilat e asnjësuan – për të mos thënë më shumë – ndikimin e atyre zhvillimeve ndërtuese të imazhit të Shqipërisë. Nëse të parat janë investime, të dytat janë kundërinvestime. Dhe nuk është ndalur, nuk është ngadalësuar prirja që kundërinvestimet t’ua kalojnë shumëfish investimeve.
E njëjta gjë edhe në Kosovë. Vetëm 4 njohje të reja. Ndërkohë që premtimet kishin qenë se do të ndodhnin njohje të shumta dhe të rëndësishme. Asnjë përfitim politik, ekonomik apo diplomatik nga dialogu me Beogradin. Veriu kolonizohet me serbë. Pjesa tjetër e vendit zbrazet nga rinia shqiptare që largohet masivisht nga vendi për mungesë perspektive. Dhe, çka është më ironike, kjo dukuri përshkallëzohet pas koalicionit të pakuptimtë PDK-LDK.

Nga mbarimi i vitit 2014 edhe në Tiranë një marrëveshje tripartiake PS-PD-LSI për kthimin e deputetëve ‘demokratë’ në Kuvend. Marrëveshja arrihet në prag të zgjedhjeve për pushtetin lokal, kur mbaron gjysma e mandatit qeverisës të cilin PS e mori më 2013. Frytet e kësaj marrëveshjeje klienteliste të radhës nuk do të pasyrohen në punësime, në ulje taksash, në më shumë dritë, më shumë ujë të pijshëm, nuk do të pasyrohen në reforma, në përmirësimin e jetesës së qytetarëve, në përmirësimin e rendit, në përmirësimin e klimës politike. Nuk do të ketë më shumë shtet ligjor, nuk do të ketë më shumë demokraci, nuk do të ketë më shumë mirëqenie të përgjithshme. Thjesht do të ketë hapësirë të bollshme korrupsioni edhe për kreun e opozitës, ashtu si gjatë gjithë tranzicionit. Nuk do të ketë kërcënime për hapjen e dosjeve të spiunëve të Sigurimit të Shtetit. Nuk do të ketë më denoncime për korrupsion në prokurori.
Pandëshkueshmëria do të vazhdojë. Krimi dhe korrupsioni do të vazhdojnë të largohen në drejtim të paditur. Do të ketë vetëm akuza dhe kundërakuza spektakolare në Kuvend dhe në media.
Gjatë këtij viti qeveria vazhdoi me stilin e nihilizmit dhe të premtimeve, si në kohën kur ishte opozitë.
Në Evropën demokratike arritjet e një mandati të një qeverie maten me veprat e kryera – sa vepra të vogla, sa vepra të mesme, sa vepra të mëdha.
Më 2015, sigurisht, qeveria ‘socialiste’ do ta ketë shumë më të lehtë t’i bëjë krahasimet me vitin 2014 se me vitin 2013.

Filed Under: Analiza Tagged With: 2014 - VITI KUR NUK, Nga SKËNDER BUÇPAPAJ, U NDËRTUA ASGJË

Artikujt e fundit

  • GADISHULLI BALLKANIK  
  • Lindja e Mesme, Trump dhe kthimi në Realpolitikë
  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT