Artisti në mërgim: Intervistë me Niko Danaj (Vlozer)/
Përgatiti per Diellin, Erjus Mezini
Niko Danaj, apo siç njihet me emrin e tij artistik Vlozer, e njoha në Ollbeni të Nju Jorkut (Albany, NY) rreth katër vjet më parë, kur isha në kërkim të një baneseje. Me rrobat e punës unë, me rrobat e punës edhe Niko nisëm të soditnim banesën ku do të vendosesha dhe zumë diskutime krejt të rëndomta të stilit sa është qiraja, cilat janë harxhimet plus, kur ishte lyer ndërtesa, etj. U strehova si përfundim aty dhe çdo pasdite vëreja Nikon që kthehej me makinën e punës dhe futej në garazh. “Do të jetë duke përgatitur veglat për ditën e nesërme”, shestoja –duke pasur në mendje faktin që shumë shqiptarë të Amerikës jetojnë vetëm për të punuar. Një pasdite m’u nevojit diçka dhe vendosa që të pyesja Niko punëtorin. Iu drejtova garazhit dhe vura re se përbri hyrjes që dukej nga dritarja ime kishte edhe një hyrje tjetër që fshihej. Në hyrjen në të majtë (ajo që shikoja unë nga dritarja) Niko punëtori kyçte makinën edhe veglat çdo pasdite, kurse hyrja e djathtë (ajo që sapo zbulova) strehonte Nikon tjetër, pra Vlozerin. I thirra në emër për t’i kërkuar një vegël dhe Vlozeri më shfaqet përpara me një kapelë me strehë të rrumbullakët dhe një pllakë druri të mbushur me bojëra. Duke buzëqeshur më ftoi në vendin e punës dhe ajo që konstatova ishte se aty nuk kishte vegla, hekurishte dhe gëlqere, siç e pandehja unë, por kishte vepra arti. Si në ëndërr, ai garazh i rëndomtë mu mbush me tablo dhe piktura të llojlojshme. I sodita të gjitha një e nga një dhe e harrova fare shkakun përse kisha kërkuar Niko punëtorin. Tani e vetmja gjë që doja ishte të mësoja diçka nga Niko artisti, Vlozeri. Folëm gjatë atë pasdite me Vlozerin: për artin, për pikturën, për poezinë, për shqiptarët, për Amerikën, për ne artistët në mërgim. Diskutimet tona nuk kishin fund, por as pikturat e Vlozerit. Ajo që më bënte përshtypje ishte se për çdo punim të tij, Vlozeri më thoshte se nuk e kishte përfunduar ende. I shikoja me vëmendje tablotë, për të gjetur ndonjë mangësi. Por asgjë nuk mungonte aty brenda. Shikoja nga Vlozeri i habitur. “Nuk ka përfunduar ende”, përgjigej bindshëm –duke më bërë që ta vrisja mendjen më shumë. Kaluan katër vite që nga ajo kohë dhe Nikon e takova rastësisht përpara disa ditësh. Tani më tregoi sesi e kishte lënë punën e ndërtimit, për t’u marrë vetëm me pikturën. Diskutimi rodhi natyralisht, për pikturën, për poezinë (Vlozeri është edhe poet), për ne artistët në mërgim. Kësaj radhe nuk desha që bisedën ta merrte era. Aty tek pinim kafenë, nxora një bllok dhe nisa të regjistroj pyetjet e mia dhe përgjigjet e Vlozerit, të cilat po i ndaj më poshtë me lexuesin…
Zoti Danaj, na flisni pak për karrierën tuaj. Kur keni nisur të merreni me pikturën?
Niko Danaj/Vlozer: Ishte 4 prill 1966. Unë isha dymbëdhjetë vjeç. Sëbashku me shokët po luanim në kodrat mbi shtëpitë tona, në qytetin e lindjes, Vlorë. Ato që më frymëzuan ishin lulet e verdha gjeshtre, me aromë dhe shumë të bukura. Këputa disa, shkova në shtëpi dhe fillova t’i vizatoja me laps. Ato lule ishin shkëndija që ngjalli talentin tim. Më vonë vazhdova kurse për pikturë. Më 20 dhjetor 1973, si njëri nga më të mirët e qytetit në pikturë, më zgjodhën delegat në konferencën e talenteve të reja që zhvillohej në qytetin e Korçës. Suksesi im i madh erdhi më 28 nëntor 1976 në Ekspozitën Kombëtare të Rinisë, ku u përfaqësova me dy piktura. Piktura e parë titullohej “Stazhieri” dhe ishte kompozim portreti i një të riu gjimnazist, mbi kanavacë me bojëra vaji dhe përmasë 75 me 55 centimetra. Piktura e dytë ishte një peizazh nga Ullishtja e Vlorës, 40 me 40 centimetra mbi kanavacë, me bojëra vaji poashtu. Pas këtij suksesi të bujshëm, kritikët e artit realsocialist me një konferencë vlerësimi të pikturave më kritikuan për surrealizëm modern dhe abstraktionizëm, paçka se unë nuk e njihja fare atë rrymë arti në atë kohë. Ishte viti 1977 ku përpara mu çua një mur betoni i zi që s’më lejonte të shikoja më të voglën hapësirë drejt ëndrrës sime. Megjithatë, mbeta i dashur dhe i respektuar nga shokët e mi dhe prej tyre mora emrin tim artistik, Vlozer.
Disa sekrete të teknikës suaj. Cilat janë mjetet që përdorni, ngjyrat, materialet, tablotë, etj. Përse preferoni këto mjete dhe jo diçka tjetër?
Vlozer: Sekretet e mia artistike lindin gjatë punës dhe zhvillohen bashkë me ëndrrat e mia. Sepse lexuesi duhet ta dijë se për artistin çdo vepër është e veçantë dhe si e tillë ajo jeton me mua. Përsa u përket mjeteve që përdor, ato janë të shumta. Lapsat e ndryshëm, blloqet e vizatimit, penat grafike, pastelet, bojërat e vajit, kanavacat dhe shumë e shumë të tjera.
Me cilën rrymë piktorësh e identifikoni veten? Cilat janë motivet/subjektet e pikturës suaj?
Vlozer: Arti që më frymëzon dhe dashuroj është arti realist. Megjithatë, më ndodh nganjëherë të frymëzohem edhe nga arti modern dhe abstrakt. Motivet e mia të dashura janë protretet, peizazhet, natyra e qetë dhe skicat nga më të ndryshmet. Tek portretet ideja është që të arrij botën shpirtërore, psikologjinë, ngjashmërinë dhe jetësimin e personazhit. Tek peizazhet përdor teknikën koloristike, gjallërinë apo ndjesinë e lëvizjes. Ndërsa natyrave të qeta që pikturoj unë u jap sa më shumë harmoni.
A keni pasur influenca nga piktorët shqiptarë?
Vlozer: Një nga piktorët vlonjatë që më ka ngjallur gjithnjë interes dhe respekt është Nestor Jonuzi. Me veprat e tij ai ka shërbyer si një mentor në hapat e mia të para në pikturë.
Kohët e fundit është vënë re se piktura ka hyrë seriozisht në epokën dixhitale. Shumë artistë sot preferojnë të pikturojnë mbi tabletë, sesa mbi tablo. Si e komentoni këtë zhvillim në pikturë?
Vlozer: Sa më shumë që modernizohet jeta njerëzore, aq më shumë shkatërrohet arti realist. Merrni si shembull zenitin e artit përgjithësisht dhe të pikturës veçantisht përgjatë Rilindjes së Evropës, në shekullin e 16të. Ndërsa moderniteti i ynë është mbytës. Në një kohë si e jona është shumë e vështirë që të krijohen mendje të mëdha krijuese. Për mua arti duhet të jetë vetëm real. Këtu e kam fjalën që të ekzistojë lidhja e drejpërtdrejtë e piktorit me objektin, peizazhin dhe mjetet.
A ka piktura një funksion në shoqërinë e sotme? Nëse po, cili është funksioni i saj?
Vlozer: Po. E besoj që ka një funksion, por jo në përmasa të mëdha. Funksioni i pikturës është i përhapur kudo. Çdo piktor ka rrymën, idetë, kompozimet dhe fantazitë që dallojnë artin e tij.
Na flisni pak për jetën e artistit në mërgim. Cilat kanë qenë peripecitë që keni hasur si artist në mërgim? Është e lehtë të jesh piktor shqiptar në Amerikë?
Vlozer: Jeta e artistit në mërgim është e shuajtur gjer në masën 95 përqind. Pra nëse ai rilind, kjo do të jetë në sajë të ëndrrave të tij. Që të bëhesh artist duhet t’i kesh xhepat plot. Nuk duhet të bësh as dhe një punë tjetër, përveçse t’i dedikohesh rrugës së artit, pasionit dhe talentit që ke si artist. Në mërgim unë nuk kisha mundësinë që të vazhdoja ëndrrën time. Duke dashur të mbaja familjen dhe të edukoja fëmijët, doemos që iu nënshtrova fatit të kundërt duke punuar me orar dhe pa orar, shtatë ditët e javës. Amerika t’i jep mundësitë për t’u bërë dikushi në të gjitha fushat e jetës, u sakrifikova unë që fituan fëmijët e mi.
A do duhej dhe a do mundej shteti shqiptar që të mbështesi piktorët? Nëse po, për cilin shkak?
Vlozer: Politikanët shqiptarë nuk interesohen për artistët shqiptarë të çdo fushe, kudo që ata ndodhen nëpër botë. Nuk ka shans që artistët emigrantë të ndihmohen ose të stimulohen nga udhëheqësit shqiptarë. Çdo artist sot mundohet të gjejë vetveten.
A keni ndonjë këshillë për fillestarët e pikturës?
Vlozer: Ajo që unë mendoj për fillestarët së pari është talenti. Së dyti, mendoj të hap kurse në pikturë, arkitekturë, histori dhe mjeshtëri arti. Kurset do u ofrohen falas emigrantëve shqiptarë dhe shumë të tjerëve, disa orë në javë.(fotografite mund t’i shihni ne Facebook-dalip Greca)