• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Piktori Nazmi Hoxha si dhe dy fjalë për portretin e poetit Vehbi Skënderi nga Artisti

February 23, 2021 by dgreca

Shkruan: Elida Buçpapaj/

Piktori i shquar shqiptar Nazmi Hoxha që jeton e punon me familjen në SHBA ka një fond të artë të veprave të tij, që variojnë nga kompozimet, peizazhet, nudot dhe portretet, duke përfshirë figura të historisë dhe kulturës shqiptare dhe jo vetëm.

Piktori fut në objektivin e tij emra që kanë lënë shenjë në ndërgjegjen e kombit për të zgjuar ndërgjegjen e shqiptarëve.

Janë kryevepra që do të nderonin çdo galeri botërore arti punimet e tij, që janë universi dhe kozmosi personal i piktorit, të cilat ai i ka personalizuar, si me koloritin, përdorimin e ngjyrave eterike, ashtu edhe pikvështrimin.

Piktori ka krijuar tashmë një galeri të gjallë të portreteve, ku dallohet Fishta, Nënë Tereza, Anton Cetta, Petro Zheji, Adem Jashari, Bekim Berisha, portreti i Malsorit dardan.

Kush përballet me portretet e Artistit bie menjëherë nën efektin e artit të vërtetë, që të zgjon nga letargjia, që të bën të reflektosh, t’i gjesh gabime kohës dhe vetes ku jetojmë sot.

Ndërkohë piktori i ka kushtuar një vemendje të veçantë poetëve që janë aq afër profetëve duke portretizuar Migjenin, Lazgush Poradecin, Frederik Rreshpjen.

Nga punimet më të fundit të Artistit është edhe portreti i poetit Vehbi Skënderi.

Midis Vehbi Skënderit dhe Nazmi Hoxhës ka patur një empati të krijuar posa poeti vizitoi për herë të parë ekspozitën e Nazmi Hoxhës dhe u magjeps prej asaj pikture që nuk e kishte ndeshur askund, sepse piktori e kishte përmbysur thënien e Aristotelit se Natyra është e paimitueshme, për të thënë se arti është i paimitueshëm.

Pikërisht këtë vlerë zbuloi poeti Vehbi Skënderi tek piktori Nazmi Hoxha, andaj e quajti kryepoet. Midis poezisë dhe pikturës ka një lidhje si midis shpirtit dhe shpirtit. Leonardo Da Vinçi i madh jo më kot thosh se “Piktura është poezia që më tepër shihet se ndjehet, ndërsa poezia është piktura që më tepër ndjehet se shihet”.

Ndërsa Vehbi Skënderi tek Nazmi Hoxha i zbuloi edhe poezinë, edhe pikturën në simbiozë me njëra tjetrën dhe prandaj bëri atë definicion.

Dhe definicionet e poetëve mbeten të përhershme.

Kur emocionohen poetët nga ajo që shohin është diçka e rrallë dhe prandaj emocionit i japin një emër që të jetojë edhe kur poetët ikin nga kjo botë.

Sikur është larguar edhe poeti Vehbi Skënderi. Të cilin e ringjalli Artisti Nazmi Hoxha, duke i dhënë të drejtë Platonit.

Nazmi Hoxha i dha frymë poetit Vehbi Skënderi! E zbriti nga Parajsa në studion e tij në New York dhe prej andej e bëri të kudogjendur në botën virtuale, që edhe kjo duket sikur është ndërtuar si një ngrehinë platoniane.

Vehbi Skënderi duhet ta shohë portretin e tij nga bota e përtejme dhe prej andej me atë natyren e tij entuziaste dhe aq delikate, elegante e të ndjeshme,  i dërgon mesazhe mirënjohje Artistit !

Jam e sigurt se poeti Vehbi Skënderi po loton kur e sheh veten e tij të portretizuar nga kryepoeti! Vehbi Skënderi kështu ishte, qante si fëmijë dhe qeshte si fëmijë!

Sepse shpirti i tij ishte i pastër si shpirt një fëmije, i pa prekur nga pislliku dhe kalbësia që ia shihte syri dhe ia provonte lëkura!

Pikërisht me këtë shpirt të kthjellët e portretizon Artisti Poetin, ndërsa flokët e poetit i ka bërë prej reje, prej atyre reve që ndodhen vetëm në Parajsë, për të krijuar kësisoj lidhjen mes tokësorëve dhe qiellorëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: artisti, Elida Buçpapaj, Nazmi Hoxha, piktori, poeti, VEHBI SKËNDERI

BUJAR ZELA: ARTI SI NJË PROCES KËRKIMI I GJYSMËS TJETËR TË JETËS

September 3, 2020 by dgreca

Piktori Bujar Zela rrëfim ekskluziv nga Viena për Diellin e VATRËS – New York, në një intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA. –

ARTI SI EDUKIM DHE ZHVILLIM I AFTËSIVE KRIJUESE

Arti është një ushqim shpirtëror që ushqen çdo njeri dhe aspiron ato në jetën e përditshme, edukohet tek njerëzit frymëzimi, guximi dhe iniciativa. Dinjiteti dhe individualiteti janë veti të njerëzve të mëdhenj, por nëpërmes artit artisti mundohet të personifikojë individualitetin dhe stilizimin e tij në mënyrë që të depërtojë tek publiku. Tek pikturat dhe grafikat e mia shumë piktorë kolegë dhe njerëz të thjeshtë dashamirës të artit e kanë cilësuar artin tim autokton dhe kjo është një meritë për një krijues, pra të jesh vetvetja.

NË KËRKIM TË GJYSMËS TJETËR TË JETËS

Piktura dhe arti arrijnë zhvillimin e aftësisë artistike duke punuar dhe kërkuar gjithë kohen. Gjysmën e jetës piktorët e kalojnë vetëm në studiot e tyre duke punuar dhe studiuar. Një pedagog i piktures më ka thënë është 10% talent dhe 90% punë sepse vetëm nëpërmjet punës vjen frymëzimi e talenti dhe arrin nivelin artistik cilësor që kërkon. Kjo varet dhe nga perceptimi i krijuesit dhe rrymave të ndryshme që dëshiron. Mesazhet  e forta artistike  më frymëzojne,  jeta e përditeshme njerëzore, ngacmimet shpirtërore të njerëzve të punës që mundohen të sigurojnë jetën e përditeshme dhe të ndershme në familjet e tyre, punëtori në fushë, malësori në mal me bageti, ajo nëna që shet zarzavate të mbjellë vetë me aq mundim dhe mundohet të sigurojë familjen, edhe një lyps me qenin e tij për të mbijetuar që të fitojë ndonjë qindarkë. Këto janë motivet më të dashura të jetës sime që më bëjnë të shpërthej dhe ti punoj në studio. Natyra është mësuesi më i mirë. Vjeshta me ngjyrat e saj të vlorijta dhe deti me madhështinë e tij. Një portret të nënës time që më rriti me aq mundim me napën e bardhë mbi kokë dhe thinjat e bardha që është një realitet i kohës së shumë vuajtur,  kisha nderin që u ekspozua në ekspoziten e jubileut të 100 vjetorit të Tiranës.                

ZOTI, NJERIU, NATYRA

Çdo krijues ka individualitetin e tij. Ai paraqet nëpërmjet ngjyrës apo vizatimit ekspresivitetin dhe koloritin e tij. Unë jam gjithmonë optimist në pikturë dhe në jetë dhe këtë e paraqes sipas imazhit tim si psh: tek peisazhet apo portretet dominon ngjyra e kuqe dhe blu, ku e  kuqja tregon gjithmonë optimizëm  dhe dashuri ndërsa ngjyra blu tregon shpresë. Ka  raste që paraqes hidherim dhe deshpërim dhe përdor ngjyrën e zezë me sfumaturen e saj.                                          

        Me emrin Zot unë perceptoj gjithësinë, drejtësinë, dashurinë e njerëzve me njëri tjetrin, ndershmërinë, bujarinë, sinqeritetin dhe humanizmin. Kjo më ka shoqëruar gjithë jetën sepse pa emrin Zot nuk kisha këto hapësira dhe aspirata të artit tim dhe unë prandaj i dedikohem Zotit për arritjet e mia deri tani në art dhe në jetë. Në vitin 1990 kur emigruan shumë shqiptarë për një ekonomi  më të mirë, kisha pikturuar portretin e Jezusit si prijës i rrugëtimit dhe ashtu ndodhi dritë ma bëri gjithë udhëtimin.          

ARTI SI MJET PËR TË LUFTUAR DIKTATURAT

Arti ka qënë dhe është një mjet për të luftuar sistemin sidomos atë diktatorial që e përjetuam kur merrnim pjesë në ekspozitë kombëtare ku tematikat kanë qënë të kufizuara dhe intepretimi i ngjyrave i kursyer sepse ndoshta shpërndan rrymë dekadente. Si në poezi, muzikë, skulpturë edhe arti figurativ është një armë e fuqishme kundër diktatures por kjo varet nga niveli i popullit, mënyra  si e percepton dhe frymëzon popullin. Mendimi im është që  arti është një reaksion revolucioni kundër mendimit dhe idesë së diktatures dhe fjala e lirë është forcë e madhe njerëzore frymezimi  për të gjithë.

KUSH ËSHTË PIKTORI BUJAR ZELA

Bujar Zela ka lindur në Tiranë 30.1.1956. Ka mbaruar shkollen Artistike “Jordan Misja” në Tiranë, ka marrë pjesë në shumë ekspozita vetjake dhe kombëtare në galerinë e Arteve në Tiranë. U largua nga Shqipëria në vitin 1991 në  Austri në Vienë,  qytet në të cilin punon dhe jeton duke u marrë me pikturën më vehte, aty ku lindi arti, frymëzimi dhe tradita e tij kombëtare. Natyra ështe mësuesi  më i mirë për të, perla e gjithçkaje, por jo ti besosh e të bëhesh skllav i saj, por shpirti i artistit të vërtetë di të përceptojë ndjenjat krijuese. Një tjetër gjini e frymëzimit artistik është grafika e cila i ngjall emocione dhe e frymëzon për krijimtari dhe teknika të reja me kontrastin e thellë bardhe e zi. Forma, natyra dhe ekspresiviteti i hedhur ne Telajo. Pikturat e Bujar Zelës shikohen, flasin dhe ndihen si ai. Bujar Zela ka hapur ekspozita në Tiranë në vitet 1973, 1985, 1986, 1990. Ndërsa në Vienë dhe Tiranë në vitet 1995, 2005, 2009, 2010, 2012, 2016, 2017, 2018, 2019, 2020. 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Bujar Zela, piktori, Sokol Paja

TRURI I NJË PIKTORI DHE SHPATA E GJERGJ KASTRIOTIT…

June 25, 2020 by dgreca

KRITIKU FRANCEZ I ARTIT (1865) : “NËSE TRURI I NJË PIKTORI KËNAQET ME ANËN MATERIALE DHE SHKËPUTET NGA STUDIMI DHE REFLEKTIMI, ATËHERË AI DO TË JETË PO AQ I PADOBISHËM SI PUNA E SHPATËS SË GJERGJ KASTRIOTIT NË DUART E MEHMETIT II.”/

Nga Aurenc Bebja*, Francë /

Në veprën me titull “Les beaux-arts à l’exposition universelle et aux salons de 1863, 1864, 1865, 1866 et 1867 – Artet e bukura në Ekspozitën Universale dhe në sallonet e 1863, 1864, 1865, 1866 dhe 1867” të kritikut të artit, shkrimtarit dhe fotografit francez Maxime Du Camp (1822 – 1894), botuar në Paris në vitin 1867, gjejmë një krahasim midis artit të pikturës dhe heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Salloni i 1865

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“…A është e nevojshme të them se pothuajse të gjitha veprave të ekspozuara aktualisht u mungon mendja (shpirti) ? Dëgjoj këtë frymë tërheqëse që bën një pikturë, një statujë, diçka tjetër përveç përfaqësimit brutal të një fakti, një personazhi apo këndvështrimi. Vetëm dora merret parasysh ; ajo mbizotëron trurin : skllavja është shndërruar në zonjë.

Midis artistëve, unë vë re shumë virtuozë dhe shumë pak krijues. Sidoqoftë, është shpikja, në kuptimin origjinal të fjalës, ‘invenire’, për të gjetur, që është përsosmërisht shenja dalluese e çdo arti. Nëse misioni i vetëm i pikturës është riprodhimi, ajo nuk është më art por zanat (punë). Raymond Gayrard (skulptor francez), një njeri i talentuar, kompetencën e të cilit nuk mund ta mohojmë, ka shkruar :

“Sipas disa artistëve, shumë të vlerësuar për një pjesë të punës së tyre, materiali i imitimit mjafton për të prodhuar kryevepra. Është e qartë se më këtë duhet të marrim parasysh vetëm anën piktoreske, e cila është ana më e ngushtë (lehtë) e artit. Ekziston para së gjithash, dhe mbi të gjitha, ana morale, ana poetike.”

Asgjë nuk është më e vërtetë. Përndryshe, te z. Blaize Desgoffes (piktor francez), i cili di të kopjojë përsoshmërisht një copë fildish, një copë stof, një gotë plot verë, detyrohemi të njohim piktorin më të madh të kohërave moderne, një supozim kaq i çuditshëm sa është i papranueshëm.

Sulltani Mehmet II, i habitur nga fitoret që arrinte Skënderbeu, i kërkoi Epirotit të tmerrshëm që t’i jepte shpatën e tij. Sulltani nuk pësoi më pak humbje, dhe duke e akuzuar Skënderbeun se e mashtroi, ky i fundit iu përgjigj : “Nuk është shpata ime ajo që ju nevojitet, por krahu që e përdor dhe koka që e drejton atë.”

Çfarëdo aftësie materiale që mund të arrijë (fitojë) një piktor, nëse truri i tij nuk zhvillohet pa ndërprerje nga studimi dhe reflektimi, ai do të jetë po aq i padobishëm si puna e shpatës së Gjergj Kastriotit në duart e Mehmetit II.”* (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania)

Filed Under: Kulture Tagged With: Aurenc Bebja, Gjergj Kastrioti, Maxime Du Camp, piktori

PIKTORI I KAMPEVE TË VDEKJES TË REGJIMIT TË ENVER HOXHËS

August 8, 2017 by dgreca

2 Frank-shkreli-2-300x183-1

Ng a Frank Shkreli/

kuqezilek_pervizi

Piktori është Z. Lekë Pervizi. Kampet e vdekjes janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, pikërisht ai kampi famëkeq i Tepelenës.

Ditët e fundit më ra në dorë numri i posaçëm i Revistës “Kuq e Zi”, një revistë euro-shqiptare online me kryeredaktor Lekë Pervizin, e cila botohet në Bruksel ç’prej vitit 1993.  Thuhej në editorialin e numrit të parë të revistës “Kuq e Zi” se botimi i saj, synonte të shërbente si tribunë shqiptarizmi, “Ku ata që vuajtën dhe u sakrifikuan nën dhunën komuniste gjatë një gjysmë shekulli të kenë mundësinë të shprehin e të tregojnë aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të dijes e të kulturës.”  Jo të gjithë dolën të gjallë nga kampet e përqendrimit të regjimit më të egër komunist në Evropën lindore, por ata që patën fatin të mbijetojnë mundimet dhe terrorin enverist – dëshmitarë të gjallë të atyre krimeve anti-njerzore– sot janë ne gjendje, që në emër të bijve dhe të bijave më të dalluar të kombit, “rrnojnë për me tregue” vlerat reale të atyre viktimave të komunizmit shqiptar, me qëllim, “për me çue në vend nderin e kulturës dhe të historise shqiptare”.

Njëri prej këtyre dëshmitarëve që i shpëtoi vdekjes në kampin e Tepelenës është edhe Lekë Pervizi. Për veten dhe bashkvuajtsit e tij në kampet komuniste të Enver Hoxhës, Z, Previzi ka shkruar se, “Jemi dëshmitarë përjetues të asaj shfarosjeje sistematike e të planifikueme me gjakftohësi të madhe nën diktatin e të huejve: jugosllavë, rusë e kinezë, për t’i zhdukun të gjithë tiparet shqiptare, si burrëninë, besën e traditat, ashtu edhe historinë, gjuhën e kulturën. Këto iu nënshtruen falsfikimit e manipulimit, sipas strategjisë së ideologjisë marksiste të zhdukjes totale të trashigimisë sonë mijavjeçare”.

Dëshmitari i gjallë i këtyre vuajtjeve e terrori, sidomos në kampin e Tepelenës, ku ai vet ka kaluar dënimin si i pa dëshiruar i regjimit komunist, Lekë Pervizi vazhdon, për më shumë se një çerek shekulli pas shembjes së komunizmit, të “rrnojë” dhe të “tregojë” për vuajtjet e veta e të familjes së tij të ngushtë si dhe të bashkvuajtsve të tij si vëllëzër e motra shqiptare, kundërshtarë politikë të regjimit enverist.  Z. Pervizi e ka dokumentuar me shkrime dhe si — rradhë kush tjetër, për të mos thënë ndoshta si askush para tij  që vuanin në ish-burgjet e kampet komuniste të Evropës Lindore – edhe me vizatime në copa letrash — përshkroi jetën e përditshme në kampin e Tepelenës dhe vuajtjet e tmerret që ai dhe të tjerët kanë pësuar në kampin famëkeq aty.

Numri i fundit i posaçëm i revistës, “Kuq e Zi” u kushtohet pikërisht këtyre vizatimeve të piktorit të ish-burgosur Lekë Pervizi, një testament i rradhë ky, në këtë formë i mundimeve dhe vuajtjeve në kampin e terrorit të Enver Hoxhës, në Tepelenë.  Duke i shikuar ato fotografi të vizatuara në ish-kampin e Tepelenës nga Leka, njeriu normal ndjenë një shpërthim zemërimi pothuaj të papërmbajtur dhe pyet veten se si është e mundur që njeriu të veprojë në këtë mënyrë kundër njeriut, e për më tepër shqiptari ndaj shqiptarit.

Në një komunikim me Z. Pervizi, pasi lexova numrin e posaçëm të revistës online që më kishte dërguar, (dhe cila është e bashkangjitur këtu për lexuesin), e pyeta se pse ka pritur gjithë këto vite që t’i botojë këto vizatime për publikun. Ja edhe shpjegimi i historisë së botimit më në fund, në një album të posaçëm.  Ai më shkruan se i mbante vizatimet për vete, në disa copa letre, sa për kujtim, megjithse i kishte botuar herë pas here në revistën “Kuq e Zi”, ç’prej fillimit të daljes së saj në vitin 1993 e në vazhdim, por shton se nuk u kujtua kush që tu jepte rëndësinë që meritonin.  Z. Pervizi i jepë kredi për botimin, më në fund, të vizatimeve një miku të tij i ish-përndjekur politik edhe ai — e i cili ishte në dijeni të vizatimeve të tija në kampin e Tepelenës.  Në një mënyrë ose në një tjetër, lajmi për ekzistencën e vizatimeve të Z. Pervizi shkoi në veshët e zyrës së Fondacionit gjerman Konrad Adenauer, në Tiranë e cila i botoi vizatimet nepërmjet Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit në Tiranë, me drejtor Agron Tufa, shprehet Z. Pervizi.  Ishin gjermanët pra, ata që mundësuan botimin e këtyre vizatimeve me një album të posaçëm me titullin, “”Rrathët e Ferrit”.

Leka shkruan se gjermanet e kishin ftuar për një një javë ndërsa kishin organizuar një mbledhje me aktivitet të posaçëm në kazermat e rrënuara në Tepelenë, ku ishin ekspozuar vizatimet e tija të zmadhuara, ku ndër të tjerë, kishte marrë pjesë dhe Ambasadori gjerman në Tiranë dhe drejtori i Kondacionit Konrad Adenauer.  “Kështu nepërmjet atyne vizatimeve të shpëtueme kot prej meje (mjaft kishin humbë), u ba i njohun kampi i Tepelenës, ashtu siç ishte i ndertuem që e keni pa dhe ju në revisten, por që i të cilit kamp nuk ekzistonte asnjë fotografi, se ku e si ishte.  As nuk dihej se si funksiononte e si ishin stivosun të internuemit brenda atyne kazermave vigane”.    Kjo u ba shkas edhe per mbledhje të tjera dhe tashti po mendohet që të krijohet aty një muze, e të ngrihet një memorial, më shkruan Leka. “Merreni me mend, i dashun mik, se kishin kalue 25 vjet që askush s’donte të ia dinte për atë kamp famëkeq të Tepelenës.  Prandaj vizatimet dolën me vonesë, kur duhet të ishin ba të njohuna botënisht që në vitet e para pas shembjes së diktaturës.  Kaluen gjashtë presidentë e disa qeveri, që as u shkonte mendja fare dhe as që e donin daljen në shesh të mizorive të komunizmit mbi qenje njerëzore (shqiptare) të pafajshme”, përfundon ai shpjegimin e tij, që pati mirësinë të më dërgonte në lidhje me vonesën e botimit të këtyre vizatimeve dokumentuese dhe historike me vlerë të madhe, nga një dëshmitar i gjallë i jetës dhe krimeve që bëheshin në kampin e Tepelenës nga regjimi komunist kundër popullit të vet. Megjithse Lekë Perrvizi me modesti thotë se nuk e bëri publikimin e këtyre vizatimeve me qëllim që të “delte si burë i mirë”, ai shpreh mirënjohjen e tij dhe falënderon gjermanët me interesimin e tyre, e bënë të mundur daljen në shesh të këtyre vizatimeve historike nga jeta dhe e krimet në kampet shqiptare të përendrimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilat Z. Pervizi thotë se, “Ambasadori gjerman në Tiranë i kishte krahasuar me Auschvitzin, për trajtimin miserabël që iu bahej të internuemve, pavarësisht nga përmasat strukturale më të vogëla, por për nga përmasat kriminale të mëdha.”

Në një artikull dje nga Përparim Halili, botuar në gazetën Telegraf të Tiranës thuhet se dosjet e kampit të Internimit dhe të kryengritjes antikomuniste së Zhapokikës në Tepelenë janë zhdukur më 1991.  Për më tepër Z. Halili shkruan se strukturat e kampit të Tepelenës janë hedhur për dhe, siç duket në përpjekje për të   zhdukur çdo provë i ekzistencës së kampit të tmerrit duke shtuar se “Në vitet 1994-1995 mbi varret e 175 (fëmijve “armiqë” të moshës deri në 12 vjetë) dhe 789 të rriturve të vdekur në kampin e Tepelenëns, ish-qeverisja e viteve 1993-1995 ka ndërtuar pallate banimi për strehimin e ish-të dënuarve politikë dhe kolektorin qendror të ujërave të zeza të qytetit, pa bërë zhvarrimin që u kërkua me protesta prej familjarëve të viktimave”.   Përparim Halili shkruan gjithashtu se “dosjet e kampit të Tepelenës janë zhdukur qysh në korrik të viti 1991”.  Kam shkruar shumë, por më kot, gjatë këtyre viteve për mos përballjen serioze me të kaluarën komuniste të klasës politike shqiptare të të ashtuquajturës periudhë post-komuniste, një fenomen ky që në mendjen e njerzve normal është vështirë të kuptohet ose të pranohet në një shoqëri që e konsideron veten demokratike, antare e NATO-s dhe aspiruese për integrim të plotë euro-atlantik.  Por, ajo që me të vërtetë prekë thellë dhe ndezë ndjenjat morale të njeriut është se si edhe sot nostalgjikët e atij regjimi dhe të diktatorit, siç shkruan edhe “Piktori i Kampeve të Vdekjes”, “Të ngrenë lavde kriminelëve e xhelatëve dhe aq më keq atij lloj diktatori të paskrupullt e paranoik që e trajtojë popullin e vet si të ishte bagëti e jo qenje njerëzore”.

Megjithse e papranueshme, për këtë situate të krijuar në Shqipëri, nuk është për t’u habitur kur të merret parsyshë se si klasa politike, “majtas e djathtas”, e këtij çerek shekulli post-komunizëm, po trajton sot ish-të përndjekurit politikë duke i përjashtuar krejtsisht nga jeta politike e vendit, gjë që bën të ndhjehen si të huaj në vendin e vet. Ndërsa është pa pranueshëm gjithashtu edhe refuzimi i tyre banal dhe i pa moralshëm për tu përballur, njëherë e mirë, me të vërtetën e të kaluarës komuniste dhe me krimet e regjimit të Enver Hoxhës, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste të kontinentit evropian.

Falë nderës Zotit që kombi shqiptar ka ende miqë siç janë gjermanët, të cilët po ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës të historisë së krimeve të një sistemi totalitar e gjakatar.  Falënderojmë Zotin gjithashtu edhe për piktorin Lekë Pervizi, i cili “rrnoi për me tregue” dhe i cili me vullnetin e tij të fortë dhe me ndjenjën e tij të thellë, kishte vendosur heret që e keqja të kundërshtohej dhe të luftohej me çdo mjet e mundësi, madje edhe në rrethanat e një kampi përqëndrimi, siç ishte ai i Tepelenës.  E falënderojmë Z. Pervizi edhe për “kokëfortësinë e mos-nënshtrimit” që ka treguar në kampin e përqendrimit që edhe në kushte jashtzakonisht të vështira i ka bërë dhe i ka ruajtur vizatimet – megjithse jo të gjitha — nga jeta dhe të struktuarave të kampit ku ka qëndruar e që sot i ka të botuar dhe na i sjellë si dokumentacion historik për brezat e sotëm dhe të ardhëshëm.

“E vërteta triumfon kur bëhen sakrifica dhe mundime për t’a qitur në dritë të vërtetën”, ka thënë babai i kombit amerikan, Xhorxh Washingtoni.  T’i jemi mirënjohës Lekë Pervizit që me botimin e këtyre vizatimeve nga jeta në kampin e terrorit në Tepelenë, hedh sado pak dritë mbi të vërtetën e krimeve që ndodhën në atë vend.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, I KAMPEVE TË VDEKJES TË REGJIMIT, piktori, TË ENVER HOXHËS

Ndërroi Jetë piktori, akademiku Gjelosh Gjokaj

September 25, 2016 by dgreca

Piktori dhe akademiku Gjelosh Gjokaj ka ndërruar jetë të dielën në mëngjes në një spital të Bayernit, në Gjermani.Anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe të Malit të Zi, ishte themelues i shkollës së artit pamor dhe grafikës në Prishtinë. Ai la pas vetes më shumë se 3 mijë vepra në pikturë e grafikë.Akademik Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 në Milesh të Tuzit në Mal të Zi.

Shkollën e Mesme të Artit dhe studimet e larta në Akademinë e Artit i kreu në Beograd. Pas diplomimit më1963, në vitet 1964-1969 ai themeloi degën e grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Nga viti 1969 deri më 1983, punoi dhe jetoi në Romë dhe që nga viti 1983 jetonte në Augsburg të Gjermanisë, kurse vitet e fundit jetoi në Milesh të Tuzit.Varrimi i Gjelosh Gjokajt do të bëhet në kishën e Shënë Mëhillit në Dinoshë, ku gjenden varrezat familjare.

Shenim: Federata Panshqiptare e Amerikes, Gazeta e saj”DIELLI”,  i shpreh ngushellimet me te thella familjes Gjeloshaj per humbjen e njeriut te tyre te dashur, piktorit, akademikut Gjelosh Gjokaj.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjelosh, Gjokaj, piktori, vdiq

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN U FESTUA “SULLTAN NOVRUZI”
  • SHQIPTARËT E AMERIKËS MBLODHËN 140 MIJË E 500 USD PËR NDËRTIMIN E KËMBANARES SË KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË.
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË
  • VATRA MICHIGAN SHTROI DARKË NDERIMI PËR PRINC LEKËN DHE KLERIN FETAR NË MICHIGAN
  • VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN
  • “ARDIAN KOÇI DHE RINGJALLJA E FENOMENIT TË VETMBROJTJES POPULLORE”
  • Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe
  • Shën Patrik
  • PRANIMI I PROPOZIMIT EVROPIAN ËSHTË KOMPROMIS TJETËR I KOSOVËS
  • “Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial
  • SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI
  • Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
  • THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT
  • MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
  • VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT