-Kuvendi i Kosovës sot në mesditë përfundoi seancën e 14 dhjetorit 2017, ku u diskutua e votua për 5 pika të mbetura të papërfunduara, ndërsa pasdite nisë seancën e parë plenare të vitit 2018 – të sesionit pranveror/
-Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit me shumicë votash është procedua për mendim në Qeveri Projektligji për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ndërsa kërkesa e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit u procedua në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione/
-Në mbledhjen e parë të vitit 2018 të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike për Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi kishte vota të barabarta (5:5), prandaj për procedimin e mëtejmë do të vendosë Kryesia e Kuvendit të Kosovës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 25 Janar 2018/ Kuvendi i Kosovës zhvilloi sot paradite vijimin e seancës plenare të 14 dhjetorit 2017 për 5 pika të mbetura të papërfunduara, ndërsa pasdite nisë seancën e parë plenare të vitit 2018 – të sesionit pranveror.Në fillimin e vijimit të seancës u konstatua se marrin pjesë 62 deputetë nga Kuvendi 120 aëtarësh, të cilët me shumicë votash miratuan Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016.
Në vijim u kaluan, poashtu me shumicë votash, Raporti vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016, kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2018, formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa.
Në fillimin e seancës paradite dhanë betimin dy deputetë të rinjë nga Lëvizja Vetëvendosje, Shemsi Syla në vend të Mytaher Haskukajt i zgjedhur kryetar i Prizrenit e Salih Zyba në vend të Qëndron Kastratit i zgjedhur kryetar i Kamenicës në zgjedhjet lokale 2017 në Kosovë.
Në seancën e re të Kuvendit të Kosovës, mes 19 pikave në axhendë janë 6 projektligje – për kontrollin e brendshëm të financave publike; për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik; për trajtimin e ndërtimeve pa leje; për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe Projektligji për Azil – në shqyrtim të parë, ndërsa në shqyrtim të dytë Projektligji për Standardizim.
Pjesë e axhendës janë edhe shqyrtimi i parë i Projekt Kodit të Drejtësisë për të Mitur, një interpelancë, shqyrtimi i Propozim-rezolutës për miratimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm – Axhenda 2030 për Kosovën, si dhe i Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026.
Axhenda u përcaktua në 22 janar në mbledhjen e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, e ftuar për në fillimin e sesionit pranveror në 15 janar, por e shtyrë për datën 17 dhe përsëri e shtyrë në mungesë kuorumi, e ku propozimet dhe kërkesat për shqyrtim kishin të të bëjnë edhe me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Special.
Me shumicë votash u procedua për mendim në Qeveri Projektligji për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ndërsa kërkesa e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit u procedua në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Përfaqësuesit e LDK ishin larguar nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës sapo është përmendur nisma, që e kundërshtojnë, për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.Kuvendi i Kosovës nga data 23 dhjetor 2017 deri në 15 janar 2018, sipas njoftimit zyrtar, ishte në pushim dimëror, pasi me miratimin në shqyrtim të dytë të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 ka shënuar edhe përfundimin e sesionit vjeshtor të punimeve.
Përbërja aktuale e Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh ka dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017, ndërsa seanca konstituive me zgjedhjen e kryeparlamentarit me 61 vota dhe Kryesisë është mbajtur në 7 shtator, e në 9 shtator është zgjedhur me 62 vota Qeveria e re. Në mbledhjen e 4 dhjetorit 2017 Qeveria ka vendosur që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës, por ende nuk janë në axhendë të seancave plenare.
Në nisjen e sesionit pranveror të hënën e 15 janarit në Kuvendin e Kosovës vijoi shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, në mbledhjen e parë të vitit 2018 të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Projektligji u hodh në votim, i cili rezultoi me vota të barabarta (5:5), dhe në këtë rast, për procedimin e mëtejmë do të vendosë Kryesia e Kuvendit të Kosovës.
Në 26 gusht 2015 në Vjenë është nënshkruar Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi.
Në 4 gusht 2016 Qeveria e Kosovës, e mandatit të kaluar, njëzëri miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjespër Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Ndërsa, në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, Qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura kuvendore. Në ditën e parë të punës të Qeverisë së re, në 11 shtator 2017, njoftohej propozimi për shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe paralajmërohej krijimi i Komisionit të ri.