Hajdar Tonuzi,Mes Vatres e Legalitetit- Të pathënat për Agjentin e Sigurimit Cufe Mullaj, Vatra & Arshi Pipa, dora e zgjatur e Ramiz Alisë…Si u zgjodh Hajdar Tonuzi kryetar i legalistëve të Parisit, takimi me Mbretin Zogu i I-rë, internimi në Korsikë së bashku me Abas Ermenjin dhe Sadik Premten, pjesëmarrja në ceremoninë e varrimit, përse nuk e mbajti fjalimin Cufe Mullaj, agjenti i Sigurimit të shtetit shqiptar, shtegëtimi nga Parisi në SHBA; 9 herë, Tonuzi zgjidhet Nr. 1 i Vatrës, konflikti mes të majtëve dhe të djathtëve në gjirin e Vatrës, si u trondit Vatra pas vizitës së Ramiz Alisë dhe si u zgjodh Arshi Pipa në mungesë kryetar për 1 vit Kryetar dhe Editor i Diellit…. Izolimi i Shqiptarëve të “rrezikshëm”në Korsikë kur shkoi Hrushovi për vizitë në Paris…/
Foto 1- Kujtim nga dasma ne Paris 2- Nga takimet me Vatren, djathtas:Agim Karagjozi, zonja Xhulieta dhe zoti Pellumb Kulla/3- Foto: Hajdar Tonuzi duke mbajte raportin e arkes ne Vater.4- Me Princin Leka II ne 100 Vjetorin e Vatres./
Nga Dalip Greca/*
Pas diplomimit inxhinieri i ri, Hajdar Tonuzi, filloi punë në Paris në fabrikën e shumënjohur “RENAULT”, në zyrën e projekteve të makinerisë për automobilë. Gati për 5 vjet punoi atje dhe tani, si shpërblim, ai merr një pension simbolik nga Franca, falë punës që bëri asokohe në fabrikën “Renault”.
Në Francë, Hajdari bëri edhe dasmën.Kjo ngjarje e gëzuar e jetës së tij ndodhi në pranverën e vitit 1962. Nusja ishte një ish nxënëse e tij nga Dibra, vajzë bejlerësh, siç thotë me të qeshur Hajdari. Dasma u bë në Bonneull të Parisit, me shpenzimet e një organizate ndërkombëtare të emigrimit dhe kursimeve të tij. Ishte një ceremoni e thjeshtë, e dominuar nga shqiptarët. Hajdari ruan nga ajo ditë kujtimet më të bukura. Në arkivin e tij janë edhe urimet që mori nga shumë miq e të afërm, por veçon telegramin e urimit që mori nga vetë Mbreti Leka, me 17 prill 1962:
”I ndershmi zotni Tonuzi,
Thellësisht u gëzova për martesën tuaj e ju uroj trashëgim me plot lumtëni e të mira. Me këtë rast, si juve, po ashtu gjithë familjes suaj u dërgoj të falat e përzemërta”-Leka
Një telegram i ngrohtë urimi kishte mbërritur edhe nga adjutanti i Oborrit Mbretëror, z. Hysen Selmani:
” I dashur Hajdar Bej,
U gëzova shumë për martesën tuaj dhe miqësisht ju uroj me gjithë zemër që ta kaloni jetën me plot lumtëni e u tashëgofshi në gëzime.
Si juve po ashtu gjithë familjes tuaj të ndershme u dërgoj të falat e mija ma miqësore! I juaji-Hysen Selmani”.
Ndërkohë, jeta e Tonuzit ka edhe linjën tjetër, atë politike. Ai që në fillim ra në kontakt me nacionalistët shqiptarë që jetonin në Paris. Takoi emra të njohur, kundërshtarë të regjimit komunist të Tiranës, si:Halim Begeja, Sefedin Çollaku, Nel Çupi, por u njoh edhe me ish komunistë që nuk e kishin duruar dot diktaturën e Enver Hoxhës si Sadik Premte, të cilit agjentët e Sigurimit kishin arritur që t’i bënin tre atentate ne Paris. Megjithëse Tonuzi ishte në krahun e mbretërorëve, ai e takoi me shumë respekt udhëheqësin e Ballit Kombëtar, prof. Abas Ermenjin, i cili pat luftuar trimërisht kundër italianëve dhe gjermanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe qe nga të fundit që u tërhoq nga malet e Shqipërisë, ku qe ngjitur së bashku me çetën e tij pas fitores së komunistëve. Profesori nuk i shihte me sy të mirë legalistët, por me Hajdarin u soll mirë, e respektoi si student i ri dhe si nacionalist me ide të qarta.
– Me profesorin e Ballit Kombëtar, – tregon Hajdari, – u takova në festën e 28 Nëntorit 1962, që përkujtonin shqiptarët nacionalistë në Paris. Fliste bukur profesori për flamurin dhe për Shqipërinë siç e ëndërronte ai, pa komunistë. E duartrokitëm gjatë…
Izolimi i Shqiptarëve në Korsikë kur shkoi Hrushovi për vizitë në Paris
Hajdari ka dhe një kujtim, që edhe sot e kujton si një aventurë të këndshme të asaj kohe të largët. Ishin vitet ‘60-të. Në Paris shkonte për një vizitë zyrtare Nikita Hrushovi. Shqiptarët nacionalistë që paraqisnin rrezikshmëri për ndonjë lloj atentati kundër udhëheqësit rus, qenë seleksionuar nga policia pariziene. Hajdari kujton se si kishte ardhur policia dhe e kishte marrë pa i dhënë asnjë sqarim dhe e kishte shoqëruar për në ishullin e Korsikës, ku ishin izoluar dhe shumë të tjerë. Në grupin e shqiptarëve të izoluar nga jeta pariziene ishte dhe profesor Ermenji, Hasan Lepenica, madje dhe komunsti, që i pat shpëtuar atentateve të Enver Hoxhës, Sadik Premte e të tjerë. Ishte i këndshëm në bisedë. Edhe pse nuk i pëlqente legalistët, ishte një shqiptar i mirë, që punonte për Shqipërinë dhe për mërgimtarët, të cilët dallgët e fatit i kishin përplasur në Francë, si në të gjithë botën. Një herë kishin patur dhe një përplasje në rajonin e policisë, ku legalistët ishin raportuar. Gjithçka u sqarua atëherë me një ballafaqim të vetë Hajdarit me shefin e policisë. Nga Korsika, Tonuzi ruan edhe disa fotografi, të cilat janë gjurmë të gjalla të internimit në Korsikë. Në disa prej tyre ai ka dalë edhe me profesor Abas Ermenjin.
Udhëheqës i grupit legalist të Parisit
Në moshën studentore Hajdar Tonuzi u bë udhëheqësi i legalistëve për Parisin. Kjo u arrit në një mbledhje që u zhvillua konform statutit të mbretërorëve. Edhe pse takimi është zhvilluar gjysëm shekulli më parë (mbledhja është bërë më 1957 në Paris) ai ruhet i plotë në arkivin e Tonuzit:- Nuk ishim më shumë se 24 veta në mbledhjen e parë që organizuam aty nga fillimi i vitit 1957, mbledhje, që pati si kryetar Nezir Spahiun dhe sekretar Ragip Lohjen, – kujton Tonuzi.
Pikërisht kjo mbledhje zgjodhi si kryetar të organizatës legaliste, z. Hajdar Tonuzi, atëherë student 27 vjeç, ndërsa sekretar u zgjodh Xhelal Kaca prej Mati. Pikërisht ky takim ishte denoncuar në rajonin policor dhe kryetari i sapozgjedhur përfundoi në rajon për bisedë kontrolluese dhe verifikuese. Policia kërkoi të dhëna se kush ishin, ç’organizatë kishin krijuar, kë kishin në krye, për kë luftonin, ç’platformë kishin e shumë pyetje të tjera të tilla. Me gjakftohtësi Hajdari e përballoi ballafaqimin dhe raportoi se organizata e tij mbështeste Mbretin Zog, i cili ishte dhe miku i De Golit. Pas këtij momenti, policia e kishte zbutur zërin dhe i kishte uruar aktivitet të mbarë. Madje disa ditë më pas, një epror i lartë i policisë kishte kërkuar që kryesia e organizatës, veçanërisht Hajdari si kryetar, të ndihmonin në identifikimin dhe sistemimin e nacionalistëve shqiptarë që vinin nga rajonet shqiptare, kryesisht Kosovë, Mali i Zi dhe Maqedoni.
Tonuzi ruan shumë kujtime nga takimet me Mbretin Zog dhe pjesëtarët e tjerë të Oborrit Mbretëror.
-Kur erdhi Mbreti afër Parisit, – tregon ai, – shkuam dhe biseduam me të. Por adjutanti, z. Hysen Selmani, kishte paralajmëruar se naltmadhëria ishte i sëmurë dhe nuk duhej ta lodhnin. Ishim 7 veta në grupin që shkuam për ta takuar. Edhe pse ishte i sëmurë Mbreti na respektoi dhe foli me secilin. Madje na afroi nga një cigare duhan. Hajdarit i kujtohet se në grupi ishte dhe një hoxhë. Ky, shumicën e kohës bisedoi turqisht me mbretin. Një çast, hoxha e pyeti mbretin:- A do të vijë koha që të kthehemi në Shqipëri, naltmadhëri?
Ai ia ktheu shpejt :- Unë dhe ti, jo efendi, këta çunat besoj se po…
Hajdari thotë se mbreti ishte i zgjuar. Ai e dinte se ç’thoshte. Ai e shihte se vetë nuk e kishte të gjatë, por i biri i tij dhe ne të tjerët një ditë do të shkonim në Shqipëri. U kujdesuam disa herë për shëndetin e mbretit, por kanceri e kishte vënë përpara.
Kur ndërroi jetë Mbreti Zog, ngushëllimi i agjentit t Sigurimit, Cufe Mullaj
9 prilli qe një ditë zie për mbretërorët, thotë Hajdari, i cili kujton në detaje varrimin e Mbretit, pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve edhe nga Gjermania, Anglia, Belgjika, Italia,Kandaja, Amerika, Egjypti, etj.Në ditën e varrimit nëna Mbretëreshë ishte shumë e lodhur, e rraskapitur nga netët e pagjumta në spital, kështu që ceremonia u reduktua. Madje desh që të lexonte një përshëndetje edhe Cufe Mullaj, agjenti i sigurimit të shtetit shqiptar, i dërguari i Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, i cili pat depërtuar në radhët e legalistëve dhe kishte ardhur nga Belgjika, si përfaqësues i legalistëve të atjeshëm, por nuk mundi për shkak të shkurtimit të protokollit.
Tonuzi tregon se agjenti i Sigurimit Shqiptar arriti të maskohej për bukuri. Ai dukej se ishte i zoti për punë agjenturore. Asnje nga ne nuk arriti që të zbulonte se nën lëkurën e tij fshihej një agjent. Kur u zbulua qe teper vonë.
– Të shtatat e Mbretit u përkujtuan me madhështi, – kujton Hajdari, i cili atë ditë, në emër të mbretërorëve të Francës mbajti fjalën e rastit, ku evokoi figurën e mbretit dhe renditi meritat e tij në themelimin dhe udhëheqjen e shtetit shqiptar, arkitekt i të cilit qe Mbreti Ahmet Zogu.
Në vjeshtën e vitit 1962, pas 6 vjetë jetë intensive, emigranti Hajdar Tonuzi, së bashku me bashkëshorten e tij do të merrnin rrugën drejt kontinentit të ri, Amerikës, ku ishin grumbulluar shumë nga legalistët që kishin qenë të shpërndarë nëpër Europë.
-Këtu jeta nisi, thuajse nga e para; të njejtat shqetësime si në Francë. Në fillim mësimi i gjuhës, i cili për çdo emigrant përbën hapin e parë orientues dhe integrues, – kujton Hajdari.
Ai nuk pati shumë vështirësi për të përparuar në kurset e anglishtes, ku u regjistrua sapo erdhi. Vuri kontaktet e para me specialistë të fushës inxhinierike, fushë ku ishte diplomuar në Francë.U njoh me inxhinierin Agim Karagjozi, kryetarin e sotëm të Vatrës, me të cilin ruan miqësi. Tonuzi e vlerëson ndihmën e pakursyer profesionale, që i dha atëherë inxhinier Agim Karagjozi. Në të njëjtën kohë, Hajdari u regjistrua në “Mechanich Institute” dhe më 1971 u diplomua edhe për “Plumbing Projecting”. Nuk i ndërpreu asnjëherë përpjektjet për integrim të plotë dhe në vitin 1974 arriti që të diplomohet edhe për profesionin tjetër që kishte të bënte me sistemin e ngrohjes, ventilimit dhe ajrit të kondicionuar. Në këtë profesion, Tonuzi punon edhe sot në zyrën e tij të projekteve në Manhattan.
Kryetari dhe arkëtar i Vatrës
Ndërkohë që vazhdon të punonte për organizatën e Legalitetit, z. Karagjozi, i propozoi të bashkëpunonte me Vatrën.
-M’u duk jo shumë normale që të isha edhe me Legalitetin edhe me Vatrën, ndaj ia thashë z. Karagjozi se unë isha me Mbretin dhe isha i zgjedhur në Këshillin e legalistëve. Por ai më tha se nuk kishte asgjë anormale, në Vatër merrnin pjesë edhe nga parti e organizata të tjera nacionaliste. Dhe kështu, shkova tek Vatra, – thotë Tonuzi. Në vitin 1966 legalisti u bë edhe vatran. Aktiviteti dinamik ra në sy të vatranëve, të cilët, me propozimin e z. Agim Karagjozi, i besuan arkën e Vatrës për degët e New York dhe New Jersey, e më pas për të gjithë Vatrën. Detyrat i kryente me përkushtim,kujtohet edhe sot: Ishte korrekt Hajdar Tonuzi!.
Gjatë vizitës së Leka Zogut në Boston më 1967, Hajdar Tonuzi ishte në delegacionin e legalistëve. Ishte një pritje madhështore kujton ai dhe e përshkruan ceremoninë dhe darkën që Vatra shtroi për Mbretin, si shumë madhështore. Fjalimet ishin të jashtëzakonshme, si nga zoti Anthony Athanas, nga kryetari i darkës, z. Kristo Thanas, ashtu dhe nga Mbreti Leka.
Në Kuvendin e Vatrës në Boston më 1967 Hajdari zgjidhet zv/ kryetar, ndërkohë që kryetar ishte Anthony Athanasi. Në numrin e e 25 tetorit të vitit 1967 të gazetës ”Dielli”, në faqen e parë botohet një portret me fotografinë e Hajdar Tonuzit. Në shkrimin ”Kush është nënkryetari ynë”, jepet njoftimi i zgjedhjes së tij zëvendës i zotit Athanas dhe përshkruhet rruga e jetës, shkollimi, aktiviteti politik etj. Pra, në një kohë shumë të shkuurtër, falë aftësive të tij Tonuzi bëhet person publik dhe përfaqësues i krahut nacionalist tek Vatra.
Edhe gjatë vitit 1968 Tonuzin e gjejmë përsëri zv/ kryetar. Këtë herë kryetar është Peter Chikos.
Si aktivitetin më madhështor për Federatën, ish zv/kryetari i Vatrës kujton vizitën e arbëreshëve, të cilët ishin ftuar nga Vatra për të kremtuar së bashku festën e Flamurit dhe përvjetorin e Diellit. Arbëreshët zbritën në Boston me 20 nëntor, në një ditë të bukur me diell pas shiut që kishte rënë deri në orën 10 para dite. Për katër ditë ata qëndruan në shtëpitë e shqiptarëve të Bostonit, u lutën shqip në kishën e shqiptarëve dhe me 24 nëntor morën rrugën drejt New York-ut, ku aktivitetet dhe vizita zgjatën deri në mbyllje të muajit. Seminari që organizoi Vatra më 28-29-30 nëntor 1969, ka qenë madhështor; ende nuk ka patur një të dytë, që të zërë vendin e tij, thotë Hajdari. Vatra aso kohe kishte për kryetar Peter Chikos. Tonuzi kujton se të gjithë krerët e Vatrës ishin së bashku në konkretizimin e atij aktiviteti shumë mallëngjyes, kur u bashkua bashkë gjaku i shprishur i Arbërit. Delegacioni arbëresh, në përbërje të të cilit kishte intelektualë të njohur, klerikë të nderuar, u prit me bujari të madhe, edhe pse arka e Vatrës ishte tepër modeste, por investimet e individëve arritën që të përballonin shpenzimet. Ishin rreth 70 arbëreshë, mes tyre dhe një grup folklorik, që i dha ngjyra e tinguj atij takimi historik. Arbëreshëve u printe shkëlqesia e Tij, Zef Pernicario, peshkopi i Dioqezës së Pianas së Arbëreshëve. Në grupin e organizatorëve të Vatrës , përveç kryetarit Chikos ishin dhe Christo Athanas, Anthony Athanas, dr. Hamdi Oruçi e të tjerë. Ky ka qenë aktiviteti më përfaqësues i diasporës shqiptare në Amerikë.
Tetë muaj pas këtij aktiviteti, më 1 korrik 1970, u nda nga jeta kryetari i Vatrës, i ndjeri Peter Chikos. Në aktivitetet që u organizuan në përkujtim të kryetarit, nënkryetari Tonuzi, mbajti peshën kryesore. Në gazetën”Dielli” Vol 60, nr. 22, që u botua me 15 korrik 1970, në faqen e parë, në vend të kryeartikullit, është vendosur fjalimi që kryetari i përkohshëm, Tonuzi mbajti në aktivitetin zyrtar të organizuar në “Pier Four”. Fjalimi ishte tepër prekës:” Të ndodhesh përpara trupit të Peter Chikos, i cili papritmas u nda nga gjiu ynë, të jeshë prej gurit mos të tronditesh dhe të mos i thush vetes:Pse fati i keq qëllon mu në zemër komunitetin tonë? Pse vdekja e tmerrshme rrëmben të riun në moshën e lulëzuar, që premtonte kaq shumë për kombin tonë, për Federatën Vatra dhe për familjen e tij?” . Elegjia që i ka thurur të ndjerit Chikos, është një poezi e gjallë, që pikon dhimbje e buron lot. Aty evokohej kontributi i kryetarit që nuk jeton më, evokohej historia e Vatrës dhe e të parëve të shqiptarëve dhe u thurej kurora lavdie pavdeksisë së atyre që vunë jetën në shërbim të kombit.
– Ishte një humbje dhe dhimbje e madhe, – tregon Hajdari, i cili për rreth gjysmë viti mbeti në krye të Vatrës. Ai kujton se Federata priti ngushëllime nga i gjithë komuniteti shqiptar, nga të gjitha organizatat dhe fondacionet, nga të gjithë klerikët e komunitetet fetare, nga “Zëri i Amerikës”, nga arbëreshët e Italisë etj. Edhe pse ishte ditë pune, në ditëvarrimin e të ndjerit, pjesëmarrja qe madhështore. Qe një gjë e mallëngjyeshme, kontribut i denjë për një burrë të denjë të komunitetit tonë, – thotë Tonuzi, që e vlerëson Peter Chikosin, si një ndër patriotët që punuan shumë për Vatrën. Edhe pse ishte i lindur në Amerikë, Peter kishte mësuar mirë gjuhën e prindërve të tij, shprehte një dashuri të theksuar për atdheun e prindërve të tij, Shqipërinë dhe punonte me krenari për Vatrën. Ai eci në gjurmët e babait të vet, Llambi Chikosi, i cili qe ndër ata burra që kontribuan për organizimin e shoqatave shqiptare, si pjesëtar aktiv i shoqatës “Besa”, ndërsa kur u themelua Vatra, ai do të zgjidhej arkëtari i parë i saj.
Në numrin pasardhës të Diellit, botohej lajmërimi që kryetari i përkohshëm i Vatrës, Hajdar Tonuzi, u drejtonte vatranëve, duke u thënë se bashkë me dhimbjen për të ndjerin kryetar, këtij i mbetej deri në zgjedhje detyra e vështirë e drejtimit të federatës. Thirrja mbyllet me këtë paragraf: “Kryetari ynë po prehet në paqe. Stolia më e bukur, që mund të bëjmë për të stolisur varrin e Tij është forcimi i Organizatës sonë. Pra në këtë rast tragjik të vdekjes së kryetarit tonë të dashur të bashkohemi sepse dhimbja, trishtimet e vdekjes, janë ato që brumosin elementin veprimtar e të vendosur për të mbajtur lart e më lart një organizatë, që është e ne të gjithëve, trashëgimi më i lumtur i racës sonë shqiptare”.
Në kuvendin e ri të Vatrës, që u organizua në janar 1971, u zgjodh kryetar i ri Barney D. Kirka, ndërkohë që zv/ kryetar përsëri mbeti Hajdar Tonuzi. Nënkryetari gëzonte respektin e palëve brenda federatës. Ai pohon se kishte dy linja brenda Vatrës: njëra që tërhiqte majtas dhe tjetra djathtas. Madje jo rrallë kishte dhe fërkime, por që kapërceheshin me dialog dhe urtësi. Madje ndonjëherë fërkimet kalonin masën, ishin të ashpra. Hajdari kujton se në Boston kishte një grupim që nuk e duronte elemintin nacionalist. Psh. njëri prej tyre, Jimy Thanas, shpesh ngrihej kundër duke thënë se këta janë mbeturina të nazifashizmit, mbeturina të zogizmit, s’kemi pse merremi me ta. Ne debatonim, debati ashpërsohej, por ndërhynte Kristo Thanas që na ulte tensionet.
– Tonuzi do të mbetej zv/kryetar i Vatrës edhe në zgjedhjet e vitit 1972, kur kryetar do të vinte Gregory L. Chiriaco, edhe në vitin 1973, kur kryetar do të zgjidhej Nick Kreshpani, edhe në vitin 1974, kur Vatra do të kishte për kryetar Kristo Thanasin. Ndërsa në Kuvendin e nëntorit të po atij viti, kur u bënë zgjedhjet e reja, Tonuzi dha dorëheqjen.
– E ndjeja veten të lodhur, – shpjegon ai dorëheqjen. Në vendin e tij u zgjodh i ndjeri Ibrahim Kulla, që ishte po nga krahu zogist.
Nga aktiviteti i Vatrës, Tonuzi nuk u tërhoq. Vazhdonte të ishte ndër anëtarët më aktivë, si në degën rajonale të New York-New Jersey, ashtu edhe në qendër. Më 1986 emri i tij ishte në Këshillin e qendrës, ndërsa më 1988, Peter Lukas, që ishte zgjedhur kryetar e afroi pranë vetes dhe Hajdari nuk kundërshtoi postin e zv/ presidentit të Vatrës.
Përplasja e vatranëve kur Ramiz Alia vizitoi Amerikën
Përplasjet brenda gjirit të Vatrës u bënë të ashpra pas vizitës së Ramiz Alisë, kujton Tonuzi, i cili pohon se pas asaj vizite pat një debat të ashpër në gjirin e Këshillit Drejtues të VATRE-s. Një pjesë nuk mund ta pranonte që ajo vizitë të pasqyrohej në faqet e Diellit. Madje u përgatit numri i gazetës, ku në faqe të pare ishte portreti i ramiz Alisë, por ai nuk u printua,e bllokuan nacionalistët me gjithë presionin e majtistëve. Ky debat u transplatua deri në kuvendin e ri, ku u bënë ndryshime.
Tonuzi, në bisedën që zhvillova me të, ndalet në një nga Kuvendet e Vatrës:-Me 1991 u zhvillua Kuvendi i Vatrës për zgjedhjet e reja. Kryetar i mbledhjes u zgjodh z. L. Cungu. Zv/ kryetari Tonuzi paraqiti raportin vjetor, nga që Peter Lukas për arsye shëndetësore nuk ishte paraqitur në Kuvend, ndërsa Harry Stoja paraqiti raportin e arkës.
Komisioni i përbërë nga Tonuzi, Ramiz Dani e Sabit Bitiçi, verifikoi kredencialet e 16 delegatëve.
Dy linja u përvijuan edhe në këtë mbledhje; ajo e nacionalistëve, që përfaqësohej nga zotërinjtë Karagjozi, Bitiçi, Oruçi, Kulla, të cilët mbështetën kandidaturën e paraqitur prej Tonuzit, që kryetar të ishte prof. Arshi Pipa. Grupi i Bostonit, reagoi ashpër. Në emër të tyre, z. Anthony Athanas, kundërshtoi, duke thënë se kështu shkeleshin rregullat e Kuvendit; nëpërkëmbej kanunorja; si mund të zgjidhej një njeri që mungonte, qoftë ky dhe Arshi Pipa! Debati qe i ashpër. U ngrit dr. Oruçi dhe u kujtoi kundërshtarëve se po me këtë metodë, pra në mungesë, ishte zgjedhur vite të shkuara, më 1974 edhe Kristo Thanas, i cili për arsye shëndetësore, nuk kishte qenë fare i pranishëm në Kuvend. Kështu edhe Prof. Pipa e kishte pranuar kandidaturën që i ishte propozuar nga z. Tonuzi dhe duhej të ligjërohej. Përsëri Tonuzi kishte postin e zv/kryetarit së bashku me dr. Gjon Buçajn, sekretar Agim rexhaj.
Profesor Pipa e mbajti vetëm një vit postin e kryetarit, post të cilin e zuri z. Agim Karagjozi në Kuvendin e 28 qershorit të vitit 1992, ku Pipa humbi me një votë më pak. Që nga ajo kohë z. Tonuzi mbajti arkën e Vatrës, detyrë që e dorëzoi më 2009.
TELASHET NGA DY PËRFAQËSIMI
Ja kështu ka kaluar jeta e Hajdar Tonuzit mes legalistëve dhe Vatrës. Jo rrallë, ky dypërfaqësim, i ka nxjerrë edhe telashe. Kështu psh. pas pjesëmarrjes së tij në mbledhjen e Madridit, ku pjesa më e madhe e organizatave dhe partive politike jashtë atdheut iu përgjigjen ftesës së Mbretit Leka, debati në Vatër qe i ashpër. Nik Kreshpani, qe ndër më kritikët: Me çfarë statusi shkove?,- i kishte kërkuar ai llogari në Këshillin e qendrës.
-Si i pavarur, – ia kishte kthyer përgjigjen Tonuzi…
-Nuk duhej të kishe shkuar, – i qe kthyer Kreshpani…
Ishte perfshi ne debat edhe Llazi Vishnja:- Nuk duhej të shkoje, Vatra nuk është Legalitet…
-Po une jam Legalist,-ia kishte kthyer Tonuzi me qetësi.
– Hë se tek Mbreti i vet shqiptar shkoi, jo tek mbreti i grekëve, – i kishte dhënë fund debatit, Kristo Thanas….
Shënim: Hajdar Tonuzi ndërroi jetë me 7 Qershor 2017 në Brooklyn,Nju Jork. Shërbimet funerale u kryen të Enjten me 8 Qershor 2017 në Qendrën Shqiptare Islame në Brooklyn, ndërsa varrimi u krye të Premten me 9 Qershor 2017.
*Kjo eshte pjesv e dyte.(Vijon nga numri i djeshem Dielli online)