• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

1914…100 VJET MA PARË…NJË GJAMË DËSHPËRIMI

January 5, 2014 by dgreca

Ne Foto: At Gjergj Fishta OFM (Grafikë nga FRadovani 2010)/

NJË  GJAMË  DËSHPËRIMI/

Nga At Gjergj FISHTA OFM/

Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk ka; /

Nuk ka ma burra, qi, me drrasë t’ krahnorit/

Mburojë me i ndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá/

Mbas sodit s’ ka pse dron mâ prej Malcorit:/

Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,/

Pa Atme sot ka mbetë, pa plang, pa shpi!/

2. N’ shpi t’ tij, po, djepat asht tu’ i lkundun shkina;/

Arën e tij asht shkjau tu’ e lavrue,

E ushtari i Malit t’ Zi ‘dhè, kualt stervina

Per ata Kryqa t’ bekuem i ka pengue,

Nen t’ cillët pushojn, heu! Njata trima – rrfé

Qi bindën shekllin tue luftue p’r Atdhé.

3. O natë e kobshme! Natë tri herë mizore,

Natë e mnershme, si nata e fundit t’ ferrit,

Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore,

Qi, strukë nen t’ zezen mblojë trathtare t’ territ,

Burrat e dheut do t’  xêtê n’ gjumë pështetun,

Porsi n’ strofull luani xêhêt fjetun?!…

4. E ju, ‘dhè hyj t’ shkelzyeshem, qi pre’ Empirit

Përmallshem tue fërfllue me dritë t’ kullueme,

Porsi sy Zotit, vreni m’ sharte t’ nirit,

Ju, edhe ketë kob e ketë dhuni t’ shemtueme

E kini pa tu’ ndodhë n’ mjedis t’ njerzimit,

E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit?…

5. Po a kjo asht e Drejta, qi n’ ketë shekull fiset

E popujt rregullon e i mban ndër caqe?

Anmikut t’ njimijë vjetve me i lshue viset

Sa herë t’ perligjuna me luftë e gjaqe….

Mallkue kjoftë hera, n’ t’ cillen shkjau pik’ s’ parit

Vuni kambën dhunuese m’ tokë t’ Shqyptarit,

6..E mallkue kjoftë Evropa! Até e vraftë Zoti,

E e shoftë me fise, popuj e qytete;

Edhè premtoftë qi, dersa t’ endet moti,

Kurr lufta mos iu daftë per tokë e dete;

Selit e saja grimë me grimë u theshin;

Me gjak t’ popujvet t’ vet sunduest iu ushqeshin.

7. Pse krahët pa dhimbë Shqypnis kshtu me ia thye

E prej Lirijet me ia ndalun hovin?

Gopsija e kùj n’ Malci ka mujtë m’ u ushqye?

Po a Hoti e Gruda mund t’ a mbajn Moskovin?

Nuk duhet, jo, qi t’ mkambet Shqyptarija:

Qé pse po i lshohet Malit t’ Zi Malcija.

 

8. O gjak i atyne burrave fatosa,

Qi per Liri t’ Malcis kullove rrkajë,

Vlo, vlo, ti sot qi maleve u erdh sosa,

E para fronit t’ Perendis me vajë

Lyp gjyq mbi do Kaina t’ kunoruem,

T’ cillët kombin t’ onë po duen me e pa t’ sharruem!

9..Me parsme tona n’ ata t’ hershmet mota

Mburojë iu bam Evropës, pa dijtë shk’ asht tuta,

Atëbotë, kur pallen Skanderbeg Kastriota

Siellte si rrfeja, e permbi shtroje t’ buta

U dridhte nji Sulltan, qi njaso here

Bante m’u dridhë boten mbarë prej mnere.

10. Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,

Shtekun me kurma Shqyptarësh ia xume

Tartarit, e pre’ Evropet larg rrezikun

Per disa kohë e mbajtëm: e poshtnume

Por kurr Evropa n’ ndihmë nji ushtar s’ na nisi;

Kurr punët mbas fjalvet, qi na dha, s’ ujdisi.

11. E kur per pesqind vjet na nder veriga

Ngelem t’ robnis, nen themer t’ huej tue kja,

E ‘i mijë dhuni mbi né e ‘i mijë punë t’ liga

Na reshte anmiku, tue na nxitë pa da,

N’ harresë Evropa edhe m’ atëherë na qiti

E doren kurr ajo n’ kob t’onë s’ na ngjiti.

12. Por, ani, jeta pse sa u nis me u endun,

Ndera mbi shekull dhunë gjithmonë asht kthye,

E t’ miren nieri kurr s’ t’ a ka permendun,

Sa t’ keqen punë me t’ cillen t’a keshë fye;

Si edhè ma t ’shumen, miq s’ gjen nieri i shkretë,

Kur skami e kobi t’a ket mblue n’ ketë jetë.

13. Veç sot pse Evropa, sot qi asht t’ gjith uzdaja

Se Shqyptarija e Lirë del zojë n’ vetveti,

Pse sot Evropa, – do Mbretni të Mdhaja –

Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,

E m’ vende t’ ona duen qi shkjau të shklasë

E fisi i Shqypëtarit n’ dhé t’ humbasë?

14. O Zot i lum, qi vetem n’ dorë Ti i kè

Shartet e popujve e mbretnive t’ tana,

E gja pa hiri kurr Ty s’ t’ ndodhë mbi dhé,

As nalt mbi qiellë, ku shndrisin dielli e hana,

Deh! Ti, i Pushtetshëm heret si né e vona,

Shih e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.

Shkoder 1914.
Komenti u përgatitë nga At Viktor Volaj, në vitin 1941, botue me titull“Lirikat”.

Me 16 Prill 1914, natën pa hanë, Mali i Zi sulmon Hotin e Grudën, tue djegë, plaçkitë e tue krye gjithfarë përdhunimesh. Zana e idhtë e Poetit shpërthen atëherë furishëm kundër anmikut jetik dhe kundër Evropës së padrejtë. Asht nji ndër ma të fuqishmet lirika të Fishtës.

U botue herën e parë në “Hylli i Dritës”, Maji 1914.

1.Mbaroi Malcija!…: Malësia e Madhe, e cilla shpesh përdoret edhe pa mbiemën.

Megjithse Malazezët nuk pushtuen tjetër zonë veç Hotin e Grudën, me të drejtë Poeti thotë se humbi Malësia, pse Hoti e Gruda janë bajrakët e parë në Malësi e Hoti prini ndër lufta. – Lekë: Kështu thirrën malësorët e Malësisë së Madhe. – me drrasë t’krahnorit: me parzëm; Drrasa e krahnorit asht pjesa e krahnorit ku lidhen brinjtë. – Anmiku shkja…s’ka pse dron: Malësorët ishin kurdoherë nji pritë e fortë kundër sllavëve qi donin të pushtonin Shqipninë. – i dbuem: i karmuem, i qitun jashtë; – pa plang pa shtëpi: pa truell pa strehë banimi. Në këte rasë 575 shtëpi të Hotit e Grudës ikën e lanë vendet e veta, për mos me jetue nën sllavë. Këto dyndje janë kenë të vazhdueshme edhe ma vonë.

2. lkundun: përkundun. – tue lavrue: tue e thye, tue e punue tokën. – pengue: lidhë. – Qi bindën shekullin…: Të cillët çuditën mbarë botën tue luftue në vitët 1911-1912 kundër Turqve të Rinjë.

3. strukë nen t’zezen mblojë trathtare t’territ: Me 16 prill natën, Mali i Zi rrethoi Malësinë me 12 bataljone, tue i gjetë Malësorët në befasi. Poeti i krahason me luanin e xanun në strofull fjetë.

4. t’shkelzyeshem: t’shkelqyeshëm, vezulluesa. – pre’ Empirit: pjesa ma e naltë e qiellit. – permallshem: mallëngjyeshem. – tue ferfllue: tue vezullue, tue shndritë. – vreni m’sharte t’nierit: kundroni fatet, punët e njerzimit.

5. viset: krahina; t’perligjuna me luftë e gjak: të shperblyeme, të mbrojtuna me luftë të përgjakun.

6. E mallkue kjoftë Evropa…: “Kjo namë ngjiti me të vërtetë! Mbas tre muejsh, me 28 Korrik 1914, shpertheu ajo luftë e tmershme, e quejtun Lufta e Parë Botnore, e cilla zgjati deri në Nandor të vitit 1918. Në ketë luftë mbetën dhetë miljon të vdekun. Kjenë shkretnue vise, vorfnue shtete, rrxue dinasti të vjetra, as nuk muejt me i prue botës nji paqë të qendrueshme, por shqetësoi zemrat e popujve me traktate të dhunëshme, tue kallë luftën e sotme.” (1941).

7. E prej Lirijet …: Me ia ndalue vrapin qi don me marrë kah Liria. – gobsija e kuj në Malësi…: Me kenëse nuk janë vende të frutëshme as Hoti as Gruda për me mëkambë Malin e Zi, asht politika shoveniste ruse e Moskovit qi çon peshë klysht e sajë, me pushtue e me shue Shqypninë. Poeti zbulon haptë politikat pansllaviste kundër Shqipnisë.

8. sosë: mbarim. – Kaina të kunorzuem: Gjaksorë të kunorzuem; kryetarët e mbretnive, me ketë emen Poeti përmbledhë shtetet qi kundërshtojnë Lirinë e Shqipnisë. – t’ sharruem: të humbun.

9. pallen: shpatën. – shtroje të buta: Poeti paraqet luksin e ambjentit oriental.

10. tue dredhun: tue vringllue. – Tartarit: Me ketë emen quen në përbuzje Turqit e Azisë.

– e poshtnueme: e poshter, për mos mirënjohjen ndaj Shqyptarve, qi kjenë pararojë e sajë.

Tue u bazue ç’prej fakteve historike të luftave të Skenderbeut, asnjëherë Evropa nuk ka mbajë asnjë premtim në lidhje me Shqipninë.

11. ngelëm: mbetëm. – reshte: bante, shkaktonte tue na nxitë, tue na mundue.

12. sa u nis me u endun: porsa xu fiell, porsa filloi. – skami e kobi: vorfnija e mjerimi.

13. Qyshë nji strofë ma përpara Poeti vé në dukje se shpesh ndera kthehet me dhunë në ketë botë dhe e mira harrohet. Megjithkëte nuk i mbushet mendja pse Evropa, pra: do Mbretni të Mëdhaja, tash qi të gjitha shtetet e Ballkanit kanë dalë me vete dhe Shqypnisë i asht dhanë Pamvarsija, kërkojnë me e cungue.

14.O Zot i lum….Kjo lutje shpërthen krejt e natyrshme prej zemrës së Poetit. Kundër dhunës e padrejtësisë së bame Shqypnisë thërret Hyjin Gjyqtar, qi të gjykojë mjerimet e kombit.

– pa hiri: pa dije, pa pritë e pa kujtue, pa pritmas, pa dashje. – heret si n’e vona: gjithmonë i Pushtetshëm, në të gjitha kohët i Pushtetshëm.

***

Shenim FR: Botohet në 100 vjetorin e padrejtësive ndaj Popullit Shqiptar.

Përgatiti: Fritz RADOVANI/Melbourne, Janar 2014.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: At Gjergj Fishta, Fritz radovani, Nje Gjame deshprimi

Artikujt e fundit

  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT