Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/
Gjeopolitika është shkenca që lidh dy koncepte në një nocion të vetëm, përkatësisht gjeografinë me shtetësinë. Shtetësia kështu na jepet si një politikë që zhvillohet në një rrafsh të caktuar gjeografik. Pra, një hapësirë gjeografike e njësuar dhe e lidhur me formimin e shtetit (shteteve) përban atë nocion, të cilin ne në zhargonin e përditshëm e quajmë gjeopolitikë. Nëse ne do t´i referoheshin këtij koncepti, atëherë do të dallonim diferencën midis gjeopolitikës ballkanike të fillimit të shekullit XX e asaj të shekullit XXI. Teorikisht në vitin 1913 në Konferencën e Londrës vetëm Austro-Hungaria kishte paraqitur një projekt të ngjajshëm me realitetin gjeopolitik të krijuar pas një shekulli në rajonin tonë. Praktikisht Fuqitë e Mëdha vendosën asokohe të skicojnë një rajon ballkanik të disekuilibruar nga pikëpamja gjeopolitike, e nëse i referohemi kryesuesit të asaj Konference, ministrit Britanik të Punëve të Jashtme, Eduard Grei, kjo ndodhi për shkak të mospajtimeve midis Fuqive të Mëdha Europiane, Rusisë, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Atëherë u sakrifikuan tre popuj, shqiptarët, maqedonasit dhe muslimanët e Bosnjës, popuj të cilët pas shumë sakrificash njëshekullore u rikthyen në jetën gjeopolitike të rajonit.
Fundi i shekullit XX solli shembjen e murit të Berlinit dhe diskualifikimin e vendimeve të fillimit të atij shekulli, madje edhe të vendimeve të Jaltës së vitit 1945. Në rendin e ditës lindi përsëri ndërtimi i një gjeopolitike të re në ish-Jugosllavi, përkatësisht në Ballkanin Perendimor. Subjektivisht këtë proces e ndihëmoi arroganca e Sllobodan Milosheviçit, por objektivisht rajoni ynë do të duhej të vinte deri te një hartë e re gjeopolitike, për shkak se zgjidhjet e fillimshekullit XX prodhuan vetëm konflikte, luftra, dhunëe viktima të panumërta, në përpjekjen e pandërprerë të Serbisë për ta dominuar dhe sunduar të gjithë rajonin. Që Beogradi të mund të kthehej tek realiteti, do të duhej të ndërtohej një rend i ri ballkanik, në të cilin aktualisht nga 6 shtete kemi tashmë gjithsej 10 shtete. Shkurt u krijuan disa shtete të reja, në mesin e të cilave Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia. Ndër to, Kroacia dhe Mali i Zi, ekzistonin edhe para një shekulli, para Luftës së Parë Botërore, por Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova erdhën në jetë pas 100 vjetësh sipas projektit Austro-Hungarez të fillimshekullit të XX. Megjithatë vijon edhe më tej të shtrohet pyetja, nëse zgjidhjet e derisotme janë definitive ose jo!!!
Prej kohësh në disa segmente të politikës si dhe në grupet e qytetarëve në Shqipëri dhe në Kosovë është debatuar për nisma të ndryshme për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm. Shqiptarët kudo që jetojnë do të ndjeheshin më të sigurt nëse ata do të ishin nën një çati të përbashkët, pra, nëse do të kishin një shtet të vetin. Kështu ndodh me çdo komb në botë dhe ndjenja e sigurisë nuk ka pse ë mos rritet edhe te shqiptarët të bashkuar në një shtet të vetëm. Por të njëjtin mendim ka shfaqur edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, sipas të cilit atij nuk i intereson nëse shqiptarët bashkohen ose jo, atij i intereson që të bashkojë serbët. Një ide e tillë sa vjen e zgjerohet, jo vetëm ndër aktorët rajonalë, por edhe ndër aktorët e fuqishëm të politikbërjes planetare. Ish ambasadori britanik në Beograd, Ivor Roberts, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve B92 para pak ditësh është shprehur se „. “Nuk shoh arsye, që pas një kohe, pse të mos bashkohen Kosova dhe Shqipëria në një shtet të vetëm, nëse këtë e duan”. Ai kishte folur edhe më parë për mundësinë e rregullimit të kufijve midis shteteve ballkanike.
Ndërkaq gjendja e sigurisë në rajon, veçanërisht vazhdimi në një formë tjetër i konfliktit në veri të Kosovës si dhe bojkoti shtetëror i Republikës Sërbska në Bosnjë, ka mundësi që gradualisht ta bindin komunitetin ndërkombëtar për një zgjidhje të re, afatgjatë në Ballkanin Perendimor. Deri tani vetëm Angela Merkel dhe autoriteti i saj ka mundur të përjashtojë një opcion të ri të zgjidhjes së konflikteve në rajonin tonë. Vetëm Gjermania dhe SHBA-të vijojnë t´i qëndrojnë vijës politike, sipas së cilës harta e Ballkanit tashmë është e duhet të jetë e qëndrueshme.
Por nëse analizojmë të gjitha zhvillimet e sotme dhe rrjedhat e tyre në Kosovë, në Bosnjë-Hercegovinë, në Maqedoni e në Serbi, atëherë do të dallojmë një prirje të dukshme për një zgjidhje radikale me ndryshimin e kufijve midis këtyre vendeve. Grindjet etnike, nëse zgjasin shumë, riciklojnë dhunën, aq më tepër kur historia njëshekullore e marrëdhënieve midis këtyre popujve është një histori tragjike me përsiajtjen e vazhdueshme të dhunës, kryesisht të terrorit shtetëror serb ndaj popullsive joserbe, parasëgjithash kundër shqiptarëve, muslimanëve boshnjakë si dhe në mënyrë të ndërsjelltë midis serbëve e kroatëve.
Harta gjeopolitike e sotme i ngjan projektit Austro-Hungarez të vitit 1913, projekt i cili u shkërmoq nga interesat e Fuqive të Mëdha europiane të asaj kohe, përkatësisht Rusisë dhe Francës, të cilat mbështetën pa rezerva Serbinë dhe ambicjet e saj ultranacionaliste, madje duke kërcënuar paqen në kontinentin e Europës. Por a është e mundur që kjo hartë të adaptohet, të aranxhohet apo të ribëhet dhe cilët janë ata faktorë që e nxisin formulën e definimit ose korrektimit apo ndryshimit të kufijve aktualë?
Kushtet dhe rrethanat e sotme politike favorizojnë një ridefinim të kufijve në Ballkan. Konferenca e Dayton-it mund të konsiderohet si një etapë e ndërmjetme për definimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, sepse ajo ka krijuar një shtet jo funksional. Ajo konferencë, e mbajtur në fund të vitit 1995, nuk mundi të zgjidhë përfundimisht as çeshtjen e shtetformimit në Bosnjë – Hercegovinë, as të parandalojë konfliktin në Kosovë. Sarajeva sot praktikisht është e paralizuar nga vetoja e Republikës Serbska dhe në këto kushte nuk mund të ofrojë asnjë reformë të qenësishme për integrimin në strukturat euro-atlantike apo për paqen e sigurinë e përhershme në rajon. Ndërkaq askush nuk mund të bëjë ndryshime kushtetuese pa konsensusin e Republikës së Serbëve të Bosnjës, sepse kështu është paraparë në Konferencën e Dayton-it e në parimet kushtetuese të vendit. Një ndryshim i njëanshëm qoftë dhe me referendum i Kushtetutës në favor të një centralizimi më të madh, me qëllim kryerjen e mosbllokimin e reformave, do ta kthente Bosnjë-Hercegovinën dhe ndoshta rajonin në situatën e vitit 1989, kur Serbia në kundërshtim me parimet kushtetuese jugosllave ndryshoi kushtetutën e Kosovës. Ishte kjo ndërhyrje arbirtrare në kushtetuën jugosllave shkaku themelor i shkatërrimit të Jugosllavisë dhe një ndërhyrje me të njëjtat metoda në Bosnjë do ta shkatërronte Federatën aktuale Boshnjake. Kështu që problemi boshnjak është problemi më i ndërlikuar në hartën politike të rajonit të Europës Juglindore.
Nga ana tjetër Kosovën nuk e kanë njohur ende pesë vende anëtare të Bashkimit Europian. Përpjekja e Prishtinës për t´i tejkaluar problemet e konfliktet me Serbinë përmes bisedimeve dhe marrëveshjes së 19 prillit të vitit të kaluar kanë dështuar tashmë. Asnjë shans nuk ka që veriu i Kosovës të integrohet në institucionet e Prishtinës në mënyrën që të bashkohet Mitrovica ose të rikthehen shqiptarët e veriut në vendbanimet e tyre. Gjithçka duket si një fasadë, me anën e të cilës përfiton Serbisa, por jo edhe Kosova. Ishte menduar se bisedimet e stërzgjatura me vite dhe marrëveshjet e nënshkruara do të çonin në njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë e për pasojë edhe nga Rusia, por kjo nuk ka gjasa të ndodhë edhe për shumë vite. Po kështu pritshmëria e njohjeve të Republikës së Kosovës është gjithashtu zhgënjyese. Nëse do ta njhnin Kosovën çdo vit 5 ose 6 shtete, atëherë do të duhej edhe 5 a 6 vite që të arrihej numri i shteteve që do ta votonin anëtarësimin e saj në OKB, nëse do të ishte e sigurt se të gjitha vendet njohëse do ta votonin një gjë të tillë. Kjo do të thotë se vendi është i bllokuar në rrugëtimin e tij drejt integrimit euroatlantik. Vendimet e Brukselit të fundvitit që sapo lamë pas për Kosovën provuan se shteti më i ri i Europës nuk është në axhendën europiane të zgjerimit.
Këto dy ngërçe e vatra krizash njëkohësisht në rajonin e Europës Juglindore e bëjnë Ballkanin Perendimor të paqëndrueshëm. Ndoshta me këtë situatë pasigurie ka lidhje edhe bllokimi i rrugës së integrimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Nëse kriza nuk zgjidhet shpejt, atëherë Fuqitë e Mëdha mund të lëvizin në drejtim të opsionit që ka formuluar ish- ambasadori britanik në Beograd. Dhe duhet ditur se për rajonin tonë nuk kanë vendosur popujt, aq më pak qeveritë e këtyre vendeve, nuk kanë vendosur as ata që kanë bërë të fortin, por kanë vendosur Fuqitë e Mëdha të botës. Duhet pranuar se Angela Merkel mund të ndjehet një ditë e lodhur nga formula e mosndarjes së Kosovës. Ajo kishte vënë kusht dikur për Beogradin që të shuante institucionet paralele në Kosovë, me qëllim integrimin në Bashkimin Europian. Por më në fund ajo u detyrua ta pranojë Beogradin në klubin e shteteve europiane, ende pa hequr strukturat paralele serbe në veriun e Kosovës. Kështu që qëndrimet nuk janë asnjëherë statike, të gjithëhershme, ato mund të ndryshojnë në raport me rrethanat dhe nevojat për paqe, stabilitet e siguri në Europë.
Europa nuk do të mund të plotësohet pa pranuar në radhët e saj Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Shqipërinë e Maqedoninë, sepse sa i përket Malit të Zi dhe Serbisë, duket se këto dy vende tashmë e kanë të hapur rrugën drejt Brukselit. Por të katër këto vende duket se nuk do të mund të kapin trenin në kohë për të udhëtuar të sigurt drej kryeqytetit europian. Moskapja e trenit europian ka shumë gjasa që të çojë në një opsion zgidhjeje përmes bisturisë së kirurgut. Kjo do të thotë se opsioni i rregullimit të kufijve, ao shkëmbimit të territorit, e më pas rikonfigurimit të hartës politike mbetet real.
Sa janë të përgatitur shqiptarët, përkatësisht elitat politike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, po pse jo edhe ata të Preshevës e Malit të Zi, për ta përballuar një zgjidhje të tillë?! A kanë ata një plan reagimi e propozimi për zgjidhje konkrete, nëse vihet deri te ideja e ndryshimit te kufijve?! Siç thamë më lart ideja dhe diskutimi, nëse shkohet te ky opsion, do të jetë i Fuqive të Mëdha, konkretisht i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por me pjesmarrjen edhe të Rusisë. Dhe se mund të shkohet te ideja e ndryshimit të kufijve ka dëshmuar qëndrimi amerikan në rastin e konfliktit në Siri. Lëshimet amerikane mund të pasojnë edhe rregullimet e reja në Ballkan, me qëllim ruajtjen e ekuilibrave amerikano-europiano-ruse. Atëherë çfarë do të bëjë diplomacia e Tiranës, Prishtinës, elita politike e shqiptarëve në Maqedoni e rajone të tjera? Do të presin si në rastin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë që propozimet të vijnë nga Brukseli e pse jo edhe nga Beogradi?! Do të merren me administratorë të tillë si Stefan Füle, për shkak të miqësive personale, apo do të depërtojnë të shefat e Füles, si Merkel, Hollande, Kameron e dinosaurë të tjerë politikë të kontinentit europian?! Do të presin e përshëndesin zgjidhjet që ofrojnë fqinjët tanë dhe miqtë e tyre në Europë, apo do të kërkojnë standarde të njëjta dhe rregulla të qarta loje në diskutime e në procesin e vendimmarrjes?! Nëse gjykojmë me gjendjen e sotme të mendimit e veprimit diplomatik shqiptar, atëherë më duhet të them se presim zgjidhje të pafavorshme e të padrejta për shqiptarët. Nëse kjo situatë do të ndryshojë për mirë dhe forcat politike do të bashkohjnë mendimin e veprimin e tyre, pra nëse ato do të përcaktojnë qartë strategjinë e veprimit dhe do t´i kenë të pastra qëllimet, atëherë shqiptarët mund të shpresojnë për më mirë. Fatkeqësisht në të gjitha trevat shqiptare elitat politike, por dhe ato intelektuale, janë të ndarë e madje të përçarë. Kjo gjendje të kujton pak a shumë atmosferën politike brendashqiptare të viteve 1913-1924.
Shqipërisë dhe shqiptarëve u duhet një udhëheqës i tipit Konrad Adenauer, i cili të ketë vizionin e plotë të asaj çfarë ka përfaqësuar ish-kancelari gjerman. Adenauer ndëtoi themelet e Europës së Bashkuar, duke tërhequr pas vetes presidentin francez, De Gold dhe kryeministrin Italian De Gasper. Konrad Adenauer i përkiste një vendi anës Rinit, territor ky në të cilin kryqëzohen të gjitha qytetërimet europiane me qytetërimin gjerman. Territoret shqiptare në Ballkan janë gjithashtu pika strategjike e kryqëzimit të të gjitha kulturave rajonale e njëkohësisht pika strategjike, për të cilën kanë nevojë të gjitha kombet ballkanike. Por shqiptarëve, ndërsa Zoti u ka dhënë, madje me tepri, asete natyrore e më gjerë, ende nuk ju ka dhënë një lider të përmasave të Adenauerit dhe shpirtin e veprimit në grup. Kjo do të thotë se mungojnë idetë, mungojnë vizionet, mungojnë projektet, me të cilat ne shqiptarët do të duhej të ballfaqoheshim në rastin e një diskutimi tjetër sa i përket konturimit të një gjeopolitike të re bë rajonin tonë.
Thuhet se do të bashkohet Kosova me Shqipërinë, po nuk ka një projekt se si do të mund të realizohej kjo, çfarë do të sillte ky bashkim në raportet me shtetet fqinjë, sidomos me Serbinë dhe Maqedoninë, si dhe në raport me zhvillimet sociale e ekonomike në Shqipëri e në Kosovë. Nuk ka një ide dhe vizion, për pasojë as argument dhe fakte të grumbulluara me kujdes për të bindur partnerët ndërkombëtarë për vijat ndarëse, nëse vihet deri te rregullimi i kufijve. Disa mendime e propozime që vijnë nga persona ose dhe personalitete të ndryshme, e të cilat janë bërë publike, mbeten thjesht zëra të nbyllur, pa vëmendjen e mëtejshme të atyre që mburren me postet shtetërore e politike që mbajnë e që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.
Nëse shkohet deri te diskutimi në tavolinë i rregullit të ri gjeopolitik në rajonin tonë, a duhet të ketë një projekt konkret për atë që do të ndodh me Maqedoninë, madje dhe me Sanxhakun, Bosnjën dhe Malin e Zi. Përfaqësuesit e shqiptarëve nuk mund të përgatiten thjesht për ato kufij e zona ku banojnë shqiptarët, atyre u duhet me çdo kusht të jenë aktivë për të gjitha rregullimet që vijnë në shprehje, sipas propozimeve që kanë nis të lançohen në Britaninë e Madhe, por edhe nga ndonjë senator e kongresmen amerikan. Çdo rregullim i ri në Ballkanin Perendimor e në të gjithë Europën Juglindore është interes jetik i Shqipërisë, i Kosovës dhe i shqiptarëve, sepse në një botë të integruar jeta e shqiptarëve do të jetë e lidhur ngushtësisht me zhvillimet në të gjithë rajonin. Prandaj kufizimi i ideve, vizioneve dhe pikëpamjeve në hapësirën shqiptare është i pamjaftueshëm. Po ashtu qëndrimi një hap pas diplomacive të tjera ballkanike, sidomos asaj serbe është një traditë që duhet lënë pas, për shkak se kjo do të na shkaktojë dëme të pameritueshme.
Ajo çfarë i mungon më së shumti klasës politike shqiptare në tërësi është komunikimi i sinqertë me botën e Perendimit. Kjo rrit pabesueshmërinë dhe ul kredibilitetin tonë. Ne nuk guxojmë të flasim me Brukselin e Uashingtonin për objeksionet tona, madje dhe për të metat tona e përparësitë tona në raport me paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Ne përpiqemi të fshehim kokën si struci, e të mos u themi atyre të vërtetat, qofshin këto edhe të hidhura, për realitetet ballkanike e brendashqiptare. Ne bëjmë rolin e servilit në mënyrën më perverse të mundëshme, duke dëshmuar se na mungon identiteti dhe dinjiteti personal e nacional. Dhe duke qenë se bota na njeh se cilët kemi qenë e cilët jemi, duke parë se ajo shikon përpjekjet tona për t´u paraqitur ndryshe nga ç´jemi, atëherë u jep shqiptarëve një vlerësim të pamerituar.
Zhvillme të reja gjeopolitike trokasin në dyert e rajonit e pjesa më thelbësore e këtyre zhvillimeve u takon shqiptarëve. Nëse do të qëndrojmë në pritje të asaj çfarë na ofrojnë të tjerët, qofshin këta dhe aleatët tanë strategjikë, si SHBA, Gjermania, Britania e Madhe apo Austria, atëherë do të marrim shumë më pak se na takon, ndonëse do të kemi brenda shtetit politik shqiptar diçka më shumë se na dhanë më 1913.