Violeta Mirakaj /New York/
Nr Foto:Hermira Gjoni , pianiste/ SHBA/
Për shekuj me radhë, thesarë tingujsh u grumbulluan në botë. Tingujt e fuqishëm të simfonive të Bethovenit, operat madhështore të Verdit dhe Gunose, meloditë e ëmbla të Shopenit, Grigut dhe të tjerë kanë kumbuar në të katërt anët e vendit,të cilët kanë ndriçuar si gurë të çmuar Çdo gjë kalon, vetëm arti është i përjetshëm. Muzika u jep kënaqësi, ëmbëlsi, shpirt, jetë e madhështi gjithë njerëzve, kjo është dhe lejtmotivi i gjithë veprimtarisë muzikore e Hermira Gjonit. Znj. Hermira, nga komentet e njerëzve të shquar të muzikës është përcaktuar si një koncertmaestër që di të trasmetojë me elegancë te spektatori shpirtin dhe muzikën që interpreton.
Biseda me Hermirën nisi ashtu thjesht, nisi si një bisedë midis një artdashëse dhe një artisteje, e cila me thjeshtësinë e saj karakteristike, me lirëshmërinë e mendimit dhe me kulturën e gjerë të bën për vete dhe gjithmonë ke çfarë të mësosh. Ajo mendon se muzika është një okazion për ta jetuar jetën më mirë, është gjuhë që kuptohet nga popujt e gjithë kombeve të botës, është gjuhë origjinale e çmueshme për transmetimin e mendimeve dhe ndjenjave.
Një jetë mes tingujve të pianos, një jetë që nisi që në moshën fëminore dhe vazhdon deri në ditët e sotme…. Ajo shprehet : -“Kryesorja në skenë është të luash thjeshtë, lehtë, pa mundim. Gjithmonë kujtoj fjalët e pianistit të madh, F. Buzonit: Pianisti duhet të ketë një inteligjencë mbi të zakonshmen , forcë këmbëngulëse, kulturë, ndjenjë, poezi dhe magnetizëm personal që të frymëzojnë spektatorin” – Pianistja Hermira Gjoni formoi personalitetin e saj artistik kur në Shqipëri po hidheshin hapat e para drejt kristalizimit të artit muzikor profesional. Gati për 25 vite me radhë ka qenë e emëruar Koncertmaestre në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Ajo tregon për vitet e Teatrit të Operas dhe Baletit :- “Të bësh në jetë të dendur koncertale nuk është e lehtë, do një impenjim të plotë. Kam punuar me pasion, me shumë vullnet dhe frymëzim në koncertet e mia solo; por edhe kur shoqëroja shumë artistë të talentuar, këngëtarë, instrumentistë, kërcimtarë. Për të bërë këtë duhej një përkushtim i plotë dhe i thellë, duhet t’i japësh mendjen, veten tënde veprave që ekzekuton.” Orë të tëra të jetës së saj i janë dedikuar ndihmës për të çuar në një nivel më të lartë artistik, talented e reja. Ajo ka patur rastin të punojë 4 – 5 breza këngëtarësh dhe këtu nuk mund të mos përmendim ariet, me nivelin më të lartë artistik që ajo arriti së bashku me këta këngëtarë në koncerte të ndryshme, si me Artistin e Popullit M. Xhemali, apo me Ll. Kaçaj apo me A. Mula, R. Kovaçin,N. Mula, Xh Athanasi, I. Tukiqi, T. Kota, R.Dabulla,F.Mamaqi.Të shumta janë vlerësimet pozitive Një ndër ta është dhe vlerësimi nga Zh. Ciko, “Mjeshtër i Madh” midis të tjerave shprehet -“...kam patur fatin ta njoh hershëm (Hermirën) si person me formimin kulturor artistik të plotë dhe njëherësh si pianiste e shquar e cila ka debutuar si soliste në koncerte të ndryshme. Veçanërisht një nga meritat kryesore të Znj.Gjoni është përgatitja e premierave të veprave shqiptare në shumë prej të cilave ka qenë ekzekutuese e parë…Ajo ka interpretuar gjithashtu si soliste pianiste në koncertet e Orkestrës Sinfonike të TOB. Institucioni që unë drejtoj i është mirënjohës Znj. Gjoni për kontributin e vyer dhe personalitetin e saj të cilin e vlerësojmë lart”. Prof.M. Krantja, Dirigjent, Artist i Popullit e vlerëson:” Hermira Gjoni është e shquar për cilësinë e saj të lartë si soliste dhe koncert – maestre gjatë koncerteve dhe shfaqjeve të dhëna sa në Shqipëri dhe jashtë vendit. Dallohet për formimin e saj të veçantë kulturor e artistik, për horizontin e pasur…” Prof. Ç. Zadeja, Kompozitor, Artist i Popullit shprehet :“ Si pianiste me plot pasion dhe profesionalizëm është dalluar jo vetëm për lojën në ansambël si koncertmaestre por dhe si pianiste e koncertiste e shquar”. Në emrin e “luftës së klasave”, në 1975, papritmas aktiviteti i saj ndërpritet. Ajo ndalohet të ekzekutojë në koncerte, të realizojë regjistrime në Radio -Tirana, apo të dalë në emisionet e TVSh, deri në 1990. Vite të humbura të mundësive krijuese dhe interpretuese artistike që nuk do të ktheheshin dot më, por dhe që nuk mund të harroheshin… por nuk e lëshoi veten kurrë. Mosvlerësimi, injorimi, dhe mënjanimi nga aktivitetet artistike për 15 vite ishte sfilitës. Si thotë vetë Znj. H.Gjoni:-“Unë isha shpirtërisht e rrënuar sepse ekzekutimi në piano ishte themeli i identitetit tim.” Megjithatë,me punën e saj, tregoi se shpirti njerëzor ka një fuqi dhe një dinamikë të pashtershme….Në jetën e Hermira Gjonit ka ndikuar, ndihmuar në profesion bashkëshorti i saj kompozitori dhe dirigjenti i shquar S. Gjoni. Kritiku i muzikës, G. Leolsakos, e karakterizon kështu:- “S. Gjoni është një kompozitor i shkëlqyer, krijues i destinuar, me një kulturë të thellë estetike dhe muzikale, por mbi të gjitha me një personalitet të mrekullueshëm human, me një zemër të artë në harmoni të plotë me kulturën e tij të rafinuar” Deviza e Simonit ishte se artet janë esenciale për një komb të zhvilluar e të shëndetshëm dhe në periudhat e përmbysjeve sociale dhe orientimit shpirtëror mbështetja tek arti është mbështetje për civilizimin e Kombit.
Me gjithë mosvlerësimet dhe mënjanimet e atyre viteve, Znj. H. Gjoni i ruajti principet e veta artistike dhe pas viteve të izolimit e rindërtoi repertorin e saj pianistik dhe rifilloi koncertet me shumë sukses në vende të ndryshme të botës. Në 1993 ka qenë pianiste në konkursin “Plaçido Domingo” Paris – Francë. Aktiviteti artistik i Hermira Gjonit do të ringjallej dhe do të arrinte shkallën më të lartë të vlerësimit në vitet e punës dhe të suksesit artistik në SHBA. Pra ja që fati i njeriut është i çuditshëm dhe atëhere kur nuk e pret i hapen mundësi të paparashikueshme për përmbushjen e dëshirave. Si për të gjithë shqiptarët dhe për Hermirën dhe familjen e saj, ardhja e demokracisë ishte e barabartë me një rilindje shpirtërore dhe artistike. Një proverb amerikan thotë se: “përgjigja më e shkurtër është të veprosh”...dhe kështu ajo veproi… Koncertet do të pasonin njeri- tjetrin nga dy koncertet në Qendrën Botërore të Tregtisë apo Festivali multikulturor i zhvilluar në 22 prill 2001.K. Gilhur në intervistën e tij shprehet për H. Gjonin:“Teknika e saj dallohet për pjekuri dhe mjeshtëri në instrumentin e pianos.” Më 13 nëntor 2004 në kishën e “Shën Pjetrit”, artdashësit shqiptarë dhe amerikanë ndoqën një koncert me pianisten tonë dhe sopranon amerikane Xh. Yaffe. Një seri koncertesh me sopranon japoneze Junko Arita, pedagoge e kantos në konservatorin e muzikës në N.Y. Ja si shprehet në intervistën e saj, artistja japoneze Z. Takakusaki: “ Koncerti ishte me nivel të lartë artistik. Gjoni ishte një pianiste shumë krijuese dhe e transmetoi muzikën japoneze qartë dhe kuptueshëm. Aty spikati për gamën e gjerë dhe për variacionet dinamike” Në konferencën Botërore të Pedagogëve të pianos, Prill 2005, H. Gjoni mbajti leksionin- “Ana emocionale e interpretimit në piano”. Koncerti festiv me rastin e Ditës së Kolombit ishte një ditë e madhe për pianisten H. Gjoni. Për herë të parë pianistja shqiptare ishte e ftuar të ekzekutonte përpara një publiku që kishte ardhur posaçërisht nga shumë shtete të SHBA, Kanada, Itali etj. Ovacionet nuk pushonin për interpretimin e tenorit të famshëm K. Makio, i cili u shoqërua nga Hermira si dhe nga interpretimet e veprave solo nga kompozitorët Shopen dhe List. Në mbyllje të koncertit u zhvillua ceromonia e dorëzimit të medaljes për tenorin K.Makio, Miss Amerika K. Zanzaro dhe për pianisten Hermira Gjoni. Ajo shprehet: “Ishte një surprizë kjo medalje, dhe ky fakt më bën që në të ardhmen t’ju dhuroj koncerte edhe më të bukura për nderimin që më bëtë”.…Dhe fjalën e mban… Koncertet vazhdojnë në vite…Pas koncertit me rastin e 200 -vjetorit e lindjes së kompozitorit dhe pianistit të madh F.Shopen, Hermira pasi e ndjen veten të gëzuar që merr pjesë në këtë eveniment me pianistë me nivel të lartë të të gjithë kombësive , thekson: “Ai ishte poeti i pianos, prandaj mendoj që të transmetosh në mënyrë të natyrshme ta ndjesh veten në harmoni të plotë me muzikën që ka lënë Shopeni; kjo është detyra e pianistit”.
Ajo vazhdon koncertet me artisten e operas së Parisit, M. Mingheras dhe sopranon amerikane M. Wintson dhe së shpejti do të ketë një turne në Europe Itali, Rumani, Izrael.
Znj. Gjoni është anëtare e Fondacionit të Artistëve “The Bohemians” në N.Y; është nderuar me medaljen “Naim Frashëri” nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë dhe me medaljen “Associazione Compania – USA
Pra, aktiviteti artistik i Znj.Gjoni ka fituar sukses dhe një rilindje shpirtërore dhe artistike në N.Y. Sipas mendimit të saj këtu, në SHBA çlirohesh nga ndikimi i opinionit të të tjerëve, nga paragjykimet, nga frika e rrëzimit ose e dështimit. Kjo të bën të jesh vetvetja, të ndjekësh pikësynimet dhe kështu njeriu arrin potencialin e tij më të lartë. E gjithë kjo eksperiencë të jep forcë dhe të bën të mos e kthesh kokën prapa, po të shohësh se çfarë mund të arrish në të ardhmen. Me kalimin e kohës ndryshojnë shijet, ambienti që na rrethon, ndryshojnë mjetet, (piano, akustika, spektatori) dhe pianisti vazhdimisht provon, mediton, kërkon, perfeksionohet dhe fillon të kuptojë më mirë sesi duhet të ekzekutosh në piano. Të punosh në art kërkohet pak më tepër se sa thjeshtë të kesh talent, duhet të kesh disiplinën brenda vetes për të përballuar orët e studimit dhe koncertet. Por të kesh një jetë të dendur artistike do hasësh më shumë xhelozi, bile nga kolegët. Ky është realiteti! Suksesi ka gjithmonë një çmim, je gjithmonë në dritën e pamëshirshme të publicitetit, – dashamirëve dhe ziliqarëve, të cilët nga realiteti dhe zilia përpiqen të të përbuzin apo të të shkatërrojnë. Të githa këto duhet t’i përballosh me qetësi, kurajo dhe këmbëngulje.
Pra, thekson se pianistët me pikësynime gjithmonë kanë sukses ,sepse ata e dinë ku po shkojnë. Njohja me pianistë botërorë, kontaktet dhe bisedat me ta janë shumë të vlefshme,e përfundon mendimin e saj, të pasurojnë nga ana muzikore, intelektuale dhe shpirtërore. Ata ndihmojnë të ecësh përpara sepse janë artistë me një vizion të kompletuar për muzikën, krijojnë një botë të tyre dhe shpërthejnë në fluturimet magjepsëse të fantazisë. Ço ekzekutim tek ata rrjedh me lehtësi dhe kjo është përsosmëria që kanë arritur ata. Kjo është dhe një eksperiencë e vyer dhe për brezat e rinj.
Violeta Mirakaj / NY/ 6 prill 2016