• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIRIMI NGA BURGU DHE LIDHJA SHPIRTËRORE ME GJYSHET

November 22, 2020 by dgreca

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

LIRIMI NGA BURGU DHE LIDHJA SHPIRTËRORE ME GJYSHET

NGA EUGJEN MERLIKA-

Jeta në burg është një gjymtim për njeriun. Privacionet e të gjitha formave, largësia nga familja, shqetësimi për të, rreshti disa herë në ditë, mendimi i të qenit pa faj aty brenda, të gjitha këto krijojnë një kompleks shpirtëror që e ngrys njeriun, e thinj para kohe, i errëson mendimin. Jo më kot Dostojevski e quante “shtëpi e të vdekurve”. Po ç’forcë e mban gjallë atë, që kur dënohet me njëzet vjet burg, po ta dijë se do t’i bëjë të gjitha çmendet ose vret veten? Ka vetëm një ilaç: shpresa, ajo i mban njerëzit të fortë, i bën t’i bëjnë ballë së keqes me gaz. Shpresa fillon tek njeriu që kur hyn në atë derë dhe e shoqëron gjatë gjithë kohës.

Kështu dhe ne në çdo festë prisnim lirimin, dhe momentit të parë të dëshpërimit për mungesën e tij ia zinte vëndin pritja me shpresë për festën tjetër. Kështu në nëntor 1982, Zoti i dha vullnetin e mirë Enver Hoxhës të dekretonte faljen e parë pas njëzetë vjetësh. Ajo falje më përfshinte dhe mua.

Jeta është një bashkësi e së mirës me të keqen. Gëzimin për lirimin nuk e ndjemë shumë ne që dolëm, sepse lamë në burg shokët tanë, me të cilët kishim kaluar çastet e dëshpërimit, dhimbjen për të afërmit e vdekur, kishim gjetur ngushëllim në fjalën e njëri-tjetrit e tani na dukej se po i tradhtonim duke i lënë aty, brenda telave.

U ktheva në shtëpi atë ditë nëntori të 1982-shit me kokën e qethur (zv.komandanti i kampit kish dhënë urdhër të prerë të qetheshim një javë para lirimit, megjithëse dihej ai vendim i marrë nga udhëheqja) me një trastë në dorë, me shikim të humbur në ato fusha, të cilat më kujtonin çaste pune të lodhshme e nën sytë kuriozë e me shprehje të ndryshme të njerëzve në autobuzë e në rrugë. Më dolën përpara njerëzit e shtëpisë, nëna u ul dhe puthi tokën, fëmijët m’u hodhën në qafë, babai më përqafoi, gruaja, kunati.Lotë, urime e pak gaz.

Dy vjet e gjysëm larg familjes, sa fatkeqësi e dhimbje kishin rënë mbi të, një periudhë tej së zakonshmes mbi shpatullat e atyre fëmijëve e pleqve. Vite të ngarkuara me sëmundje, vdekje, shtypje policore, urrejtje klasore, vështirësish të jashtëzakonshme jetese, mungese përkrahjeje. Më duhej tani të mbyllja shumë plagë, por a kisha fuqi? Veprimi i parë që kreva sapo zbrita nga autobuzi në Lushnjë ishte vizita te varri i freskët i gjyshes sime të mirë. Zoti nuk desh që t’i japë një gëzim në fund, lirimin tim. Para syve të mendjes ajo është e gjallë çdo ditë për mua, e kam dashur shumë, më shumë se prindërit, dhe pamja e fundit e takimit tonë më është ngulitur në tru. Erdhi e më takoi në hetuesi mbas dënimit tim, së bashku me fëmijët e vegjël, babanë e gruan. Më dha kurajo e më përsëriti pak a shumë ato fjalë që më thoshte dikur, kur unë i vogël qaja brenda në qeli, e ajo luftonte me policin jashtë.

Gjyshet e mia të nderuara, objektet e dashurisë, dhëmbshurisë së pafund, sa shumë u kujdesët për mua, sa shumë ndjenjë derdhët mbi mua, sikur deshët të kompensonit, ju, të vetmet, atë që bota dhe fati e jepnin me pikatore. Njëra më rriti me duart e saj, hoqi kafshatën nga goja e s’la të më dhimbte stomaku nga uria, më njohu ajo e para me historinë e tridhjetë vjetëve të paraluftës, me historinë e vërtetë të Vendit tim. Ajo ishte enciklopedi e gjallë, të fliste me detaje për figura të shquara historike, për burra të mençur, trima e fisnikë, të cilëve iu kishte nxjerrë aq shpesh kafe e u kishte shtruar tavolinën. Tregonte ndodhi e biseda nga më të ndryshmet, për Nolin e Ahmet Zogun, Avni Rystemin (kështu i thoshte ajo) e Abdi Toptanin, për Bajram Begun e Hasan Prishtinën, për Ndre Mjedën e Patër Gjergj Fishtën, për Zija Dibrën e Elez Isufm, për Stavro Vinjaun e Qazim Koculin, për Bazin e Canës e sa e sa burra të tjerë që ishin përpjekur t’i vinin themelet këtij kombi në vite të vështira. Por mbi të gjitha në kujtesën e saj spikaste figura e Gurakuqit, një burri që për nga fisnikëria e mençuria i kishte shokët e rrallë. Mua më kanë mbetur në mendje shumë episode e shije të tij që ajo i përmendte shpesh: “Eh moj Caje, ta ka fajin ky, duke treguar gjyshin tim, i kam thanë me kohë mos u marto, në Shqipni nuk bahet politika tue pasë familje”. Sa profetike, sa e mençur, sa e thellë kjo shprehje e atij burri që s’u martua kurrë e që pyetjes në lidhje me këtë gjë i përgjigjej: “Jam martue me Shqipninë”. Sa shumë i vërtetoi ky shekull këto fjalë, sa shtrenjtë i paguam, deri dhe unë pasojat e asaj jete politike të burrit të saj. Sa mbrapa qytetërimit mbeti shoqëria jonë, që shkarkoi tmerrësisht mbi gra e fëmijë të pafajshëm pasojat e pasioneve, ideve e të jetës politike të protagonistëve…

Figura e Luigj Gurakuqit më lidhte dhe me gjyshen tjetër, të venë e Sotir Gjikës, publicist e gazetar, drejtor i gazetës “Kuvendi” që botohej në Romë. Atë natë kobzezë të 2 Marsit 1925 Luigji, mbasi kishte ngrënë darkë në një restorant me një mikun e tij, i kishte thënë atij se do të shkonte te Sotiri, sepse i kishte premtuar vajzës së tij një kukull e do t’ia çonte. Por plumbi mizor nuk e la ta plotësonte premtimin ai burrë shpirtmadh. Mbi varrin e tij do të fliste Sotiri, por në pamundësi që të ngrihej nga shtrati, në vënd të tij foli gjyshja ime, e shoqja.

Gjyshja ime, që nuk mundi të më njihte deri sa vdiq, që gjithë jetën u rropat me mundim për të shkolluar dy fëmijët e saj jetimë, që sakrifikoi gjithçka për të ndërtuar një të ardhme për mua e së fundi vdiq duke ditur se Poçi i saj kishte përfunduar në burg. Mbas një viti ajo mori edhe dajën tim,dhe kështu për nënën time u shua dhe shpresa e fundit për të gjetur një shtëpi të sajën, me të cilën tashmë e lidhnin vetëm kujtimet dhe varret. Diktatura do të peshonte dhimbshëm në ndarjet e njerëzve, nëna ime u largua njëzet e tre vjeçe nga familja për të mos u takuar më me njerëzit e saj. Besoj se duhet të ketë një drejtësi hyjnore, para së cilës të përgjigjen ata që ndërtuan një rend të tillë gjërash…

Kthimi im në shtëpi duhej të rivendoste një minimum qetësie që mungonte gjatë viteve të burgut tim. Në vështirësitë e panumërta të këtyre dy viteve, familjes sime i kishin qëndruar pranë vetëm xhaxhai me të shoqen dhe familja e gruas. Vetëm ata më trokitën pa frikë në derën e Spaçit apo Zejmenit, u munduan me praninë e tyre të lehtësonin sadopak plagët. Në rrethana të tilla, fisnikëria e atij që të gjendet pranë, është një melhem që nuk ka të paguar me gjithë arin e botës. Prindërit dhe vëllezërit e gruas nuk e braktisën motrën në fatkeqësi, nuk i ofruan mundësinë e ndarjes, qoftë dhe formale, siç bënë qindra familje të tjera duke shkaktuar qindra drama me pasoja rrënuese për ndjenjat, personalitetin e botën shpirtërore të të burgosurve, fëmijëve e familjeve të tyre. Ata e mbështetën, e ngushëlluan, i qëndruan pranë motrës së tyre me kurajo e pa përfillur dhe rrezikun e mundshëm, që mund t’u vinte nga zhvillimi me konsekuencë i luftës së klasave prej njerëzve pa asnjë princip moral në vetvete. Këtyre njerëzve që dhanë provat e dashamirësisë në orët më të errëta të natës së gjatë të diktaturës, ju mbetem borxhli përjetë.

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, Lirimi nga Burgu, Nje jete ne Diktature

NJË JETË NË DIKTATURË(3)

October 31, 2020 by dgreca

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”-NDRE  MJEDA /

I LIRUAR NGA TEPELENA NË GJIRIN E NJË FAMILJEJE TË DYTË–

Nga Eugjen MERLIKA-

Dy vite shkollë në qytetin e Tepelenës. Vetëm nxënësit lejoheshin të dilnin jashtë rrethimit të telave me gjemba, për të vazhduar shkollën shtatëvjeçare. Vetëm në arsimin e detyrueshëm nuk u bë dallim, atë mund t’a merrnin të gjithë. Më dalin parasysh skenat e vajtjes dhe kthimit nga shkolla. Më merrte për dore një vajzë mirditore, Bardha. Ishte më e madhe se un, më e rritur, megjithëse ishim në të njëjtën klasë. Ajo ishte kushërira e Pal Mëlyshit, familjen e të cilit e kishim karshi për karshi në kazermën e parë. Mësonim të gjithë ne, fëmijët e kampit; megjithëse t’uritur e të zhveshur, ishim më të mirët në mësime. Ç’ishte ajo fuqi që na jepte krahë të përballonim çdo ditë atë skëterrë? Ç’forca madhore viheshin përkrah nesh, për të na siguruar mbijetesën? “Zot i madh na ndihmo!”, kjo ishte ofshama nga thellësia e shpirtit, vetvetiu në çdo çast dhimbjeje e ligështimi…

Mbas dy vitesh qëndrimi në kampin e Tepelenës erdhi urdhëri që fëmijët të liroheshin nga interrnimi. Kush pati familjarë të lirë vajti tek ata. Un mbeta i vetëm me gjyshen, deri sa xhaxhai i babait, mjek i dëgjuar i fëmijëve në Korçë, më mori në shtëpinë e tij. Ai me të shoqen u bënë për mua prindër të dytë, më trajtuan me dashuri e dhëmshuri të madhe, u kujdesën për fatin tim gjithë kohën, u përpoqën me të gjitha mënyrat të ndreqnin sadopak jetën time të nisur keq. Por plaga në shpirtin tim ishte shumë e thellë. Kushtet materiale të jetës sime ishin si dita me natën me të shkuarën, por mungesa e prindërve nuk mbushet me asgjë, sado që un gjeta prindër të dytë që i desha me gjithë shpirt. Mëndja ime shkonte përtej telave me gjemba, ku veç e veç qëndronin gjyshja, nëna dhe babai. Pasiguria, ankthi për jetën e tyre, malli, dhimbja më bënin që fshehtas të derdhja lotë të hidhur. Ata lotë fëmije tetë vjeçe, ashtu si të mijëra fëmijëve anekënd Shqipërisë ishin perla që “stolisnin” kurorat e të fuqishmëve të botës. Por në atë moshë të njomë ne fëmijët nuk i kuptonim gjërat, kurse sot ata nuk e kanë naivitetin tonë të atëhershëm.

Prindërit tanë asokohe nuk bisedonin në sytë tanë për gjendjen e tyre e të vendit, apo problemet politike. Terrori kishte depërtuar  deri në qeliza dhe askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën. Kështu që ne brumoseshim me dashurinë e “pafund” për Partinë, xhaxhi Enverin, mbi të gjitha për xhaxhi Stalinin. Këta iluzione, që na fuste shkolla, binin ndesh me trajtimin tonë në jetë, por ne nuk ishim në gjëndje të mendonim me kokën tonë. Më kujtohet një episod sa qesharak aqë dhe i dhimbshëm. Kisha vajtur për takim tek nëna që ishte në kampin Nr. 3 tek Fabrika e tullave në Tiranë. Ishte vera e vitit 1953. Nëna dhe shoqet e saj punonin në kaminat e tullave brënda telavet të kampit. Mua më lejoi oficeri të qëndroja dy ditë brënda në kamp. Në bisedë me gratë dhe vajzat që banonin në një dhomë me nënën (mund të ishin rreth njëzet veta) un i pyeta ato pa të keq nëse kishin qarë kur vdiq Stalini. Ato filluan të qeshin dhe thanë se e vetmja gjë e mirë që përfituan ishte se patën dy ditë pushim. Un, i indoktrinuar nga shkolla dhe jeta jashtë, ju përgjigja me inat: “Mirë ja u bëjnë juve që ju mbajnë këtu brënda”. Ato shpërthyen përsëri në gaz. Kishin të drejtë të qeshnin me mua, që kisha harruar Tepelenën dhe s’kuptoja autorët e vërtetë të tragjedisë. Në krahasim me fëmijët e sotëm, që ngrenë dy gishtat lart, ne duhet të pranojmë se kemi qënë shumë naivë, për të mos thënë të marrë e ndoshta kjo spjegon dhe jetëgjatësinë e dogmave staliniste për dhjetëvjeçarë të tërë.  

Por dua të kthehem përsëri te Tepelena, një gozhdë e ngulur thellë në ndërgjegjen, zemrën dhe trurin e shumë bashkatdhetarëve të mi të mesit të shekullit njëzetë. Strategjia e shfarosjes fizike shoqërohej me një tjetër, ende më djallëzore, atë të prishjes së njeriut, për të cilën nuk kurseheshin mjetet e mënyrat më të ndryshme. Në kushte jashtzakonisht të vështira fizike, morale e psikologjike, shumica dërmuese e asaj bashkësie e mbajti ballin lart, nuk e nxiu faqen, ruajti dinjitetin, karakterin, respektin e dashurinë për njëri tjetrin. Në kazerma të mëdha, me dy rradhë shtretërish flinin mbi pesëqind vetë e për çudi të “arkitektëve të ndritur” të asaj poshtërsie njerëzore asnjë skandal moral nuk ndodhi. Të gjithë u quajtën motra e vëllezër e të tillë mbetën në kujtimet e njëri tjetrit, duke sfiduar diktaturën dhe ligjet e saj mizore. Pa asnjë ndihmë, ata njerëz mes të cilëve jetova dy vjet, përballuan ata vite të gjata derisa më 1953, si pasojë e “qiejve të hapur” dhe trysnisë së opinionit të jashtëm, Qeveria vendosi mbylljen e kampit famëkeq të Tepelenës. 

Për “çudi”, mbasi  “morën vesh” nga gazetat dhe radiot e huaja praninë e metodave të shfarosjes në praktikën e përditëshme të kampit, oficerët e Ministrisë së Brendëshme, që erdhën për të komunikuar prishjen e tij, si zëdhënës të denjë të padronëve të tyre, shprehën “habinë” për çka kishte ndodhur. Hipokrizia kriminale shkonte deri në ngarkimin e përgjegjësisë viktimave, mbasi “nuk qenkëshin ankuar më lart”, një mënyrë sa e ndyrë aq dhe cinike për të fshehur ata që kishin projektuar deri në detaje krimin e që drejtonin fatet e vendit. Ishte një përpjekje trashamane për të shpëtuar “faqen e larë” të udhëheqësve, për të cilët ”njeriu është kapitali më i çmuar”. Është për t’u habitur fakti që ende sot e kësaj dite ka njerëz që me ndërgjegje thonë se “uji vjen i kulluar nga lart, por turbullohet poshtë”, se Qeveria mendonte për njerëzit por kuadrot poshtë vepronin simbas dëshirave të tyre. Çfarë naiviteti për të gjetur spjegimin e aqë shumë të këqijave!   

Mbas strategjisë së shfarosjes së kampit të Tepelenës udhëheqja projektoi një sistem të ri për atë masë njerëzish që përfaqësonte “opozitën” ndaj socializmit. Kish vdekur Stalini dhe themelet e veprës së tij kishin filluar të lëkundeshin në endin e tij; përgatitej takimi i Gjenevës i Katër të Mëdhenjve, Nikita Krushovi filloi të fliste për kurs të ri. Udhëheqja staliniste shqiptare mendonte se nuk ishte më i dobishëm terrori masiv, i ushtruar për dhjetë vite me rradhë. Shembujt e tij janë fakte bindëse e të shumta. Mjafton të kujtojmë Bedenin, Orman-Pojanin, Vloçishtin, Vlashukun e të tjerë kampe pune të detyruar, ku kanë vdekur me qindra të dënuar politikë, ku njeriu varrosej i gjallë në llucën e kanalit nga çizmja e policit. Të kujtojmë gjithë ata të pushkatuar për bombën e hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike, represionin e pashëmbullt mbi popullin e Mirditës mbas vrasjes së Bardhok Bibës e të tjera shfaqje mizore të diktaturës  komuniste në ata vite të kobshme.

Tani duhej ndryshuar taktika. Internimi merrte një formë tjetër dhe vendi i zbatimit  të tij u caktua Lushnja, një qytet në qendër të Shqipërisë, pranë kënetës së Tërbufit. Aty do të ndërtohej një fermë e re dhe kishte nevojë për krahë pune. Këtu u grumbulluan shumica e t’internuarve, të shpërndarë në kampe të ndryshme. Këtu edhe un u bashkova me gjyshen, nënën dhe xhaxhain që kishte kryer  dënimin e tij me burg. 

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika, Nje jete ne Diktature

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT