• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një motër e paharruar

October 3, 2018 by dgreca

2 drita-pelingu-6Në pesëvjetorin e ndarjes nga jeta/

Nga Reshat KRIPA/
Drita Pelingu, një emër i paharruar për ne. U mbushën pesë vjet që ti je ndarë, motra ime. Ti ike, ike në mes të duartrokitjeve të qindra admiruesve të tu. Ike kur e kishe plotesuar detyrën tënde të një artisteje të madhe të skenës. Ti ike por unë, vëllai yt i vogël, (eh çfarë them edhe unë, vëllai yt i vogël që po arrin të tetëdhjetretat), dua të shkruaj dy fjalë për ty, për kujtimet e mia. Për ty unë isha gjithmonë një vëlla i vogël, sikur të isha ende një fëmijë dhe, me të vërtetë, unë mbeta një fëmijë përpara figurës tënde të ndritur.
Duartrokitjet që të përcollën për në banesën e fundit më sillinin para syve ato që ushtonin në skenat shqiptare kur interpretoje rolet e Irës, Klariçes, Luiza Milerit, Gertrudës, Kornelias, Budes, Mukadesit, Hallës dhe mbi të gjitha atë të Zojcikës rol që e kishe mbi gjithë të tjerët. Këto duartrokitje ishin shpërblimi që admiruesit e tu të shumtë të jepnin në çastin e përcjelljes tënde për në mbretërinë e përjetëshme.
Në çastin e duartrokitjeve të admiruesve para syve më dilte jeta ime. Më dilnin ato vite të fëminisë sime të herëshme kur ti, ende e re, deklamoje para nesh skena nga dramaturgjia botërore. Ati ynë, kur të dëgjonte, thoshte se ti do të bëheshe një njeri i madh dhe, me të vërtetë, ti u bëre e madhe.
U linde më 4 dhjetor 1926 në Vlorë. Shkollën fillores e kreve në shkollën italiane në qytetin e lindjes. Si të gjithë motrat dhe vëllezërit ishe një nxënëse e nivelit të lartë. Për këtë arsye, me mbarimin e shkollës fillore, Gagaj, siç i thërrisnim ne babait tonë, të dërgoi në shkollën normale “ Nana Mbretëreshë “ në Tiranë, të cilën e përfundove në vitin 1944. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, u aktivizove në mitingjet antifashiste që organizoheshin në Tiranë apo në demostratat që zhvilloheshin në qytet. Për njerën nga këto i shkruaje edhe Likës, motrës tonë të madhe, gjë që u bë shkak që ajo të arrestohej dhe të mbahej për tre ditë në burg. Ishte ndërhyrja e gjyshit tonë, një burrë me influencë në qytetin e Vlorës, që bëri të mundur lirimin e saj.
Me mbarimin e luftës fillove të aktivizoheshe fillimisht me grupet amatore të teatrit të kryeqytetit.. Kishe një pasion të veçantë për këtë art. Por këtu ndeshe në rezistencën e familjes. Gagaj, i shtyrë nga mentaliteti që sundonte në atë kohë për teatrin, nuk donte të të lejonte. Por këmbëngulja jote bëri që të mos hiqje dorë nga ky pasion. Në janarin e vitit 1945 fillove studimet në shkollën e dramës për aktrim dhe regjizurë, të cilën e mbarove me sukses. Në fillim të vitit 1946 emërohe aktore profesioniste e Teatrit Popullor në Tiranë
Para syve më del roli yt i parë, ai i Irës në dramën “ Portreti “ të një autori sovjetik. Ira ishte një piktore e re me shumë ëndrra për të ardhmen. Ajo pikturonte portretin e kunatës por, pasi e punonte, e griste dhe e ripunonte prapë, sepse nuk gjente frymëzimin e duhur për të paraqitur në pikturë karakterisrikat që kishte ajo femër. Pas këtij roli vazhduan edhe shumë të tjerë, shumica e të cilëve kryesorë si në dramat “Diku në Moskë“, “Gratë gazmore të Uindsorit“, “Mbreti Lir“, “Hamleti“, “Otello“, “Intrigë e dashuri“, “Qeni i kopshtarit“, “Një letër e humbur“, “Arturo Ui“, “Djali plangprishës“, “Rouz” e të tjera. Po ashtu edhe debutimi yt me sukses në shumë drama shqiptare që nga “Halili dhe Hajria“, “Kur hidheshin themelet“, “Profesioni më i vjetër“, “Streha e të harruarve“ dhe për të përfunduar me “Përjetësisht dashuria”, shkruar enkas për ty dhe vënë në skenë nga regjizori Mihal Luarasi.
Një kontribut të shquar ti ke dhënë edhe në fushën e regjizurës. Nuk mund të harrohen drama të njohura si “Kënga e mjellmës“, “Kush e solli Doruntinën“, “Hijet“, “Shumë zhurmë për asgjë“, “Korrupsion në pallatin e drejtësisë“. Po ashtu ke vënë në skenë edhe çfaqje teatrale në Shkup dhe në Vlorë. Nuk mund të harrohen interpretimet e tua në filmat “Kur hidheshin themelet“, “Njeriu me top“, “Vajzat me kordele të kuqe“, “Radiostacioni“, “Përtej mureve të gurta“, “Fjalë pa fund“, “Shpresa“ e të tjera. Gjatë karrierës tënde ke punuar me regjizorë të njohur si Pandi Stillu, Sokrat Miho, Esat Oktrova, Piro Mani, Mihal Luarasi apo regjizori i niohur sovjetik Kriçko. Prej më se 20 vjetësh ke qenë pedagoge në Akademinë të Lartë të Arteve. Nga duart e tua kanë dalë një sërë aktorësh të rinj që tashmë janë të afirmuar në skenën shqiptare. Të tillë janë Timo Flloko, Ema Andrea, Hervin Çuli e të tjerë. Të gjitha këto nuk janë pak për të treguar madhështinë e figurës tënde.
Por le të kthehemi tani në marëdhëniet tona familjare. Para syve më dalin ato vite të turbullta, kur unë zgjodha rrugën nëpër gërxhe e shkrepa dhe kur ti ishe gjithmonë pranë meje për te më kthyer përsëri në gjirin e familjes, për të më kthyer përsëri në jetë. Ti nuk kishe mundësi të vije të më takoje, pasi ashtu ishin konditat e kohës, por ti ishe gjithmonë pranë meje. Unë e ndieja praninë tënde. Ishin kohë të vështira. Familja jonë jetonte në kondita të një mbijetese të tmershme. Por mua nuk më mungonte asgjë dhe kjo në saj tënden. Nuk mund t’i harroj kurrë pakot që më dërgoje me prindërit tanë ku në secilën prej tyre do të gjeja shënimin: “vëllait tim të vogël që e dua shumë”.
Vitet rrodhën. Po afrohej koha që të kthehesha në gjirin e familjes. Në një pako që ti kishe dërguar ishte një kostum krejt i ri. Doje që unë të kthehesha si një dhëndër. Në xhepin e xhaketës një fotografi të një fëmije që nuk ishte më shumë se tre vjeç. Nga pas saj një shënim:

”Po të dërgoj fotografinë e Orës, si top llastiku, që sa herë të të marrë malli ta puthësh e përqafosh”.

Ishte fotografia e mbesës time të bukur. Kur e pashë, për herë të parë, më rrodhën disa pika lot nga sytë.
Erdhi, më në fund, dita që do të kthehesha në gjirin e familjes. Isha shumë larg qytetit të lindjes. Nuk mundesha të kthehesha brenda ditës atje. Ku të shkoja? Direkt nga skëtera erdha tek ti. Në hyrje të shtëpisë pashë të nderuarin doktor Kërçikun, në shtëpinë e të cilit banoje, që zbriste shkallët së bashku me zonjën e tij të nderuar. Më vështroi me habi dhe më pyeti:
– Ku shkoni?
– Te motra, Drita – iu përgjigja.
Një shkëndijë shkrepi në sytë e doktorit
– Drita, Drita. – thërriti dhe u kthye mbrapa – sihariq, sihariq.
Ti dole nga dhoma e habitur dhe më vështrove. Fillimisht nuk më njohe. Kishim
pesë vjet pa u parë. Por, kur më pe të veshur me kostumin që më kishe dërguar, lëshove një klithmë dhe më rrëmbeve në krahët e tu duke derdhur lot të nxehtë. Edhe mua më shpëtuan lotët. Atë çast nuk do ta harroj kurrë deri sa të mbyll sytë.
Po si munde t’i bëje gjithë këto për një vëlla rebel që ishte ngritur kundra sistemit në të cilin jetohej? Sepse në krah kishe një bashkëshort ideal, një luftëtar të vërtetë të lirisë që kurrë nuk i braktisi parimet fisnike për një Shqipëri demokratike. Ishte pikërisht ky fisnik i rrallë që, megjithë shtrëngesat e kohës së errët, gjente rrugët e duhura për të jetuar pa u përlyer nga intrigat e pështira të kohës. Ai i përkiste atyre burrave që nuk të ndërhyri kurrë në marrëdhëniet e tua familjare, sido që të ishin ato dhe që nuk druhesh të vinte në familjen tonë në një kohë kur atë sistemi e kishte mbuluar me njolla të errëta dhe shumëkush nuk guxonte.
Por ti vuaje, e dashur motër. Vuaje ti, por vuanim edhe ne, pasi ishim pikërisht ne shkaku i vuajtjeve të tua. Ti asnjëherë nuk e shfaqe këtë hidhërim. Duhesh të kalonin dyzet vjet, deri sa të vinte viti 1987 kur shteti shqiptar do të kujtohesh të të jepte titullin “Artiste e Merituar”. Megjithatë unë i falënderoj ata që u bënë shkak që ti të merrje atë titull. Nuk e di se kush janë por, sidoqoftë, i falënderoj. Falënderoj gjithashtu Shoqatën “Ismail Qemali” për titullin me të njejtin emër që të akordoj në vitin 1996, Presidentin Mejdani për titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”, Presidentin Topi për titullin “Nderi i Kombit” dhe Bashkinë e Vlorës për titullin “ Nderi i Qytetit”. Një falënderim të veçantë i drejtoj Bordit Drejtues të Institutit Amerikan të Biografive për zgjedhjen emrit tënd ndërmjet pesëqind personaliteteve më në zë të botës. Thellësisht faleminderit të gjithëve!
Ti motër, megjithë fatkeqësitë që të ranë përsipër vitet e fundit, nuk u theve asnjë herë. Kishe një ëndërr. Doje t’i jepje fund jetës në skenë dhe ashtu ndodhi. Ti i dhe fund duke interpretuar “Përjetësisht dashuria”, Ishte drama e fundit që interpretove, vetëm disa muaj para se të shuhesh jeta jote.
Ti ike motër, ike nëpërmjet duartrokitjeve. Në homazhet e tua morën pjesë gjithë qytetarët e vendit tënd, pa marrë parasysh nëse ishin të djathtë apo të majtë. Morën pjesë funksionarë të atyre që ishin në opozitë, por morën pjesë gjithashtu edhe të atyre që ishin në pushtet. Kjo sepse ti u përkisje të gjithëve. Sepse ti ëndërroje për një Shqipëri me të vërtetë demokratike ku njeriu të ishte mik me njeriun. A do të bëhet ndonjë herë Shqipëria e tillë? Sa do të dëshiroja! Por, a do të vijë ajo ditë? Nuk e di. Nuk jam në gjendje t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Kush të mundet le të përgjigjet
I paharruar do të mbetet në zemrat tona kujtimi yt!

Fotografia e Reshat Kripa

Fotografia e Reshat Kripa

Fotografia e Reshat Kripa

Filed Under: ESSE Tagged With: Një motër e paharruar, reshat kripa

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT