• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një nga Dhjetë Urdhëresat, Gënjeshtra

January 24, 2019 by dgreca

/1 Alfons-Grishaj

….. FILLIMI/

Adami  dhe Eva qenë të parët që thyen urdhëresën e Zotit  me frutin e ndaluar. Që aty njeriu mendoi se do fshihej nga Krijuesi, duke gënjyer vetveten, por jo Zotin. Siç shihet, dashuria për krijesat hyjnore qe në format adhuruese, por jo  urdhëruese… sepse urdhëri nuk ishte bërë vetëdije  ekzistente.

Realiteti vazhdoi i hidhur, dhe shthurja e pabesia detyruan  Zotin t’i tregonte të birit të Lamekut, Noehin, të ndërtonte arkën se, Ai (Zoti),  do të ndëshkonte njerëzimin e pabesë.

Përsëri disiplina skematike dhe bindja ndaj të adhuruarit ishin larg shpirtërores. Ndjesia e përkushtimit ritual pluskonte në sensin pagan. Egërsia dhe brutaliteti nuk kishin kufi deri në fatalitet. Njeriu i vërtetë mund të kërkohej me kandilin e Diogjenit  në ditën me diell.

Ardhja e fenomenit Abraham, përkon me fillimin e ndërgjegjësimit se njeriu nuk qe i rastësishëm në tokë, por kishte një Krijues që fliste me gjuhën e Tij, dhe se  njeriu  ishte i detyruar  të ndiqte disa rregulla jetese  bazë  për të justifikuar frytin e dhënë: Jetën.

Mëkati dhe shpërfytyrimi i njeriut nuk ndalej, gjë që  detyroi Zotin të godiste përsëri tokën: Gomorën dhe Sodomën, jo në përmasat e kataklizmës, por të ndëshkimit lokal. Megjithatë, Hyu nuk u lodh me mirësinë e Tij, i cili flauroi herë pas here njeriun deri me  ardhjen e Profetit Moses, që skaliti prekshëm “Dhjetë Urdhëresat”, mes të cilave  qe: “ Mos dëshmo në rrenë”. Por dhurata më e vyer e Hyut, jeta u keqpërdor prej grykësisë së njeriut, derisa u quajt “gënjeshtër!” Vetë Solomoni Profet (Sulejman në Kuran), njihet si mëkatar… ku i vë dhe  vulën me thënien e tij: “Vanitas vanitatum omnia vanitas!”. Sa dhe sot e kësaj dite, disa e quajnë misterin e jetës: kotësi, gënjeshtër!

Njeriu vazhdoi t’a nënçmonte privilegjin e Hyut, deri me ardhjen e Krishtit (Anno Domini,  Në vitin e Zotit, ose Viti Një) Kryqëzimi dhe ringjallja e Tij e bëri besimtarin të ndërgjegjshëm që fryma e shenjtë ekzistonte dhe njeriu ishte produkt i saj, pra nuk ishte gënjeshtër. Shumë u kthyen dhe jetuan në bazë të ligjeve të sanksionuara  nga Hyu, dhe përballë  rrezikut për jetën asnjëherë nuk gënjyen, “Oh na falni, se ne nuk jemi të krishterë”, por u martirizuan dhe nuk e shkelën besimin ndaj Zotit.

Shekuj më vonë ky martirizim do përsëritej me Klerin Katolik (ku para pushkatimit thanë: Rroftë Shqipëria! Rroftë Krishti mbret!), dhe disa personalitete të Klerit Musliman  Shqiptar të  linçuar  nga Hidrat bolshevike, që kishin për Zot një gënjeshtër të madhe që quhej, Komunizëm. Dhe që të mbahej ky ‘Zot” duheshin flijime njerëzish si në kohën e Keltëve (ligjet barbare të flijimit të njerëzve për Zotat e rremë), ashtu si dhe  në anën tjetër të Atlantikut në qendër të Amerikës, njohur si qyteti i Teotihuacan, “vendi ku lindën Zotat”.

Civilizimi i botës, ngriti kështjella besimi, dhe rëre. Shpata bënte lumenj gjaku, ndërsa pushka, dete… Dega e ullirit nuk u mboll në çdo vend. “Dhjetë Urdhëresat” u shkelën, u nëpërkëmbën mizorisht. Urdhëri: “Mos bëj dëshmi të rreme” ose më saktë,  “mos gënje!”,  u përsos deri në atë shkallë sa dhe pse  mëkat, një pjesë e njerëzimit dhe sot nuk mund të jetojnë më pa të…! Politikanët    mëkatarë, gënjeshtrën e kthyen  në hobi dhe mjet përfitimi ashtu si Kryeministri Rama, që shitjen me centë të ndonjë shkarravine e sjell si justifikim të pasurimit tij!  Ndërsa pseudo-historianët  dhe pseudo-krijuesit, rrenën e stiluan në gavetë ushtrie. Gjithsesi, gënjeshtra  është  mëkat, por mendimi im është se,  gënjeshtra nuk rëndon njësoj si nga njeriu që përpëlitet për të mbijetuar dhe nga ai që e përdor për pushtet dhe privilegje. Nga ana vet, gënjeshtari është i bindur për vërtetësinë e mashtrimit dhe nuk i bën përshtypje, por nëse dikush e gënjen atë, zgavra e karakterit fals e quan fabulën të papranueshme, spekulative dhe shoqërisht të dëmshme e të rrezikshme.

Sot, fabula stiset në atë formë sa lexuesi i pavëmendshëm e merr gënjeshtrën  si asfalt në shkretëtirë, pa e kuptuar se pas këtij iluzioni të asfaltuar qëndron honi përpirës i rërës që fundos iluzionistin e bashkë më të… iluzionin.

Dhe pse, Volteri thoshte: “Fabula është motra e vjetër e historisë”, nuk ka lidhje me ndërrimin e detajeve,  datave, shtesa të emrave të paqenë në ngjarje, por me fabulat e stilit të “Njëmijë e një netëve” apo “Përrallat e Andersenit” që kishin si bazë legjendat e popullit.

Historia Moderne, është e prerë, distancuar nga sajimi, gënjeshtra apo zbukurimi. Divergjenca midis të vërtetës dhe gënjeshtrës nuk është si  “divergjenca” midis faktit dhe vizionit,  që shfaqet si dhuratë hyjnore dhe novacion, pasi kjo  mbjell fidane realiteti në antipod me  surrealen.

Për mendimin tim, Surrealizmi si lëvizje moderne është më tepër si një aventurë ekspresive kundër-fetare dhe politike (siç e pranojnë dhe vetë ata), se sa rregull dhe disiplinë klasike të jetuarit, menduarit dhe punuarit. Dhe pse, Paul Garon shprehet: “Surrealism, is not only an important method in elaboration the content of  ‘pie on the sky’  but it is only surrealism  that can take pie out the sky and put on in the diner table.”. (Surrealist  Subversions, citim i Sakolsky & Rosemont. F, 105). Realisht, kjo  thënie nuk përkon me të vërtetën e prekshme të tavolinës, por me sajimin e “bukur” dhe  thyerjen e rregullit të universit real, duke promovuar universin e çthurur. Gënjeshtra mund të jetë dhe propagandë, mund të jetë qëllim në vetvete, mund të jetë dhe sëmundje, por kurrësesi nuk mund të  përbëjë  kockën dhe palcin e të vërtetës,  siç na mëson Herodoti.

Nuk e kam ndërmed të bezdis lexuesin me thëniet e  Aristotelit, apo të bëj analogji (për veten tonë) me thënien e Epimenidës për Kretasit…, as të  shtjelloj Strawson, Tarskin etj. lidhur më gënjeshtrën, por vetëm do mundohem të tërheq vëmendjen e ndërgjegjes së atyre që përpiqen të shkruajnë histori: Nuk ka  shëmti më të madhe se devijimi i faktit  historik, antonim i të vërtetës, sëmundje  e karakterit të dobët. Gënjeshtra është si batica në breg që nuk e ndjen ujin derisa të lag, dhe, po të mos largohesh, të  mbulon të tërin.

E kaluara në të tashmen

Me të kaluarën e zezë nuk mund të bëhem mik, por as  nihilist. Me bindje e pranoj se ka pasur muzikë e këngëtarë, talente për t’u admiruar, shkrimtarë të mrekullueshëm, por gjithçka brenda kazanit lunatik. Dhe ndonjë punim serioz  historik, si për shembull:  Studimi i Universitetit të Tiranës për “Gjergj Kastrioti  Skenderbeu Dhe Lufta Shqiptaro-Turke e Shekullit XV, Tiranë 1967,  vishej me  tisin partiak dhe citime marksiste të panevojshme si: “Forcimi i pushtetit… të Skënderbeut në Shqipëri ishte për zotërinjtë venedikas një halë në sy”. F, 50-51. Mbase fjalët e Marksit ishin të sakta për rastin, po thënia e tij nuk u muar për saktësinë e shprehjes, por  për të denoncuar “armiqtë” e jashtëm perëndimorë  që në shekuj “ e patën halë në sy”  Shqipërinë. Siç shihet, nga punimi serioz bie niveli, dhe thënia e Marksit kthehet në art  teneqexhinjsh për të kallaisur bakrin izolacionist perëndimor të Partisë në pushtet. Sepse lexuesi serioz mund të pyes, meqë Venediku e kishte “halë në sy” Skënderbeun, pse bëri atëherë  aleancë me të… dhe anasjelltas? Saktë, kripto-propagandë, ose troç, gënjeshtër!

Siç shihet, kjo  gangrenë u hap në çdo dialog, tekst, poezi dhe  ese të asaj kohe. Sot, emigrantët shqiptarë në perëndim shohin të kundërtën e kripto-propagandës (!) që rrinte si çekan pas çdo personi ëndërrimtar e mendjehapur.

Sikur t’a zbusnim të kaluarën me gjykimin e sotëm perëndimor do të thoja se, të gjitha veprimet e asaj kohe ishin të kushtëzuara ne cungimin e konceptit të lirisë. Kjo kyç dëshirën dhe zbeh aksionin intelektual. Ideja e përgjegjësisë morale për veprimet nuk bie në njeriun e kushtëzuar, por mbi kushtëzuesin e lirisë që dhunon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Vitet e fundit, ne fituam të drejtën të denoncojmë fallsifikimin, propagandën partiake (gënjeshtrën), vrasjet, burgimet, internimet, errësirën,  telat me gjëmba të një rrjeti mizor antinjerëzor… Përveç një pakice serioze studiuesish dhe historianësh, familjet që vuajtën, përfshi këtu disa intelektualë të ndërgjegjshëm të dy krahëve, vërejmë me dhimbje notimin në pauperizmin e vjetër. Disa e bëjnë me qëllim për të mbrojtur sajimet (gënjeshtrat) e veta, të tjerë flasin me hamendje duke ushqyer delirin e kotësisë së kotësive. Ca bashkohen me korin e bretkosave. O Zot! Teleportim fletushkash, gjallesash dhe të vdekurish!  Paradoksi gënjeshtër  vishet  me këmishë anti-plumb, duke asfiksuar të vërtetën. Gënjeshtarëve të vjetër u vinë në ndihmë dhe disa  “andreoid”,  që me urrejtje  duan  të  korigjojnë  të zezën në të bardhë, rrugës së “purifikimit…të zezën e bëjnë gri. Gjeometrikisht… një mëkat i ndarë përgjysëm, purifikim i gënjeshtërt! Atëherë pse hesht shoqëria jonë?!  Oportunizëm ? Për mendimin tim, oportunizmi ka qenë arma më e fuqishme e mbijetesës së shqipëtarëve, dhe këtë art e përdorin dhe sot  pa nevojë. Padiskutim ka njerëz pamëndyshje… të paepur për të  gjetur realen dhe çelsin e thesarit human.

                          Cubat  e Internetit

Fatkeqësisht, e drejta për të shkarravitur ka rënë dhe në dorën e  shpirtkatranëve, paganëve dhe hajvanëve, dhe këto janë sulur me të katra si “qentë në stervinë” për të “eksploruar” internetin dhe  duke shqyer dritaret e diturisë (se derë biblioteke apo librarie nuk shohin gjëkundi), e ashtu qenshe  krijojnë  “5  deri 25 vepra” që po t’i shtrydhësh të gjitha nuk nxjerr dot një epigram! Në këtë kërcim  kangurësh  kanë hyrë  dhe disa plaçkitës seriozë. Kalemxhinjtë e  syrtarëve të vjetër që shkruajnë për “estetikën”, “historinë”… “gjeografinë”   etj,  pa  hapur asnjë libër me dorë apo shkelur  asnjë pëllëmbë tokë të vendeve që shkruajnë. Burimi i shkrimit? Interneti! Dhe pse në internet janë qindra mendime, teori për një objekt  studimi, këtyre “kokave”  nuk u bëhet vonë  për burimin…po ka rëndësi “vepra” dhe turravrap bëjnë turli, me karrota, presh,  patëllxhana e kastraveca, këpurdha portabella, dhe së fundi  hedhin dhe ca bajga të thara si erëza moderne që çorba t’u shitet. O Perëndi! Paradoksi gënjeshtër nuk ka të sosur… është bërë gangrenë!

Pra, në shekullin XXI, gënjeshtra është bërë më virale se kurrë. Virusi mëkatar degjeneron pandërprerë dhe “thumbs up” janë të pakursyera, biles vlera aestetike. Siç shihet, miqësia e internetit nuk ka puls shkencor e as ndërgjegje kualitative, selektive  intelektuale, por vetëm instiktin viziv të shkronjësit, i cili dhe pse paraqet broçkulla e  gënjeshtra  duhet pëlqyer… se është  “miku e internetit”! Siç shihet rrena nuk është më mëkati i “Dhjetë Urdhëresave”, por Miss Zbukurimi (Gënjeshtra) me fustan të bardhë, gjoks klasik qumështor e vithe zanash, këmbë si shishe shampanje, që i bën pushtat të jargojnë, dhe intelektualët insufiçentë të fusin turinjtë në govatat e derrit. Kësaj i thonë: shformim i emancipuar, parathirrmë e pasthirrmës që po troket.

Mendimi im është: Në sensin logjik, çdo objekt ka një shtyllë konceptuale që konfirmon një fakt, dhe nuk ka nevojë imagjinare përderisa përpara kemivetë atë. Inkursioni i imagjinatës përdoret në rastin kur ne shohim objektin eluziv që nuk bind  koshiencën. Mënyra e perceptimit për të krijuar një objekt zgjon ingranazhin mistik të fantazisë që krijon maketin për t’i paraprirë objektit. E kundërta është sajimi imagjinar fantazmagorik që përpiqet të çmontojë  faktin  për të krijuar balonën emocionale pa helium, gënjeshtrën. Ashtu siç mendon dhe Frojd: “emocionalizmi i pavetëdijshëm është i pamundur”, unë mendoj se, ashtu dhe gënjeshtra e pavetëdijshme dhe e paqëllimshme nuk ekziston!

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Genjeshtra, Një nga Dhjetë, Urdhëresat

Artikujt e fundit

  • Mallkimi i diktaturave komuniste
  • Mesdheu – Gramatika e qytetërimeve dhe roli i Shqipërisë në hartën e trashëgimisë mesdhetare
  • Fatime Sokoli, kumbimi këndues i Dragobisë përmes zërit dhe shpirtit të një gruaje që erdhi t’i përkiste përjetësisë
  • Orët dhe orëndreqësit shqiptarë
  • Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë, detyrim kombëtar
  • A Festival to Remember – Celebrating Our Albanian Heritage
  • U PËRURUA LIBRI “ÇAMI, TEK GURI POLAR” 
  • KËSHILLI KOORDINUES I ARSIMTARËVE NË DIASPORË (KKAD) MBAJTI TAKIMIN E RADHËS DHE PREZANTOI PUNËN E SAJ NJËVJEÇARE
  • Parkimi dhe Qarkullimi – Plaga më e Madhe e Rrugëve të Tiranës
  • Figura e Skënderbeut sipas një kompozimi në gravurë në vitin 1631
  • Prishtina Court issues second conviction of Serb for war crimes in Kosova & Strongest Link is released
  • Çfarë dite e mrekullueshme! Pikniku ynë Tradicional i Komunitetit ishte një sukses i jashtëzakonshëm!
  • Botimi i katërt i librit “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit” tashmë është në qarkullim! 
  • Kryeministri Kurti vizitoi Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit
  • Interesting Facts about Albanian Film Festival Fan Noli 2025

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT