Shkruan: Bardhyl Ukcamaj/ New York/
Tashmë kemi kandidaturat e përzgjedhura nga Kryetari i dorëhequr i PD-së dhe një datë për të votuar, 22 Korrik. Procesi nuk mbështetet mbi statutin e PD-së, as formalisht; kjo nuk përbën ndonjë risi pasi Këshilli Kombëtar i PD-së, thuhet se nuk është mbledhur prej vitesh. Thjesht e saktë, deri tani ky është një proces jashtë statuor. Është njëfarë riorganizimi i partisë nga kryetari, kur statuti u përdor vetëm si argument për të penguar disa kandidatura të garojnë. Mund të thuhet se ideja e votimit “një anëtar, një votë” është e dobishme si ide (e praktikuar më parë nga kundërshtarët politikë), por e zhvlerësuar (ndonëse jo tërësisht) nga mënyra e realizimit praktik të ketij procesi deri tani.
Sot, kemi dy figura serioze, të përzgjedhura nga kryetari, që mund të diskutohen, por një proces jotransparent. Kryetari i tërhequr i PD-së, drejton fushatën e zgjedhjes së kryetarit te ri. Është ndaluar perkrahja publike e çdo kandidati nga drejtuestë PD-së, para dhe gjatë votimit. Ky udhëzim e bën fushatën unike jo vetëm ne historinë e politikës shqiptare por edhe ndërkombëtare. Fushate në heshtje! Me këtë kryetari synon të shmangë debatin i frikësuar nga përçarja brenda partisë. Mendoj se nuk do të funksionojë pozitivisht! Në heshtje dhe pazar në seli pas dyerve të mbyllura mund të zgjidhen drejtuesit e një fraksioni por jo udhëheqja e një partie politike. Zakonisht punët e kryera pa transparencë e rregulla të pranuera nga antarësia (stauti i miratuar) hapin telashe edhe më të medha. Arroganca ndaj bazës idealiste (jo asaj “pragmatiste” ish pjesë e administratës) të PD-së, është prezente edhe në këtë proces. Në garë kemi dy drejtues të lartë të PD-së, dy anëtarë të kryesisë, që kanë humbur shumë në zonat e tyre, pavarësisht se me një përgjegjësi relative në këtë rast. Megjithëse besoj se nuk ishte arroganca në vetvete shkak i braktisjes elektorale, por mungesa e një morali politik, korrupsioni, mungesa e demokracisë në funksionimin e partisë, shkëputja e lidhjeve të qeveritarëve me bazën, mosorientimi pro apo kundër LSI-se, konsumimi i lidershipit në dy mandate, statura mjerane intelektuale e disa ministrave apo administratoreve partizane, etj,etj.
Së paku, gjatë këtij procesi pritej dhe pritet, që këto gabime të korrigjohen dhe demokracia e brendshme në PD të funksionojë ne limitet e së mundshmes. PD-ja, parti e dytë ne vend, mund të rritet por mund të rrezikojë edhe këtë renditje pas jo më larg se dy vjetësh, nese nuk reagon si duhet, sot. Me fort se histori, ajo duhet të reflektojë vizionin e ri të së ardhmes, më shumë se kurdoherë tjetër. Dhe pikërisht në këto kushte është koha të reagohet.
Tani është koha për një angazhim historik të aktivistëve jashtë kryesisë së PD-së, për të parqitur kandidatura ose një kandidaturë dhe për t’i kërkuar antarësisë (jo kryesisë) t’i votojë duke i shtuar në fletën e votimit. Aktivistët e njohur dhe antarësia e PD-së, nëse dëshirojnë mund t’i imponohen kryesisë qendrore përmes këtij aksioni politik. Thjesht , shkohet ne votim, merret fleta dhe shënohet emri i një personaliteti edhe pse nuk është në listë. Nëse ky emër merr një numër të konsiderueshëm votash atëhere zyrtarët e tashëm të PD-së detyrohen të reflektojnë. Në këtë mënyrë i hapet rrugë për t’u rritur një formacioni politik, që para 21 vitesh fitoi dy te tretat e elektoratit, e sot është tkurrur në 1/3, për shkaqe krejt të tjera, e jo se populli nuk arriti të kuptojë gjenialitetin e udhëheqjes dhe reformat.
Para disa ditësh publikova një shënim në faqen time në Facebook, që u bë shkas i reagimeve pozitive: “Unë mendoj se në krye të PD-së duhet të vijë një personalitet politik, që përfaqëson në mënyrë të kthjellët vokacionin politik mbi të cilën u themelua kjo parti, vokacionin perëndimor. Duhet të zgjidhet një figurë politike i cili/ e cila nuk është përzierë në punët e pista të korrupsionit dhe abuzimit shtetëror. Duhet të zgjidhet një figurë motivuese, intelektual energjik me një personalitet jo të dyzuar, që reflekton qytetari dhe i shërben ushqimimit të dashurisë kombëtare. Një personalitet, që të reflektojë vizionin e një Shqipërie të zhvilluar, jo vetëm me kostum, por edhe brendi të modës e botës se oksidentit”.
Unë mendoj se, Partia Demokratike edhe për arsye të humbjes së madhe elektorale, por jo vetëm asaj, duhet të demokratizohet dhe modernizohet në kuptimin e plotë të fjalës. Të riorganizohet mbi bazën e një modeli të ri të një bashkësie demokratike. Anëtari të votojë për kryetarin por edhe për vendimet e rëndësishme të partisë, pa diskutim për statutin dhe programin e saj. Rregulloret të zbatohene korrigjohen sipas rendit e nevojës. Në këto kushte duhet të realizohet mundësia për një votim partiak më të shpeshtë, elektronik dhe të pamanipuluar (teknikisht i realizueshëm). Partia Demokrtaike duhet te bëhet transparente për anëtarësinë dhe publikun. Kryetari i ri te vendosë një mënyrë të re komunikimi me forumet e bazës së Partisë. Kryetari i ri duhet të komunikojë rregullisht me strukturat lokale. Psh. të ketë konferenca të rregullta javore (conference call) me kryesitë e vogla te rretheve njëherësh. Por edhe disa mbledhjet (psh. dy herë në vit) te kryesisë të jenë të hapura për antarësinë. Antarësia duhet të kuptojë pozicionet politike të antarëve të kryesisë për çështje të rëndësishme.
Në parti duhet të funksionojnë në mënyrë të rregullt sondazhet për të gjitha çështjet e rëndësishme, sociale dhe politike të vendit, që prekin në mënyrë të drejtperdrejtë votuesin. Pra të ketë një analizë shkencore të aksionit politik. Para së gjithash në parti duhet rivendosur jo vetëm besimi, por respekti dhe dashuria per njëri-tjetrin. Anëtarët e një force politike nuk i mban së bashku vetëm programi, statuti dhe shpresa e një fitoreje të nesërme, por edhe respekti, mirënjohja.
Duhet një kod etike i shkruar dhe i miratuar nga forumet e partisë, që të rregullojë komunikimin publik brenda partisë. Psh. nuk la shije të mirë shprehja e Patozit (kryeartikull i RD-së)” Sharlatanë larg duart nga PD-ja”. Për kë e kishte fjalën kryetari i grupit palamentar të PD-së? Për Aleksandër Biberajn?! Z. Biberaj është ish anëtar kryesie i PD-së, deputet, etj, etj. Unë nuk do të kisha votuar pro kësaj kandidature, mund edhe të mos e pranoja si kandidaturë pa rimarrë teserën e partisë, por do ta falenderoja publikisht atë dhe gjithë të tjerët, që në kushtet e kalimit në opozitë janë të gatshëm t’i rikthehen PD-së. Sulmi ndaj Biberajt nuk ishte vetëm kundër Biberajt por sidomos paralajmërim për të tjerë më të “rrezikshëm” që mund të futeshin në garë.
Partia Demokratike në mënyrë të qartë duhet të ndahet nga trashëgimia komuniste në përfaqesim, jo duke bërë diferencim për ish anëtarët e thjeshtë të PPSH-së, porduke u ndarë nga ish drejtuesit e lartë të PPSH-së. Në mënyrë të thjeshtë kryetari i ri i PD-së, duhet t’i kërkojë ish ministrit të Ramiz Alisë, z. Kastriot Islami (jo një të majti që erdhi në PD) të lërë mandatin e PD-së, në PD. Nëse Islami nuk e bën këtë (sigurisht që nuk do ta bëjë), atëhere duhet lënë jashtë grupit parlamentar. Edhe në mënyrë pragmatiste, pazari midis Kryetarit të PD-së dhe Islamit rezultoi se u refuzua nga elektorati. Kur unë e disa të tjerë e kundërshtuam kete pazar dhe media botoi edhe një shënim timin në rrjetet sociale, Genc Pollo u shpreh se bashkëpunimi midis ish kundërshtarëve do të kishte rezultat elektoral (megjithëse marrëveshje makiaveliste). Po, pati rezultat elektoral, por kundër interesave të PD-së! Me këtë nuk dua t’i ngjis përgjëgjësi që nuk i ka Pollos, se nuk e ka pyetur kush, por ai dhe gjithë kryesia e PD-së mban përgjegjësi për heshtjen. PD-ja nuk mund të kishte kandidat te saj Kaç Islamin e të linte jashtë Fatos Bejën, Mark Markun, Visar Zhitin, Selami Xhepën, Ilir Rusmajlin, e shumë intelektuale të njohur e të pakorruptuar! Partia Demokratike duhet të lirohet nga barra e rëndë e kompromiseve të pamoralshme politike. Morali politik mbetet i rëndësishëm. Ky është një nga leksionet e këtyre zgjedhjeve, që duhet lexuar me kujdes. Në këtë pikë teorikisht jam dakort me Olldashin.
Partia Demokratike duhet t’i afrohet një zgjerimi te ri dhe duhet të ketë kujdes me ish burokratët e korruptuar (qe i emërtuan arrogantë). Të gjithë ish aktivistët e shquar të levizjes demokratike të përfshirë apo të papërfshirë në vite në strukturat dhe forumet e partise duhet të ftohen për të kontribuar dhe të kenë hapësirë përfaqesimi. Madje edhe ata të angazhuar në parti të tjera për njëmijë e një arsye. Ndryshe do të shkojnë tek Bamir Topi, pragmatistët (emërtim i përdorur nga analistët pranë PD-së) tek Ilir Meta e formacione të tjera politike, madje edhe më shumë se në këto zgjedhje. Po ju kujtoj sot, se rreziku i rritjes së Ilir Metës duhet ta shqetësojë më shumë lidershpin e së djathtës. LSI do t’i marrë edhe më shumë elektorat PD-së, e pse jo edhe të pozicionohet pas zgjedhjeve të tjera parlamentare si një parti e qendrës e sigurisht të bashkëqeverisë me PS-në.
Partia Demokratike mund e duhet të përfshijë kontributin e mijëra aktivistëve të saj jashtë vendit, duke i përfshirë në vendim marrjen politike, sidomos të shkolluarit në perëndim. Keshtu PD-ja mund të rimarrë jo vetëm energji të re por edhe një forcë të konsiderueshme elektorale. PD-ja duhet të kthehet në një shtëpi derëhapur për inteligjencën shqiptare, pa paragjykime. Partia Demokratike duhet të kthehet në një forcë atraktive për intelektualet, te rinjtë, politikanët dhe të gjitha shtresat e shoqërisë përmes organizimit të klubeve të ndryshme, jo vetëm politike. Të organizojë aktivitete të shumta të të gjitha natyrave. Pjesëmarrja në një forum partiak duhet të të krijojë kënaqesi. Partia nuk ka pse konceptohet vetëm si një formacion luftarak elektoral.
Partia Demokratike duhet ta konsolidojë plotësisht dhe ta ketë parim numer një aleancën e saj perëndimore. Bashkëpunimi me partitë e qendrës dhe të së djathtës europiane duhet të rritet. Praktikat më të mira të organizimit dhe funksionimit të këtyre partive duhet të implementohen edhe tek ne. Duhet të krijohen mundësi për bashkëpunim të drejtueseve të të gjitha niveleve të PD-së, pranë këtyre partive simotra.
Partia Demokratike është krijuar si parti e unitetit dhe jo e ndasisë kombëtare. Lulzim Basha (i shkolluar në Perëndim) e kushdo tjetër duhet të jenë të kujdeshëm në përdorimin e retorikes dhe elementeve ndarjes fetare e krahinore. Ed Ramës ia kujtuan e stërkujtuan në mënyrë të ligë, emrin e babait Kristaq e prejardhjen ortodokse të familjes si të ishte një faj, po ashtu Pandeli Majkos. Nuk patën asnjë efekt, perkundrazi! Ky është një leksion tjetër shumë i rëndësishëm dhe pozitiv i shoqërisë shqiptare. Ibrahim Rugova thuhet se u pagëzua katolik dhe mbante në krye të zyrës e shtëpisë fotografine me Papën, e megjithëse në një elektorat musliman, ai mbeti jo vetëm politikani më vizionar por edhe më i votuar i Kosovës në të gjitha kohërat. Fan Noli ishte prift ortodoks nga Jugu kur u be Kryeministër e miku i tij Hasan Prishtina ishte nga Kosova kur u zgjodh deputët e madje për disa ditë edhe kryeministër i Shqipërisë.
PD-ja duhet të votojë një nen statuor, që e pamundëson secilin kryetar partie të zgjidhet më shumë se dy mandate dhe sigurisht të japë dorëheqje që në mandatin e parë nëse humb zgjedhjet. Konventa Kombëtare e partisë duhet të miratojë kandidaturat për deputetë dhe sistemi elektoral duhet të ndryshohet për t’i rikthyer komunitetit të drejtën për të zgjedhur.
Së fundi, PD-ja duhet të jetë krenare për historinë e saj te viteve 90 dhe rrëzimit të diktaturës komuniste, hapjen e vendit ndaj organizatave politike perëndimore, antarësimin e vendit në NATO, orientimin e zhvillimit ekonomik ne drejtim të përmirësimit infrastrukturor etj, etj, por edhe shumë e vëmendshme ndaj gabimeve e fajeve historike gjithashtu. Pra te ndërtohet e nesërmja mbi një trashëgimi selektive, pozitivetë PD-së, me vizionin e një Shqipërië të shekullit XXI, anëtare e familjes europiane.
Kryetari i tanishëm i PD-së, ka merita e dështime historike me të cilat do të merren studiuesit. Ai e ka bërë vetë historinë e Tij. Ai mund të shërbejë si frymëzim për një pjesë të shoqërisë shqiptare por nuk do të jetë i dobishëm si tutor i kryetarit të ri të Partisë Demokratike.
PD-ja mund të ketë një të ardhme të mirë politike nëse lexon si duhet humbjen dhe nis një epokë të re duke e kuptuar se ka përfunduar tranzicioni, përndryshe do të kthehet në një formacion politik edhe më periferik në zgjedhjet lokale pas dy vitesh.
New York, Korrik 2013