Nga Migjen KAJTAZI/
«Kosova edhe pse e pavarur, ka shumë probleme», e filloi bisedën një gazetare e Le Temps. «Deri më tani kemi folur për vuajtje, fakti që po flasim për probleme përbën një përparim1», më erdhi aty për aty. Por edhe këto të fundit nuk janë për t’u nënçmuar. Ndër problemet që mund të citojmë është ai i sigurisë, apo pasigurisë së qytetarëve të Kosovës.
Vëmendja më e shtuar për çështje të sigurisë dhe të pasigurisë së qytetarëve ka filluar pas vrasjes së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John F. Kendy, në vitin 1963. Këtë ditë filloi një epokë e re e shtjellimit të çështjes së ndjenjës së pasigurisë. Vrasja e burrështetasit më të mbrojtur në botë ndikoi në gjendjen shpirtërore të njerëzve, të cilët filluan ta shtrojnë pyetjen: Kur edhe njeriu më i mbrojtur në botë u bë viktimë e krimit, ku ngelëm ne?!
Nga kjo kohë, për popullsinë e ‹thjeshtë› ky rrezik u bë më real dhe u përhapën sondazhet e matjeve të ndjenjës së sigurisë. Matjet e ndjenjës së sigurisë në Perëndim në fakt kanë filluar pas Luftës së Dytë Botërore. Këto anketa u shërbejnë shumë institucioneve të sigurisë nacionale. Si formë për matje të ndjenjës së sigurisë aplikohet anketa e ashtuquajtur e viktimologjisë, e cila interesohet për atë se kur personat kanë qenë viktimë gjatë një intervali të caktuar kohor, apo viktimë në një fushë të caktuar. Pyetjet në shumicën e radhës kanë të bëjnë me integritetin fizik e pronësor.
Ndër format e matjes së ndjenjës së sigurisë është edhe anketa e vetëgjyqësisë, që më shumë përdoret për delikte të vogla, të kryera nga moshat e reja, apo nga adoleshentët. Më e rëndësishmja te të gjitha anketat, çfarëdo qofshin ato, është forma e indikatorëve që japin informacion të saktë për interesimin që ka intervistuesi.
Instrumentet e afirmuara në vendet e Perëndimit për matjen e ndjenjës së sigurisë pothuajse nuk mund të shërbejnë në Kosovë. Për shembull, pyetja lidhur me ndriçimin e rrugëve dhe lagjeve nuk ka kuptim në një vend ku ka mungesë të furnizimit me energji elektrike. Njëlloj edhe pyetja për perspektivën e të rinjve në vend nuk ndihmon në rrethanat kur një numër i madh i të rinjve është i papunë dhe zgjedhjen e sheh në emigracion. Lista e pyetjeve që nuk kryejnë punë në matjen e ndjenjës së sigurisë është e gjatë si :
– Pyetja për kushtet ekonomike nuk mundet të parashtrohet nga fakti që mbi 50 % e popullësisë aktive janë në kërkim të punës.
– Pyetja për ndikimin e ambientit nuk mundet të parashtrohet se Kosova ka probleme me ndotje te madhe ekologjike (mjaftonë të shifenë lumejtë e Kosovës)
– Pyetjen lidhur me sigurinë në trafikin e komunikacionit nuk mundemi të parashtrojmë se të gjithë e ndiejm vetën të pasigurtë në rrugët e Kosovës , qoftë ngasësit e veturave po ashtu edhe këmbësorët.
– Pyetja lidhur me traumat e luftës ende nuk munden të parashtrohen nga fakti qe « Zija Kombëtare » nuk ka filluar nga fakti që kemi mbi 2 mijë persona të zhdukur . Po ku jemi te traumat rritja e vetëvrasjeve është tregus i traumave postromatike pas luftës .
Një pyetje që jep informacion për ndjenjën e sigurisë në Kosovë do të ishte: Sa kushton një plumb i kallashnikovit?
Gjatë një qëndrimi në Kosovë, në tetor 2014, ua parashtrova këtë pyetje grupmoshave të ndryshme të personave në viset rurale dhe urbane. Numri i të intervistuarve ishte i vogël – njëmbëdhjetë, po përgjigjet dolën megjithatë sinjifikuese.
Pothuaj asnjëri nga pesë personat që jeton në Prishtinë nuk arriti të japë një përgjigje të saktë, që lejon një konkluzion të qartë sa u përket njohurive për çmimin e një plumbi të kallashnikovit. Kurse të gjithë gjashtë personat në zonat rurale dhanë përgjigje që dallonin fare pak njëra nga tjetra.
Përgjigjja e ‹prishtinasve› lejon kushtimisht hipotezën që këta qytetarë ndihen të sigurt, apo nuk ka rrezik të përdorimit të armëve, për shembull gjatë dasmave. Ndoshta për shkak të pranisë më të madhe të policisë, apo frikës së denoncimit nga fqinjët.
Kurse fakti që një numër i madh i të pyeturve në viset rurale e di çmimin e një plumbi të kallashnikovit lejon konkluzionin që popullsia rurale është më e armatosur dhe e ka potencialin t’i përdorë armët më lehtë në mungesë të policisë, për shkak të pozitës gjeografike, apo nga fakti që e ndien veten më të pasigurt.
Armatosja e popullsisë është ndër indikatorët më të ndjeshëm në anketat që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve. Pyetja sa kushton një plumb i kallashnikovit mund të shërbejë si një tregues autokton, i cili jep informacion për armatosjen dhe sigurinë në këtë kohë në Kosovë.
Shtjellimi sipërfaqësor i problemit, nuk ka për qëllim minimizimin e rëndësisë së çeshtjesë së sigurisë së sigurisë . Thjesht druaj që grumbullimi i shumë problemeve mund ta prekë edhe aspektin e sigurisë së Kosovës. Kur ta mësojnë qytetarëte e Prishtinës çmimin e një plumbi të kalashnikovit , do të jemi në vijën e fundit të “rezervave” të sigurisë në këtë situatë të karakterizuar nga një jo stabilitet të përgjithëshëm politik, ekonomi, social etj. e njëherit ….të mbrojtjes.