• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË VENDIM HISTORIK

February 14, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/

            Data 11 shkurt 2013 do të mbetet një nga ditët më të shënuara në historinë e Kishës katolike, të institucioneve të saj, të gjithë besimtarëve të krishterë, madje të gjithë njerëzimit. N’atë ditë të mvrenjtur dimri me shi një rrufe u shkarkua mbi minaren e lartë të katedrales së Shën Pjetrit, në Vatikan. Krahas saj, “si një rrufe në qiell të kthjellët”, n’orën 11 e 46′, nga valët e agjensisë Ansa, një lajm do të përhapej, brënda pak minutash, në të gjitha kanalet televizive, stacionet radiofonike, sitot internet. Bota mësoi lajmin që vinte nga “qyteti i përjetshëm” : Papa Benedikti XVI largohet nga detyra e tij më 28 shkurt 2013, n’orën 20.00. Mbas kësaj ore vendi i Atit të Shenjtë është vakant.

Ishte një nga ata lajme që shtangin këdo, që venë në mendim, që ngjallin hamëndje, biseda, shqetësim, ankth. Shumica e njerëzve çoroditen, nuk e marrin dot me mënd se si mund të japë dorëheqjen Papa. Ka gjashtëqind vjet që nuk ndodhte një gjë e tillë, që më 1415, kur Gregori XII dha dorëheqjen, “i braktisur nga sunduesit dhe të fuqishmit e kohës, në përpjekjet reformuese të kishës”, simbas enciklopedisë.

“…Në botën e sotme, subjekt ndryshimesh të shpejta dhe të trazuar nga çështje të një rëndësie të madhe për jetën e fesë, për të drejtuar varkën e Shën Pjetrit e për të bërë të njohur Ungjillin, është e domosdoshme edhe fuqia, si e trupit, ashtu dhe e shpirtit, fuqi që, në muajt e fundit, tek un është pakësuar në mënyrë të tillë, sa që të njoh paaftësinë time për të mbarështuar mirë detyrën që më është besuar. Prandaj, i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij veprimi, në liri të plotë, deklaroj se heq dorë nga detyra e Ipeshkvit të Romës, Pasardhës i Shën Pjetrit…..”

            Kjo qe një pjesë e fjalës së Benediktit XVI para kardinalëve, të mbledhur në një conçistor për lavdërimin e 500 martirëve të Otrantos, të cilët pesë shekuj më parë kishin humbur jetën në det, për të mos bjerrë fenë e Krishtit nën pushtimin turk. Ati i Shenjtë, tashmë 86-vjeçar, i hap zemrën vartësve të tij, princërve të Kishës, por edhe qindra miliona besimtarëve në të gjithë botën, duke kërkuar mirëkuptimin në një çast të vështirë. Zbret nga froni, sepse ka kuptuar se fuqitë fizike e shpirtërore janë pakësuar e nuk i premtojnë më të përballojë detyrën e drejtuesit më të lartë të Kishës katolike botërore. Askush nuk i kërkon një gjë të tillë, por Ai nuk kënaqet me aureolën që i jep posti i tij. Ne vetëvete ka një tjetër gjykatës, ndërgjegjen e tij, që, ndryshe nga ajo e vdekëtarëve të thjeshtë, ballafaqohet përherë me Krijuesin dhe Birin e Tij. Ajo ndërgjegje i urdhëron të lerë detyrën “duke i besuar Kishën e shenjtë kujdesit të Bariut të saj më të shquar, Zotit tonë Jezu Krisht, e duke lutur Nënën e tij të shenjtë Maria që, me mirësinë e saj amtare të ndihmojë Etërit kardinalë për të zgjedhur Papën e ri…”  

Ka një sinqeritet të skajshëm në mesazhin e Atit të Shenjtë, një sinqeritet që buron nga një ndershmëri e shkallës më të lartë. Ndershmëria, e shprehur në shfaqjen e saj më sublime, pasqyrë e një ndërgjegjeje, më shumë hyjnore se njerëzore, e një vetëdije që ka kaluar të gjitha provat e saj në një jetë të gjatë studimi e pune në shërbim të fesë e të mësimeve të Ungjillit, mendoj se është kryefjala e asaj dukurie, që është e paracaktuar të hapë një epokë të re në historinë e Kishës së krishterë. Ajo ndershmëri trupëzohet në ndjenjën e detyrës, në një mendësi që nuk pranon sendërtimin e saj jashtë përsosmërisë, që e quan të papranueshme idenë e livadhisjes, të mungesës së rezultateve, të brishtësisë së qëllimeve, të dobësisë së synimeve. Është jeta njerëzore që i avitet mendësisë hyjnore, është parimi i përjetshëm i ecjes përpara, i zhvillimit, i lëvizjes së një shoqërie njerëzore, të cilën biri i Zotit, nëpërmjet mësimeve të Tij, u a la si amanet dishepujve e, në rradhë të parë, peshkatarit Simon, që me emrin Pjetër do t’a quante “gurin themeltar” të ndërtesës së Tij në tokë.

Papa Ratzinger është marrësi dhe shpërndarësi i atij mesazhi, përcjellësi i asaj mendësie, ruajtësi besnik i parimevet të tij. Si i tillë Ai, që jeton çdo ditë me shqetësimet e grigjës që ka në ngarkim, me problemet e shumta të një bote të “trazuar”, e kupton se fuqitë e tij fizike e shpirtërore nuk i premtojnë më një rendiment shumë të lartë në misionin e tij, gjë që ve në rrezik plotësimin e tij. Atëherë mendohet gjatë e, në përsiatjet e tij të thella, ndjen edhe dorën e Jezuit që e inkurajon, kësaj here për të përcjellë misionin tek një tjetër, që do të ketë më shumë fuqi, që do të jetë më i ri, që do të përballojë me të njëjtën përkushtim sendërtimin e tij.

Vendimin e marrë në vetminë misterioze të njimendësimit me Hyjin e shpall në latinisht, para gjithë bashkëpuntorëve të Kishës Nanë në një ditë të shënuar, më 11 shkurt, në ditën e të sëmurëve, të shpallur nga paraardhësi i tij, i madhi Gjon Pali II, në kujtim t’atij 11 shkurti 1858, kur Zoja e Bekueme u shfaq para një fëmije me emrin Bernadette në Lourd të Francës. Ai komunikim është një mësim i madh jo vetëm për Kishën dhe institucionet e saj, por për të gjithë njerëzimin, sepse pohon një parim që duhet të zbatohet nga kushdo që, në shoqërinë njerëzore, merr përsipër një detyrë : në çastin kur ajo detyrë nuk  kryhet, duhet liruar vendi, nuk duhet humbur koha me vëndqëndrime, me mashtrime, me papërgjegjësi. Duhet të jetë një rregull i artë, më shumë se kudo, në fushën e politikës ky parim që është dhe thelbi i moralit që del nga vendimi historik i Papës Ratzinger.

Shumë vëzhgues e shpjegojnë atë edhe me vështirësitë e hasura në vitet e fundit në vetë gjirin e Kishës, me probleme të mëdha e të shumta si rivalitete e intriga, skandale pedofilie e financiare, ballafaqime me kërkesa të shoqërisë bashkëkohore. Argumentat janë të diskutueshme, por nuk ndryshojnë asgjë në madhështinë morale të vendimit, e përforcojnë atë. Madje nuk është një “zbritje nga kryqi”, siç e përkufizon kardinali Dziwisz i Krakovias, në ton polemik, mbasi prej kohësh Benedikti i XVI ka pohuar : “Zemra e Kishës nuk është aty ku projektohet, ku administrohet, ku qeveriset, por është aty ku bëhen lutjet”.

Ai vendim meriton një mirëkuptim të thellë e një vlerësim të lartë, jo vetëm sepse është frut i një përsiatjeje të gjatë të njërës nga mëndjet më të ndritura të kohës sonë, por edhe shprehje e një mendësie që mund të përmirësojë konceptet, jo vetëm në Kishën katolike, por në gjithë botën e sotme.

Shkurt 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, nje vendim historik, Papa

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT