• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEDË GJOMARKAJ – NJERI E SIMBOL

February 4, 2015 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/
Në orët e para të 23 janarit 2015, në kullën e lashtë të Gjomarkajve, në qytetin e Shkodrës, ndërroi jetë në moshën 94-vjeçe Deda, njëri nga djemtë e Gjon Marka Gjonit, Kapidanit të Mirditës. Kjo familje, pasardhëse e një shtëpie princore me një histori shumë shekullore, kishte qënë e përbërë nga pesë djem e pesë vajza, përkatësisht : Marku, Ndoi, Lleshi, Deda e Nikolli dhe Dava, Gjela, Marta, Dila e Bardha. Emrat e tyre pasqyrojnë një përkatësi të rrënjosur thellë në traditën arbërore e në psikologjinë shqiptare të ruajtjes së identitetit në të gjitha format e mundëshme.
Kjo familje u përball, si e gjithë shoqëria jo komuniste, me cunamin shkatërrues të fundit të nëndorit 1944, në Shqipërinë tradicionale që kishte filluar të hidhte hapat e saj të para në një botë që, prej kohësh, kishte lënë prapa atë sistem vlerash e konceptesh të lidhura me një epokë të shkuar. Ajo epokë kishte zanafillën e saj në legjendën e madhështisë shqiptare të Gjergj Kastriotit e kishte vazhduar në shekuj, nëpërmjet një oazi të mirëfilltë në një shkretëtirë pushtimi otoman, të ruante trashëgiminë arbërore. Në këtë vështrim, shtëpia e Gjomarkajve qe emblema e ëndrrës shqiptare për një Shqipëri të vërtetë e të pavarur, ëndërr që gjeti sendërtimin e saj në 28 nëndorin famëmadh të vitit 1912.
Gjatë gjithë këtyre shekujve ajo shtëpi e parë malësore, e ngujuar në kullën e Oroshit, të djegur nga partizanët me yllin e kuq në ballë, si simbol i një bote të re, të themeluar mbi gjakun dhe dhunën, kishte qënë pika e riferimit e gjithë Malësisë shqiptare të Veriut. Burrat e asaj shtëpie kishin qenë interpretuesit e Kanunit, të ligjit epror të maleve tona, duke ushtruar ndër shekuj funksionin e gjykatësit, të autoritetit më të lartë moral të asaj bashkësie fisesh të pavarura, që ishte shoqëria shqiptare e Veriut të Vendit. Në themel të veprimtarisë së tyre ishin vlerat e urtësisë, të ndershmërisë, të besës, të gjykimit të drejtë, vlera që i siguruan asaj familjeje ndër breza nderimin dhe respektin e malsorëve e të gjithë shqiptarëve, në gati një gjysmë mijëvjeçari.
Familja e Gjon Markagjonit pati fatin e keq të mbyllë tragjikisht sagën e dinastisë princore të Gjomarkajve, “ jo një dinasti princash despotikë e të korruptuem, por nji dinasti burrash të fortë, t’urtë e të pastër, jo nji dinasti t’urryeme prej popullit të vet, por të dashun, të nderueme e të ndjekun prej sij me kambë e me krye.” (M. Kruja : “Kuvend letrash me miqtë” Vëll. I, F. 116) . Tragjizmi i fatit të kësaj familjeje fisnike shfaqet në jetët e ndërprera në lulen e moshës të luftëtarëve të lirisë Markut e Lleshit, në tri shifrat e viteve të internimit e në dhjetra vitet e burgjeve të pjesëmarrësve të saj, në varret e shpërndara në dy kontinente, në varret e paqena të martirëve të saj.
Në këtë kuadër, i ndieri Dedë, biri i parafundit i Kapidanit Gjon Markagjoni, ze një vend të posaçëm. I takoi atij pesha më e rëndë e përndjekjes së diktaturës së kuqe ndërmjet të gjallëve, të provojë mbi shpinën e tij 22 vite burg e 24 të tillë internim, në tiraninë e Shqipërisë komuniste. Gjysma e jetës së gjatë kaloi me paraqitjen çdo ditë para të ngarkuarit të organeve të dhunës. Legjenda e Mandelës, e trumbetuar me aq bujë nga shtypi botëror, zbehet para dramës së Dedë Gjomarkajt që, në të veçantën e saj të 46 viteve të privuar nga liria, përmban një trevjeçar të llahtarshëm e, njëkohësisht, heroik skajor në kufijtë e të papërfytyrueshmes. Ishte një trivjetësh i kaluar në një qeli të errët, në thonjtë e Sigurimit të Shtetit. Askush, veç xhelatëve të tij, nuk e dinin se ku ishte djali i ri. Sigurimi deshi t’a bënte spiunin e tij, për t’a dërguar në mes të luftëtarëve antikomunistë të lirisë në malet e Shqipërisë, për t’i zbuluar bazat e tyre e për t’i dorëzuar ata në duart e tij.
Deda qëndroi, nuk pranoi kërkesën, vuajti torturat e vetminë, duke u zbardhur i gjithi, edhe se nuk kishte mbushur ende tridhjetë vjet. Thinjat qenë medalja e artë e provimit më të vështirë të jetës së tij, asaj të dinjitetit njerëzor të çuar deri në provën eprore, gati për flijim. Asnjëherë në jetën e tij nuk u mburr për këtë shfaqje heroizmi. Pyetjeve që i bëheshin për flokët e bardha i përgjigjej me humorin e tij të zakonshëm : “U zbardha se nuk munda të skuqem”. Në këto fjalë të thjeshta qëndronte e gjithë filozofija e jetës së tij, në to përmblidhej i gjithë morali dhe domethënia e ekzistencës, lejtmotivi dhe kuintesenca e saj.
Dedë Gjomarkaj përfaqësonte një simbol të dyfishtë shoqëror e njerëzor. Ai ishte një copëz e asaj Shqipërie katolike e tradicionale, që kishte gjetur në binomin “Fe e Atdhe”, të trashëguar ndër shekuj, qëllimin e ekzistencës së saj e që i qëndroi besnike motos së saj edhe në përballimin me diktaturën e komunistëve shqiptarë, që fenë e zëvendësuan me kultin e një krimineli dhe atdheun e bashkuar u a dorëzuan “vëllazërisht” popujve “miq” të Jugosllavisë. Por Deda ishte edhe simbol i një brezi shqiptarësh, që cunami lirivrasës i 29 nëndorit 1944 i ktheu në skllevër e në martirë për më shumë se gjysëm shekulli. Ai brez përbëhej nga djem e vajza të reja, me idealet e Shqipërisë etnike në zemër, me projektet e Shqipërisë evropiane në mëndje. Fundi dramatik e tragjik i tyre qe edhe një fund i atyre idealeve të Shqipërisë që përfundoi e mbyllur në bunkerin e saj të terrorit, mjerimit, prapambetjes e ndarjes nga Evropa.
Si përfaqësues i atij brezi, Dedë Gjomarkaj përballoi me dinjitet t’admirueshëm kalvarin e tij. Ai mbeti, deri sa u nda nga kjo botë, i pastër në shpirt e ndërgjegje si bora e bardhë e maleve të vendlindjes. Bashkëvuajtësve të tij, por edhe gjithë bashkatdhetarëve, u la një mesazh nderi e respekti për vlerat e larta njerëzore, në të cilat Ai besonte me të gjitha forcat e shpirtit të tij, për qëndresën ndaj së keqes e ngadhënjimin moral mbi të. Ai mësim triumfon sot mbi dhunën e verbër të xhelatëve të tij të dikurshëm, ashtu sikurse mbi idhtarët e sotëm të tyre. Në frymën e atij mesazhi e të shembullit të Tij të rrallë, ne sot nderojmë thellësisht kujtimin e tij, atë të një njeriu të vërtetë që dijti të mbajë gjithmonë trupin drejt kundrejt rrebesheve të jetës. E nderojmë dhe e respektojmë si një model për t’u imituar, me të njëjtin besim në vlerat e trashëguara që kishte Ai e me të njëjtin vullnet për t’i mbrojtur e vënë në jetë ato.
Shkurt 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: – NJERI E SIMBOL, DEDË GJOMARKAJ, Eugjen Merlika

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT