-Një ditë tragjike e keqpërdorur si festë/
Nga KOLEC TRABOINI/
Në Pallatin e Kongreseve më 20 maj, disa shoqata dhe fondacione të huaja transparencën e qëllimet e të cilave nuk i kemi fort të qarta, organizuan një show në të cilën u shfaqën në paradë udhëheqësit më të lartë të shtetit duke përfshirë Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit e kuptohet se gjithë vargani i qeveritarëve do t’u vinte pas. Për çudinë tonë te madhe nuk mungoi në këtë show dhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu.
Duke qënë shpirtërisht e realisht i lidhur me kategorinë e këtyre fëmijëve që fatkeqesia i ka goditur që në vegjëli, nuk mund të jem indiferent e të hiqem në një anë e të mos shpreh indinjaten time kur shoh këtë spekullim publik me jetimët. Them kështu sepse jam i bindur se cilindo nga pjesmarrësit apo edhe organizatorët po t’i pyesësh se çfarë shpreh data 20 maj, si u caktua si ditë jetimësh e për çfarë shkaku, asnjë prej tyre duke përfshirë dhe ambasadorin amerikan nuk do të dinte të përgjigjej. Kjo ndodh sepse në të tilla tubime rroftë sebepi për t’u dukur, të tjerat nuk kanë rëndësi. Mjer jetimët tek kush i kane varur shpresat!
Në sfondin e skenës qe shkruar me gërma kapitale marramëndese “Festojnë jetimët”. Po cilët jetimë festonin? Ku ishin jetimët apo konsiderohen jetimë gjitha ata burra e gra, nënpunësa hijerëndë, zyrtarë, rrogtarë thuaj, ajo tufë bodyguardësh që mbushën sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve. Gjithçka për t’u dukur. Ishte e njëjta skenë groteske si dy vjet më parë, por atëbotë situatën në dore e kishte Jozefina Topalli, me po ato shoqata e drejtues komikë, të cilëve një emision “Fiks fare” ua nxorri kallajin publikisht. Sepse ishin mbledhur të gjithë nxënësit e shkollave të Tiranës e asnjë jetim nuk gjëndej në sallë. Tani që kalit të pushtetit ja kanë shaluar të tjerë purpurantë, mjerisht shohim të njëjtin koncept, të njëjtën eufori e paradë pushtetarësh.
Konstatojmë se kauza e fëmijëve jetimë kësisoj është veç një fasadë, për të mos thënë akoma më keq një spekullim i turpshëm, sepse kjo shoqëri hipokrite gjithçka e shfrytëzon deri dhe fatkeqësitë njerëzore. Dhe kësisoj në ekranin televiziv pamë kryeministrin, kryetarin e parlamentit, por edhe ambasadorin amerikan, dhe kur këta burra të mëdhenj festojnë, pse të mos gëzojnë fëmijët jetimë? Madje duan apo nuk duan jetimët shqiptarë detyrimisht duhet të jenë të lumtur e të gëzojnë, madje t’u bien tam-tameve. Reminishencë e gjallë kjo e kohës së diktaturës me një glorifikim të neveritshëm.
Ndërkohë nëpër rrugët kryesore të Tiranës dalin e mbledhin ndihma ndër qytetarë me dhjetra grupe të shoqatave fantazmë që i fusin paratë në xhepat e vet, sepse kur i pyet se të kujt shoqate jeni, a keni një adresë, a telefon ata ngrejnë supet dhe të shohin vëngër sikur po u prek në privatësinë e interesat e biznesit të tyre.
Kështu bëhet tabloja e një realiteti më glorioz. Brenda e jashtë Pallatit të Kongreseve të gjithë e gjithçka për jetimët. Çfarë mashtrimi! A më mirë të themi çfarë vetmashtrimi social e politik. A thua nuk e dinë këta njerëz, pushtetarë a ambasadorë qofshin, se jetimët në Shqipëri janë në pikë të hallit. Përralla në Pallat të Kongreseve do të na tregojnë?
Nuk është fjala për ata në jetimoret, por për ata që pas jetimores nisin kalvarin e vuajtjeve, sepse nuk gjejnë dot një strehë, janë të papunë dhe u duhet të rrojnë veç me tre mijë lekë në muaj, pra diç më pak se një dollar në ditë.
E megjithatë, të mbetur pa strehë, pa ushqim e veshmbathje, të mbetur madje për shkak të varfërisë edhe të pamartuar. Por edhe të martuar qofshin, me fëmijë nëpër geto, u dashkërka edhe këta të festojnë.
Po le t’i kthehemi datës 20 maj që aq shumë po spekullohet sikur kjo të ishte festa e 1 qershorit. Së pari e gjithë kjo masë njerëzish që na u shfaqën me pompë në Pallat të Kongreseve duhet ta dinë një herë e mirë se 20 maji nuk është ditë feste. Nuk ka si të jetë ditë feste dita e mortit të një fëmije jetim. E për të hedhur dritë mbi këtë ditë dhëmbje që po na e kthejnë në ditë tam-tamesh qeveritare na vjen në ndihmë Ilir Çumani, drejtor i përgjithshëm i Institutit të Integrimit të Jetimeve Shqiptarë, i cili është edhe nisiatori i caktimit të kësaj dite për jetimët shqiptarë, madje me dëshirën të kthehet edhe në ditë ndërkombëtare të jetimëve. Jo dite festimesh me bujë kurrsesi, por një ditë reflektimi ku shoqëria, shteti, institucionet e mediat të reflektojnë se çfarë kanë bërë e çfarë më shumë duhet të bëjnë për jetën e kësaj kategorie për të cilët shteti duhet të kryeje rolin e prindit e jo të njerkës që shkon në ballo.
Në Shtëpinë e Fëmijës Sarandë më 20 maj 1979, një vajzë e vogël 12 vjeçare me emrin Xhuliana Luli për shkak se e kishin dënuar pangrënë dhe nga mugesa e vëmëndjes dhe përkujdesjes ndaj saj, doli në rrugë, hipën në një pishë që të hajë frutat e boçave por bie nga lartësitë me një fund tragjik. Jeta e saj nuk mundi të shpëtohej. Varrimi i vogëlushes u bë më 30 maj nën një pikëllim të pashoq të bashkmoshatarëve e bashkjetimëve por edhe qytetarëve sarandiotë. Prekur prej kësaj ngjarje tragjike në fëmijëri, Ilir Çumani arriti që para 11 vjetëve ta kthente këtë ditë përkujtimore zie, në një ditë për kthimin e vëmëndjes së shoqërisë e shtetit tek jetimët për t’ju bërë atyre mbështetje. Pra kuptimi i kësaj dite tragjike nuk është festë, por shoqëria e shteti të reflektojnë, t’ju gjënden pranë, t’ju qajnë hallet, i pyesin e bashkbisedojnë me jetimët për ta bërë shoqërinë më të ndjeshme.
Do të doja të pyesja dhe do të desha një përgjigje publike, a mundet që ditët e vdekjes së prindërve apo të afërmeve tuaj ti ktheni në një ditë feste të nderuar kryeministër, kryetar i parlamentit dhe i nderuari ambasador? Nuk besoj. Prandaj nuk mund ta ktheni në festë me lajle e lule, bashkrënduar me ca shoqata fantazmagorike a ndonjë fondacion turko-arab, vdekjen tragjike të jetimes Xhuliana Luli.
Larg euforisë e glorifikimit të gjithçkaje sepse ajo ishte tipar i kohës së monizmit, diktaturës, ku gjithçka edhe pse e përgjakur dhe e mundimshme kthehej në delir, asaj shoqëria hipokrite që kur i prekeshin interesat, kur një jetim shprehte aspiratën e lirisë nuk ngurronte ta ekzekutonte siç bëri me jetimin 22 vjeçar Skënder Daja, në përkujtimin e te cilit as kryeministri i vendit , as kryetari i parlamentit, por mjerisht as ambasadori amerikan nuk dënjoi të vinte vetë apo të dërgonte një përfaqësues.
Fëmijët jetimë duan dashuri e përkujdesje, ta reduktosh këtë dashuri e përkujdesje në një shfaqje në Pallat të Kongreseve me lulka e tollumbace, ca fjalime me retorike shterpë, tregon se sa e papërgjegjëshme, e pandjeshme dhe hipokrite është shoqëria shqiptare ndaj njerëzve në nevojë.
Ky koncept e kjo mënyrë pune padyshim se duhet ndryshuar, po si mund të bëhet kjo nëse organet e pushtetit mbështesin ca organizime spekulative dhe ca shoqata fantazmë që përfitojnë prej fatkeqësive të fëmijëve jetimë.
Ne Foto: Shtëpia e Fëmijës Sarandë në vitet 1970, në mes të cileve edhe Xhuliana Luli.