Në 50-vjetorin e vdekjes së Nolit/
Nga AVZI MUSTAFA/
Noli një intelekt i çuditshëm që lë gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe kulturën tonë. Më duket se ai ngel një ndër njerëzit që meriton të nderohet si njeri i tokës dhe i hyjnisë. Kjo fytyrë markante me tërë qenien e vet veproi dhe qëndroi më pranë njerëzve dhe që shkroi e përktheu në gjuhën e ashpër të veprave. Ashtu siç thotë Ralf Emerson-i se “të besosh në atë që mendon, të besosh se ajo që është e vërtetë për ju, thellë në zemrën tuaj, është e vërtetë për të gjithë njerëzit, ky është gjeniu.” e ai për kombin tonë është Noli. Noli ishte dhe mbetet një personalitet që jetonte me shqetësimet e kohës, një personalitet dinamik me horizont të gjerë, ide krijuese dhe nisma të guximshme për përparimin e popullit”.(1)
Kjo vjen prej formimit të tij nga një familje me tradita fetare, me një arsim fetar prej gjimnazit, përjetimit të besimit, të angazhimeve të tij në funksionin e këndonjësit në kishë (psalt), të mësuesit të fesë edhe muzikës kishtare bizantine kudo ku shkonte në Greqi, Egjipt etj.
Noli qe njeri i ditur, klerik i lartë, kryeministër, poet, shkrimtar, përkthyes, diplomat, themelues i së parës kishë ortodokse shqiptare në SHBA më 1908, me shugurimin e tij prift më 8 mars po të këtij viti.
Noli ka qenë gjatë gjithë jetës dhe krijimtarisë së tij i prirur nga kërkesa për të bërë të mirën dhe për të sjellë sadopak dritë tek lexuesi i tij, tek besimtari. Ai përmes shkrimeve e sidomos poezisë shpreh luftën e ashpër që zhvillohej brenda shpirtit të tij për të arritur të mirën hyjnore, vëllazërinë dhe barazinë. Edhe pse kërkesat e tij janë idealiste, mënyra se si përballet me situatat e jetës është shumë realiste.(2)
Bëri pa përpjekje të vazhdueshme për të nxitur zhvillim dhe përparim të popullit tonë, duke kërkuar rrugë të ndryshme, por mbështetur në idenë dhe veprimtarinë e gjerë kulturore që kishin zhvilluar mendimtarët më shquar të Rilindjes Kombëtare.
Dihet se gjatë historisë e sidomos në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX në gjitha trojet shqiptare, por edhe në diasporë apo në ngulimet shqiptare në vendet e huaja u formuan shoqëri të ndryshme, u ngritën klube, u themeluan organizata të ndryshme me qëllim që të së pari të propagandonin dhe ndihmonin intelektualët për ngritjen e vetëdijes kombëtare në të gjitha sferat e jetës. Të gjithë njerëzit e organizuar në klube e shoqata, solidaritetin e bënin në shumë mënyra, por mënyra më e mirë ishte fjala e sinqertë, që dilte nga zemra e pastër e çdo patrioti, që ato shoqata e klube ktheheshin në vatra edukimi dhe arsimimi.
Një njeri siç ishte Noli, gëzonte respekt, sepse ishte i thjesht e i dashur, gojëmbël e serioz. Vetëm me një bisedë me të, do të mësoje shumë gjera. Kulturën që posedonte nuk e mbajti për vete, por e përhapi kudo gjatë veprimtarisë së tij. Ai ishte njeri i sakrificës, i solidaritetit dhe i miqësisë, të shpreh shpirtin e bujarisë, gjë që e shpreh edhe gjatë jetës së tij, edhe përkundër që asnjëherë nuk qe në gjendje të mirë materiale.
Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punën si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903 – mars 1905). Aty u takua me shumë patriotë, si me Spiro Dinën, Thimi Mitkon, Jani Vreton e shumë intelektualë të tjerë që punon dhe vepronin në këtë vend.
Në prill 1906, Noli e lëshon Egjiptin dhe niset për në Amerikë. Biletën e trajektit për në këtë vend të largët ia kishte siguruar, Spiro Dine.
Noli me intelektin e tij shfaqej si enciklopedi diturish, një thesar i paçmuar njohurish, njohës i disa gjuhëve. Me të hipur në avulloren dhe në palubën e trajektit ku rrinin plotë njerëz, aty bashkë me të tjerët shikonin si çaheshin dallgët e detit që i linin pas, ose duke medituar për gjithçka, për familjen vendlindjen e shumë mendime që u shkonin vërdallë ndërmend. Rruga e gjatë udhëtarët i afronte i shoqëronte secilin me shumë njerëz të racave dhe të gjuhëve të ndryshme. Kështu ndodhi edhe me Nolin, me të cilin falë inteligjencës dhe diturisë që kishte shumë shpejt i bënte njerëzit për vete. Vlera atij i shtohej edhe më shumë, sepse gjithsecili që i drejtohej për diçka Nolit, ai u përgjigjej në gjuhën e tyre. Çdokush që pati rastin të bisedojë me Nolin, fitoi përshtypjen se ka të bëjë me një njeri modest, të urtë, dijetar me një personalitet të zgjuar e të sinqertë.
Pas një muaji, gjegjësisht më 10 maj të vitit 1906 arrin në botën e re dhe më pas punësohet në një fabrikë druri ku punon tre muaj e pastaj kalon në Boston. Në Bruklin më 9 shkurt 1908 Fan S. Noli u shugurua në prift me qëllim, për të çliruar kishën ortodokse shqiptare nga ajo greke. Noli e bëri këtë me shume për motive atdhetare, duke parë se shteti grek trumbetonte me të madhe nëpër dyert e Evropës se gjoja ortodoksët e Shqipërisë na qenkan grekë dhe në baze të saj kjo tokë duhet t’u jepej atyre.
Shugurimi i Nolit si prift u bë në praninë e tre priftërinjve: të priftit të Rusisë, Ukrainës dhe të Rumanisë. Meshën e parë në gjuhën shqipe e tha më 22 mars 1908.
Kishte lexuar shumë libra të filozofëve antikë, e pastaj edhe të letërsisë botërore , histori, muzikë etj. Por, ai do të theksojë se libri që i jepte më shumë kënaqësi dhe paqe ishte Ungjilli. Këtë ai do ta deklarojë në pesëdhjetëvjetorin e themelimit të Kishës Ortodokse Shqiptare:
“Jam marrë me histori, letërsi dhe muzikë me raste, por feja ka qenë puna e jetës sime, sepse e fillova karrierën time si njeri i Kishës në 1909 dhe jam akoma njeri i kishës mbas 50 vjetësh”.(3)
Noli i kishte vënë detyrë vetvetes që të vizitojë të gjitha vendet ku kishte koloni shqiptarësh në ngulimet e ndryshme të botës. Noli dinte se ku ka shqiptarë, përfshirë edhe të Ukrainës, sepse miku i tij Milto Sotir Gurra e kishte njoftuar për këta shqiptarë, por nuk dinte numrin e tyre. Nga bisedat e ndryshme me priftin rus Platonin si dhe atë të Ukrainës kishte marrë informata të sakta se në vendet e tyre ka shqiptarë të fesë ortodokse me një numër të konsiderueshëm dhe se gjatë historisë së tyre janë dëshmuar si punëtorë e trima të mirë.
Shumë shqiptarë pas Paqes së Jashit kaluan dhe u ngulitën në Odesë dhe rrethinë siç quhej dikur Haxhi Beg, pushtuar nga Rusia.(4). Shqiptarët në Ukrainës kanë emigruar aty kah vitet ’60 të shekullit XIX dhe kanë krijuar një koloni shqiptarësh.(5). Kjo koloni shqiptarësh së pari ishin vendosur në Dnjevna afër Varnës në Bullgari. Në çerekun e parë të shekullit XIX këta u shpërngulën dhe u vendosën në Besarabi ku themeluan fshatin Karakurt. Një pjesë e këtyre migrimeve janë si rezultat i vuajtjeve të shqiptarëve në Perandorisë Osmane gjatë luftërave ruso-turke të viteve 1806-1812 dhe 1828-1829, por edhe migrime në rrugë të ndryshme të tërthorta, veçmas ajo me shtytjen e konsujve rusë që ndodheshin në shumë qytete të perandorisë, sidomos me ndërtimin e hekurudhës transiberiane, që filloi nga fundi i shekullit XIX. Kështu që emigrime të shqiptareve kemi në shumë vende të Rusisë, si në Odesë, në Krime, në Kaukaz e gjetiu.
P. Kërpeu, që ka bërë hulumtime në vitin 1850 te shqiptarët e Karakurtit, shënon se atu jetojnë 109 familje me 1060 frymë. Ai gjithashtu njofton se shqiptarë kishte edhe në qytetin Boograd – 10 familje me 37 frymë, në Kombart – 28 familje me 164 frymë në fshatrat Çishme-Qoj 1 familje me 9 frymë, Voolkanesh 3 familje me 41 frymë si dhe në Çadar Lunga, Bash Gjor. (6)
Qemal Haxhihasani me ekspeditën që ka bërë në rrethin e Kolonjës jep të dhëna se shumë shqiptarë shkuan në Rusi në fillim të shekullit XX që ishin me origjinë nga Shqipëria Juglindore nga Kolonja, Bezhan, Kreshovë, Korçë, Ohër, Çermenikë, Gollobërdë e gjetiu. Kështu që shqiptarët në Rusi përhapën që nga Kaukazi, Odesa e Krakovi e gjerë në Irkusk e Vladivostok.(7) . Po ashtu, në Hush të Moldavisë kanë jetuar familje shqiptarësh të ardhur nga Shqipëria dhe Italia. Këta banorë i takonin besimit katolik, por qenë të shtypur nga rusët dhe ishin të detyruar që të konvertohen në ortodoksë.(8)
Ukrainasit nuk dinë shumë për komunitetin shqiptar, i cili është rëndësishëm. Shqiptarët janë të njohur si Arnaut, edhe atë nëpërmjet të dy rrugëve në Odesë që janë pagëzuar “Arnauska e Madhe dhe Arnauska e Vogël”.
Sot në Ukrainë, sipas regjistrimit të vitit 2001, jetojnë rreth 4000-50000 shqiptarë, shumica jetojnë në regjionin e Odesës, në 3 fshatra: Taz sot Devnenskoje, Tyshki sot Gjeorgjevka, Xhandran sot Gamovra. Tokën ku u ngulitën këta shqiptarë ia dhuroi Katerina II e Rusisë. Edhe pse para shumë shekujsh janë shpërngul nga vendi amë, edhe krahas shumë faktorëve të ndryshëm mbijetuan dhe e ruajtën shenjën kryesore të kombit – gjuhën. Gjuha që flitet sot në këto katër fshatra: Karakurt (Zhovtnjovoje), Taz (Devneskoje), Tyshki (Gjeorgjevka) dhe Xhandran (Gamovra) është një përzierje e shqipes toske me rusishten. Por megjithatë, zakonet, veshjet dhe tiparet e tjera dalluese mbeten të njëjta. Banorët e këtyre fshatrave e identifikojnë veten si shqiptarë. I ruajtën me xhelozinë ma të madhe: gjuhën, zakonet, doket dhe veshjen kombëtare.
Shqiptarëve të mërguar në Ukrainë nuk u lejohej të merreshin me asgjë, përveç me punë fizike, por me nacionalizimin e tokës nga socializmi rus iu mor edhe ajo pak tokë që kishin. Ata ishin të pambrojtur dhe të harruar nga të gjithë.
Noli ishte i pari që kishte shprehur dëshirë që t’i vizitojë dhe kështu më 10 gusht 1911 u nis për në Evropë, ku qëndroi katër muaj.
Së pari erdhi në Bukuresht, ku u prit nga Shoqëria e mësimit shqip “Drita” e Bukureshtit e më pas shprehu dëshirën për të vizituar shqiptarët e vendosur në Molldavi e në Ukrainë. Noli s’kishte se çka t’u dhuronte këtyre shqiptareve, përveç t’i lutej Zotit që t’i bekojë e t’i mishërojë dhe t’u fusë në shpirt dritën e mesazhit hyjnor. Zoti kurrë nuk i harron ata që kanë besim në të.
Noli gjatë qëndrimit të tij, kreu edhe shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Bukuresht, Kishinjov, Odesë dhe Sofje.
Me interes është shërbesa kishtare në Ukrainë. Meshën e mbajti në një kishë lokale që kryenin shërbimet fetare unijatët.(9). Meshën për të cilën e mbajti, Noli u përputh me festën fetare të “Shën Mërisë së Madhe”. Atë ditë kisha ishte mbushur plot e përplot me besimtarë ortodoksë e sidomos nga katër fshatra kishin ardhur për të dëgjuar meshën. Shqiptarët e Odesës ishin më të gëzuarit sepse për herë të parë pas 4 shekujsh do të dëgjojnë meshë nga një peshkop që do të “zallahitë” e do të “shqyptojë “ si ne. Të veshur me kostume kombëtare, secili mbante në dorë një qiri dhe secili kërkonte t’i afrohet e t’i puth dorën peshkopit. Noli do të deklarojë se “i këndoj lutjet ashtu si dini në shqip, po pastaj lartë i rregullon perëndia.”
Përmbajta e meshës që e mbajti në gjuhën shqipe ka këtë tekst:
“Vëllezër dhe motra, besnikë të shumtë që merrni pjesë në këtë meshë sot. Për mua qe një kënaqësi dhe njëkohësisht një lumturi e madhe që të parit m’u dha rasti që ta nxjerr këtë meshë përpara anëtarëve të kollonisë shqiptare në gjuhën shqipe, në gjuhën tonë amtare, në atë gjuhë që kanë folur baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, gjuhë me të cilën jemi mëkatuar, që me të na ka rënë koka në dhetë. Grekërit thonë se sa janë të krishterë janë grekë, sepse janë orthodoskë. Por orthodoksia ëshë një gjë, kurse kombësia është diçka tjetër. Ne nuk jemi as grekë, as bullgarë, por jemi thjesht shqiptarë. Këtë vëllezër dhe motra të dashura, na e vërtetoi më së miri dhe mesha jonë sot, të cilën e dëgjuat me aq vëmendje, sepse e kuptuat se ajo u mbajt në gjuhën tuaj, që është e ëmbël për ne si qumështi i nënës! Të bekuar qofshi të gjithë!”.(10)
Pas këtyre vizitave që u bëri kolonive shqiptare, Noli kthehet përsëri në Amerikë. Por, temperamenti i tij nuk e la të qetë. Mendja i rri në tokën amë ku dëshiron që të themelojë kishën autoqefale në Shqipëri dhe këtë edhe e realizoi.
Krahas angazhimit kishtar, Noli merret edhe me politikë, me shkrime e me organizime të ndryshme, por të gjitha në interes të njerëzve e të Shqipërisë për emancipim dhe afirmim kombëtar e ndërkombëtar. Këtë fytyrë të ndritur e të mençur të kombit, në bazë të dokumenteve e fondeve të Arkivit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, shohim se Noli do të behet një nga emrat më të përmendur në kohën kur Federata Ruse dëshiron që të lidh marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë gjatë viteve ‘20 dhe ‘30 të shekullit XX. Qeveria Ruse duke u nisur nga dëshira për lidhjen e marrëdhënieve normale, duke u thirrë pikërisht në shqiptarët e Odesës të Ukrainës për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë në Rusi si pretekst për të filluar bisedimet.(11)
Përfaqësuesi i autorizuar shqiptar për riatdhesimin e shqiptareve Z. Kolombi i drejtohet komesariatit për punë të jashtme M. M. Litvinov me 2 qershor 1923 “se ekziston dëshira, thuhet në një dokument, për lirimin e vartësisë religjioze prej Patrikut grek të Konstatinopojës për t’u themeluar kisha e pavarur dhe se për këtë është autorizuar ish-Ministri i Punëve të Jashtme, kleriku Fan Noli për zbatimin e kësaj reforme dhe dëshiron të vijë në Rusi”.(12). Sipas dokumentit, edhe pse i është lejuar shkuarja e Nolit në BRSS ende nuk kishte shkuar. Nga nënraporti për shtetet ballkanike të KPPJ informohet Ministria e punëve të jashtme se:” Fan Noli planifikon të vijë në Rusi për negociata me kishën e gjallë në lidhje me formimin e kishës autoqefale shqiptare”.(13)
Mirëpo, më 21 korrik 1924 G.V. Çiçerin-in e njoftojnë se Fan Noli ka formuar qeverinë dhe është kryeministër dhe ministër i arsimit popullor. Në dokumentin nr. 29 nga Jurinev njofton Çiçerini se edhe pse Fan Nolit iu dha viza për t’u njohur me lëvizjen e përtërirë të kishës ortodokse për arsye të panjohura nuk erdhi ta marrë, por sipas asaj si ka dëgjuar thuhet se “ai (Noli) ka shkuar në vende të ndryshme, përtej kufirit ka tentuar të lidh njerëzit tanë, diku si duket në Zvicër apo në Vjenë, priste ndonjë përfaqësues prej tre muajsh, por nga këto tentativa të tij nuk doli gjë”.(14). Edhe pse shpesh Nolin e quajnë si “njeri të kuq” dhe “simpatizues i socializmit”, diplomacia Ruse dyshonte ndaj Nolit duke thënë se Fan Noli është krijesë e diplomacisë Italiane. Ajo e shfrytëzon atë qysh nga viti 1917 kur “ai me ndihmën e ambasadorit italian në Uashington, Konti Maki di Çalere, filloi të bëjë propagandë në mesin e kolonisë shqiptare në SHBA, duke botuar me këtë rast revistën “Vatra” dhe gazetën e përditshme “Dielli”. Mjetet për këto botime u dhanë nga ambasadori italian në Amerikë”.(15)
Rusët edhe pse ende po shpresonin, Noli ishte një njeri ditur e diplomat dhe nuk ngutej, sepse lidhja e marrëdhënieve me BRSS nuk mund të lidhej, sepse Rusia nuk i përtërinte marrëdhëniet e saja me Antantën.
Nolit nuk iu realizua kjo dëshirë për të shkuar edhe për së dyti te shqiptarët e Ukrainës për të realizuar misionin e tij historik dhe për t’u ndihmuar atyre shqiptarëve të varfër që punonin në heshtje, me djersë e me durim në një kënd të botës, në vatrën e tyre të lënë pas dore e të vetmuar, duke ushqyer një dëshirë të zjarrtë me shekuj për gjuhën shqipe e për kishë të pavarur.
Referencat:
. Gazeta “Ngjallja” nr. 1, janar 2012.
2. Fabiola Kadi, Tema fetare në poezinë franceze dhe shqiptare, Punim për gradën Doktor i shkencave në Letërsë, Tiranë, 2014, f. 162.
3. Cit., J. Pelushi, Fan. S. Noli në 130-vjetorin e lindjes –1882-2012, Konferenca shkencore ndërkombëtare, Korçë, 2012, f. 26.
4. Shih: prof. dr. Ismet Dermaku – Nikola Naço, Korça – apostull i shqiptarizmit, Prishtinë, 2000, f. 196.
5. S. Islami, Matrial gjuhësor nga kolonitë shqiptare të Ukrainës, Buletin për shkencat shoqërore, 1953, 2, f. 163, 164.
6. Mark Tirta, Migrime të shqiptarëve, Etnografia shqiptare nr. 18, Tiranë, 1999, f.133.
7. Letra e Ivena Qesku i Moldavisë me 8 maj 1903 dërguar Nikolla Naços në Bukuresht.
9. Këtë e ka pohuar oficeri shqiptar që ka jetuar në Rusi, Ramadan Çilku i lindur në Dibër.
10. Fjala e Lirë, June 2, 2014.
11. Lenina Zhila dhe Vlladi Poposki, Marrëdhaniet Sovjetike-Shqiptare në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit XX, Notë e dorëzuar përmes përfaqësuesit të autorizuar të BRSSS në Gjermani, për kryeministrin e Shqipërisë. A Zogu, 3 janar 1924 9 doku. (Dokumenty vnesej politiki SSSR.M, 1962. T.6 dok. 61), Tetovë, 2012.
12 Ibid, f. 40.
13. APJ FR F. )144. Psh 6 Fashikul 101. Nja 8 F. 30 (dokumenti i plotë-F 27-31 ( kopje shkrim makine)
14. Lenina Zhila dhe Vlladi Poposki, Marrëdhaniet Sovjetike-Shqiptare në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit XX, Letër udhëheqësit të Nënseksionit për shtetet ballkanike të KPPJ G. B. Sandomirski për komisarin e popullit për punë të jashtme, G.V. Çiçerin, 22 korrik 1924, Tetovë, 2012.
15. Lenina Zhila dhe Vlladi Poposki, Marrëdhanietë Sovjetike-Shqiptare në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit XX, Raporti i përfaqësuesit të autorizuar në Itali K.K. Jurenev, 4 gusht 1924 nr. 430 të dt 4/8, Tetovë, 2012.