Nga Bedri Blloshmi/
Kjo humnerë është rrethuar nga të gjitha anët me kodra të larta e të rrjepura. Kjo gropë me reliev të thyer në fund të dy maleve, që qëndrojnë ballë për ballë, kanë të përbashkët dheun e djegur në ngjyrë të kuqerremtë. Shkuret e mbira luftojnë më natyrën për të mbijetuar në këto pllaja të djegura. Përpiqen të ngulin rrenjët e tyre të dobta në tokën e zhuritur. Në të dyja anët e përroit, i cili zhurmon nga uji i përzier me acidin e ngjyrat e kripura që dalin nga barku i nëntokës. Me siguri udhtari kur kalon këtyre anëve thot me vete: “Ky vend qenka i mallkuar! As zogjtë e malit nuk mund të jetojnë në të mendo pastaj për njeriun!”
Kjo sipërfaqe, që për asgjë s’vlen, kjo pamje e një krateri vullkani, kjo gropë gjigande, vetëm një mëndje djallëzore mund ta fut në punë. Kur bie biseda se si është gjetur kjo shkretëtirë, tregojnë se Sigurimi famëkeq i Shtetit e ka zbuluar me anë të fluturimeve me avion dhe e konsideroi të përkryer për të sjellë sklevërit e komunizmit barbar. Kjo gropë e egër dhe e djegur qëndronte e fshehur nga çdo sy. Ditën e 1 prillit kampi u gdhi me polici të përforcuar.
Shëtisnim me kokë ulur si mizat. Altoporlanti rënkonte nga zhurma e muzikës funebër. Punoja në zonën të këtoj ferri, në galerinë 20. Ishim turni i parë dhe e gjithë kodra e djegur u mbush me policë dhe shumë fytyra të panjohura të cilët na thërrisnin të dilnim nga galeria dhe të rreshtoheshim përpara kohe për t’u futur në kamp.
Te pikat ushtarake, jashtë rrethimit, dukej flamuri në gjysmë shtizë. Diçka kishte ndodhur. Kur na futën në vendbanim, në barakat buzë përroit, policëve të regjimit të brendshëm u dukeshin sytë të skuqur nga të qarat. Përpiqeshin të fshinin sytë me kurrizin e dorës.
U kuptua qartë se gjithë ky shqetësim dhe përforcim i oficerëve ia kishte frikën të burgosurve politikë të cilët mund ta shfrytëzonim këtë rast humbjeje për ata dhe rast gëzimi për ne. Ditën e 12 prillit u ngritëm shumë të gëzuar se morëm vesh që diktatori nuk merrte me frymë.
Atë natë e gdhiva i shtrirë në shtrat me kokën të mbuluar me batanije. Nuk vura gjumë në sy nga gëzimi. Gjatë gjithë natës, si brenda në kapanonin e fjetjes ashtu dhe jashtë tij, policia nuk ndali asnjë sekondë varavingot dhe ecejaket.
Në orën 5 shkuam në mensë, mora gotën e qumështit, e piva në këmbë me fjalët: “Gëzuar o shokë!” Dola nga mensa dhe i lashë porosi një shoku të na bënte një tenxhere me hallvë. Ishim tek kafazi në pritje të policëve për t’u nisur te galerit vdekje-prurëse.
Më kujtohet si tani: qëndronim mbi urë me dy miqtë e mi, Agim Hamiti nga Dukati i Vlorës dhe Et’hem Ibrahimi po nga Vlora. Po bisedonim dhe po llogaritnim kohën se kur do liroheshim. Shefi i policisë, Josif Sadiku erdhi dhe më pyeti se kush ishte Et’hem Ibrahimi. E mori atë më vete dhe kaloi nga pjesa tjetër e kampit, ku rrinin ordinerët dhe u duk përsëri. Thirri emrin tim: Bedri Blloshmi?
- Këtu jam, i thashë.
- Hajde pas meje! – bërtiti.
U afrova.
- Të shoh shumë të gëzuar. Pse je kaq i qeshur? Ke ndonjë martesë apo fejesë nga shtëpia? Sot, kur e gjithë bota qan e mban zi për vdekjen e shokut Enver mban zi, ti qesh? Hajde shkojmë matanë të sqarohemi.
Na rrahën për vdekje. Na futën në birucë ku gjatë një muaji policët na rrihnin pa pushim. Për këtë ditë po botoj proces-verbalin se kush më raportoi dhe vendimet që u morën ndaj meje për këtë rast.
Më arrestuan dhe më dërguan në degën e Rrëshenit, ku më mbajtën për një kohë të gjatë. Më kthyen përsëri në Spaç dhe më thanë se nuk do dënohesh përsëri, sepse ishin të sigurt që unë do të flisja përsëri dhe kështu do ruanin rastin për të m’i dhënë të dyja dënimet bashkë. Aty më nxorën përpara kolektivit të të dënuarve dhe disa të dënuar kërkuan dënimin tim me pushkatim ose me varje në mes të kampit.
Dhe e gjitha kjo vetëm se u gëzova për vdekjen e diktatorit.