TIRANË, 10 Korrik/ATSH/.- Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland nisi të dielën vizitën e saj zyrtare në Tiranë, ku u prit në një takim nga Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.
Fokusi i vizitës së saj në Shqipëri, ashtu sikurse konfirmoi të shtunën edhe kryeministri Edi Rama, pritet të jetë reforma në drejtësi.
Axhenda zyrtare e takimeve në Tiranë nisi rreth orës 14:45, me takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, në ambientet e MPJ-së. Në këtë takim, zyrtarja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit shoqërohet nga ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu. Në vijim, Nuland do të takohet edhe me kreun e PD-së Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh dje nga Varshava se “ardhja e zonjës së ‘hekurt’ të Uashingtonit në Tiranë, është një tjetër sinjal i fortë për shqiptarët se çfarë rëndësie i kushton Shtëpia e Bardhë, reformës në drejtësi”.
Vizita në Tiranë e zonjës Nuland zhvillohet vetëm pak ditë para se në Kuvend të miratohet drafti përfundimtar i reformës në drejtësi, ndërkohë që palët politike vazhdojnë përpjekjet për arritjen e konsensusit. Vizita e fundit e Nuland në Shqipëri u zhvillua në muajin shkurt, kur ajo shoqëroi Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili qëndroi në kryeqytetin shqiptar vetëm për pak orë. (vijon) /m.m/