• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Ideologjia Chavez- Maduro është një nga përshtatjet e komunizmit”

June 16, 2020 by dgreca

–INTERVISTË E RENATO CRISTINIT PËR NURENBERGUN E KOMUNIZMIT(2)/

Nga Roberto Mansilla Blanco më 5 maj 2020/

            Renato Cristin është një filozof e profesor i filozofisë ndërpretuese pranë Universitetit të Triestes, n’Itali, dhe nismëtar i fushatës botërore Appeal for Nuremberg Trials for Communism, i prirur për të gjykuar krimet historike të komunizmit. Në këtë intervistë të posaçme për Qué Vaina!i përgjigjet pyetjeve tona mbi këtë nismë, mbi rolin e komunizmit në ngjarjet e sotme e në një vështrim shumë kritik padit regjimin e zaptuar nga Nicolàs Maduro dhe Chavizmin në Venezuelë.

(Pjesa e II)

A mendoni se vlerësimi historik i kësaj ideologjie ka qënë ai i duhuri?

Gjykimi historik i kuptuar si gjykim i historianëve mbi komunizmin paraqet vlerësime të ndryshme, simbas pikëpamjeve teorike e politike nëpërmjet të cilave historianët e kanë shqyrtuar komunizmin në bazë të formës së tij qoftë ajo komuniste ideologjike apo shtetërore. Ka një larmi opinionesh, por sot, me pëjashtim të njerëzve të përmalluar apo ideologjikisht të shtrembëruar, askush nuk mund të mohojë të vërtetën e krimeve të kryera nga regjimet e ndryshme gjatë viteve. Shumë përpiqen të dallojnë qëllimet nga përfundimet, duke pohuar se komunizmi ishte një ide e mirë, një hipotezë çlirimi njerëzor dhe mungesa e zbatimit të saj i kushtohet papërsosmërisë së njerëzve që e kanë birësuar, e pra edhe pasojat katastrofike, edhe plojët, nuk duhet t’i vishen idesë por njerëzve. Ështëe qartëqë justifikimi është po aq i dëmshëm sa mohueshmëria.

Si e sheh sot të majtën në rrafsh botëror? A mendon se ka qënë një vetëprovim i asaj që krimet e komunizmit kanë përbërë për historinë?

Bota e mbetur sot është në një gjëndje paradoksale. Nga një anë është trashëgimtare e mbytjes historike të projektit social-komunist, pra është dukshëm inferiore kundrejt vlerës së projektit që, për t’a thjeshtuar, po e quaj liberal-kapitalist, dhe vizionit të botës që është shpallur në qytetërimin perëndimor e që sot shtrihet në gjithë Vendet që përparojnë nën frymëzimin e tij.Nga ana tjetër, mbi të gjithë në Vende të tilla, ideologjia komuniste e – shndërruar në trajta të ndryshme dhe në mënyrë oportuniste e ndryshuar simbas rasteve – po lulëzon përsëri si ai që Bukovski e quante ”një tumor në trupin e racës njerëzore”; po i përshtatet rrethanave të reja gjeopolitike, dhe po riorganizohet për t’u lënë si trashëgim i diçkaje të re e të mirë, një projekt shoqëror që, në të kundërt, nuk ka prodhuar asgjë përveçse mjerim e shkatërrim. E zhytur në këtë paradox, e majta ka shpikur një shkurtore për t’i ikur qorrsokakut në të cilin historia i ka ngritur kurthin, në sajë të disa ndodhive historike të rastit  e në sajë të disa aleatëve të vjetër e të rinj. Këto dukuri të rastit janë, për shembull, ndryshimet klimaterike, të paraqitura si një aspekt i një krize mjedisore planetare; trysnia mërgimtare nga Afrika e nga Azia që kërcënon Evropën e që e majta e sheh si një mundësi hakmarrjeje mbi kapitalizmin e si një rast për të sendërtuar botën e tretë që ka qënë gjithmonë pjesë e pasurisë së saj ideologjike; kriza të përsëritura ekonomike të ndërpretuara si shënja që paralajmërojnë shëmbjen e sistemit kapitalist, pra tërë sistemin ekonomiko-shoqëror perëndimor. Të gjitha këto dukuri janë shfrytëzuar nga bota sot për të fituar hapësirë politike dhe miratim të opinionit publik. Bashkë me këto e majta ka aleatë të fuqishëm: miq historikë si një pjesë të madhe të medias, shumica e përlyer me ideologji socialiste-komuniste e kundërperëndimore (edhe se e pacipë në të marrurit para nga manjatët e kapitalizmit të urryer), e rrjeshtuar në pozitat e tercomondizmit  e të progresizmit radikal; aleatë institucionalë, për shembull Kombet e Bashkuara e të gjitha agjensitë e saj, nga FAO tek UNESCO, nga Zyra e Kombeve të Bashkuara të Komisarit të lartë për refugjatët deri tek Organizata Botërore e Shëndetësisë; dhe një aleat të ri e të papritur, Kishën katolike të drejtuar nga Papati i sotëm, për të qënë më të saktë, ajo pjesë e Kishës që ndjek teologjinë politike të Bergolios, të frymëzuar nga teologjia e çlirimit, ai “katoliçizëm komunizëm” që kishte shumë ndjekës në botë e që sot është bërë pozitë e shumicës së klerit, ndruaj edhe mes besimtarëve. Për shkak të autoritetit të rolit të tij dhe papërfillshmërisë së drejtuesve të së majtës së sotme, Papa aktual mund të quhet si udhëheqësi më hirplotë për të cilin e majta ka nevojë sot për të vazhduar t’ushqejë përfytyresën e përbashkët të pasuesve të saj.

Çuditërisht, në të majtën kishte më shumë vetëqortim në periudhën e mëparëshme ose në vitet menjëherë mbas rënies së murit të Berlinit, ndërsa sot e kanë kaluar atë fazë dhe kanë braktisur çdo qëndrim vetëqortues, duke u bërë gjithënjë e më shumë krenarë dhe luftarakë. Një vetëqortim i njimendtë, që nëse është i ndërlidhur nxjerr pasoja nga shqyrtimi i tij, do të shtrëngonte çdo njeri t’arsyeshëm të braktiste ata qëndrime. Pra nuk mbetet tjetër për ta veçse të kërkojnë rrugë teorike e praktike, sofizma që, siç kam vërejtur, i lejojnë idealit komunist të ruajë atë aureolë mistiçizmi që është bërë i domosdoshëm për këdo që është në gjëndje të besojë.

A mendon se jemi në prag të zgjedhjeve më radikale e populiste nga e maajta?

Në botën perëndimore, e majta duhet të shkojë përpara simbas dy tonesh ose shpejtësish: njëri me një profil t’ulët ideologjik, që mund të sigurojë përceptimin e saj si të përshtatëshme për të qeverisur e për të mos trembur zgjedhësit e sistemit liberal-demokrat, që nuk do të lejonin ndryshime rrënjësore; e një tjetër, me një karakter ideologjik më agresiv, që të mund të fryjë rastësitë (veçanërisht krizën ekonomike dhe ndryshimet klimatike) për të nxehur mëndjet e të rinjve, për të shtyrë në drejtim të mërgimit afro-aziatik n’Evropë, për të ndihmuar kryengritjet subversive në Amerikën Latine, siç kemi parë disa muaj më parë, ose për të inkurajuar lëvizje kryengritëse n’Evropë që të mund të shkaktojnë çrregullime shoqërore e të nxisin trazirat.

Si e karakterizon ideologjikisht Çavizmin? A e quan një trashëgimtar të tezave komuniste?

Simbas mendimit tim, Çavesi qe përfaqësuesi kryesor i një populizmi latinoamerikan që, duke bashkuar marksizëm-leninizmin me kombëtarizmin, gjeti një pranim të madh në të gjithë kontinentin (Aleanca bolivariane qe një rezultat rrënues por objektivisht i dukshëm)jo sepse kishte një thellësi të madhe teorike por sepse mori pushtetin në një nga Vëndet kryesore prodhuese të naftës. Në sajë të rezervave të naftës të Venezuelës e jo të zgjuarsisë politike të Çavesit, lëvizja u quajt Çavizëm mundi të formohet, të fuqizohet e të vazhdojë të mbajë edhe sot pushtetin në Venezuelë. Fija e naftës lidh efektivisht Vëndet që duket se kanë disa ngjajshmëri mes tyre: Rusia, Irani e, natyrisht, Venezuela me Kubën, kjo më shumë si një relike ideologjike se sa si aktore e barabartë, po të mbahet parasysh pafuqishmëria e saj ekonomike. Kujtoj qartë se si në 2007 Çavesi  dhe presidenti i atëhershëm i Iranit firmosën një aleancë të hekurt ndërmjet dy Vendeve; kujtoj mirë shkëmbimet e vizitave ndërmjet tyre, arritjen ngadhnjyese t’Iranit në Karakas, pastaj qëndrimin në Kubë për t’i bërë nderimin “ajatollah” Fidel Kastros, e për të dhënë sigurinë e një lidhjeje që shihte të ngrihej një aleancë botërore ndërmjet islamikut Nazizëm e komunizmit, me objektivin e përbashkët për të shkatërruar fuqinë amerikane dhe Perëndimin në përgjithësi (përfshirë Izraelin, natyrisht). Me këtë aleancë, së cilës i u bashkua më vonë Rusia u përvijuan projekte të çuditëshme, si socializmi i shekullit 21: një çmënduri e mirëfilltë, skenarë strategjikë të padëgjuar, por mbi të gjitha energji të reja ideologjike, e ajo më shqetësuesja, ushtarake. Lufta kundër Perëndimit në 2007 kishte gjetur tashmë një bosht me një depërtim të fuqishëm gjeopolitik. Po të vazhdojmë me Amerikën e Jugut: të gjithë njohin trekëndëshin e kufirit ndërmjet Argjentinës, Paraguajit dhe Brazilit që është kthyer në një zonë, në fakt jashtëterritoriale, një qoshe e mbyllur pa ligjëshmëri nga mafia e trafikut të drogës dhe e përdorur si një pozicion i përparuar për xhihadin në Perëndim, si një hapësirë strehuese për fuqizimin ekonomik e ushtarak të grupeve terroriste, për të cilët të gjithë janë në dijeni por të cilëve askush nuk don t’u kundërvihet, që Çavesi i kishte vënë në lëvizje e mbas marrëveshjes me Iranin i kishte financuar. Për të paguar militantët e Hezbollahut e të Hamasit në Lindjen e Mesme e të qelizave të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës, Irani nuk kishte nevojë për para çaviste, por Çavesi që me retorikën e tij neveritëse do të kishte bërë të rrotullohej në varr Simon Bolivarin, në fakt tregoi se nuk donte të nguronte aspak për të mbështetur atëherë revolucionin botëror komunisto-islamik të dëshiruar. Ideologjia Çaves-Maduro që ende është e formuar nga pak ide por ka shumë përkrahje ndërkombëtare, është njëra nga përshtatjet e komunizmit, në këtë rast në realitetin shoqëror e kulturor të Venezuelës, një formë e urryer pandërgjegjshmërie ideologjike që përfundon në diktaturë.  

Si e sheh gjëndjen në Venezuelë?

Nicolas Maduro është një president i dhunshëmqë jo vetëm ka pushtuar zyrën, por që me ngritjen e një sistemi të përdhosur të nomenklaturës, me përdorimin ndrydhës të demagogjisë e me mbështetjen, deri tani ndoshta të përgjithëshme, të komandës ushtarake, i ka sjellë mjerim popullit të tij (gjithë popullit: edhe ata që zbresin në shesh për t’a mbështetur vuajnë në fakt nga mungesat të shkaktuara nga ekonomia politike çaviste). Një despot që është ngjitur në majën e pushtetit pa respekt për demokracinë e pa mëshirën më të vogël edhe për bashkatdhetarët që po vdesin dalngadalë nga uria e – jo më pak keq – pësojnë fatkeqësinë e shpërthimit vetiak të lirisë së tyre. Vetëm ideologët marksistë, politikanët pa ndjenja, ose figurat kishtare “bergoliane” mund të vazhdojnë t’a mbështesin atë diktaturë ose të shpallen të paanshëm ndërmjet Maduros dhe opozitës.

Përtej këtyre tipave, duhej t’ishte një mbështetje pa kushte shtysës së demokracisë e të lirisë të shpalosur nga opozita. Parlamenti evropian, në pranverën e vitit 2019, ka njohur ligjëshmërinë e presidentit të Asamblesë kombëtare venezuelane, Huan Guaidó, siç e kanë njohur më shumë se gjashtëdhjetë Vende, me në krye Shtetet e Bashkuara në vijë të parë (fatkeqësisht Italia nuk bën pjesë n’atë grup për shkak të qëndrimit pro – Maduro të Lëvizjes pesë yje; dhe as Vatikani, që ngulmon në tezën tërheqëse e kripto- socialiste të barazpeshës ndërmjet dy palëve, që megjithatë nuk mund  të krahasohen). Por trysnia politike   në lartësi të këtilla nuk është e mjaftueshme për të rrëzuar administratën e Maduros. Boshti i Rusisë, Iranit e sot edhe të Kinës, po mbështet një regjim të kalbur, por ende në gjëndje t’i marrë frymën opozitës. Prandaj çështjes i duhet mëshuar, me ndihmë edhe nga jashtë, për të dhënë ndihmesën që të përmbyset ky regjim gjithënjë e më mizor.

Një akt-akuzë ndërkombëtare e fajit mund të jetë një rrugë e mesme ndërmjet trysnisë politike (pothuaj gjithmonë shumë e ngadaltë dhe me efekt të pakët) dhe ndërhyrjes ushtarake (të padëshirueshme sepse do të kishte viktima ndërmjet qytetarëve, tashmë të telekosur nga varfëria maduriste): në këtë drejtim duhet të ketë një mbështetje të dukëshme ndërkombëtare urdhërit të arrestimit të Maduros, të nxjerrë nga Shtetet e Bashkuara e t’urdhëruar nga presidenti Donald Trump, por për të arritur këtë synim duhet të jetë një vullnet i qartë dhe qeveri që dëshërojnë të shpallin parimet e lirisë pa rezerva ideologjike.

Është e urueshme që një vullnet i këtillë të mund të gjejë mënyrën për të sendërtuar synimet e tij. Të gjithë ata që e bashkëndajnë  do të duhej të vepronin në fushat e tyre përkatëse në mënyrë që qeveritë perëndimore të marrin një vendim që po bëhet gjithënjë e më urgjent çdo ditë. Nuk mund të jemi tepër optimistë, sepse njohim sot drejtimin ideologjik dhe burracakërinë e shumë partive në pushtet në Perëndim (përfshirë Bashkimin Evropian), por kemi besim në energjinë e ideve dhe në fuqinë e lirisë, që mund të vënë në lëvizje opinionet publike për të ushtruar trysni mbi faktin që qeveritë nuk mund t’i shmangen nëse duan të jenë vërtetë liberal-demokratike e jo vetëm të quhen të tilla.

Botuar në siton : International Freedom Education Foundation (IFEF)

                          E përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Interviste Tagged With: Eugjen Merlika, Nurembergu i Komunizmit, Renato Cristini, Roberto Mansilla Blanco

INTERVISTË E RENATO CRISTINIT PËR NURENBERGUN E KOMUNIZMIT

June 14, 2020 by dgreca

“Ideologjia Chavez – Maduro është një nga përshtatjet e komunizmit”/

Nga Roberto Mansilla Blanco më 5 maj 2020/-Perktheu:Eugjen Merlika/

(Pjesa e I)/

Renato Cristin është një filozof e profesor i filozofisë ndërpretuese pranë Universitetit të Triestes, n’Itali, dhe nismëtar i fushatës botërore Appeal for Nuremberg Trials for Communism, i prirur për të gjykuar krimet historike të komunizmit. Në këtë intervistë të posaçme për Qué Vaina!i përgjigjet pyetjeve tona mbi këtë nismë, mbi rolin e komunizmit në ngjarjet e sotme e në një vështrim shumë kritik padit regjimin e zaptuar nga Nicolàs Maduro dhe Chavizmin në Venezuelë.

Kur ka lindur “Thirrja për provimet e komunizmit në Nuremberg”, që ti dhe kundërshtuesi sovjetik Vladimir Bukovski  keni vënë në lëvizje?

Kjo nismë është lindur në verën e vitit 2019, por ka patur një shtatzani që mund t’a tregoj shkurtimisht. Gjatë një konferencenë vitin 2005 kushtuar kujtesës së totalitarizmit, një konferencë që e kisha organizuar kur isha Drejtues i Institutit italian të kulturës në Berlin, Vladimir Bukovski më ka shprehur idenë e tijpër të krijuar një “Nuremberg për komunizmin” i cili të mund të përcillte një dënim historik e moral, të njëjtë me atë që me të drejtë dënonte nazizmin dhe e përjashtonte përfundimisht atë nga bota e qytetëruar. Disa vite më pas një grup ekspertësh, profesorë, studjues e politikanë të Vendeve balltike e rimorën atë ide, duke vënë së bashku ndodhi e tubime të karakterit historik, por që në vazhdim nuk arritëm t’a gjenim mënyrën për t’a betonuar nismën. Më së fundi në verën e vitit 2019 i shkruajta Bukovskit për t’i dhënë një shtysë asaj nëpërmjet një thirrjeje që mund të shërbente si bazë për një nismë ndërkombëtare duke filluar nga përvjetori i tridhjetë i rënies së murit të Berlinit. Edhe se ishte i drobitur nga sëmundja e tij, e pranoi me zell, sepse pa mundësinë që t’i jepej një formë idesë së tij. Kështu shkruajtëm tekstin e Thirrjese vendosëm të përgatisnim shpalljen duke mbledhur firma për t’a paraqitur në publik në datën simbolike të 9 nëndorit. Fatkeqësisht Bukovski ndërroi jetë më 27 tetor 2019, duke lënë një zbrazësirë të pamasë tek të gjithë ata që kishin duartrokitur betejën e tij të gjatë kundër komunizmit e kishin ndarë me të arsyet dhe synimet; por njëkohësisht ai na la si trashëgim zotimin e tij për të sendërtuar qëllimet e tij, pjesërisht nëpërmjet nismës sonë të re.

Cilat janë kërkesat kryesore që gjejnë shprehje në këtë nismë?

Kjo nismë është e nevojshme me qëllim që plojët e gjenocidet e regjimeve të ndryshme dhe lëvizjeve komuniste të mund t’i nënështrohen zyrtarisht një gjykimi që deri tani nuk ka ndodhur; në mënyrë që të pastrojë vetëdijen tonë historike nga helmet që ideologjia komuniste ka përhapur gjithandej; kështu të mund të riekuilibrohet  ndërgjegjia morale e botës perëndimore, ndërgjegja e botës së lirë që shumë shpesh, për përtaci apo për keqbesim, fsheh të vërtetat e komunizmit, duke mbuluar thelbin kriminal të një ideologjie që është ende vepruese dhe vdekjeprurëse. Praktikisht do të zhvillohet në tre rrafshe, ngushtësisht të lidhur: një vijë veçanërisht kulturore (historiografike, filozofike, sociologjike, politike, gjeopolitike); një vijë juridike (me synimin për të shqyrtuar mundësinë konkrete për të përparuar në kahun e të drejtës penale, si përsa i përket rasteve të veçanta po ashtu edhe për gjenocidin karakteristik të shumë prej këtyre masakrave); një vijë politike dhe institucionale që duhet të bashkojë si qeveritë mirëpritëse të idesë për të arritur dënimin politik e moral të komunizmit po ashtu si dhe Parlamentin evropian me synimin për të kënaqur përfundimin që barazon komunizmin me nacional socializmin, të miratuar në shtator 2019. Në javët e fundit spikama shëndetësore globale e shkaktuar nga koronavirusi – një argument që ka shumë ndërlikime, jo vetëm ekonomike e shoqërore por edhe politike, mbi të cilët nuk do të ndalohem këtu – ka prodhuar një gjëndje që na ka shtrënguar të ripërsiasim veprimet konkrete që kishim nisur të zhvillonim e që do të rifillojnë kur gjëndja të bëhet e qëndrueshme, besoj mbas verës. Po vazhdojmë të shkojmë përpara me mbledhjen e firmave që mbështesin Thirrjen, që mund të lexohet e të firmoset në faqen web: https://appeal.nurembergforcommunism.org//.

Si ka qënë pritja ndërkombëtare e kësaj nisme, veçanërisht nga pikpamja e opinionit publik, të botës akademike, të lëmshit politik etj?

Deri sot thirrja është përkrahur nga firmat e më shumë se 1500 vetëve, që, siç mund të shihet nga lista që shfaqet në faqen web, vijnë nga shumë Vende dhe janë të lidhur me shumë institucione dhe me një gamë të gjërë profesionistësh, akademikësh e sektorësh institucionalë. Një artikull në italisht, megjithëse i botuar nëndorin e shkuar e pra jo i përditësuar, paraqiste disa nga emrat që duken mes firmëtarëve të parë. Që nga fillimi nisma ka patur një sukses të madh në anën e njerëzve e të bashkësive, përfshirë edhe të ikurit, që kanë jetuar nën komunizmin nga Evropa Lindore deri në Amerikën Latine. Është guximi i pamasë e i adhurueshëm i shumë firmuesve që kanë dalë sot në pah për t’a mbështetur, dhe është gjithashtu miratimi (forcëdhënës e i fuqishëm) i shumë intelektualëve, veçanërisht liberalë klasikë ose konservatorë liberalë në mbrojtje të botës së lirë. N’Itali është paraqitur në Senat me mbështetjen e partive të qendrës së djathtë, por në të vërtetë është një thirrje jo partizane që, duke nënëshkruar nevojën e mënjanimit të ekstremizmit, shënon një ecje të arsyeshme që ka të bëjë me një vizion të barazpeshuar, madje dhe njerëzor (sepse disa prej krimeve të kryera n’emër të asaj ideologjie vazhdojnë ende të kryhen e vazhdon përsëri të ketë viktima). Është një nismë ndërkombëtare me karakter etik, ende më shumë se sa politik, historik e kulturor.

Përkrahja e firmëtarëve të parë, disa prej të cilëve më ndihmojnë edhe në shpërndarjen e dokumentit, është e çmuar. Ndërmjet tyre janë antarë tëParlamentit evropian dhe disa parlamentarë kombëtarë, figura të botës së biznesit, të mediave, të shkencës, të kulturës e të fesë, profesorë universitarë, ekonomistë, artistë e shkrimtarë, personazhe të sportit, profesionistë të fushave të ndryshme, regjizorë të grupeve të përsiatjeve e përfaqësues të shumë institucioneve të kushtuara kujtesës së krimeve të komunizmit që gjinden në të gjithë botën. Dua të ve në dukje njerëzit që kanë pësuar përndjekje nga regjime të ndryshme komuniste evropiane të shekullit 20 (ndërmjet të cilëve dua të përmënd një mik të mirë të Bukovskit, shkrimtarin e disidentin sovietik Arkadi Polishkuk), e t’atyre që ende sot vuajnë në kushte të ngjajshme regjimi: të mërguar e kundërshtarë kubanë, figura të opozitës venezuelane, njerëz që nëpërmjet përvojës së drejtpërdrejtë kanë parë se cilat mund të jenë pasojat rrënuese të kësaj ideologjie, në secilin variant të saj.

Do të desha t’i përmëndja secilin një nga një, mbasi ushqej kundrejt tyre një ndjenjë që shkon përtej mirënjohjes për mbështetjen e tyre, një t’atillë që arrin pikën e miqësisë.

Veç tyre ka organizata që shfaqin zotimin e tyre për të punuar së bashku për të pasuruar nismën e po fillojnë t’a bëjnë në mënyrë konkrete; për shembull Platforma e kujtesës evropiane të ndërgjegjes (Pragë), Victims of Communism Memorial Foundation (SHBA), International Freedom Educational Foundation (SHBA), Corneliu Coposu Foundation (Romania), Instituti eston i kujtesës historike (Estonia), Club de los Viernes (Spagna), Fondacioni Lepanto (Itali), Fondacioni Farefuturo (Italia), për të përmendur vetëm disa prej shumë të tillëve.

Kemi edhe përkrahjen e çmuar të kryetarëve e drejtorëve të organizatave të panumurta, ndërmjet të cilave David Horoëitz Freedom center (SHBA), Bashkimi i Këshillave për hebrenjtë në ish Bashkimin Sovjetik (SHBA), Ëestminster Institute (SHBA), Mannkal Economic Education Foundation (Australi), Liberty Memorial to the Victims of Communism (Canada), National Museum of the Holodomor – Genocide (Ucraina), Cuban Democratic Directory (Cuba-SHBA), House of Terror (Hngari), Komisioni ndërkombëtar për vlerësimin e krimeve të regjimeve të pushtimit nazist e sovjetik në Lituani, Shoqata ndërkombëtare e ish të burgosurve politikë e viktimave të comunizmit (Gjermani), Grupi i studimeve strategjike (Spanjë), Instituti për demokracinë, Median dhe kulturën (Shqipëri), revista New Criterion (SHBA), PanAm Post (Columbia – SHBA), New English Review (SHBA), revista Jihad Watch (Shtetet e Bashkuara), Libertad Digital (Spanja), Opinioni i lirive (Itali) e shumë të tjerë. Për një panoramë të plotë, që për arsye hapësire nuk mund t’i jap të tëra siç do të kisha dëshëruar, ju çoj tek lista e firmëtarëve që mund të lexohen në siton e përdorimit.

Do të shtonja se nga Amerika Latine në veçanti Thirrja ka marrë mbështetjen e vyer të Fondazione Libertad y Progreso (Argjentinë), Fondazione Bases (Argjentinë), Instituti i studimeve mbi veprimin njerëzor (Peru), ndërmjet të tjerëve dhe Fondacioni Bolivia e Lirë. Nga Venezuela veçanërisht kemi rreth dyzetë deklarata mbështetjeje, ndërmjet të cilave nënvizoj atë të një ish presidenti të Vendit, Lëvizja anarkiste e Venezuelës, Rumbo Libertad Movement dhe Qué Vaina!, vetë sito.

A mund të flisni për disidentin sovjetik Vladimir Bukovski? Çfarë roli historik pati Bukovski  në nismën për të përdorur fjalën gjykim mbi krimet e komunizmit?

 Një kundërshtar i qëndrueshëm i regjimit sovjetik dhe një nismëtar i bindur i nevojës për të ngritur një gjykim botëror mbi krimet e ideologjisë komuniste, Vladimir Bukovskiarriti t’i japë një dukshmëri më të madhe politike, më shumë se cilido disident tjetër sovjetik, tezës sipas së cilës ideologjia komuniste nuk mund të lejohet të shumëzohet, para e mbrapa rënies së Brss e të satelitëve të tij. (Mund të shihet profili i botuar në Pan Am Post). Megjithëse Aleksandër Sollzhenicini ishte tregimtari më i madh, asnjëherë i vlerësuar sa duhej, i plojës së fshehur që ishte gulagu sovjetik, Bukovski qe teoricieni më i madh, i njohur edhe për kërkimet e tij se si funksiononte diktatura mbas perdes, në sajë të të cilëve libri i tij Judgment in Moscow është një kryevepër e vërtetë.

Nga pikpamja e gjykimit historik, si do t’a kishit përcaktuar komunizmin?

Historia e kuptuar si një rrjedhë faktesh ka treguar dëmin që ajo ideologji ka shkaktuar në rrafshin ekonomik e shoqëror. Që aty mund të arrijmë tek dënimi – të cilin un e mbështes dhe e propozoj – të komunizmit jo vetëm si një dështim socioekonomik, por edhe politik, moral, shpirtëror e kulturor dhe si një histori të një gabimi antropologjik, i vërtetur si i tillë nga secila prej ngasjeve për të imponuar një njeri të ri: sovjetik, maoist, Castroist, Çavist të çfarëdo lloji tjetër. Por me që ajo ideologji është ende vepruese dhe akoma sot shkakton pasoja rrënuese, si përsa i përket lirisë e dinjitetit njerëzor ashtu edhe për sistemin shoqëror që mbron ato liri e dinjitete, “Thirrja për provimin e Nurembergut për komunizmin” nuk është i vlefshëm vetëm për të shkuarën, por mund të shërbejë për të tashmen e për t’ardhmen, për të ndaluar atë ideologji të shpërndahet më shumë e për të mos e lejuar të dehë brezat e ardhshëm. Shkurt kjo nismë shërben për të dënuar komunizmin aty ku është vënë  me të vërtetë në zbatim, në regjimet e shkuara e të tashme në variantet e ndryshme të tij (ndërmjet të tjerëve Kina, Koreja e Veriut, Laosi, Kamboxha, Kuba, Venezuela, Nikaragua, Mozambiku, Eritrea), të dënohet ideologjia totalitare që i ka pjellë e që vazhdon të veprojë në çdo zonë të rruzullit, edhe në brendësi të botës perëndimore, nën trajtën e partive politike, lëvizjeve revolucionare, grupeve subversive dhe organizatave të botës së tretë, kundër-Perëndimore dhe armike të sistemit ekonomiko-shoqëror perëndimor.

                L’Opinione delle libertà                    

E përktheu Eugjen Merlika

Fundi i pjesës së parë

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Nurembergu i Komunizmit, Renato Cristin

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT