• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROMOVIM NE BRUKSEL

March 23, 2014 by dgreca

Promovohen në Bruksel  veprat e Dr Nusret Pllanës : “Terrori i Serbise  pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999 ”  , “Intervenimi i NATO- S  në Kosovë” dhe filmi dokumentar “Rrugëtimi i një libri nëpër  botë”/

Nga Agron Shele, Bruksel/

Me rastin e 15-Vjetorit të Intervenimit Humanitar dhe Ushtarak të NATO- S në Kosovë, në një nga ambientet e Hotel “RAMADA” në Bruksel u zhvillua aktiviteti kulturor për promovimin e veprave Publicistike- Dokumentare të Dr  Nusret Pllana. Trajtimi i kësaj teme sa të dhimbshme po dhe aq identifikuese për masaktrat e kryera mbi popullsinë shqiptare në Kosovë nga ana e një populli të tërë të kriminalizuar, sikurse eshtë populli serb , rihedh dritë me fakte dhe argumente reale për atë  krim mesjetar që ka ndodhur në zemër të Evropës. Që në fillim ndeshesh me foto tepër të rënda për një sy normal njerëzor, ndeshesh me krime që kalojnë dhe pamjet error,  dhe të ravijëzuara përbrenda identifikimit real dhe kohor hedhin dëshminë e gjallë dhe të pakontestueshëm të martirizimit biblik të një popullsie të tërë. Pjesmarrja e gjerë e komunitetit shqiptar , e përafaqësuesve shqiptarë të akredituar në misonin e NATO-S këtu në Bruksel, e pëfaqësuesve diplomatikë të Kosovës dhe Shqipërisë dhe e gazetarëve që kishin punuar në misionet e para në Kosovë, si dhe e mjaft personaliteve të tjerë të jetës kulturore dhe shoqërore e bënë aktivitetin kulturor edhe më të larmishëm.

Në fillim të këtij prezantimi e mori fjalën përfaqësuesja e trupit Diplomatik të Kosovës, akredituar në Bruksel, Ambasadorja  Mimoza Ahmetaj, e cila do të citonte përjetimin nga afër të këtyre tmerreve, përpjekjen e popullsisë për të mbijetuar, si dhe rëndësinë e “UÇK”, e cila në bashkëpunim me “NATO- N ” , do sillnin fitoren  vendimtare dhe lirinë aq të merituar të Kosovës. Ndër të tjera Znj Ahmeti do të citonte që kjo e kaluar e mbuluar me dhimbje dhe gjak duhet kurorëzuar me forcimin dhe konsolidimin demokratik të shtetit të Kosovës, si i vetmi garant  që gjëra të tilla të mos përsëriten më. Mbledhjen e fotove të rralla, paraqitja reale e tyre, do përbëjë një arshivë të shkëlqyer për atë ç’ farë ka ndodhur, dhe do i shërbejë kujtesës historike për kalvarin e dhimbjeve që kemi përjetuar si popull, por edhe si memorie e gjallë  për mbarë botën e civilizuar, e cila duhet të marrë një mesazh të fortë për mos lejimin e këtyre tmerreve në mileniumin e ri.

Përfaqësuesi shqiptar i akredituar pranë NATO-S , Z Kristaq Gërveni, do vlerësonte misionin e NATO-S në Kosovë, ndërhyrjen ushtarake dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me forcat e “UÇK”, duke e cilësuar ato si Forca të Këmbësorisë në terren. Më pas ai do vlerësonte  punën e  shkëlqyer të autorit , i cila nëpërmejet argumenteve dhe fotove reale do të përjetësonte atë memorie të hidhur por të domosdoshme, si dhe do  ndërgjegjësonte mbarë opinionin Ndërkombëtar për ndërhyrjen e drejtë të Trupave të NATO-S dhe do shenjtëronte edhe më shumë përpjekjen e popullit kosovar për liri dhe pavarësi. Ndër të tjera ai u ndal edhe tek funksionimi dhe misioni  i  trupave  të  NATO-S  sot, ku rreth 5700 trupa janë garant i sovranitetit por dhe përpjekjeve për demokratizim më të gjerë të jetës në vend.

Koordinatorja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë Znj  Shqiponja Duro  do të shprehte përgëzimet për punë kuptimplotë në të mirë të Kombit dhe të vërtetave historike me fjalë poetike; “Kosovë, je gjaku im që nuk falet” (Ali Podrimja). Ndërkohë ajo u ndal në disa aspekte të trajtuara në librat me përmbajtje historike. Së pari mbi faktin që sikurse edhe autori afirmoi paraprakisht se këto libra pjesë e arkivit janë shprehje e dhimbjes së popullit të Kosovës dhe si e tillë bëjnë që autorësia i përket Kombit. Autori ka kryer një shërbim të vetëdishëm qytetar për ta ruajtur të gjallë në arkiv dhimbjen dhe krimet e luftës. Ato përbëjnë të vertetën e shqiptarëve të Kosovës që aspiruan Lirinë. Dy elemente nxorri ajo në pah; hedhja dritë mbi viktimat më të pafajshme gjatë luftës fëmijën dhe nënat e gratë shqiptare. Gratë e dhunuara gjatë luftës duhen trajtuar nga shoqëria si heroina lufte. Si krijuese letrare ajo recitoi vargjet poetike ‘Bie shi i kuq, mbiu tërfil i kuq në Kosovën’  që i kishte hedhur në letër nga inspirimi i trishtë i viktimave të luftës. Në shenjë përgëzimi znj. Duro i fali autorit dr. Pllanës librin për Faik Konicën : “Jeta në Uashington” të autorit Ilir Ikonomi.

Zëri i parë i frymës së lirisë në Kosovë “ Ju flet Kosova e lirë”, autori i këtyre veprave Publicitare dhe Dokumentare, autori  Nusret Pllana, do të vlerësonte të gjithe kolegët e tij  që kishin punuar për realizimin e këtij Projekti Kombëtar, mbledhjen e fakteve dhe fotove nga arshiva të ndryshme deri tek arshiva serbe, do falenderonte gjithë bashkombasit e tij që jetojnë në vende të ndryshme për përkrahjen dhe realizimin e prezantimit të veprave të tij duke filluar nga Gjermania, Italia, Turqia, Austria, Norvegjia, Suedia, Filanda, Belgjika etj dhe duke folur më pas për prezantimet ne Uashington, Nju Jork, Boston, Kanada  etj , si dhe për të shkuar gjer në Australinë e largët. Qëllimi i rrugëtimit të këtij libri nëpër botë është më se i rëndësishëm, pasi nëpërmjet pamjeve reale të cilat flasin më tepër se mijëra fjalë ne argumentojmë sakrificën tonë si komb, argumentojmë të drejtat legjitime dhe denancojmë barbarinë fashiste serbe , të cilës edhe për këto monstruozitete të kryera,  çuditërisht i janë hapur dyert për në familjen Evropiane. Gjatë 4 gjenocideve të ushtruara mbi Kosovë, e konsideruar kjo në vrasje dhe diegie  në gati 150 vjet kanë humbur jetën mbi 570 000 shqiptarë dhe janë shkaktuar mbi 129 milionë dollarë dëme materiale. I gjithe ky bashkëpunim famëkeq për zhdukjen e popullsisë shqiptare ka ardhur në sajë të bashkëpunimit Kishë Ortodokse Serbe – Akademi e Shkencave dhe Politikës, prandaj  këtu nuk flitet për një politikë kriminale por për një popull kriminel, i cili në gjenerata përsërit masakrat dhe kryen barbarizma të tilla. Konceptimi këtyre veprave me fakte argumentuese dhe foto jo vetëm që informon opinion  Ndërkombëtërar, por shuan edhe zërat e fanatikëve apo dogmatikëve si Europarlamentari Dik Martin,  që e shikon ende Serbinë si Jugosllavi.

Shfaqja e Dokumentarit dhe intervistat e pjesëmarrësve të shumtë  nga shtete dhe kombe të ndryshme do e bënte edhe më interesant këtë takim,  do përforconte edhe më shumë bindjen për rëndësinë që kish ky publikim, qëllimin  që kish arritur, informimin real të kësaj gjakderdhjeje në Ballkan dhe denancimin e makinerisë kriminale serbe të udhëhequr nga kryekrimineli Sllobodan Millosheviçi. Arshivimi këtij libri në shumë Biblioteka Ndërkombëtare, Ambasada dhe në veçanti tek Biblioteka e Kongresit Amerikan, Biblioteka e OKB, Biblioteka e Gjykatës së Hagës, tregon më së miri për punën e shkëlqyer tashmë të misionarit Dr Nusret Pllana, në shërbim të sakrificës dhe përvuajtjes së pupullit të Kosovës, në shëebim të ruajtjes së kësaj memorie historike, të denancimit të kësaj të keqeje kombëtare,  si :  të shpërnguljes me dhunë nga trojet, masakrimit deri tek fëmija në bark të nënës, dhunimit të vajzave dhe grave dhe që kjo e keqe të mos përsëritet më duhet të shërbejë si shëmbëlltyrë e rezistencës, sakrificës, provës së gjakut për të ringritur të ardhmen tjetër, atë të konsolidimit si shtet ligjor, sovranitetit dhe lirisë.

Autori mbylli mbrëmjen me apelin : “Zgjohu Kosovë ! Mos e harro të kaluarën e dhimbshme!”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Nusret pllana, promovohet ne Bruksel

Promovohet në Detroit dokumentari mbi librin “ Terrori i Serbisë pushtuese mbi Shqiptarët”

February 15, 2014 by dgreca

Promovohet në Detroit dokumentari mbi librin “ Terrori i Serbisë pushtuese mbi Shqiptarët” me titull “Rrugëtimi i një libri nëpër botë” të Prof.Dr. Nusret  Pllanës/

Nga Pjetër Jaku/

Prej vitit 2001, që kur doli në qarkullim  libri i parë “ Terrori i Serbisë pushtuese mbi Shqiptarët” të Prof. Dr. Nusret Pllana , ish ushtar i UCK-së dhe një nga organizatorët dhe Redaktorët  e Radios së Luftës së kësaj Ushtrie, ka pasë një lëvizje promovuese në afro 40 qendra më të njohura evropiane dhe botërore, nga Kosova, Shqiperia, Maqedonia e deri në Amerikën mike, Kanadanë e Australinë e largët, si;  Prishtinë, Tiranë, Shkup, Tetovë, Gjenevë, Cyrih, Lugano, Paris, Lion, Vjenë, Oslo, Stoklholm, Budapest, Jovik, Katovicë, Ankara, Stamboll, Bursa, Izmir, Romë, Shtutgart, Dortmund, Singen, Hechingen, Nyrnberg, Hamm, Heidelberg, Mynhen, Ludvigsburg, Heslingen, Phorzheim, Helsinki, Toronto, Berri, New York, Washington, Detroit, Melbourne, etj.

Në të gjitha këto levizje të këtij libri, i cili është një denoncim i veçantë i masakrave të serbëve kundër një populli të paarmatosur e të pambrojtur, siç ishin shqiptarët e Kosovës martire.Promovimi i këtij  dokumentari “Rrugëtimi i në libri nëpër botë” në Detroit u realizuar me  07 shkurt 2014, në Qendrën e Shën Palit, tashmë e njohur në diasporën shqiptare për aktivitetin e saj patriotik prej më shumë se katër dekadave, organizuar nga Dega e Vatrës në Detroit dhe Këshilli i Kishës së Shën Palit.

Promovimi u shoqërua me një diskutim të shkurtër të veprës “Terrori I Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999” ( për shtesat e bëra prej më shumë se  120 faqeve dhe rreth 550 fotografive rrënqethëse realizuar në 7 gjuhë: shqip, anglisht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht e maqedonisht), nën moderimin e  Sekretarit të Degës së Vatrës për Detroitin, Mondi Rakaj. Në fillim përshëndeti Don Fran Kola, i cili theksoi rëndësinë që kanë promovime të tilla, për t’ua bërë  sa më shumë të njohur botës së civilizuar se çfarë masakrash deri në shkallë gjenocidale kanë bërë  manjakët e stepave ruse ( serbët ) ndaj një populli të pambrojtur të Kosovës. Më pas përshëndeten dhe folën për librin Mikel Demaj, Kryetar i Shoqatës “Kosova” për Detroit, Luigj Gjokaj ish Kryetar i Fondacionit të njohur “ Vendlindja Thërret”, si dhe autori i librit Prof. Dr. Nusret Pllana.

Dr.Pllana ndër të tjera tha, se; këto janë të veçantat e ribotimit të pestit të librit tim, përkatësisht librit të shqiptarëve, të cili defacto  e kanë shkruar më tepër se gjysëm milioni shqiptarë të vrarë barbarisht nga bishat karpatiane serbe janw: Emrat e rreth 100 fëmijëve të vrarë shqiptarë në mes të viteve 1981-1999, Lista e emrave të 330 kriminelëve serbë që kanë vrarë, dhunuar e masakruar shqiptarë gjatë vitit 1999, Masakra e Izbicës, Masakra e Korishës, Dëbimi për në Bllacë, Masakra e Bujanit(1912), Masakra e Kabashit e Korishës, Masakra e Konjuhit(1924), Masakra e Therandës(ish Suharekës), Masakra e Studimes, Masakra e Paklekut, Masakra e Kaçanikut, 1998/1999, Masakra e Hanit të Elezit, Masakra e Klinës me rrethinë, Lista e të vrarëve në Malishevë e Gjakovë, Lista e të vrarëve në Skënderaj, Lista e të vrarëvë e të masakruarëve në Rahovec me rrethinë,  si dhe Kapitulli i fundit i librit titullohet “Të Tjerët për Librin…”, në të cilin janë 21 kumtesa, recensione, komente dhe vlerësime të dhejtra publicistëve, shkrimtarëve, diplomatëve, ambasadorëve e historianëve me famë evropiane e botërore, si; Pierr du Pasquier(Lugano), Prof.dr.Fredy Morle(Singen), Joran Vassenius(Stockholm), Prof.dr.Gyorgy Reti(Budapest), Mustafa Kabakxhi(Ankara), Fahredin Guleler(Bursa), Melek Aras(Stamboll), Angela Cerruti(Romë), Prof.dr.Gilda Sensales(Universiteti La Sapienza – Romë), Prof.dr.Peter Morgan( Universiteti  Sidney – Australi), Prof.dr.Erik Loga (Melbourne – Australi), Thomas Nydall(Stockholm), Prof.dr. Tue Magnusson(Kopenhagë), Ullmar Qvick(Stockholm), Glibert Gardes(Paris), Andreas Westman(Stockholm), etj.

Për anën teknike të shfaqjes së filmit ndihmoi kryetari i Këshillit të Kishës së Shën Palit , aktivisti Kolë Gjokaj. Pas  filmit,  të pranishmit patën mundësinë të pyesin autorin, për projektin e denoncimeve të tjera në dhunimin e të drejtave të shqiptarëve në Malësinë nën Mal të Zi, Preshevën, Çamërinë etj. Ish i burgosuri për aktivitetin e  tij patriotik, Rrok Dedvukaj u ndalua shumë për këtë problem.

Dega e Vatrës së Detroitit i dorëzoi Prof. Dr. Nusret Pllanës një mirënjohje për veprën e tij në lidhje me denoncimin e terrorit serb, të cilin ia dorëzoi aktivisti i njohur në komunitetin shqiptar të Detroitit si dhe një nga vatranët më të vjetër, Julian Çefa.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Mondi Rakaj, Nusret pllana, Pjeter Jaku, promovohet ne Detroit, Terrori kunder Serbise

Liria jonë është shkruar me Alfabetin e gjakut…!

January 20, 2014 by dgreca

Në qytetin Student të Heidelbergut të Gjermanisë u promovua : “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”  te Prof. Dr. Nusret  Pllana/

Nga Hasan QYQALLA/Heidelberg/*

Gjergj FISHTA, duke derdhur tërë mllefin e pezmin, ku tjetër pos te shkaktari kryesor i katrahurës shqiptare, te Fuqitë e Mëdha të Evropës e botës, në vargjet e veta nxjerr klithmën:

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Që i re  mohit, besës së Zotit!

Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

Me da token e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

I përzgjodha këto vargje, mbase e shoh një pikënisje të përbashkët identifikimi me veprën shkencore kapitale të profesor Pllanës “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”! Shtrohet pyetje pse, ku, si,…?

Fillimisht, për opinionin tonë mbarëkombëtar, prof. Pllana është emër i njohur, është zëri i arsyes të “Kosovës së Lirë”, është emër i njohur në letrat shqipe, por edhe më e hershme është veprimtaria e tij që nga koha e ish Jugosllavisë. Veprimtari e njohur antipushtuese e antiregjim, që shpreh kryeneqësinë individuale kundrejt pathyeshmerisë e mospërkuljes për asnjë çast, për asnjë çmim, mbase “Liria nuk ka çmim”, do të thoshte vetë disidenti. Katrahurat e shtypjes, dhunës, terrorit të atij regjimi të paparë ndonjëherë në globin e njerëzimit, i përjetoi vetë autori, i barti mbi kurriz. Këto përjetime, nëpër kazamatet serbo – sllave, nuk e ligështuan për asnjë çast, nuk e dobësuan as skenarët e inskenimeve, por përkundrazi sikur kalitej edhe më tej, që jo vetëm të sfidojë, por edhe të dalë në mal e ta luftojë pushtuesin shekullor me armë në dorë.

T’i kthehem pikënisjes me vargjet e Fishtës, të cituara më lartë. Gjersa Fishta, siç thashë, nxjerr klithmën e thellë ndaj padrejtësive historike që i bëhen popullit shqiptar, këtë padrejtësi, profesori e justifikon me fakte duke nxjerrë të gjitha viktimat e tribunët kombëtarë që për ideal kishin, asgjë më shumë se lirinë. Pra, janë të dhëna shkencore e të pakontestueshme: vrasjet, pushkatimet, helmimet, pritat, pabesitë…, deri në paradokset që nxjerr regjimi serb, kinse bënë vetëvrasje.  Më kujtohet nje koment i atëhershëm i Agjencionit të Lajmeve Jugosllave “Tanjug” se Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka u vranë nga një përleshje e brendshme apo qërim hesapesh mes grupeve ilegale të emigracionit shqiptar. Mbase, rasti i Enver Hadrit, ku nxjerrin tre supozime të mundshme, por më e afërta, gjithnjë sipas tyre, është xhelozia e të dashurës së tij, që kinse kishte një lidhje intime jashtëmartesore me të (fjala është për një femër me origjinë belge)!!! Prandaj,  autori i qaset me mishërim kronologjisë së dhimbshme, duke nxjerrë edhe fakte të mjaftueshme për dhunën, terrorin e gjenocidin që ushtronte në mënyrën më barbare e më perfide pushtuesi serb për gati dy shekuj me radhë. D.m.th. synon te del në pah e vërteta e errët apo e pandriçuar, deri më tani, e historisë sonë kombëtare, sa e dhimbshme po aq edhe krenare, mbase liria jonë është shkruar me alfabetin e gjakut.

Formësohet bindshëm thënia, se autori në fjalë, pra prof. Pllana, nxjerr nga varri eshtra identifikimi të personaliteteve e veprimtarëve nëpër kohë. Kronologjia e varrimeve dhe persekutimeve është e gjatë dhe faktike, dëshmi reale që na ofron autori në këtë libër shkencor. Shtrohet pyetja, çfarë e shtyri autorin t’i qaset gjurmimeve nëpër arkiva, duke shpalosur me qindra dosje, që (ndoshta) i kishte mbuluar bloza e harresës?! Mendoj se, bëri një kthesë në udhëkryqet ndërkombëtare drejt demantimit të paragjykimeve, përkatësisht tentim gjykimeve të luftëtarëve të lirisë, duke bërë përpjekje të njollosjes apo balansimit surreal të luftës së lavdishme të UÇK-së me okupatorin serb. Padyshim, duke qenë edhe vetë pjesëmarrës aktiv i luftës së lavdishme, autori ofron fotodokumentare të terrorit, dhunës, masakrimit, sakatosjes, rrëmbimit, izolimit deri në përpjekje të shfarosjes apo ekstradimit nga trojet etnike, që padyshim është një vazhdimësi e apetiteve të këlyshëve të Rusisë, siç thotë edhe Gj. Fishta.

Me të drejtë konludoj se, jo që është vetëm një vepër historike që ka munguar deri sot, por është padyshim një e vërtetë e pamohueshme kolosale. Këtu nuk gjejmë të përdorë elemente letrare, estetike, figurative, metaforike, përcjellë me glorifikime, ekzagjerime ose hiperbolizime që zakonisht hasim në krijimtarinë letrare. Jo se është vetëm i saktë në atë që shkruan, por del si një tribun, që shpalosë të vërtetën para hileqarëve “të qytetëruar” të Europës e më gjerë, edhe në ditët e sotme.

Jam thellësisht i bindur, se prof. Pllana është zëri i ashtit dhe gjakut, ëshët zëri i arsyes dhe ndërgjegjes, është zëri që identifikon sot “Kosova e Lirë”!

E FALËNDEROJMË prof. Nusret Pllanën që ka zgjedhur pikërisht Qytetin Student të Heidelbergut, ku Mërgata Shqiptare është bërë pjesë e kulturës dhe integrimit të këtij qyteti, për të promovuar librin e tij, përplot dëshmi, dokumente e vlera kombëtare! E falënderojmë përzemërsisht për praninë e tij, këtu në mesin tonë! Ndërkaq, juve miq e dashamirë të librit dhe ithtarë të së vërtetës, ju falënderojmë për praninë dhe vëmendjen tuaj!

Heidelberg, 18. 01. 2014

*Hasan QYQALLA/ Kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë  në Mërgatë (Ne foto: Michael Mwa Allimadi – Kryetar i Këshillit të Emigrantëve duke folur gjate promovimit.                         

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Hasan Qyqalla, Nusret pllana, Terrori i Serbise pushtuese

Radio Kosova e Lirë dhe Lufta e UÇK-së

January 4, 2014 by dgreca

Në 15-vjetorin e Radios “Kosova e Lirë”/

Shkruan: Prof. dr. Nusret PLLANA/

Përkufizimi/

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kishte zërin e saj. Ishte Radio “Kosova e Lirë”. Ishin gjashtë muaj jete të kësaj radioje në luftë, por nuk ka kohë në botë që i mat këta gjashtë muaj me kohën reale që mbush ditët, javët, muajt. Sepse, gjashtë muaj të Radios “Kosova e Lirë” janë muajt më dramatik të Luftës Çlirimtare të UÇK-së, janë gjashtë muaj zëri i kësaj lufte i shpërndarë në eter, pra në hapësirën e Kosovës, së pari e pastaj kudo që ka mbërri ky zë, që ishte zëri i shpresës dhe i lavdisë së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hyrje

Pas më shumë se 100 vjet robërie dhe pushtimi të më shumë së gjysmës së tokave shqiptare, në Kosovën e robëruar organizohet një ushtri, që lufton për çlirimin dhe lirinë e kësaj pjesë të gjeografisë kombëtare shqiptare. Vetëm ky fakt do të ishte i mjaftueshëm për ta hetuar, edhe si përmasë historike, peshën  e kësaj lufte për liri. Në këtë rrjedhë, vetëm ky fakt do të ishte i mjaftueshëm për të vënë në peshoren e historisë zërin e Radios “Kosova e Lirë”, si zëri i luftës çlirimtare dhe si zëri i lirisë së Kosovës që po bëhej me secilën krismë pushke, me secilën rënie në altarin e lirisë të Dëshmorëve të Kombit, me secilën foshnje që lindte maleve të Kosovës.  Kosova, përveç që kishte lindur Radion “Kosova e Lirë”, edhe në zjarrin e luftës për liri, edhe në krismën e pushkëve për çlirim, lindte edhe fëmijë që një ditë do të bëhen fëmijët e lirisë së Kosovës.

Luftës çlirimtare i duhej një zë i ardhjes së lirisë

Më 28 nëntor të vitit 1997 del publikisht për herë të parë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Del në varrimin e Mësuesit Dëshmor, Halit Geci, jo vetëm për ta dhënë kumtin se Kosova tashti më kishte dalëzotësen e saj, ushtrinë e saj çlirimtare, por edhe për të bërë publike, ashtu siç bëhet publike çdo gjë e madhërishme, që bëhet për lirinë e një vendi, në mënyrë që globi, sërish pas njëqind vjetësh ta kuptonte se diku në një pjesë të tij, të këtij globi pra, një gjeografi e një atdheu të një populli, ishte copëtuar dhe ishte pushtuar padrejtësisht. Në atë kohë, pra në vitin 1997 shkruan ato pak gazeta që dilnin në Kosovën e robëruar, shkruan dhe folën ato pak televizione shqiptare që ishin, por lajmin e transmetuan edhe mjetet botërore të informacionit, e që ishte pozitive  për kohën dhe rrethanat e asaj kohe. Mirëpo, kjo dalje publike e UÇK-së nuk e kishte zërin e saj, ende nuk ishte themeluar Radio “Kosova e Lirë”, e cila do të fliste me zërin e kësaj lufte, që ishte zëri i krismave të pushkëve të lirisë.

Prandaj, ky është ndryshimi në mes të asaj që shkruanin gazetat e asaj kohe dhe lajmit që transmetonin agjenci të ndryshme lajmesh, shqiptare apo të huaja, nga lajmi që do të transmetonte pak kohë më vonë Radio “Kosova e Lirë” përmes krismave të pushkëve të lirisë, që ishin krisma të luftëtarëve dhe luftëtareve të lirisë së Kosovës, pra ishin krisma të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë aspekt, nuk është aspak me rëndësi çka mund të kenë thënë dhe çka mund të thonë historianë dhe analistë të ndryshëm për ngjarjet e kohës së Luftës së UÇK-së, siç nuk është aspak me rëndësi se a përmenden të gjitha vendimet për krijimin e këtij zëri të lirisë së Kosovës, apo a përmenden ata që kanë punuar në ato detyra. Të gjithë, që nga themeluesit e agjencisë “Kosovapress” dhe Radios “Kosova e Lirë”, që nga shkruesit e teksteve për lajmet, që nga raportuesit nga vijat e fronteve, që nga folësit e deri te ata që përgatisnin teknikën e transmetimit, ishin ushtarë të lirisë. Vetëm ky fakt, i jep kuptim krejt tjetër nga kuptimi që kanë të gjithë transmetuesit radiofonik, gjatë gjithë kohës së robërisë së Kosovës, në njërin krahë, si dhe nga gjithë transmetuesit radiofonik të Kosovës së pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prandaj, zëri i Radios “Kosova e Lirë” ishte zëri i çlirimit dhe i lirisë së Kosovës dhe, që të dyja, edhe çlirimi edhe liria po krijoheshin nga një ushtri çlirimtare e kësaj pjese të robëruar të atdheut, që quhej Kosovë.

Zëri i Radios “Kosova e Lirë” ishte, prandaj, zëri i ardhje së lirisë së Kosovës. Këtë përmasë historike, askush, as koha e as historia, e të mos flasim për njerëzit e vdekshëm, nuk mund t’ia marrë Radios “Kosova e Lirë”.

Radio “Kosova e Lirë” ishte front i luftës çlirimtare të UÇK-së

Nuk është aspak me rëndësi të flitet dhe të tregohet sa ushtarë kishte Radio “Kosova e Lirë”. Po ashtu, nuk është aspak me rëndësi, sidomos për historinë e Luftës së UÇK-së, të thuhet e të shkruhet se kush ishin ata luftëtarë që gjenin kohë dhe mundësi të transmetonin lajmet nga të gjitha vijat e frontit të luftës në Kosovë. Por, është me rëndësi të dihet dhe të thuhet, se Radio “Kosova e Lirë” ishte front  i luftës çlirimtare të       UÇK-së, një nga ato fronte që sulmohej pamëshirshëm nga forcat e armikut. Për këtë fakt, do të ishte e mjaftueshme vetëm të përshkruheshin rrethanat, se si Radio “Kosova e Lirë” ishte e detyruar të zhvendosej nga një vend në tjetrin, deri edhe në bunkerët nëntokësorë, vetëm që të kishte mundësi të përhapte lajmin për frontet e luftës çlirimtare në Kosovë. Një ditë, kurdo që të jetë ajo ditë, kur do të krijohen muze lufte e muze për orë historie të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vizitorët do të mund të shohin edhe arsenalin e armëve që ka përdorur armiku, deri të avionët bombardues më 27 mars 1999, për zhdukjen e Radios “Kosova e Lirë”.

Për ndryshim nga mediat shqiptare dhe ato ndërkombëtare, mediat serbe, të cilat kanë shkruar dhe kanë komentuar gjerësisht për hapjen e mediave të luftës në Kosovë, janë të shumta, si Media Centar e Jedinstvo të Prishtinës, agjencia me nam të keq, Tanjug, gazetat Glas, Danas, Politika Ekspres, Veçernje novosti, Borba etj. “Politika Ekspres” në komentin e gjatë me titull “Terrorizmi medial rrezikon Serbinë“, pos tjerash shkruante: “Organizata terroriste, e cila veten e quan Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka formuar atë çka njeriu nuk mund ta besojë, agjencinë “Kosovapress” dhe radion “Kosova e lirë“. Nga ana tjetër, e përditshmja tjetër beogradase, “Veçernje novosti”, spekulonte për vendndodhjen e këtyre mediave, duke precizuar se ato ishin të lokuara te Dragobili, afër Malishevës ose në Drenicë. Edhe politikajtë serbë, zyrtarët shtetërorë dhe parti serbe kanë reaguar ashpër, duke kërkuar nga pushteti serb që mediat e UÇK-së menjëherë të shkatërroheshin. Zh.Igiq, shef i Partisë Socialiste të Serbisë për “Kosovë e Metohi”, u ka deklaruar mediave serbe se “fillimi i këtyre mediumeve paraqet edhe një provokim të planifikuar ndaj Serbisë e Jugosllavisë dhe ndaj sistemit kushtetues të tyre”.

E ashtuquajtura “Iniciativa Demokratike e serbëve të Kosovës e Metohisë” kërkonte nga organet shtetërore “t’i shkatërrojnë pamfletet dhe buletinet e UÇK-së“. Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Informimit të Serbisë ka shtuar: “Këto dy zëdhënëse nuk ekzistojnë në mënyrë ligjore, ato nuk janë të regjistruara në ministrinë përkatëse. Mund të ju them me përgjegjësi se Ministria e Informimit do t’i marrë të gjitha masat nga kompetencat e veta, në radhë të parë do të ngriten aktakuza në prokurorinë përkatëse”. Si rezultat i këtyre kërcënimeve, pasuan bombardimet. Dy aeroplanë jugosllavë, më 27 mars 1999, vetëm tri ditë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, hodhën dy  kasetë bomba(të ndaluara me konventa ndërkombëtare) dhe dy raketa, me ç’rast vritet djali i vetëm i familjes Berisha, Elbasan(Jakup) Berisha dhe plagosen dhjetra civilë të fshatit Berishë.

Janë pra gjashtë muaj jete dhe veprimtarie të Radios “Kosova e Lirë”, por siç u tha më sipër, as këta muaj, as kjo kohë nuk maten me përmasën e treguesve realë, të rrethanave normale, për të dëshmuar veprimtarinë e një institucioni siç ishte Radio “Kosova e Lirë”. Po, pra, Radio “Kosova e Lirë” ishte institucion i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pse mund të thuhet kështu?

Mund të thuhet, qoftë edhe vetëm për faktin se përmes kësaj agjencie lajmesh, siç ishte “Kosovapress-i” dhe përmes zërit të kësaj radioje, siç ishte Radio “Kosova e Lirë”, shqiptarët dhe bota informoheshin për rrjedhën e luftimeve në të gjitha frontet e luftës së UÇK-së, informoheshin për të gjitha kontaktet kombëtare e ndërkombëtare që kishte UÇK-ja, informoheshin me të gjitha rëniet e Dëshmorëve të Kombit në vijat e frontit të luftës për çlirim dhe liri, informoheshin për të gjitha dhembjet e njerëzve, qoftë të atyre që jetonin me vite maleve të Kosovës, qoftë të atyre që siguronin ekzistencën fizike të tyre nga sulmet barbare të armikut të lirisë së Kosovës.

Prandaj, kur flasim për këto fakte, nuk është shumë me rëndësi kush ishin ata ushtarë që e mbanin gjallë këtë radio, sepse që të gjithë ishin ushtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, sepse që të gjithë ishin ushtarë të lirisë, sepse që të gjithë ishin pjesë e fronteve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përfundim

Radio “Kosova e Lirë” bashkë me agjencinë “Kosovapress” është themeluar me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ky është vetëm fakti historik. Shtabi kishte një komandant fizik, ai që udhëhiqte operacionet e luftimeve. Por Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte edhe një Komandant shpirtëror, që ishte Komandanti Legjendar Adem Jashari. Prandaj, luftëtarët e radios “Kosova e Lirë” ishin ushtarë të Adem Jasharit, të atij Komandanti që pas më shumë se një shekulli robërie të kësaj pjese të gjeografisë sonë kombëtare, kishte formuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për ta çliruar këtë pjesë të atdheut dhe për ta bërë të lirë, ashtu siç e donin shqiptarët liridashës. Prandaj, luftëtarët e radios “Kosova e Lirë”, ishin ushtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe ishin luftëtarë të çlirimit dhe të ardhjes së lirisë së Kosovës. Vetëm ky fakt është i mjaftueshëm për ta kuptuar përmasën e peshës historike të këtij institucioni të lirisë së Kosovës, në vitet më të lavdishme të historisë së Kosovës, në vitet e Luftës së ushtrisë Çlirimtare të saj.

Prishtinë, më 4 janar 2014

Filed Under: Featured Tagged With: dhe Lufta e UCK, Nusret pllana, Radio e lire

Libri i gjenocidit serb, në shtatë gjuhë të huaja dhe 100 faqe shtesë

June 29, 2013 by dgreca

Në një mesazh që ka marrë redaksia e gazetës Dielli nga Prof.dr. Nusret Pllana, libri i shkruar nga ai për gjenocidin e serbëve në Kosovë është përkthyer tashmë në shtatë gjuhë të huaja.Libri ka edhe një risi tjetër, ai është pajisur më të dhëna të reja shtesë, me ngjarje dhe foto të reja. Janë 100 faqe shtesë që hedhin më shumë dritë në masakrën gjenocidale të makinës shtetërore serbe.Ja mesazhi i plotë:

Të nderuar miq të dashur e të paharruar!

E nderuar Vatër

E nderuar redaksi e Diellit

Ju njoftoj se: Ky libër, të cilit i keni dhënë publicitet të merituar (në krye me VATREN Shqiptare), së shpejti pritet të ribotohet për herë të pestë, por i plotësuar edhe me 100 faqe tjera, materiale shokuese dokumentare. Ndërkaq fare në fund të librit, në gjuhën angleze janë edhe vlerësimet, vështrimet, recensionet dhe kumtesat e 21 autorëve ndërkombëtarë, nga Europa dhe bota përparimtare, që pa dyshim se ia shtojnë vlerën, edhe ashtu të veçantë të këtij libri dokumentar, i cili deri më tani është promovuar në 40 qendra botërore. Këtij ribotimi do t’i bashkangjitet edhe DVD – me filmin dokumentar “Rrugëtimi i një libri nëpër botë”, i përkthyer edhe në anglisht e gjermanisht, në të cilin është futur një pjesë e konsiderueshme e promovimit të këtij libri edhe në New York, Washington, Detroid e Melbourne të Australisë. Ndihem tej mase i kënaqur që, bashkëpunimi ynë profesional e intelektual, gjithnjë në shërbim të çështjes kombëtare po rezulton përherë e më suksesshëm.

Ju uroj shëndet e gjithë të mirat në jetë!

I juaji, Prof.dr. Nusret PLLANA

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gjenocidi serb ne Kosove, ne shtate gjihe, Nusret pllana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT