
Diplomati Vili Minarolli, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, paraqet para publikut librin e tij të fundit “Oligarkët”. Z.Minarolli rrëfen se si qeveriset Shqipëria nga një grusht njerëzish që kanë në duar qeverisjen e vendit dhe ushtrojnë kontrollin politik dhe ekonomik për përfitime personale dhe korruptive. Në roman tregohet si u krijuan oligarkët në Shqipëri, që sot drejtojnë politikën jo vetëm me pjesmarrje të drejtëpërdrejtë në të duke qënë deputetë, apo kryetarë bashkish por edhe indirekt duke emëruar deputetë apo antarë të kabinetit qeveritar dhe drejtues të pushtetit lokal, duke qënë pronarë mediash private si mjete të manipulimit të individëve dhe të mendësisë kolektive të shoqërisë, nëpërmjet një propagande të llustrosur, që ka si elemente kryesore mashtrimin , shpifjen dhe fshehjen e së vërtetës.

DIELLI: ZOTI MINAROLLI, SË FUNDMI JU KENI BOTUAR ROMANIN OLIGARKËT. KUR FLITET PËR OLIGARKË, NË PËRGJITHËSI NJERËZIT KANË PARASYSH TË PASURIT NË RUSI PAS RËNIES TË REGJIMIT KOMUNIST . PSE KY TITULL ?

Dr. VILI MINAROLLI: Titulli Oligarkët nuk është as metaforik as simbolik, po i drejtëpërdrejtë ashtu siç e ka kuptimin e përdorur që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Platoni i cilëson oligarkët si një grusht njerëzish që kanë në duar qeverisjen e vendit dhe ushtrojnë kontrollin politik dhe ekonomik për përfitime personale dhe korruptive. Virtyti pushon së luajturi një rol themelor në politikë sepse këtë rol e zë prona, pasuria. Sipas Platonit një qeveri e drejtë dhe një qeveri e kapur nga oligarkët nuk mund të bashkëjetojnë. Edhe Aristoteli në veprën “Politika’ thotë se kjo formë nënkupton fuqinë e të pasurve. Nganjëherë spekullohet me termin Oligark, sikur këta janë sipërmarrës të suksesshëm që sigurojnë të ardhura shumë më tepër se të tjerët nga puna e tyre. Një nga kapitujt e librit ka si nëntitull një thënie të Frantz Fanon: “Pasuria nuk është frut i punës por i grabitjes të organizuar dhe të legalizuar.” Pavarësisht si fshihet thelbi,në realitet oligarkët janë ata që influencojnë drejtëpërdrejtë vendimmarrjen e qeverisë apo të parlamentit dhe diktojnë axhenda të caktuara politike në funksion të interesave të tyre financiare. E gjykova të nevojshme për të bërë këtë hyrje për të treguar se në çdo kohë dhe në çdo vend oligarkët janë të njëjtë.
DIELLI: TEK NE, NË FILLIM TË VITEVE ’90 NË SHQIPËRI NUK KA PATUR NJË SHTRESË NJERËZISH TË PASUR. SI U KRIJUA TEK NE KJO SHTRESË?
Dr. VILI MINAROLLI: Oligarkët janë krijuar në vende të rilindura pas një diktature apo një lufte, me një sistem ligjor inekzistent, pa një traditë demokratike apo akoma më keqsi tek ne pa një traditë shtetformuese. Këto ishin disa nga premisat që oligarkët e rinj lindën pas shkërmoqjes të regjimeve komuniste në Europën lindore dhe qëndrore, që kishin afërsisht të njëjtin sistem të organizimit politik dhe ekonomik, ku mbizotëronte prona kolektive ose më saktë monopoli shtetëror mbi pronësinë. Në vendin tonë të gjitha sa thashë më lart ishin më të theksuara. Regjimi komunist gati pesëdhjetë vjeçar kishte kolektivizuar çdo pronësi me përjashtim të antarëve të familjes dhe mendohej se në një nisje normale drejt ekonomisë së tregut të gjithë do të kishin mundësira pak a shumë të njëjta, në kushtet e një ndarje të barabartë të asaj që quhej pronë e përbashkët. Por si në të gjitha vendet ish komuniste, dukej ishte përpunuar pak a shumë e njëjta strategji, që në roman shprehet në një udhëzim që u jep diktatori i fundit drejtuesve të partisë sunduese të vendit, që ndoshta mund të ishte po ai udhëzim që u dha për të gjitha vendet e ish kampit komunist. Në një nga mbledhjet me drejtuesit më të lartë të vendit, kur ishte bërë e qartë fundi i regjimit komunist, ai shprehet: “Sistemi ynë socialist ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji. Kjo strategji do të synojë në dy drejtime: në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në krijimin e pluralizmit politik. Të drejtat e njeriut janë diçka brenda nesh dhe, deri diku, mund të abuzohet me to, por pluralizmi do të bëhet se s’bën. Kundërshtarët tanë do t’i nxisim të krijojnë parti sa të duan: të majta, të djathta dhe të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga ne. Programet e themelimit të këtyre partive do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë po ne. Në krye të këtyre partive duhet të nxirren njerëz që përkrahin strategjinë tonë. ” dhe më tej shton :”“Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tri legjislaturave do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes, të cilin e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë.”. Kur i mendon se këto fjalë janë thënë në vitin 1989, kur akoma regjimi nuk kishte falimentuar dhe më pas e mendojmë rrugën që kemi ndjekur në këto tridhjetë vite, pa frikë themi se gjithçka ka qënë e projektuar me saktësi që në atë kohë. Unë mendoj se fillimi i realizimit të kësaj strategjie ishte krijimi i asaj që u quajt Qeveria e Unitetit Kombëtar në pranverë të vitit 1991. Kjo qeveri duke patur në një rol kyç një person, pinjoll i një prej familjeve më të larta në hierarkinë komuniste, tashmë përfaqësues i rëndësishëm i opozitës antikomuniste që pretendonte se kishte më shumë se të tjerët njohuri për ekonominë e tregut, realizoi politikën antikombëtare të privatizimeve strategjike që kishin të bënin me shpërndarjen e pronës të përbashkët ( më saktë duhet thënë me grabitjen e pronës) nga ata që vazhdonin të kishin pushtetin politik. U miratua ligji 7501 për shpërndarjen e tokës antarëve të kooperativave bujqësore, duke u mohuar të drejtën e pronarëve të vërtetë që iu ishte rrëmbyer prona dhe konfiksuar me dhunë nga regjimi komunist. Pasurinë e kooperativave bujqësore dhe të fermave shtetërore e përvetësuan drejtuesit e tyre shtetëror apo partiakë, ato që quheshin baza grosiste kryesisht me mallra importi u grabitën nga drejtuesit e tyre dhe më pas iu vu flaka për të humbur çdo gjurmë të vjedhjes, të gjitha lokalet e shërbimeve , magazinat dhe dyqanet e të gjitha llojeve iu dhanë kundrejt një pagese fare simbolike atyre që punonin në to që në përgjithësi ishin njerez të lidhur me regjimin. Dhe në ato ditë të zymta të dimrit të vitit 1991 kur shumica e popullit mendonte për të siguruar bukën e gojës, ishin këta grabitës që përbënë shtresën e parë të kapitalistëve shqiptarë. Ata dolën në treg si tregtarë mallrash duke siguruar një pasuri financiare për të vazhduar më tej në rrugën e tyre të pasurimit. Dhe po këta do të bëheshin pas disa muajsh blerësit e fabrikave, punishteve, trojeve, anijeve të flotës tregtare dhe gjithçkaje që kishte vlerë në këtë vend, sepse jo vetëm tashmë kishin një bazë të mirë financiare, por edhe shteti që po shkërmoqej kishte menduar të shpërnadante tek këta rezervat e veta valutore që i mbante jashtë sistemit bankar.
DIELLI: Ç’FARË ISHIN KËTO REZERVA VALUTORE JASHTË SISTEMIT BANKAR TË VENDIT?
Dr. VILI MINAROLLI: Kjo çështje është analizuar në roman. Dihet që prej shumë vitesh udhëheqja komuniste në Shqipëri për efekte propagandistike financonte jo lirë parti apo lëvizje që quheshin marksiste leniniste, apo edhe individë që gjoja ishin zëdhënës të politikës shqiptare në botë. Për këtë qëllim prej vitesh në KQ të PPSH ekzistonte Fondi i Solidaritetit dhe shpërndahej sipas urdhërit të kreut të partisë. Nuk është e rastësishme që shefi i financës i këtij institucioni u bë që në fillim një biznesmen me fabrikë ku punësuan disa qindra punonjës. Po ashtu për qëllim të kundërspiunazhit që mendohej se funksiononte në shumë vende të botës, që ndiqte dhe survejonte çdo lëvizje dhe përpjekje që mund të rrezikonte regjimin në Shqipëri, Ministria e Brendshme kishte një fond të veçantë që paguante agjentët e saj. Nga ana tjetër edhe banka e Shtetit kishte depozitën e saj të fshehtë që përdorej vetëm nga udhëheqja e saj për kurimin e tyre dhe vizitat private e pushime në vendet e huaja, doktorët e huaj apo vilat dhe personelin që shërbente në to në vende të Europës siç ishte në Francë. Të gjitha këto rezerva valutore iu shpërndanë njerëzve më të besuar të regjimit, veçanërisht atyre që kishin punuar në tregëtinë e jashtme dhe apo edhe në ambasada si atashe tregtarë që në shumicë ishin njerëz të Sigurimit të shtetit, por edhe njerëzve brenda vendit që paraqisnin garanci të plota që ky “ investim” nuk do të shkonte dëm. Këta persona u quajtën njerëz të “shkathët” në ekonominë e tregut që po zhvillohej dhe ata arritën shumë shpejt ta shumëfishonin kapitalin e tyre financiar, sepse për ta “trau i doganave” nuk mbyllej asnjëherë , sistemi i tatimeve që në këtë kohë filloi të funksiononte si një sistem i korruptuar dhe sistemi informal i ekonomisë ishte në kulmin e lulzimit.
DIELLI: DHE KËTA PËRBËNË ATA QË JU I QUANI OLIGARKË?
Dr. VILI MINAROLLI: Sigurisht që jo, sepse akoma nuk kanë dalë në skenë ata që më pas do tëquheshin oligarkë në kuptimin e asaj që thanë në fillim të shkrimit. Është akoma koha e konsolidimit të partive politike dhe e eleminimit të shumë prej tyre në krahasim me periudhën e parë kur u lejua pluralizmi politik në vend. Krijimi i kësaj shtrese të pasur u bë e mundur atëhere kur politika , si pasojë e ashpërsimit të klimës për më shumë pushtet, e ndjeu nevojën e mbështetjes nga fuqia e kapitalit të tyre financiar. Jemi në hapat e para të krijimit të kësaj shtrese, kur qeveritë që ndryshohen si rezultat i rotacioneve kanë nevojën për më shumë kapitale financiare për shkak të shpenzimeve në fushatat elektorale dhe janë të pasurit, kryesisht ndërtuesit në zonat urbane dhe hapësirat turistike që ua ofrojnë me dëshirë këtë mbështetje pothuaj të dy forcave politike kryesore të vendit. Por akoma qeverisja e vendit nuk është shndërruar në një simbiozë të politikës dhe oligarkëve. Në vitin 2013 ndodh rotacioni normal i qeverisjes, por pas disa muajve do të kuptohej se qeverisja e re e të majtës që u quajt Rilindje, kishte bërë pakt me krimin e organizuar dhe pushteti politik qëndror dhe lokal kishte në përbërjen e tij kriminelë të dënuar për krime në vend, por në shumicën e rasteve në vendet europiane.Këta kishin fituar pushtet politik me anë të pasurisë të vënë në rrugë kriminale, me anë të bandave që drejtonin në vend, me anë të kërcënimeve dhe shantazheve ndaj zonave ku kandidonin si dhe me anë të blerjes të votave të shtresave të varfëra të popullsisë. Në këtë simbiozë të politikës me krimin e organizuar filloi kanabizimi i vendit dhe furnizimi i bandave që vepronn jashtë me drogën “Made in Albania”.Jo vetëm kaq po krimi i organizuar shqiptar që tashmë kishte mbështetje politike u lidh me krimin ndërkombëtar dhe shpejt vendi do të bëhej shpërndarës i drogave që vinin nga Amerika latine apo nga Lindja e Mesme, veçanërisht nga Afganistani dhe Turqia. Vendi u kthye në një lavatriçe e pastrimit të parave që vinte nga aktivitetet kriminale dhe qeveria ishte pjesë e fitimeve nga ky aktivitet, që i siguronte pushtetin politik. E gjithë kjo veprimtari kriminale kryhej nën ditën me diell dhe bandat kriminale kishin mbështetjen e institucioneve ligj zbatuese dhe sytë e veshët e mbyllura të përfaqësive diplomatike dhe organizmave ndërkombëtare monitoruese në Shqipëri. Pikërisht në këtë periudhë u duk qartë se qeverisë jo se i mungonte aftësia për t’u përballur dhe luftuar krimin e organizuar, jo vetëm u idendifikua si pjesë e tij,por ishte e detyruar të bënte lojën e tij. Ajo e nxorri në ankand pasurinë publike dhe fituesit e garave në tenderat formalë dhe me fitues të parazgjedhur ishin pikërisht kjo shtresë që shtypi dhe opinioni publik filloi ta quajë oligarkia e re. Qeveria u shpërndau “bono” në formë koncesionesh pjestarëve të oligarkisë dhe vuri në funksionim ato që u quajtën Partneriteti Publik Privat, duke u dhënë privatit të zgjedhur prej saj (lexo oligarkut) të drejtën e financimit nga buxheti i shtetit. Kjo mund të ishte një formë e efekshme në një shtet ku funksiononin ligjet dhe institucionet e pavarura ligjore, por jo në Shqipëri, ku kreu i qeverisë me anë të parlamentit kukull kishte tre vjet që kishte suprimuar gjykatën kushtetuese dhe gjykatën e lartë dhe me atë të ashtuquajturën reformë në drejtësi, kishte futur në kolaps sistemin ligjor të vendit. Prandaj dhe parlamenti monopartiak miratonte në vazhdimësi ligje që mbajnë emrat e oligarkëve që është forma më klasike e një shteti oligarkik. Në roman tregohet si u krijuan oligarkët në Shqipëri, që sot drejtojnë politikën jo vetëm me pjesmarrje të drejtëpërdrejtë në të duke qënë deputetë, apo kryetarë bashkish por edhe indirekt duke emëruar deputetë apo antarë të kabinetit qeveritar dhe drejtues të pushtetit lokal, duke qënë pronarë mediash private si mjete të manipulinit të individëve dhe të mendësisë kolektive të shoqërisë, nëpërmjet një propagande të llustrosur, që ka si elemente kryesore mashtrimin , shpifjen dhe fshehjen e së vërtetës. Thuhet se në vend funksionojnë vetëm dy burime që sigurojnë rritjen e financave të individëve, ndërtimi dhe droga. Në fillim të aktivitetit ndërtuesit ndoqën rregullat normale të tregut, por kur konkurenca u bë e pandershme sidomos me përfshirjen e politikës në biznesin e tyre dhe prishjen e tregut për shkak të përfshirjes të parave të drogës në këtë industri, sot këta oligarkë, që në përgjithësi vijnë nga bota e krimit apo të lidhur me të, drejtojnë edhe politikën e vendit. Fitimet nga droga dhe prostitucioni i bosëve të krimit shqiptar vijnë e pastrohen në Shqipëri në ndërtim apo në aktivitete të tjera fitimprurëse dhe lavatriçe të pastrimit të tyre janë institucionet financiare private, agjensitë e transfertave dhe këmbimit të valutave, sallat e kumarit dhe të basteve etj. Në interes të grupit të oligarkëve që mbajnë në këmbë qeverisjen e vendit shpërndahen fonde nga buxheti i taksapaguesve të vendit apo shpërdorohen këto fonde. Koncesioni i Check UP me një vlerë prej 120 milion eurosh iu dha një oligarku që ka monopolin e cigareve në vend dhe ndërsa taksapaguesi paguan detyrimin e konçesionit, efekti është pothuaj i papërfillshëm sepse mungon infrastruktura dhe kontrolli sepse sistemi shëndetësor është në kolaps të plotë. Koncesioni i dializës prej disa milion eurosh iu dha një pronari kafeneje në një nga qytetet e vendit, për të fshehur përfituesin kryesor. Konçesioni i sterilizimit spitalor është një tjetër rast flagrant. Trualli ku ishte Teatri Kombëtar dhe disa mijra të tjerë pranë tij me një ligj të posaçëm të parlamentit iu dhanë një oligarku tjetër të qeverisë për të ndërtuar kulla të larta. Prishet kontrata e ndërtimit të një autostrade me një firmë të huaj të lidhur me qeverinë paraardhëse, për ta vazhduar ndërtimin firma e një oligarku dhe arbitrazhi ndërkombëtar e detyron qeverinë të paguajë një detyrim prej 45 milion euro. Mbyllet me dhunë një televizion i huaj për shkak se ishte i pafutur nën sqetullat e qeverisë dhe se dëmtonte interesat e oligarkëve të mediave që i shërbejnë pushtetetit dhe përsëri arbitrazhi e detyron qeverinë shqiptare të paguajë një dëm prej 110 milion eurosh. Dhe skandali i fundit ishte ai i inçeratorëve të plehrave, tenderi i të cilave i jepet një personi që është në kërkim ndërkombëtar. Ndërsa një qytetar i varfër i vendit kur nuk paguan faturën e energjisë prej 2 apo 3 qindmijë lekë afërsisht 200 euro burgoset duke lënë në mëshirë të fatit fëmijët e tij.
DIELLI: ZOTI MINAROLLI, SI SHPJEGOHET FAKTI QË SHQIPËRIA CILËSOHET EDHE NGA INSTITUCIONET E SPECIALIZUARA NDËRKOMBËTARE SI NJË VEND I KAPUR NGA KRIMI DHE KORRUPSIONI DHE NGA ANA TJETËR, KOMISIONI I ZGJERIMIT TË BE-SË E KLASIFIKON VENDIN TË AFTË PËR HAPJEN E NEGOCIATAVE TË ANTARËSIMIT NË BE?
Dr. VILI MINAROLLI: Edhe kjo ide është trajtuar artistikisht në roman. A është e interesuar qeveria të hapë negociatat e antarësimit? Para vitit 2013 parlamenti europian kishte vënë si kusht votimin e tre ligjeve në parlament. Opozita e atëhershme që drejton sot vendin nuk pranoi t’i votonte këto ligje dy vite me rradhë. Sot parlamenti europian ka vënë 15 kushte për hapjen e negociatave të antarësimit ku përfshihen ngritja e Gjykatës kushtetuese, penalizimi sipas ligjeve i autorëve që organizuan vjedhjen e votave, luftë pa kompromis të krimit të organizuar etj. A është e interesuar qeveria aktuale për hapjen e negociatave të antarësimit në BE? Kjo temë trajtohet në një kapitull të veçantë, ky proçes konsiderohet nga dy personazhe të interesuar si cënim të sovranitetit që do të thotë si pamundësi për të realizuar ato veprime antiligjore, antikushtetuese dhe anti demokratike që janë në kundërshtim me standartet e BE. Si ilustrim të asaj që trajtohet në roman që ka të bëjë me rolin dhe qëndrimin e faktorit ndërkombëtar në vendin tonë, shërben edhe ky fakt: Kryemonitoruesi i Parlamentit europian për Shqipërinë që në përfundim të misioneve të tij paraqiste informacione të shkëlqyera për gjendjen e vendit duke fshehur të vërtetat, pasi nuk u votua për një mandat tjetër si deputet në parlamentin europian, është punësuar si këshilltar i kryetarit të parlamentit shqiptar. Jo vetëm për mua që kam shërbyer disa vite në shërbimin diplomatik por edhe për qytetarët e thjeshtë tashmë është i pakuptueshëm për të mos thënë i dyshimtë roli i përfaqësuesve ndërkombëtar qoftë i atyre të misioneve monitorues, qoftë i disa emisarëve të posaçëm që vijnë për të justifikuar të pafalshmen për standartet që kanë në vendet e tyre, qoftë i disa përfaqësuesve diplomatikë në vendin tonë. Çdo kapitull ka si nëntitull një thënie nga njerëz të shquar. Në këtë rast dua të përmend dy prej tyre, të Platonit: “Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë.” dhe të Xhorxh Oruellit :”Populli që zgjedh politikanë të korruptuar nuk është viktimë …por bashkëpuntor.”
DIELLI: PYETJA E FUNDIT, JU ZOTI MINAROLLI PARA DISA VITEVE, NË MOS GABOJ PARA SE TË KALONI NË KRYE TË MISIONEVE DIPLOMATIKE NË ATHINË DHE NË VJENË, KENI QËNË ANGAZHUAR NË POLITIKËN AKTIVE NË SHQIPËRI DUKE QËNË EDHE DEPUTET I NJË PREJ FORCAVE POLITIKE KRYESORE. SI E MENDONI TË ARDHMEN E VENDIT?
Dr. VILI MINAROLLI: E vërtetë, unë u angazhova në politikë në një forcë të pozicionuar si antikomuniste për shkak të trashëgimisë familjare dhe të dëshirës për të bërë diçka të mirë në dobi të vendit. I shërbeva këtij qëllimi gjatë gjithë karierës time politike dhe profesionale. Kapitulli i fundit ka si nëntitull thënien e famshme të Martin Luter Kingut në mitingun para memorialit të Linkolnit :” Unë kam një ëndërr.” Kjo ishte ëndrra për të cilin ai kishte luftuar gjithë jetën dhe për të cilën edhe e vranë. Por ëndrra e tij nuk mbeti hipotetike. Ajo u realizua dhe është frymëzim për arritje të tjera po aq të mëdha që luftoi Martin Luter King. Kapitulli i fundit ,epilogu i romanit është ëndrra ime, që një ditë jo shumë të largët edhe Shqipëria do të bëhet një shtet demokratik, ku të sundojë ligji. Romani Oligarkët është një ilustrim dhe frymëzim nga filozofia e Karl Popperit se në kundërshtim me teorinë klasike të demokracisë që është sundimi i popullit dhe njerëzit kanë të drejtë të sundojnë, ai thotë se askund populli nuk sundon në të vërtetë. Janë qeveritë ato që sundojnë dhe për fat të keq edhe burokratët . Ai pranon “jo një qeveri të sundimit të popullit, por një shtet i sundimit të ligjit, që paralajmëron shkarkimin pa gjakderdhje të qeverisë më shumicë votash”.
DIELLI: Faleminderit për intervistën!
Dr. VILI MINAROLLI:Kënaqësia ishte imja.Faleminderit Diellit!(Publikoi gazeta Dielli, SHBA)