SHKRUAN: DRITA LUSHI/
1-Gjatë leximit…
Në Orët e Akullit, njeriu ndoshta ngrin, ngrin vërtet,pushon ekzistencën, transformohet, ndalet, humb përgjithmonë,shndërrohet në materie pa frymë, dekompozohet dhe është veç eter.
Ne Orët e akullit Poeti, s’ngrin, por lind dhe rilind, me fjalën e tij,ngroh dhe ngrohet, e orët shkrijnë akullin duke vërshuar me poezi të bukura, që bëjnë ringjalljen e shpirtrave.
“Orët Akullit” për shumëkënd, janë inekzistencë, fund, por jo për Demir Gjergjin.
Brenda këtyre orëve Ai gjallon me fjalën e tij, duke na dhënë mrekullisht një libër, ku origjinaliteti dhe e veçanta pikas që në krye të herës.
Poezia e tij nuk është standarde, e rregullt si ato bankat në klasat e dikurshme, as si ato uniformat që veshin nxënësit në shkolla. Ajo është spontane, diku e lirë, diku e rregullt, për të ngritur krye, ose për tu zbutur më tutje, diku ashpërsohet, diku të bën të mendohesh, diku gjen veten, diku gjen mikun, diku shoqen.
Poezia e tij, diku është vetëtime, diku shi malli, diku pranverë brenda dimrit, diku një vjeshtë e paqtë, e diku një ngrohtësi në lulëzim.
Gjithçka gjen Brenda “Orë Akulli” të Demirit:
”Fraza të ftohta”
“Zhuljeta viktimë e…
Romeo pasion i…”
Lektori, plak i lashtë
i flashkët krejt,
heq syzet
vë syzet:
“Zhuljeta…!”
në bangën e tretë,
gjaku i Romeos ndizet
buzët e Zhuljetës digjen
Syzet:
“Jaaaaashtë!”
RomeoZhuljeta,
del,
refugjon
një tragjedi të re!
Përsëritja e një zanoreje tek e njëjta fjalë si psh : “Jaaaaashtë”,që e ndeshim edhe në poezi te tjera, të bën jo vetëm ta lexosh, por padashur e thua me zë, atë fjalë dhe mënyrë të thëni, që aq shpesh e ndeshim në fjalorin tonë thuajse të përditshëm.
Aty ndesh “Uverturë”,”Arie”, “Metamorfozë”, “Romancë në re”, “Gjysmëputhje”, qe i japin një hapësirë plot ngjyra librit.
Në të tjera poezi, vihet re një ndërtim që në dukje të jep përshtypjen e një loje me fjalët, nëse e sheh me sy të lirë:
“Me vjeshtën qesh
me heshtat hesht
ne troje resh
nis tjetër jetë
me ty që je
këtu ku s’je”
Por nëse vëmendja përqendrohet në vargje, vë re se aty, qoftë dhe në një shpalosje në dukje abstrakte, lind dhe zhvillohet metafora e kuptimtë dhe ekzistenciale e poezisë,logjika e të menduarit të stërvitet, dhe të shtyn të lexosh më tej.Shpesh, në poezi ka antiteza, ose abstraksione të mrekullueshme, ose “ngjitje sup me sup” të fjalëve që ndjekin ose shtyjnë njëra- tjetrën për nga kuptimi.
“Ti ishe tashmë
pagëzim i dritës me ajrin
orgazma e ujit me zjarrin”
Kjo i bën më “ndjellëse” këto poezi, te cilat për hir të së vërtetës, kanë dhe një filozofi fine brenda tyre.
Skalitjet metaforike,epitetet, krahasimet e mjaft rrjedhshmëri figurative,të bëjnë ti lexosh edhe përsëdyti këto poezi:
“Ndërsa lëkura dhe petkat e mia,
mbusheshin me allçinë e bardhë
të humbjes,
drita e nginjur me jetën time
rrëzë shtatores së shtangur
ngrinte”
Në mjaft poezi, vihet re një marrie-dhënie me tabanin popullor! Diku poeti merr dhe përdor një fjalë, e diku fjala zë vend natyrshëm në qëndisjen poetike.
Duke udhëtuar ndër vargjet e Demirit, diku ndalem e pushoj, rilexoj, mendoj dhe kur arrij në“Qiejt e Mallit”shtangem të “shoh”:
“Si bluzë e zhvesh peizazhin dheu,
për mua nis e bëhet qiell
nga poshtë më sheh me tmerr Anteu,
mbi re, ylli yt më ndjell!”
Dhe s’ka si të mos “dëgjosh” fluturimin poetik tek “Janari i Mynihut”
D…ing…!
D…ing…!
D…ing…!
Thërrasin kambanat në Platz Marin.
Tani që janari ka shkrirë,
kambana e zemrës regëtin
në Platz Marin:
…Ing…!
…Ing…!
…Ing…!
I konceptuar në mënyrë krejt të veçantë, ky libër unik në llojin e vet,
“qëndron” fitimtar mbi “Shtatë mbretëri të humbura”, ku “Ëndrra”, “Udha”, “Nata”, “Vera”,nuk janë të “Huaja” në “Mbretërinë e fundit” Pastaj natyrshëm “hapen” dhe shpalosen “Shtatë portat e qiellit”, e Dritës e Zërit, e Ëndrrës, e Mungesës, e Mallit, e Parajsës dhe me anë te Portës se Ajrit, “zbresin” në “Shtatë shtatoret e shtatorit”.
Qëndroj në mozaikun poetik për të parë formëzimin dhe gdhendjen e poezive të poetit Gjergji:
“Trini e sh(tr)enjtë+ ti”
“Deti, lumi mali +Ti
Vera, vjeshta, dimri+Ti
Atëherë, sot, mot+Ti
Ik, eja rri +Ti”,
E ky mozaik, ngelet i pikturuar jo vetëm në poezitë e Demirit, por mbetet në vetëdije me anë të mendimit dhe e fotografon si në një blic të shpejtë dhe në shpirt, çdo njeri që merr në dorë librin dhe “udhëton” ndër faqet e tij.
Një mënyrë moderne e konceptimit, ndërthurjes, dhe shpalosjes së pjesëve të librit, i cili mund të lexohet, jo faqe pas faqeje por në të gjitha mënyrat dhe drejtimet.
Mjaft të hapësh librin tek përmbajtja, dhe kemi një poezi te re, të stilit ala Demir, sa çuditesh me këtë gjetje befasuese.
Shoqërimi me skica e sjell çdo poezi edhe në vështrimin tonë, përpos leximit .
Teksa i lexon, këto poezi i ndjen mjaft afër vetes, për nga përmbajtja dhe mënyra e të shkruari. Ato janë larg frazave të pakuptimta dhe gjetjeve artificiale.
Libri “Orë Akulli” ka poezi qe do të dëshironim t’i lexonim në një çast pushimi, çlodhjeje, dhe ç’është më e bukura, të bëjnë t’i lexosh me zë!
2- Gjatë dëgjimit…
CD-ja bashkëngjitur në fund të librit, të bën jo vetëm ta ndjesh dhe ta dëgjosh, por ajo bëhet e prekshme nga ne.
Zërat e vetë autorit dhe gazetares Kozeta Hoxha, që përcjellin vargjet në timpanin tonë, janë jo vetëm emocionues, por depërtues, ndjenjësorë e të ëmbël dhe u japin një formë tjetër madhështore atyre ndryshe nga ajo e të lexuarit.
Me CD-në, e “merr” poezinë me vete, nuk e lë asnjë minutë të “flejë” në faqe libri, por bisedon me të, i qesh dhe të buzëqesh, të jep zë dhe jetë, gjatë rrugëtimit tënd të përditshëm
3- Gjatë leximit dhe dëgjimit të … “Orë Akulli”:
Ndien diellin poetik, t’i shkrijë ato (orëakujt) e një lumë vargjesh të lira, pa korniza, pa konture, pa gardhe dyshimesh e censurimi të shpirtit të poetit, dhe ndjen të mbushet deti i dëshires së lexuesit, i cili do pikërisht këtë liri vargu, ku horizonti është nga infiniti deri në infinit!