• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EUGJEN MERLIKA: PAK FJALË PËR NËNËN NË VITIN E NJËQINDTË TË LINDJES

August 27, 2020 by dgreca

“Nëna, jeni Ju që keni në dorë shpëtimin e botës”- LEON TOLSTOI-

Mban datën 27 gusht 1920 një letër që gazetari Sotir Gjika, drejtor i së përjavëshmes “Kuvendi”, të botuar në Romë, i dërgonte prej këndej mikut të tij Luigj Gurakuqi në Paris, antar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në kryeqytetin francez.

Mbas bisedave mbi çështjen shqiptare, që ishte tema qëndrore e letërkëmbimit ndërmjet këtyre dy shqiptarëve atdhetarë, Sotiri e përfundoi letrën me një njoftim: “Ime shoqe, e cila dje ndaj të gdhiri, u bë për së dyti herë nënë, e është mirë nga shëndeti, të falet me shëndet; Leka e foshnja e re, Elena, të puthin dorën.

Të përqafoj me mall

Sotir Gjika “

Foshnja do të quhej Elena Gjika. Babai i saj nëpërmjet saj deshi të ringjallë nënën e tij, të cilën e kishte lënë në vendin e lindjes, në Shtikë të Kolonjës, shumë vite më parë, për të mërguar në botën e madhe, në tre kontinente, duke filluar nga Egjypti, Sudani, Shtetet e Bashkuara e së fundi Italia. Por ai emër fëmije ringjallte edhe emrin e Dora D’Istrias së famëshme, me të cilën kishin lidhje familjare të zhytura në thellësinë e shekujve.

Elena lindi në Romë në Via Salaria, por mbas pak kohe familja u shpërngul në Bari ku babai i saj, Sotiri, ishte bashkëpuntori i gazetës “Corriere delle Puglie” për Ballkanin e kryesisht për Shqipërinë. Familja përbëhej prej tij, bashkëshortes Angela Lilly Quarta, mësuese nga Lecce dhe fëmijëve: Aleksandrit, dy vjeç e Elenës së sapolindur. Në Bari shëndeti i Sotirit mori tatëpjetën, mbas një misioni në jugë të Shqipërisë në kërkim të hollësive të vrasjes së gjeneral Telinit. 

Në Bari ai u takua me miqtë e vjetër të tij shqiptarë të ikur nga kthimi i Zogut në pushtet në 24 dhjetor 1924. Mes tyre ishin Luigj Gurakuqi dhe Mustafa Kruja, që vinin herë pas here në shtëpinë e tij. E shënova këtë fakt që me kohë u bë vendimtar në jetën e Elenës. Kjo nuk kishte mbushur ende pesë vjeç, kur “zio Luigi”, me të cilin ishte miqësuar shumë, mbrëmjen e dy marsit 1925, nuk arriti të vinte në shtëpinë e Sotirit, për të sjellë kukullën e premtuar Elenës, sepse mbeti i vrarë nga një dorë e mallkuar. Ajo dorë vrau edhe ëndrrën e Elenës së vogël që e ruajti për një kohë të gjatë në mëndje kujtimin e tij…

Nuk do të kalonin pak më shumë se dy vjet dhe Elena do të ndahej dhe nga babai i saj i dhëmshur, që në prillin e vitit 1927 do të ndërronte jetë larg saj, në një spital të Veronës. Kështu për fëmijët jetimë gjithshka do të lidhej me emrin e nënës që, si grua e qëmotme, në moshën 35 vjeçe vendosi të jetojë me kujtimin e dashurisë së burrit e me plotësimin e detyrës së rritjes së fëmijëve.   

Elena vazhdoi shkollën fillore e të mesme, duke u dalluar për rezultate shumë të mira në mësime, duke kaluar edhe dy vite  shkolle në një vit studimi. Mbas mbarimit të liceut shkoi për studime në Napoli, n’universitetin e atij qyteti, një nga më të lashtit n’Evropë. Atje u regjistrua në Fakultetin e Gjuhë – Letërsisë, ku u diplomua me rezultatin më të lartë (30 me lavdërim) në pranverën e vitit 1941, pa mbushur ende 21 vjetët. Në vlerësim të laureantes Akademia  e Shkencave t’Italisë i botoi tezën e diplomës, një studim mbi historinë e Vëndit tonë, që titullohej “Liria e Shqipërisë dhe politika italiane nga 1878 deri më 1912”. 

Relatori i tezës, filozofi i njohur Adolfo Ommodeo, i propozoi qëndrimin si docente në Universitet, duke i premtuar një katedër mbas dhjetë vitesh, por fati i saj do t’a shtynte në një drejtim tjetër. Miku i vjetër i familjes, Mustafa Kruja, që sa herë i binte rasti të kalonte në Bari ndalej për vizitë në familjen e Sotirit, kishte ndjekur me një interes të madh rritjen e Elenës, duke menduar për t’a patur një ditë nuse të djalit. E sendërtoi këtë projekt të tijin me miratimin e bashkëshortes së mikut dhe pëlqimin e vetë vajzës kur ajo ishte mësuese në liceun klasik të Barit në të cilin kishte studjuar vetë.

Viti 1942 do të shënonte kthesën e madhe të jetës së saj, duke e shkëputur nga profesioni i mësuesisë, si pasojë e martesës me Petrit Merlikën, që ishte diplomuar dy vite më parë si inxhinjer elektrik në Grenoblë të Francës. Familja e re filloi jetën e saj në Tiranë, kur vjehrri i saj, Mustafa Kruja kishte funksionin  e kryeministrit, por vazhdonte edhe punën shkencore me “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”. Elena kishte njohuri të thella për gjuhët klasike e shërbente si këshilltare për Krujën dhe Xhuvanin, që shpesh punonin së bashku për etimologjinë e fjalëve të ndryshme, sidomos kur ato i referoheshin atyre gjuhëve.

Disa vite më vonë, kur gjithshka ishte përmbysur në jetën e Elenës, kur i u desh të përballojë një fillim tejet të vështirë, me burrin e kunatin në burg, me një fëmijë dy vjeç e një vjehërr jo të re me vete, u drejtua tek profesori që e njihte mirë për të kërkuar ndihmën e tij, për të zënë punë si bibliotekare. Profesor Xhuvani i u përgjigj kështu kërkesës së saj: “Jo në Shqipëri, por as në gjithë Ballkanin nuk do të gjeja njeri më të përshtatëshëm për atë punë, por… nuk kam asnjë mundësi të të ndihmoj.”

 Ishte viti 1946 dhe Elena u vu para një dileme të fortë: t’i binte ferrit pash më pash, duke ruajtur familjen, martesën e fëmijën apo të braktiste gjithshka e të kthehej në Vendin e saj për të rifilluar një tjetër jetë e, mbase, një karierë të shkëlqyer universitare. Zgjedhja nuk ishte e lehtë, por ajo me karakterin e saj të fortë dhe me formimin katolik që kishte, e bëri menjëherë. Qëndroi për të rritur atë fëmijë së cilës i kishte dhënë jetën, për të ruajtur atë familje në të cilën besonte me gjithë forcën e ndjenjave të saj e, së fundi, për t’i mbajtur lart dinjitetin e familjeve të prejardhjes dhe të asaj të fituar. E shtynte n’atë drejtim dhe respekti e dashuria për vjehrrin e saj, të cilit ishte e vetmja që i thërriste baba.

Vazhdimi i jetës është përshkruar saktë në shkrimin e saj që po botohet, krahas pjesws sw dytw tw tezws sw diplomws.  Dy shkrime që i ndan hapësira e një gjysëm shekulli, njëri n’agim e tjetri në perëndim të një jete që kaloi në kampet e sprovave makabre të “socializmit”, një potencial intelektual e njerëzor i shpërdoruar barbarisht nga një regjim absurd dhe kriminal, një nga të shumtat histori të asgjësimit të intelektualëve nga një sistem që ngrihej mbi dhunën, urrejtjen e mashtrimin.

Në një fletore të vjetër, të ruajtur prej saj me shumë kujdes, në të cilën kishte mbajtur shënimet e saj, në një shkrim të datës 15 dhjetor 1988, në Grabianin e internimit të gjithë familjes, ajo i besonte asaj fletoreje të thjeshtë gjithë botën e saj shpirtërore të çastit. Ishte një rrëfim me vetëvehten në një gjëndje dëshpërimi, lodhjeje e vuajtjesh trupore, një çast humbjeje shpresash, një bisedë që ajo bënte me ne nga bota tjetër, sepse ajo fletore ishte ruajtur me kujdes deri sa ajo ndërroi jetë më 5 tetor 2002. Asnjëri nuk duhej t’a lexonte më parë. Amaneti u respektua. Po sjell për lexuesin pak fjalë:

“Jam plakё, por mё shumё se e moshuar jam e lodhur, e lodhur fizikisht e moralisht: mё duket se jetoj nё njё shkretёtirё, nё vetminё mё absolute. Janё tek un dy qёnie: njёra qё tё gjithё tashmё janё mёsuar t’a shohin, e ndoshta t’a durojnё, qё punon, flet, pёrgjigjet e hesht si njё automat nga mёngjezi deri nё mbrёmje; tjetrёn, atё mё tё vёrtetёn, nuk e njeh askush, ёshtё qёnia ime e ndaluar nё jetёn e shumё viteve mё parё, optimiste, buzёqeshur, e hapur ndaj sё bukurёs, muzikёs, poezisё. Sot prej saj mbeten vetёm kujtimet. Kujtimet e tё dashurve tё mij, qё nuk do t’i shoh mё kurrё, me njё dёshpёrim qё vetёm vdekja do tё mundet t’a qetёsojё….

   I dashuri im Petrit, kur u bashkuam nuk e dinim se sa e ashpër dhe e padrejtë do të kishte qënë jeta e jonë!…… Të kam flijuar një jetë, që do të mund të kishte qenë e ndryshme, por nuk pendohem: kam zgjedhur me vetëdije të plotë rrugën që do të përshkonja e do të përshkoj deri në fund….

Evgjen, biri im, ke qënë ti që më ke lidhur me këtë tokë e me këtë jetë. Kam quajtur për detyrë të të gjindesha pranë, të të ndihmonja kur ti të kishe nevojë, sepse nuk kishe kërkuar ti të vinje në këtë botë dhe mbi ty peshon gjithë barra e gabimeve dhe naivitetit që ka përshkuar familjen tonë… Un të bekoj, do të jem gjithnjë pranë, edhe prej botës së përtejme, e do të ndjesh gjithënjë në vesh fëshfërimën e zërit tim….”

Ato fjalë përbëjnë thelbin  e jetës së Nënës sime. Në vetminë që ndahej vetëm me krijuesin, ajo na shpjegoi me pak fjalë, vendimet më orpreme të jetës së saj, për përshkrimin e së cilës nuk do të mjaftonin vëllime të tëra. Për çudi nuk ka urrejtje n’ato rradhë, asnjë shprehje urrejtjeje për shkaktarët e vërtetë të tragjedisë së saj jetësore. Ka vetëm dashuri, për të cilën ajo flijoi jetën e saj e dashurinë ajo e mbarti deri në fund, në fjalët që i përsëriti nipit të saj: sa shumë të ka dashur gjyshja!  

Urrejtjen e ligjëshme të vdekësorit i a kishte fashitur Krishti e mësimet e tij për faljen, ato mësime që e shoqëruan dhe bënë të përballonte të gjitha mundimet e kalvarit të saj të dhimshëm.

Ato fjalë u shkruan 14 vite më parë se të ndrronte jetë dhe ajo nuk e pa t’arsyeshme t’u shtonte diçka në vitet që pasuan. Varra e jetës ishte shumë e thellë e ndryshimi i madh i vitit 1991, me të gjithë fuqinë e tij, nuk arriti t’i verë plagës barin e harresës…

E rikthyer në Itali mbas gati gjysëm shekulli, nuk gjeti asgjë nga ato që kishte lënë, qe e vetmja italiane që nuk pati mundësi t’i shihte t’afërmit e saj asnjëherë. U ngushullua me mbesat dhe nipin të cilëve u mësoi gjuhët e vjetra, letërsinë, filozofinë, njëlloj sikur t’ishte shkëputur një vit më parë nga mësimdhënia… Arriti të shohë vetëm diplomimin e mbesës së madhe, Edirës, por u la bekimin e saj të treve. U nda nga të dashurit më 5 tetor 2002, mbas një jave qëndrimi në spitalin e Latinës. U varros aty, por e la si amanet për së gjalli të kthehej në Shqipëri, Vëndi që i shkaktoi kaqë vuajtje, por edhe ai në të cilin gjeti respektin, dashurinë e mirëkuptimin e të gjithë bashkëvuajtësve. Mbas pak vitesh, kur do të jetë e mundur  administrativisht eshtrat e saj dhe të bashkëshortit do të gjejnë prehjen e përjetëshme mes pllakave të bardha prej mermeri të një varri familjar në Krujë.    

I fillova këto përsiatje me një fjali monumentale të Tolstoit, po i mbyll me një shprehje të një poeti e romancieri gjerman, jo shumë të njohur, A. Stifter (1805 – 1868), por tepër të thellë e ngushulluese:         

“Zemra e nënës është vëndi më i bukur për të birin, më pak i mundëshmi për t’u humbur, edhe nëse ai i ka flokët e bardha – e secili ka në tërë gjithësinë një zemër të vetme të bërë kështu.”

Faleminderit Nënë për gjithshka më dhurove në jetën time e për gjithshka më le si pasurinë më të çmueshme, karakterin tënd, forcën tënde në përballimin e jetës edhe në kushtet më të vështira, mësimet e Tua!

27 gusht 2020 Eugjen Merlika 

Filed Under: Featured Tagged With: 100 vjetori i lindjes, Eugjen Merlika, Pak fjale, Per Nenen

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT