• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EUGJEN MERLIKA: PAK FJALË PËR NËNËN NË VITIN E NJËQINDTË TË LINDJES

August 27, 2020 by dgreca

“Nëna, jeni Ju që keni në dorë shpëtimin e botës”- LEON TOLSTOI-

Mban datën 27 gusht 1920 një letër që gazetari Sotir Gjika, drejtor i së përjavëshmes “Kuvendi”, të botuar në Romë, i dërgonte prej këndej mikut të tij Luigj Gurakuqi në Paris, antar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në kryeqytetin francez.

Mbas bisedave mbi çështjen shqiptare, që ishte tema qëndrore e letërkëmbimit ndërmjet këtyre dy shqiptarëve atdhetarë, Sotiri e përfundoi letrën me një njoftim: “Ime shoqe, e cila dje ndaj të gdhiri, u bë për së dyti herë nënë, e është mirë nga shëndeti, të falet me shëndet; Leka e foshnja e re, Elena, të puthin dorën.

Të përqafoj me mall

Sotir Gjika “

Foshnja do të quhej Elena Gjika. Babai i saj nëpërmjet saj deshi të ringjallë nënën e tij, të cilën e kishte lënë në vendin e lindjes, në Shtikë të Kolonjës, shumë vite më parë, për të mërguar në botën e madhe, në tre kontinente, duke filluar nga Egjypti, Sudani, Shtetet e Bashkuara e së fundi Italia. Por ai emër fëmije ringjallte edhe emrin e Dora D’Istrias së famëshme, me të cilën kishin lidhje familjare të zhytura në thellësinë e shekujve.

Elena lindi në Romë në Via Salaria, por mbas pak kohe familja u shpërngul në Bari ku babai i saj, Sotiri, ishte bashkëpuntori i gazetës “Corriere delle Puglie” për Ballkanin e kryesisht për Shqipërinë. Familja përbëhej prej tij, bashkëshortes Angela Lilly Quarta, mësuese nga Lecce dhe fëmijëve: Aleksandrit, dy vjeç e Elenës së sapolindur. Në Bari shëndeti i Sotirit mori tatëpjetën, mbas një misioni në jugë të Shqipërisë në kërkim të hollësive të vrasjes së gjeneral Telinit. 

Në Bari ai u takua me miqtë e vjetër të tij shqiptarë të ikur nga kthimi i Zogut në pushtet në 24 dhjetor 1924. Mes tyre ishin Luigj Gurakuqi dhe Mustafa Kruja, që vinin herë pas here në shtëpinë e tij. E shënova këtë fakt që me kohë u bë vendimtar në jetën e Elenës. Kjo nuk kishte mbushur ende pesë vjeç, kur “zio Luigi”, me të cilin ishte miqësuar shumë, mbrëmjen e dy marsit 1925, nuk arriti të vinte në shtëpinë e Sotirit, për të sjellë kukullën e premtuar Elenës, sepse mbeti i vrarë nga një dorë e mallkuar. Ajo dorë vrau edhe ëndrrën e Elenës së vogël që e ruajti për një kohë të gjatë në mëndje kujtimin e tij…

Nuk do të kalonin pak më shumë se dy vjet dhe Elena do të ndahej dhe nga babai i saj i dhëmshur, që në prillin e vitit 1927 do të ndërronte jetë larg saj, në një spital të Veronës. Kështu për fëmijët jetimë gjithshka do të lidhej me emrin e nënës që, si grua e qëmotme, në moshën 35 vjeçe vendosi të jetojë me kujtimin e dashurisë së burrit e me plotësimin e detyrës së rritjes së fëmijëve.   

Elena vazhdoi shkollën fillore e të mesme, duke u dalluar për rezultate shumë të mira në mësime, duke kaluar edhe dy vite  shkolle në një vit studimi. Mbas mbarimit të liceut shkoi për studime në Napoli, n’universitetin e atij qyteti, një nga më të lashtit n’Evropë. Atje u regjistrua në Fakultetin e Gjuhë – Letërsisë, ku u diplomua me rezultatin më të lartë (30 me lavdërim) në pranverën e vitit 1941, pa mbushur ende 21 vjetët. Në vlerësim të laureantes Akademia  e Shkencave t’Italisë i botoi tezën e diplomës, një studim mbi historinë e Vëndit tonë, që titullohej “Liria e Shqipërisë dhe politika italiane nga 1878 deri më 1912”. 

Relatori i tezës, filozofi i njohur Adolfo Ommodeo, i propozoi qëndrimin si docente në Universitet, duke i premtuar një katedër mbas dhjetë vitesh, por fati i saj do t’a shtynte në një drejtim tjetër. Miku i vjetër i familjes, Mustafa Kruja, që sa herë i binte rasti të kalonte në Bari ndalej për vizitë në familjen e Sotirit, kishte ndjekur me një interes të madh rritjen e Elenës, duke menduar për t’a patur një ditë nuse të djalit. E sendërtoi këtë projekt të tijin me miratimin e bashkëshortes së mikut dhe pëlqimin e vetë vajzës kur ajo ishte mësuese në liceun klasik të Barit në të cilin kishte studjuar vetë.

Viti 1942 do të shënonte kthesën e madhe të jetës së saj, duke e shkëputur nga profesioni i mësuesisë, si pasojë e martesës me Petrit Merlikën, që ishte diplomuar dy vite më parë si inxhinjer elektrik në Grenoblë të Francës. Familja e re filloi jetën e saj në Tiranë, kur vjehrri i saj, Mustafa Kruja kishte funksionin  e kryeministrit, por vazhdonte edhe punën shkencore me “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”. Elena kishte njohuri të thella për gjuhët klasike e shërbente si këshilltare për Krujën dhe Xhuvanin, që shpesh punonin së bashku për etimologjinë e fjalëve të ndryshme, sidomos kur ato i referoheshin atyre gjuhëve.

Disa vite më vonë, kur gjithshka ishte përmbysur në jetën e Elenës, kur i u desh të përballojë një fillim tejet të vështirë, me burrin e kunatin në burg, me një fëmijë dy vjeç e një vjehërr jo të re me vete, u drejtua tek profesori që e njihte mirë për të kërkuar ndihmën e tij, për të zënë punë si bibliotekare. Profesor Xhuvani i u përgjigj kështu kërkesës së saj: “Jo në Shqipëri, por as në gjithë Ballkanin nuk do të gjeja njeri më të përshtatëshëm për atë punë, por… nuk kam asnjë mundësi të të ndihmoj.”

 Ishte viti 1946 dhe Elena u vu para një dileme të fortë: t’i binte ferrit pash më pash, duke ruajtur familjen, martesën e fëmijën apo të braktiste gjithshka e të kthehej në Vendin e saj për të rifilluar një tjetër jetë e, mbase, një karierë të shkëlqyer universitare. Zgjedhja nuk ishte e lehtë, por ajo me karakterin e saj të fortë dhe me formimin katolik që kishte, e bëri menjëherë. Qëndroi për të rritur atë fëmijë së cilës i kishte dhënë jetën, për të ruajtur atë familje në të cilën besonte me gjithë forcën e ndjenjave të saj e, së fundi, për t’i mbajtur lart dinjitetin e familjeve të prejardhjes dhe të asaj të fituar. E shtynte n’atë drejtim dhe respekti e dashuria për vjehrrin e saj, të cilit ishte e vetmja që i thërriste baba.

Vazhdimi i jetës është përshkruar saktë në shkrimin e saj që po botohet, krahas pjesws sw dytw tw tezws sw diplomws.  Dy shkrime që i ndan hapësira e një gjysëm shekulli, njëri n’agim e tjetri në perëndim të një jete që kaloi në kampet e sprovave makabre të “socializmit”, një potencial intelektual e njerëzor i shpërdoruar barbarisht nga një regjim absurd dhe kriminal, një nga të shumtat histori të asgjësimit të intelektualëve nga një sistem që ngrihej mbi dhunën, urrejtjen e mashtrimin.

Në një fletore të vjetër, të ruajtur prej saj me shumë kujdes, në të cilën kishte mbajtur shënimet e saj, në një shkrim të datës 15 dhjetor 1988, në Grabianin e internimit të gjithë familjes, ajo i besonte asaj fletoreje të thjeshtë gjithë botën e saj shpirtërore të çastit. Ishte një rrëfim me vetëvehten në një gjëndje dëshpërimi, lodhjeje e vuajtjesh trupore, një çast humbjeje shpresash, një bisedë që ajo bënte me ne nga bota tjetër, sepse ajo fletore ishte ruajtur me kujdes deri sa ajo ndërroi jetë më 5 tetor 2002. Asnjëri nuk duhej t’a lexonte më parë. Amaneti u respektua. Po sjell për lexuesin pak fjalë:

“Jam plakё, por mё shumё se e moshuar jam e lodhur, e lodhur fizikisht e moralisht: mё duket se jetoj nё njё shkretёtirё, nё vetminё mё absolute. Janё tek un dy qёnie: njёra qё tё gjithё tashmё janё mёsuar t’a shohin, e ndoshta t’a durojnё, qё punon, flet, pёrgjigjet e hesht si njё automat nga mёngjezi deri nё mbrёmje; tjetrёn, atё mё tё vёrtetёn, nuk e njeh askush, ёshtё qёnia ime e ndaluar nё jetёn e shumё viteve mё parё, optimiste, buzёqeshur, e hapur ndaj sё bukurёs, muzikёs, poezisё. Sot prej saj mbeten vetёm kujtimet. Kujtimet e tё dashurve tё mij, qё nuk do t’i shoh mё kurrё, me njё dёshpёrim qё vetёm vdekja do tё mundet t’a qetёsojё….

   I dashuri im Petrit, kur u bashkuam nuk e dinim se sa e ashpër dhe e padrejtë do të kishte qënë jeta e jonë!…… Të kam flijuar një jetë, që do të mund të kishte qenë e ndryshme, por nuk pendohem: kam zgjedhur me vetëdije të plotë rrugën që do të përshkonja e do të përshkoj deri në fund….

Evgjen, biri im, ke qënë ti që më ke lidhur me këtë tokë e me këtë jetë. Kam quajtur për detyrë të të gjindesha pranë, të të ndihmonja kur ti të kishe nevojë, sepse nuk kishe kërkuar ti të vinje në këtë botë dhe mbi ty peshon gjithë barra e gabimeve dhe naivitetit që ka përshkuar familjen tonë… Un të bekoj, do të jem gjithnjë pranë, edhe prej botës së përtejme, e do të ndjesh gjithënjë në vesh fëshfërimën e zërit tim….”

Ato fjalë përbëjnë thelbin  e jetës së Nënës sime. Në vetminë që ndahej vetëm me krijuesin, ajo na shpjegoi me pak fjalë, vendimet më orpreme të jetës së saj, për përshkrimin e së cilës nuk do të mjaftonin vëllime të tëra. Për çudi nuk ka urrejtje n’ato rradhë, asnjë shprehje urrejtjeje për shkaktarët e vërtetë të tragjedisë së saj jetësore. Ka vetëm dashuri, për të cilën ajo flijoi jetën e saj e dashurinë ajo e mbarti deri në fund, në fjalët që i përsëriti nipit të saj: sa shumë të ka dashur gjyshja!  

Urrejtjen e ligjëshme të vdekësorit i a kishte fashitur Krishti e mësimet e tij për faljen, ato mësime që e shoqëruan dhe bënë të përballonte të gjitha mundimet e kalvarit të saj të dhimshëm.

Ato fjalë u shkruan 14 vite më parë se të ndrronte jetë dhe ajo nuk e pa t’arsyeshme t’u shtonte diçka në vitet që pasuan. Varra e jetës ishte shumë e thellë e ndryshimi i madh i vitit 1991, me të gjithë fuqinë e tij, nuk arriti t’i verë plagës barin e harresës…

E rikthyer në Itali mbas gati gjysëm shekulli, nuk gjeti asgjë nga ato që kishte lënë, qe e vetmja italiane që nuk pati mundësi t’i shihte t’afërmit e saj asnjëherë. U ngushullua me mbesat dhe nipin të cilëve u mësoi gjuhët e vjetra, letërsinë, filozofinë, njëlloj sikur t’ishte shkëputur një vit më parë nga mësimdhënia… Arriti të shohë vetëm diplomimin e mbesës së madhe, Edirës, por u la bekimin e saj të treve. U nda nga të dashurit më 5 tetor 2002, mbas një jave qëndrimi në spitalin e Latinës. U varros aty, por e la si amanet për së gjalli të kthehej në Shqipëri, Vëndi që i shkaktoi kaqë vuajtje, por edhe ai në të cilin gjeti respektin, dashurinë e mirëkuptimin e të gjithë bashkëvuajtësve. Mbas pak vitesh, kur do të jetë e mundur  administrativisht eshtrat e saj dhe të bashkëshortit do të gjejnë prehjen e përjetëshme mes pllakave të bardha prej mermeri të një varri familjar në Krujë.    

I fillova këto përsiatje me një fjali monumentale të Tolstoit, po i mbyll me një shprehje të një poeti e romancieri gjerman, jo shumë të njohur, A. Stifter (1805 – 1868), por tepër të thellë e ngushulluese:         

“Zemra e nënës është vëndi më i bukur për të birin, më pak i mundëshmi për t’u humbur, edhe nëse ai i ka flokët e bardha – e secili ka në tërë gjithësinë një zemër të vetme të bërë kështu.”

Faleminderit Nënë për gjithshka më dhurove në jetën time e për gjithshka më le si pasurinë më të çmueshme, karakterin tënd, forcën tënde në përballimin e jetës edhe në kushtet më të vështira, mësimet e Tua!

27 gusht 2020 Eugjen Merlika 

Filed Under: Featured Tagged With: 100 vjetori i lindjes, Eugjen Merlika, Pak fjale, Per Nenen

100- VJETORI I LINDJES SË PRESIDENTIT XHON F. KENEDI

February 23, 2017 by dgreca

 untitled

“Mos pyet se çka mund të bëjë vendi yt për ty,/

por pyet se çfarë mund të bëjshë ti për vendin tëndë”-XHON F. KENEDI/

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Ky vit shënon 100-vjetorin e lindjes të Presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara, Xhon F. Kenedi (Maj 29, 1917 – Nëntor 22, 1963).  Ky përvjetor po   shënohet me aktivitete të shumëta gjatë gjithë këtij viti, të cilat kanë filluar tanimë anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, përfshirë shtetin Massaçusets prej ku rrjedhë familja Kenedi, e deri tek nivelet e enteve të qeverisë federale, me qëllim për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë e presidentit më të ri që është zgjedhur ndonjëherë në Shëpinë e Bardhë.  Aktivitetet mbarë kombëtare synojnë kujtimin e jetës dhe të trashëgimisë që ka lënë pas Presidenti Kenedi, si një rast edhe për të frymëzuar brezat e rinjë, ashtu që ata të zbulojnë rëndësinë dhe të frymëzohen nga trashëgimia dhe nga vlerat politike dhe morale, gjithnjë bashkohore të mandatit të shkurtër të presidencës së tij.

Ndër aktivitetet e para në kujtim të këtij përvjetori, Posta Amerikane lëshoi në qarkullim, një pullë postare të përhershme me fotografinë e Presidentit Kenedi gjatë një ceremonie në “Librarinë dhe Muzeun Xhon F. Kenedi”, në qytetin Boston.  Me këtë rast, në emër të familjes, foli njëri prej nipave të presidentit Kenendi, Xhek Shlosberg, i cili shprehu falënderimet e familjes duke thënë se, “Shpresojmë që kjo pullë postare të jetë një simbol i përhershëm i thirrjes së Presidentit Kenedi, “Për shërbim, inovacion dhe gjithpërfshirje, por edhe si një simbol i besimit të tij të palëkundshëm se si individë, secili prej nesh ka aftësi dhe mundësi për ta bërë këtë botë më të mirë për të gjithë ne.”

Presidenti Kenedi, i admiruar gjithnjë edhe sot, jo vetëm nga amerikanët por edhe nga popujt anë e mbanë botës,e që është inauguruar President i Shteteve të Bashkuara më 20 Janar, 1961 — konsiderohet si një udhëheqës i dalluar i cili punoi në mbështetje të idealeve më të larta të këtij kombi duke frymëzuar rininë amerikane që të angazhohej në jetën politike, duke marrë pjesë në shërbime të ndryshme publike.  Në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit për president, Xhon F. Kenedi u ka bërë thirrje amerikanëve, e sidomos të rinjve dhe rejave, që shërbimin public të mos e shikojnë si një përfitim personal, duke përdorur frazën tanimë të  famshme anë e mbanë botës, “Mos pyet se çka mund të bëjë vendi yt për ty, por pyetë se çfarë mund të bëjshë ti për vendin tënd”.

Megjithse mandati i tij u shkurtua nga plumbi i një vrasësi me 22 nëntor, 1963, administrata e tij, mbernda një kohe të shkurtë, shënoi arrijte të dukëshme për periudhën që ishte në pushtet.  Presidenti Kenedi themeloi “Korpusin e Paqës” një ent ky që edhe sot vazhdon misionin e tij duke ndihmuar njerëzit në nevojë, në shumë vende të botës së tretë.  Ai gjithashtu u angazhua në vitin 1961 se Amerika do të zbriste në Hënë para mbarimit të asaj dekade, gjë që u realizua, duke hapur kështu rrugën e sukseseve të mëdha të programit amerikan në hapësirë, përfshirë edhe uljen historike të astronautëve amerikanë në Hënë, në vitin 1969.

Si president i Shteteve të Bashkuara në kulmin e luftës së ftohët,  në arenën  ndërkombëatre, Presdienti Xhon Kenedi u përball me një numër konfliktesh me ish-Bashkimin Sovjetik, konflikte këto të cilat, sipas historianëve mund të kishin përfunduar në një luftë botërore.  Por falë diplomacisë dhe gjakftohësisë së Presidentit Kenedi, lufta u mënjanua, megjithse ai nuk hoqi dorë nga parimet e tija, përfshirë mbrojtjen e status-it të Berlinit Perëndimor, një oazë lirie kjo në ish-Gjermaninë Lindore komuniste që kërcënohej vazhdimisht nga ish-udhëheqsi komunist sovjetik, Nikita Kurshçov.  Përsëri në vjeshtën e vitit 1962, Presidenti Kenedi kundërshtoi vendosmërisht vendosjen e raketave bërthamore sovjetike në Kubë.  Por me gjakftohësinë e tij që e dallonte në momente krizash –  madje edhe kundër këshillave të bashkpuntorëve të tij të ngushtë për të bombarduar bazën e raketave në Kubë – në vend të kësaj, ai vendosi të impononte një bllokim të armatimeve të mëtejshme sovjetike në Kubë.  Pas disa ditëve ballafaqimesh tepër të rrezikshme, kur dukej se bota ishte në prak të një lufte shkatërruese bërthamore – anijet sovjetike që ishin nisur për në Kubë u këthyen mbrapa dhe Kurshçovi më në fund ra dakort që të tërhiqte raketat bërthamore nga territori i Kubës komuniste.

Ndërsa në fushën e politikës së mbrendshme, Xhon Kenedi mbahet mend, ndër të tjera, për fjalimin e flakët të 11 qershorit të viti 1963 mbi të drejtat civile, fjalim i cili karakterizoi trajtimin jo të barabartë të afrikano-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara, si një krizë morale të këtij vendi.  Ai pastaj paraqiti një projekt ligj për t’u dhënë fund ndasive raciale, projekt ligj ky i cili u miratuar përfundimisht nga Kongresi amerikan pas vdekjes së tij, i njohur  si “Akti i të Drejtave Civile i vitit 1964”. 

Presidenti Kenedi është vrarë më 22 nëntor, 1963 në Dallas të shtetit Texas, në moshën e re 46-vjeçare, një vrasje kjo që ndërpreu realizimin e potencialeve të mundëshme të një mandati të plotë presidencial.  Por njëkohsisht ai ka lënë pas – megjith kohën tepër të shkurtë në krye të Shtëpisë së Bardhë — një trashëgimi të pasur politike dhe morale, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe për mbarë botën vullnet mirë.

Me qëllim për të bashkrenduar aktivitetet mbarë kombëtare në kujtim të 100-vjetorit ë lindjes së presidentit Xhon F. Kenedi gjatë viti 2017, Kongresi Amerikan ka vendosur të krijojë “Komisionin për 100-vjetorin e lindjes së Xhon F Kenedi”, një nismë kjo e mbështetur nga Partia Demokrate dhe nga Partia Republikane.  Senator demokrat i ishtetit Massaçustes dhe anëtarë i këtij Komisioni, Ed Marki, u shpreh me këtë rast se, “Presidenti Kenedi gjithmonë do të përfaqësojë një vizion të guximshëm për të ardhmen e vendit tonë, një idealizëm pa iluzione, një angazhim të vendosur për shërbim publik, si dhe një energji të pashterrshme dhe të pafrenueshme, që i tregojnë botës se Amerikanët besojnë gjithnjë se ditët më të mira për vendin tonë janë gjithmonë në të ardhmen.”   Ndërsa, Senatori republikan i shtetit Utah, Orrin Hatç theksoi se ky komision, që është i ngjashëm me komisionin  e krijuar me rastin e 100-vjetorit të presidentit Ronald Reagan më 2009, është i rëndësishëm sepse, “Të gjithë Amerikanët, pa marrë parasyshë bindjet e tyre politike, e kujtojnë Presidentin Kenedi si një udhëheqës frymëzues dhe si një ikonë e shekullit 20-të.   100-vjetori i lindjes së tij, na ofron një rast të mire për të frymëzuar një brez të ri Amerikanësh, që të gjithë së bashku, të riangazhohemi përsëri për t’i shërbyer kombit tonë.”   Ndërkohë, Senatori veteran i republikanëve, Xhon Mëkejn u shpreh se kujtimi i 100-vjetorit të lindjes së Presidentit Kenedi, “Do të sigurojë që trashëgimia e tij të jetojë për të gjithë brezat e ardhëshëm.”

Më në fund, Kongresisti i shtetit Masaçusets, Xho Kenedi i III, dhe nip i Presidentit Kenedi ka thënë me rastin e fillimit të aktiviteteve të këtij 100-vjetori se, “Presidenti Kenedi besonte me pasion se kapacitet e përbashkëta të popullit Amerikan nuk kishin kufij. Se nëqoftse jemi të bashkuar për një kauzë të përbashkët, ai ishte i vetdijshëm se zbritja në Hënë ishte e afërt, se barazia midis njerëzve ishte e mundëshme dhe se paqa do mbizotëronte në botë.   Në këtë 100-vjetor të lindjes, ne nuk kujtojmë vetëm babanë, vëllain dhe presidentin tonë, por kujtojmë edhe idealet dhe vlerat që ai la pas për kombin e vet”, është shprehur kongresisti Xho Kenedi.

Megjithse kanë kaluar më shumë se 60-vjetë nga vdekja e Presidentit Xhon Kenedi, ai gjithnjë mbahet mend në radhët e shumë Amerikanëve por edhe më gjërë si një udhëheqës gjakftohët i cili, gjatë luftës së ftohtë, mënjanoi një luftë  të mundëshme botërore bërthamore, si një personalitet politik i shquar kombëtar dhe ndërkombëtar, me shumë arrijtje.  Ai kujtohet edhe për aftësinë e tij të njohur për të frymëzuar njerëzit me fjalimet e tija elokuente.  Shumë historian janë të mendimit se pot ë kishte jetuar Presidenti Kenedi dhe po të kishte patur mundësi të zbatonte idetë dhe programet e tija — jo vetëm Amerika — por edhe bota mund të ishin ndryshe, nga ç’janë sot.  Natyrisht se Presidenti Kenedi, si çdo udhëheqës tjetër amerikan ose botëror, i kishte edhe ai të metat e veta si njeri dhe si udhëheqës politik, por ndryshe nga shumë të tjerë, ai dallohej për optimizimin e tij të pashterrshëm për të ardhmen, për një të ardhme më të mirë, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara por edhe për botën.  Presidenti Kenedi besonte se njerëzit mund të zgjidhin vet problemet e tyre të përbashkëta, nëqoftse mbi interesat personale e partiake, vendosin — interesat e vendit të vet dhe nëqoftse punojnë së bashku për zgjidhjen e tyre.  Nëqoftse për asgjë tjetër, atëherë le të kujtojmë në këtë 100-vjetor, trashëgiminë e frymëzimit të këtij burri të madh, se me vullnet të mirë dhe me bashkpunim me njëri tjetrin, çdo problem mund të zgjidhet dhe çdo gjë është e mundur.

1Xhon F. Kenedi

Presidenti Xhon Kenedi kishte lidhje të ngushta edhe me komunitetin shqiptaro-amerikan të Bostonit dhe më gjërë. Në këtë foto ai është me të ndjerin Anthony Athanas, patriotin e shquar dhe njërin prej bashkpuntorëve më të ngushtë të Fan Nolit, ish-biznismenin e njohur shqiptaro-amerikan dhe aktivistin e dalluar të  organizatës pan-shqiptare Vatra dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi prej shumë dekadash, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured Tagged With: 100 vjetori i lindjes, Frank shkreli, John F. Kenedy

Kur kujtojmë profesorin e rinisë Filip Ndocaj

October 2, 2014 by dgreca

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe mësuesit, poetit dhe gazetarit të talentuar/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Përfytyroni një burrë të dalluar për energjinë e tij fizike dhe mendore, se si mund të jetojë, i paralizuar prej gjashtë vjetësh, mes vuajtjeve fizike dhe shpirtërore!…
Ai ngrihej në këmbë vetëm kur i vinte ndonjë shok. Një ditë, aty nga fundi i shtatorit 1983, e befasoi mikun e tij të vjetër, shkrimtarin Agim Cerga: “Më vjen keq o Gim, si nuk u shërova , vetëm për ca ditë; sa të shkoja edhe një herë në Pukë!… ”
Pas dy javësh, profesori, poeti, shkrimtari, gazetari, përkthyesi e kritiku letrar, do të mbyllte sytë në moshën 68-vjeçare.

“Bëmë baba të të ngjaj!”

Ai u lind në Gjakovë me 2 tetor 1914 nga prindër shkodranë. I ati, Engjëlli, ishte mësues në shkollën e këtij qyteti. Në vitin 1919, familja Ndocaj transferohet në Shkup dhe pas gjashtë vjetësh, kthehet përfundimisht në Shkodër. Pas mbarimit të gjimnazit të shtetit , djaloshi Filip ka dëshirë të shkojë në Universitet, por nuk i akordohet bursë studimi. Atë vit, nis profesionin e të atit, si mësues i shkollës fillore në Krumë të Hasit. Më 1935 mësuesit të ri, i takon të hapë të parën shkollë në fshatin Dardhë të Pukës. Për dy vjet drejtori dhe kolegu i tij do të jetë Gjergj Millosh Nikolla, por… dhe i pari njeri që e orientoi drejt letërsisë dhe i dha kurajon për të shkruar. Migjenin ai nuk do ta harronte kurrë.
Universiteti, ajo ëndrra e vjetër e tij, u bë realitet në sajë të kursimeve të bacës Lush dhe nanës Domenikë që ngrysej dhe gdhihej me gjergjef në dorë. Pas dy viteve me korrespondencë, 23-vjecari Filip, është student i rregullt në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Firence. Ishin kohë të vështira por në gjirin e studentëve, shqiptarë dhe italianë, pati djem e vajza që shikonin përpara. Shqipëria kish nevojë për djem të tillë, ndaj Filip Ndocaj, Gaspër Pali e shumë të tjerë, mbi ëndrrat e moshës dhe joshjet e realitetit, vunë atdheun. Nuk mund të gënjeheshin nga propaganda e një shteti qe trumbetonte lumturinë përmes kulmeve të fashizmit. Ja pse, në festën ndërkombëtare të studentëve, Filip Ndocaj parakalon duke mbajtur me krenari flamurin shqiptar dhe po i tillë
kthehet në Shkodër më 1939. Sapo kish mbaruar studimet e larta në Universitetin Shtetëror të qytetit- simbol të artit e kulturës europiane.
Një jetë e re, e cila do të vihej tërësisht në shërbim të brezave të rinj. Një pjesë e maturës së vitit 1940 rrëmbeu armët me idealin e lirisë. Më 1941, mësuesi i ri jep lëndën e letërsisë në Gjimnazin e Prishtinës. Çlirimi e gjen përsëri në Shkodër. Në dhjetor 1945, profesori dhe regjisori Filip Ndocaj krijon trupën e parë teatrale të qytetit me nxënësit e tij të Gjimnazit të Shtetit. Elementët e zbuluar nga ai, do të përbënin bërthamën e trupës profesioniste të teatrit “Migjeni”, aktorë që më pas shkëlqyen në skenë dhe në ekran. Po intelektualët e vërtetë të djepit të kulturës sonë kombëtare, nuk do ta kishin të gjatë.
1948. Profesor Ndocaj duhet të vuajë një dëbim për mendimet e tija që s’përputheshin me politikën e kohës. E dërgojnë në pedagogjiken e Beratit. Po ish-nxënësit shkodranë nuk mund ta pranonin izolimin e profesorit. Tish Daija, Vehbi Canga, Ndrek Luca e të tjerë, kurrë nuk ia ndanë letrat plot dashuri dhe respekt. Qetësia dhe nervat e tendosura nuk e tradhtuan kurrë.
Një ditë ai u vendos përfundimisht në Tiranë. Ia dinin vlerat paçka se nuk e donin. Që nga viti 1951 ai dha lëndën e letërsisë në shkollat e mesme, në Universitet dhe në Institutin e Lartë të Arteve, pa harruar se ishte nga të paktët pedagogë që dhanë lëndën e italishtes në shkollat tona të larta. E kështu, deri sa doli në pension në vitin 1971.
Sot, ish-nxënësit dhe studentët e tij, e kujtojnë atë profesorin që u rrinte gjithmonë pranë, i qeshur e plot humor, por i rreptë në klasa e auditorë… Ata mburren me mikun e rinisë së tyre që i drejtoi në jetë, me ato që u dha gjatë e pas mësimit. Dhe të gjithë provuan se profesor Filipi nuk kish gabuar në ato që u serviri, nganjëherë me guxim të tepruar. Po! I tillë ishte ai. Edhe 50-vjetorin e lindjes, e festoi me nxënësit e tij të gjimnazit “Çajupi” të Tiranës, një pjesë e të cilëve sot janë ndër njerëzit më të nderuar të shkencës dhe kulturës sonë. Të gjithë ia dinë për nder edhe profesorit të letërsisë.

Poeti, shkrimtari, studiuesi …

Filip Ndocaj është ndër anëtarët e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ai kish botuar në shtypin e kohës qysh në vitet 30-40 të shekullit të kaluar, krahas firmave të njohura si Migjeni, Koliqi, Kokona etj. Kish vazhduar të shkruajë drama, novela e tregime, duke patur edhe një rol aktiv në kritikën letrare të viteve në vazhdim. Vëllimin e tij të parë poetik “Në sytë e rinisë”, ia kushton brezit që po edukonte. Në vazhdim, boton monografinë e Hil Mosit me titull “Zani i Atdheut” si dhe përgatit për botim së bashku me kolegun Nasho Jorgaqi, vëllimin “Hyjt mbi greminë” si një homazh për mikun e tij te rinise, poetin Gaspër Pali, që pati fatin e Migjenit. Filip Ndocaj bëhet i njohur si shkrimtar me novelat “Dashuri dhe Urrejtje” e në vazhdim janë dy romanet “Vlaga e Dheut” dhe “Diell nën Kreshta” që i kushtohen jetës dhe traditave të banorëve të Pukës. Kjo krahinë ishte një kapitull më vete në jetën e tij të ngarkuar. Po përse?
Atje filloi të hedhë vargjet e para e mendimet për jetën, atje u bë mik me Migjenin, atje njohu malësinë dhe njerëzit e saj të dlirët si bora maleve dhe të paepur si pyjet shekullore. Edhe lejet krijuese atje i kalonte … Një pjesë të dorëshkrimeve që ruhen ende, janë frymëzime nga kjo zonë. Po ç’është tërë kjo dashuri për Pukën dhe ashpërsinë e saj gjeografike? Kjo shpjegohet vetëm me botën e madhe shpirtërore të artistit të vërtetë ku zunë vend malësori e intelektuali, shoferi e mjeku, mësuesi e minatori etj, etj. Ai ka arritur t’i paraqesë me tërë kompleksitetin shpirtëror, ndonëse i dinte mirë kufizimet që ia impononte ideologjia e kohës.
Ishte ndër të paktët që përkrahu talentet e reja qe po lindnin në letërsi në fillimin e viteve 70-të. I lexonte veprat e tyre me laps në dorë, u fliste me pasion dhe bëhej baba i rreptë kur e meritonin. Shokët e tij të vjetër mbajnë mend ende sot diskutimet e tij të guximshme në të gjitha veprimtaritë që zhvilloheshin në Lidhjen e Shkrimtarëve, jo vetëm për letërsinë por edhe për muzikën, pikturën, teatrin, filmin, televizionin etj.
Studiuesi Filip Ndocaj është ndër kritikët më aktivë në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntori”. Ai nuk nguron të kontribuojë edhe në fushën e arsimit duke përgatitur për nxënësit e shkollave të mesme veprën e njohur “Zemra” të pajisur me shënime, po kështu “Makbethin”, paralelisht përkthen romanin “Familja e Malavolajve të shkrimtarit italian Xhovani Verga… Kolegët e mbanin ndër njohësit më të mirë të veprës së Fishtës dhe Dante Aligierit, të letërsisë antike dhe të historisë së teatrit botëror. Në çdo kohë, i vuri ato në shërbim të rinisë me kurajon e intelektualit rebel.
Në vitin 1973, do të botonte novelën “Duke kërkuar lumturinë”, i cili u prit shumë mirë nga lexuesi. Në qendër të tij është përsëri malësori pukjan po këtë radhë një mjek i ri, që e ka nisur jetën në kryeqytet si student. Filipi kishte në dorë pjesën e tretë të ciklit të romaneve për Pukën me titull “Në zemër të maleve”; kishte përfunduar romanin “Kur ishim të rinj”, një homazh për brezin e tij, një monografi për Bajram Currin, për të cilin ndjente një detyrim të veçantë. Plaku i Maleve dhe miku i të atit kishte qenë kumbara i djalit të zotni Lushit në Gjakovë. Po Filipi nuk arriti ta përfundonte …

Pas 30 vjetësh

Në një shtëpi të vjetër, pranë shkollës së Kuqe në Tiranë, ruhet ende sot, ai këndi i thjeshtë i krijuesit. Aty ka mbetur makina e tij e shkrimit, prodhim gjerman i vitit 1937, mijëra faqe dorëshkrime të sistemuara nëpër dosje, ditarët e mësuesit, ku mund të lexosh emrat e qindra ish-nxënësve e studentëve që rriti e edukoi, e mes tyre edhe fletë të tëra të zverdhura. Janë krijimet e tij të para: poezi, drama, përkthime të kolosëve të letërsisë italiane si dhe plot dokumente e foto me vlerë… Dhe si një dekor klasik i atij këndi, qëndron ende një bibliotekë e vjetër me rreth 1500 volume në shqip dhe mbi 800 të tjera në italisht, frëngjisht e rusisht, mes të cilave edhe kryevepra të letërsisë botërore. Eh, sa herë dolën ato libra nga kjo bibliotekë për t’u lexuar nga të rinjtë që edukoi! Nganjëherë, edhe libra që regjimi i kish ndaluar. Po ata që i lexuan e që sot janë dikushi në kulturë, art, shkencë e politikë, nuk e harrojnë. Mes nostalgjisë për rininë e tyre dhe respektit për profesorin, lartësohet mirënjohja për prindin e dytë.
Po t’i pyesësh dy djemtë e tij për babain, të flasin shkurt: “Ai ishte shumë serioz me ne. Kurrë nuk na ndenji mbi kokë!… Mësoni vetë, siç kam bërë edhe unë! – na thoshte. Ashtu bëmë! Mësuam të ecim vetë në jetë!”
Një ditë, kur sëmundja e kish rënduar shumë, u tha: “Kurrë mos e harroni mirënjohjen! Ajo është një borxh moral që e shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës. Të gjithë kemi nevojë për pak mirënjohje, sidomos në shoqërinë tonë!”
Profesori u shua më 23 tetor 1983, gati i harruar, por kontributin 38-vjeçar në arsim e kulturë dhe veprën letrare s’mund t’ia mohojë askush. Vlerësimin më të madh ia kanë dhënë brezat, për të cilët shkriu tërë energjitë e tij: ishte “Profesori i Rinisë”

Per hapjen e një shkolle femërore në qytetin e Korçës, e përshëndeti Rilindësi i shquar Naim Frashëri që asistoi në ceremoninë e diplomimit të saj dhe tha: “Motër, punë më të mirë’ e më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë sesa keni vendosur të bëni për emancipimin e grave të vendit tonë të shkretë, arsimi është arma që zhduk errësirën”. Pas përfundimit të ceremonisë, Sevastia me të vëllanë siguruan lejen perandorake’ e në 15 tetor 1891,çelën shkollën e parë për vasha në qytetin e Korçës. Megjithë presionet nga kleri ortodoks dhe autoritetet osmane, shkolla u frekuentua nga një numër i madh vashash, nga të gjitha krahinat e vendit e nga të tria besimet, duke kontribuar kështu në bashkimin kombëtar. Krahas Sevastis, në shkollën e vashave, jepte mësime Fanka Ethimi ardhur nga Manastiri. U diplomuan mësuese Polikseni Dhespoti, Efigjeni Pandavinji e Helidhona Falli Më 21 janar 1909,intelektualet Parashqevi e Sevasti Qiriazi, të frymëzuara nga idetë iluministe të Rilindësve tanë, vëllezërit Frashëri, Andon Z. Çajupi, Asdreni, e të tjerë dhe nga idetë e “Lëvizjes Femërore Europiane”, formuan shoqërinë e parë të grave në qytetin e Korçës me emrin “Ylli i Mëngjesit”. Në 27 gusht 1917 në Worçest Mass të SHBA, u krijua Partia Politike Kombëtare Shqiptare, me kryetare Sevasti Qirjako (Dako).
Në janar të vitit 1919, shpërthyen protestat e grave shqiptare
Në janar të vitit 1919, shpërthyen protestat e grave shqiptare, në mbrojtje të territoreve shqiptare nga copëtimi, plane të vëna në tryezën e diplomacisë europiane në “Konferencën e Paqes” në Paris. Gratë e Gjirokastrës përpiluan një letër për Presidentin amerikan Willson e zonjën e tij. Të njëjtën iniciativë morën edhe motrat Qiriazi, që i shkruanin presidentit Willson e “Fuqive të Mëdha”, ku theksonin: “Do luftojmë kundër pretendimit të ç’do fuqie për protektorat mbi Shqipërinë. Nuk do lejojmë askënd të cenojë sado pak tërësinë tokësore të shtetit shqiptar. T ë anulohen vendimet e Konferencës së Londrës për Kosovën, Çamërinë e toka të tjera shqiptare dhe ato t’i kthehen përsëri Shqipërisë. Për mbrojtjen e kësaj platforme, midis delegatëve shqiptarë në Konferencën e Paqes në Paris ishte edhe Rilindësja Shqiptare, Parashqevi Qiriazi.
Ishte gdhirë data 23 prill 2014 dhe Shqipja pothuajse kishte mbaruar pastrimin e lokalit. Albani e vështronte’ e duke buzëqeshur i thotë: -Ju gratë duhet të mburreni me heroinat shqiptare që bënë histori dhe lanë gjurmë të thella në tokën arbënore. Ato janë shumë. Unë do veçoj luftëtaren e “Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, heroinën Shote Galica, aktivistet e “Rilindjes Kombëtare”, intelektualet Sevasti e Parshqevi Qiriazi, gruan e flamurit Marigo Pozio, pa harruar heroinën e “Luftës Nacionalçlirimtare” dëshmoren Zonja Curre. Në klubin “Rilindja” e Alban Bamirit, dritat u shuan dhe të dy pronarët, burrë e grua e kaluan me nxitim një copë të shkurtër rruge. Qielli ishte vrenjtur. Sa kaptuan pragun e shtëpisë, filloi përsëri një rrebesh shumë i madh. Albani e ndoqi shiun nga dritarja dhe para se të shtrihej për të fjetur tha: -Tashmë le të bjerë dhe të shpëlajë për tan’ natën të gjitha fëlliqësirat e qytetit.

Filed Under: ESSE Tagged With: 100 vjetori i lindjes, Alber Z. Zholi/, Filip Ndocaj

Artikujt e fundit

  • VATRA Boston mikpret Luan Ramën në një takim për kulturën dhe çështjet kombëtare
  • VOTA E GJAKUT …
  • “Çekani i mesnatës”, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbi operacionin e SHBA në Iran
  • “Parada Shqiptare 2025” – Shqiptarët e Amerikës u mikpriten në “shtëpinë” e kryetarit të Bashkisë së New York-ut Eric Adams
  • Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare
  • Presidenti Trump i flet kombit – SHBA-të godasin 3 baza iraniane të programit bërthamor
  • “Godita e SHBA ndaj bazave bërthamore të Iranit, ndëshkim shembullor ndaj diktatorëve gjakatarë dhe mëndjeve terrorise”
  • Shqipja Futet në Komunikimet Zyrtare të Shkollave Publike në Nju Jork – Një tjetër arritje historike për arsimin dhe familjet shqiptare në Diasporë
  • EROTIKA E VIOLINÇELËS NGA BALLKANI NË DOWN TOWN NË CHICAGO
  • Kosova – shtet i pavarur, por pjesë e pandashme e Shqipërisë kombëtare
  • Albanian Parade in New York City
  • “Të dëgjojmë zërat e tyre dhe të luftojmë për të drejtat e tyre”
  • EDHE NJЁ VEPЁR ME PESHЁ TЁ MADHE STUDIMORE PЁR EPOSIN E KRESHNIKЁVE
  • Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe kompromisi austro-rus në lindjen e shtetit shqiptar
  • Ambalazhet plastike ushqimore dhe siguria e shëndetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT