NGA ASLLAN BUSHATI/
Ndoshta (në parim), nuk është etike dhe normale, ti drejtohesh me këto epitete maxhorancës , qeverisë dhe Kryeministrit të vendit tënd. E pranoj këtë mungesë etike , por në të njejtën kohë nuk dua dhe nuk më lejon morali im, që të fshihem prapa etikës duke poshtruar mendimin im, të cilin dua ta ndajë me ata që mendojnë në të njejtën linjë me mua. Po ashtu e di, se ka shumë të tjerë që mendojnë ndryshe, madje mund të më quajnë ekstremist. E respektoj mendimin e tyre në se ma argumentojnë se ata janë më afër të vertetës se unë. Por le të këthehemi tek faktet.
Telenovela Saimir Tahiri u cfaq , me të gjitha përmasat e saj, në Parlament sic e panë drejtpërsedrejti të gjithë shqiptarët. Mbrojtja maxhoritare parlamentare ishte , jo nga dy të ashtuqujturat thashetheme e “lajthitje shtypi” dhe të italianëve , por nga akuzat e shumta dhe ndoshta të përditëshme të opozitës për gati katër vite. Akuza të cilat kanë sjellë informacione se ish Ministri i Brendëshëm është përfshirë në aktivitetin kriminal të kanabisit.
Në se Edi Rama dhe maxhoranca (sic pretendojnë ), është e interesuar për të nxjerrë të vërtetat në shesh, pyetja shtrohet pse ata e bllokuan prokurorine me vendim parlamenti ,për ta arrestuar dhe dërguar para gjykatës Saimir Tahirin? Kush ka frikë nga ngujimi prapa hekurave i Saimir Tahirit? Kush është i interesuar të prishet cdo provë rreth veprimtarisë kriminale të tij të supozuar nga organi i akuzës? Vetë Edi Rama a ka frikë nga ata që di Saimir Tahiri dhe që po të thuhen hapur e merr me vehte në bankën e të akuzuarit edhe atë? Po të zbardhet tërësisht veprimtaria e grupit narkotik të Xibrakës së Elbasanit, a mos del i implikuar edhe Edi Rama me të afërmit e tij? A disponon fakte Saimir Tahiri për veprimtari kriminale të të afërmve të Edi Ramës në off shore? Po ashtu cfarë din Zoti Tahiri nga aktiviteti antiligjor i Edi Ramës si ish Kryetar Bashkie në Tiranë? Në se Saimir Tahiri ishte më i miri ministër i kabinetit të tij të parë (sic ka deklaruar shpesh Edi Rama), pse nuk e riemroi përsëri ministër? Ka edhe shumë pikpyetje të tjera , por edhe kaq na mjaftojnë të arrijmë në përfundimin se :përceptimi i përgjithëshëm është se edhe Edi Rama është i përfshirë në veprimtari të dënueshme dhe se dorëzimi i Zotit Tahiri rrezikon jo vetëm pozitat e tij politike por edhe më shumë. E thënë më shkurt, Edi Rama duke mbrojtur Saimir Tahirin po mbron edhe vehten nga prangosja . Po deri kur do të vazhdojë kjo tragji-komedi? Se dihet se italianët kanë edhe regjistrime të tjera, CIA nuk ka folur akoma, organet e reja të prokurorisë e drejtësisë nuk kanë folur akoma. Dhe vec Edi Ramës e Saimir Tahirit ka edhe ca qeveritarë të tjerë që po dridhen se kur do tu dalë emri në listat e kriminalitetit. Shtoj kësaj edhe bandat kriminale që bëjnë ligjin në Elbasan, Vlorë, Durrës, Shkodër , Lushnje etj, të cilat bashkpunojnë hapur e fshehtas me segmentet e qeverisë. Kjo e ka emrin thjeshtë kriminalitet i ngritur në system në shërbim të banditëve e në dëm të njerëzve të ndershëm të cilët nga mos durimi kërkojnë të largohen me cdo kusht jashtë vendit.
Pas seancës parlamentare, Kryeministri “ ju pergjigj” pyetjeve të gazetarëve. Ju pergjigj e them vetëm si shprehje e përdorur rëndomtë në të tilla raste, sepse ai jo vetëm nuk ju përgjigj, por i sulmoi gazetarët pa as më të voglën etikë. Edi Rama me një arrogancë të paparë, me një fodullëk të pakrahasueshëm me askënd tjetër , i ofendoi ata duke ju thënë se jeni të paditur, nuk lexoni, nuk kuptoni, jeni pjesë e llumit të kazanit të mediave etj. Kjo arrogancë është e denjë vetëm për njerëz të rrugës, kabadainj, megalomanë të tipit Edi Rama dhe për askënd tjerër . Nuk e di se si e duruan pa e ofenduar gazetarët e pranishëm, njeriun e gjatë që kishin para mikrofonave. Do të ishte krejt e pranueshme ta kalonin edhe ata qoftë edhe një herë të vetme kufirin e mirsjelljes, përpara një njeriu kaq arrogant sic është Kryeministri ynë e kryetari maxhorancës socialiste.
Në gjykimin tim, ju socialistët e vertetë, duhet të respektoheni nga gjithë shoqëria, për bindjet tuaja të majta, me të cilat mendoni se shoqëria shqiptare mund të përparojë më shumë me idetë tuaja sociale. Dakort , e respektoj plotësisht mendimin dhe idetë tuaja. Por, në të njejtën kohë edhe ju, ju lutem respektoni bindjet e mija të djathta (dhe të shumë njerëzve si unë) për një qeveri të vogël, taksa të ulta, gjenerim të biznesit, uljen e borxhit të jashtëm e të brendshëm, per arsimin, shëndetsinë, ndarjen teritoriale, organizimin shteteror etj sipas pikpamjeve të djathta. Por të nderuar socialist idealist, a mund të më thoni se cfarë lidhje ka Edi Rama me idetë tuaja sociale? Edi Rama dhe klani i tij nuk janë socialist e bartës të idealeve dhe interesave tuaja. Ata janë thjeshtë , bartës dhe mbrojtës të një grusht njerzish multimolionerë, të bërë të tillë me afera korruptive e kriminale. Ju socialist të vertetë duke mbështetur Edi Ramën në premtimet false, idetë avantureske, kanabizimin dhe kriminalitetitn i keni bërë e vazhdoni ti bëni një dëm të madh të majtës e të djathtës , të sotmes dhe të ardhmes së vendit. Do të ishte në nderin tuaj një reflektim sa më i shpejtë duke mbeshtetur bartësit e menditit tuaj social, tek ata deputetë e intelektualë që nuk janë kompromentuar, korruptuar e kriminalizuar akoma.
Pajtohem me qëndrimet dhe lëvizjet e fundit politike të LSI-së dhe të Kryetares së saj Zonjës Kryemadhi , si për luftën kundër kanabizimit e kriminalitetit dhe në qëndrimin ndaj problemit Tahiri. Por s’mund të pajtohem me lëvizjen e gabuar parazgjedhore të kesaj force, e cila nuk ju bashku qëndrimeve të PD-së dhe opozitës, e cila do të kishte sjellë rezultate të tjera zgjedhore. Gabimin që ka bërë po e pëson vetë nën mëgalomaninë e Edi Ramës, por po e vuan i gjithë populli shqiptar.
Kam mendimin se opozita në tërësi duhet ta njoh autoritetin e PD-së dhe të liderit të saj Lulzim Basha. Ai mund të ketë bërë edhe ndonjë gabim parazgjedhore i detyruar nga rrethanat dhe vecanërisht ndërkombëtarët, por ka treguar largpamësi e këmbëngulje në betejat për luftën kundër kriminalizimit të shtetit e kanabizimin duke ju drejtuar me emër e mbiemër Saimir Tahirit e Edi Ramës dhe klaneve mafioze që i mbështesnin ata. Po ashtu, në gjykimin tim, ai ka qenë shumë serioz dhe i vendosur në platformën e tij për reformën në drejtësi. Shpresoj dhe dëshiroj që gjithë opozita të jetë më e bashkuar në qëndrimet e veprimet e saj, e të korigjojë shenjestrën duke ju drejtuar për goditje objektivave madhor.
Kohët e fundit në shkrimet e mia , kam qenë shpesh herë shumë kritik ndaj ndërkombëtarëve, vecanërisht ndaj Departamentit të Shtetit Amerikan dhe BE-së, për mbështetjen e pamerituar që ata i dhanë Edi Ramës në zgjedhjet e fundit parlamentare duke ndihmuar që situata brenda Shqipërisë të përkeqësohet. Shpresoj që ata ,nga telenovela Tahiri, të kenë nxjerrë përfundime e duhura dhe të ndihmojnë në përshpejtimin e reformës në drejtësi duke marrë pjesë aktive në luftën kundër krimit të organizuar që ka pushtuar Shqipërinë. Ndihmesa e tyre është shumë e nevojëshme dhe qëndrimi pa ekuivok ndaj kriminelëve e të korruptuarve duke folur me emër e mbiemër është domasdoshmëri .