NGA KOLEC ÇEFA/
Palaj e Kruja, dy fryte të jetës sonë shoqnore, intelektuale, politike gjallnuen të heshtun, të panjohun, pse diktatura fshehu ajkën e mendimit të tyne, pa lanë të perhapën mesazhet e veprimtarisë së tyne, pa lanë të ngrohemi nga forca e ndjenjave të tyne patriotike e të frymëzohemi nga perkushtimi i tyne atdhetar e shoqnor. Të dy patën parime e bindje nacionaliste, patën atdhetarizëm të vërtetë, të dy andërruen per nji Shqipní etnike të lirë, të zhvillueme e prendimore “ekonomikisht e pavarun e politikisht neutrale”, per një Zvicër në Ballkan, si e andërronte Gurakuqi, mësuesi, kolegu e shembulli frymëzues i tyne. Të dy i karakterizonte forca e fjalës: Fjala e Palajt ka ma shije letrare, fjala e Krujës ma shumë shije gjuhësore; fjala e Palajt ma shumë ndjenja shpirtnore, fjala e Krujës ma shumë frymë politike.
Në periudhën kohore 1921-1924 të dy u rreshtuen e u aktivizuen në Opozitë kundër Zogut. Palaj qe antar aktiv i Grupit “Ora e maleve”, Kruja qe krejt afër këtij Grupi e bashkëpunoi me antarët: Gurakuqin, Fishtën, Mjedjejt, Harapin, Palajn; ma haptë, edhe me Hasan Prishtinën e Bajram Currin, e gjithashtu ma haptë, me Qazim Koculin, Nolin, etj.
Një ditë po bisedojshe me Pader Justinin. Ra fjala per Mustafa Krujën.
“Unë i thashë:
– Po ai ka kenë fashist, more Pader.
– Jo Kolec, – m’u pergjigj Pader Justini i premë. – Mustafa nuk ka kenë fashist.
– Po ai ka kenë kuisling, more Pader.
– Po, Kolec, kuisling po, por fashist nuk ka kenë”.
Shkodra shkroi per tê: “Vetëm emni i tij âsht një forcë per patriotët e një kërcnim per trathtarët”.
Pas dështimit të madh të dhetorit 1924, sidomos mbas vrasjes së Gurakuqit e Currit, duheshin ide të reja per ideale të vjetra. Duhej koncentrue tanë energjia opozitare e popullit drejtue prej Mustafa Krujës, Qazim Koculit, Koço Tasit per të vû në jetë idealet e Gurakuqit e Currit, “tue perjashtue si antishtetnore parimet e bolshevizmit per reforma shoqnore”, per me shpëtue këtê Zvicër në Ballkan. Pra, shkruen Palaj: “ Na duhen prijësa nën një prijës e një ushtri nën prijësa. Ushtrinë e kemi – populli” e prijësi duhet të jetë Mustafa Kruja të drejtojë direktoriumin e perbamë prej Tasit, Koculit, perfaqësuesave të Gurakuqit e të Currit. E, Shqipnia të ketë tri parti të drejtojnë jetën e politikës shqiptare. Pa, kurrfarë paragjykimi, Frati i Dukagjinit e mbështetë fatin e kombit në këtê kohë tek Mustafa, Qazimi, Hasani…
Sa shkruem ma siper, na u munduem me dhanë material e do të vazhdojmë per këto dy figura që duhen studiue dhe ia lamë kritikës së paster, të mêçme e të paanshme t’i ndriçojë me dritën e së vërtetes, me fakte ndër duer, me një interpretim të qartë, të saktë, bindës, por këtê nuk mund ta bajnë mehmurët e diktaturës a papagalat e partisë. Ma mirë presim pak, të dalin si janë me unin e tyne dinjitoz e na të jemi mirënjohësit per sa kanë dhanë e jo bukëshkalët.
Po japim ma poshtë edhe një letër të pabotueme të P. Bernardin Palaj dergue M. Krujës:
18.IV. ?
Fort i dashuni Mik!
Flas e shkruej në bazë të parimeve të zgavrueme në zgjanimin e statutit të Lushnjes, tue besue se Zotnia Juej, edhe pse hartuesi i atyne parimeve kalbet në dhe, luftën e bani per ide shtetnore, që së bashku me Gurakuqin keni rrahë sa herësh në kullme të bisedimeve e të perpjekjeve diplomatike që u inspiruene me dukjen e mbretit në Shqypni, u rrahen në tryezë internacionale prej jush, pa pasë kurrnji fuqi toke perkrahëse, perveç Perendije, u sanksionuene me statutin e zgjanuem të Lushnjes, u nenshkruene me gjakun e Revolucionit të Qershorit e u vulosne per jetë me gjakun e Gurakuqit e të Bajram Currit. Theksoj, pra, qysh në fillim se kjo âsht baza e çdo perpjekjes, kjo âsht lidhja e dy mendjeve që shkeptas prej shoqi-shoqit marrin e japin per të gjetë posibilitetin ma të ardhshmin per të ngjitun në maje të malit nji gur, që, si thotë Át Noli, me dukjen e Ahmetit, kur kujtojshim se tashma do t’u kapshim në maje, ma fort per faje indishiplinatece, se per kontribucion internacional, na u shkep duersh e na u rrotullue në humbneren e vjetit 1914-1915 te humbnerja e Paktit të Londres. Unë jam i njimendimit plotsisht me Ju, se veç koncentrimi i të gjitha fuqive të shëndosha perreth nji bashkëveprimit sistematik e të drejtuem prej prijësash të shëndoshë kah idealizmi, të mund, tue shfrytëzue divergjencat e të perjashtëmve e presionin tiranik të mbrendshem, me marrë frenat e shtetit në dorë nji çetë antiklikare nacionaliste, që projektin e Gurakuqit ta zbatojë me sukses.
Per me i dalë këtij qellimi, do të dallojmë tri punë:
- a) Gjendja e Shqipnisë mbas zhdukjes së Ahmetit;
- b) Mënyra ma e mundshme per me zhba veprën e damshme të tiranit pa provokue nji luftë civile latente;
- c) Ideja konkrete shtetnore, që, nëmose nder pika trigonometrie, do të jetë e gjeometrizueme prej atij o atyne që të paraqesin revolucionin e ri të shtetit shqiptar para diplomacisë europiane tue kapercye nëper Scyllat e Caribdet e çashtjeve të kaperthyeshme që, mbas vdekjes a zhdukjes së vet len tirani në koncesione e konvencione të lidhuna në bazë të nji statuti, që në kurrnji pikëpamje nuk i pershtatet legalitetit.
Para se të rrëzohet shtëpia por, shpresoj se s’keni me kenë teper largas nder mendime per në theksojsha se duhet të jenë gati landa e re e punëtorët e dishiplinuem nën drejtimin e nji arkitekti. Landa ndoshta nuk do të ishte teper punë e vështirë per me u sjellë, punëtorët edhe po i dishiplinon tirania dita me ditë, pra, lypet arkitekti e këtij rendi nuk mund të randojë ngjeti, veç në Mustafa Krujën, Qazim Koculin e Koço Tasin, shkeptas prej çfarëdo klike, që, ditën e zhdukjes së Ahmetit e të feudalëve, do të zhduket paralelisht me tiranë, tue i lëshue rend evolucionit të lirë e vullnetmirë të nacionalistave të tre grupeve, që dora-doras e të betuem mbi vorrin e Bajram Currit, Gurakuqit, Avni Rustemit e të Zija Dibres, t’i perveshen shpejt, por me siguri nji operacioni rrajësuer per me shpëtue këtê Zvicer në Ballkan. Këtu por na del nji divergjencë mendimesh, jo fort e parandësi per zbatimin e nji plani që, tue i besue jetës së kalueme e parimeve të njohuna të zotnisë suej, per deri ne ketê pikë, besoj se nuk do të tregojë nji diferencë të madhe në paralelizmin e mendimeve.
Pika âsht kjo: pikëpamja jonë kundrejt busoles internacionale para, gjatë e mbas revolucionit, kqyrë nëper prizmin e errët që ajo paraqet mbas tragjedisë a komedisë, si të duesh me e quejtë me Chamberlain a Loid Georgjin së Gjenevës. Këtu të permbledhim njiherë menden tonë!
Âsht nji fakt që Ententa në luftën me armë, me diplomaci, me ekonomi u diftue e nënrendueme hegjemonisë së dollarit amerikan e, pa bashkëveprimin e Gjermanisë e të Rusisë, kurrsesi e zoja me garantue nji paqe të sanksionueme teper me gjak të nxehtë, si thotë në këto ditët e fundit Lord Georg në Versailles.
Si din gjithkushi, sot mbas katastrofës së Gjenevës, firmatarët e traktatit të Versajës jo veç nuk mund t’i kundershtojnë Gjermanisë në Lidhje të Kombeve, por, bile, megjithëse e dinë se Gjermania âsht minatori i trakteve të bame qyshë në Versajë e deri në Lokarno, megjithë këto pranojnë ket kercnim, per me zhgatërrue blokun ruso-gjerman, që me traktatin Virt-Cicerin-Roteman u lidh deri më 1928. Per kedo që ndoq, sado, së largut luftën e popujve të ndryshem, per me gjetë qandrën e re të nji ekuilibri të bjerrun me luftë të perbotshme, per kedo, po tham, âsht fare e kollajtë me e pa tensionin e spiraleve të reja: na kemi dy maje në Europë: nji në London e nji në Moskë. Rreth Ententen e vogel e të madhe me satelitët e vet e perreth Mosket, deri sot bare, Berlin e popuj të mujtun me minoritete të ndrydhuna, që, me dizinteresimin e Amerikës per politikë europiane buerën çdo avokaturë per mbrojtjen e autodeterminacionin e vet pranë aeropagut komiku-ingliz në Lidhjen e Kombeve, ku fati i neutralëve e i kombeve, që gjeografikisht gjindej ndershej Ententofilave, do të shartohej mbas koincidencës së interesës së shteteve mujtësa, që në atë aeropag formon shumicën klasike të unanimitetit të votave.
Me këtê gjendje, na shofim se tue dënue porsi antishtetnore parimet e bolshevizmit per reformen shoqnore, Rusia me Gjermani do të ishin dy të vetem avoketën që në nji aeropag paneuropian, kishin me mbrojtë tezin tonë; Amerikanët konkurrencën e lirë e garancinë e minoriteteve e prej Ententes nuk mund të presim tjetër, veç tragjeditë e vjetëve 1914-15-24. Këta e diftuen se Shqipnia per ta porsi shtet vërte indipedent ekonomikisht e politikisht, âsht nji ekrasit i pandamë që minon çdo marrëveshje ndermjet shteteve fqîj: âsht nji urë kalimit per “Drang nach Osten” e per Rusi që ndryshej, faret ndryshej, e mendojnë konfiguracionin ballkanik.
Të zotët e pozicionit në çashtje të Shqipnisë janë sot, pa dyshim, firmatarët e Paktit të Londres, si edhe të kompromisit Loyd Georg-Clemanceou-Nitti e… Robert Cecil.
Shqypnia, pra, âsht nji satelit i vogël, që ekzistencën e vet ia detyron rivalitetit internacional, perfaqsue prej dy grupeve: nji perba prej anglezësh, francezësh, italianësh, jugoslavësh e grekësh që, tue mos mujtë me coptue Shqipninë, pa gandue interesat shtetnore të vetat, janë konden me shfrytëzue çdo gjendje në Shqypni, mbas nji akordi të bamë mbi nji bazë reciproke interesash, tue u perpjekë, por mëshehtazi, ku me konvencione, ku me pengime ekonomike e me kercnime me perpi shtetin shqiptar mbrenda spirales së politikës shtetnore, me perjashtimin e plotë të konkurrentave tjerë. E, ky âsht shkaku i atij që trandë çdo pozicion shtetnuer që mundohet me marrë çdo qeveri, sado nacionaliste e vullnethekurt që kjoftë.
Tjetri grup perbahet prej gjermanësh, rusësh e amerikanësh me disa shtete ma të vogla, si: Bullgari, Magjari e ndoshta edhe Turki. Nder këta, gjermanët e rusët shfaqen si të kishin interesë jetësore per nji Shqipní vërte indipendente e forcue mbrenda kufijve të natyrshem të vet; Amerikanët, perveç kësaj pike, si dihet, janë mbrojtësit e konkurrentat ma të parët në konkurrencën e kështu që, po të kishte Shqipnija këto tre avoketën nder ato gjykatore, ku priten e shartohen fatet e kombeve, Shqipnija ishte konsolidue nëmose si shtet i dalun prej luftet.
Fati por deshi që Shqipnija perveç Vilsonit, mos të kishte kurrnji avokat që ta mbronte këte ide shtetnore, kuptue ashtu, si do të kuptohej prej çdo shqiptarit që nuk don me e pa Shqipninë nji gur ku mbështetet palla herë e Anglisë, herë e Francës me satelitët e vet, per me ekuilibrue a skuilibrue pozicionin ballkanik mbas barometrit të politikës shtetnore të tyne.
E, pra, kjo krizë aq e shembtueshme per popullin shqiptar ka me vijue deri sa avoketent e vërtetë të çashtjes shqiptare mos ta nxjerrin këtê shtet prej gjireve të Ententes e, kjo kohë nuk shifet se do të agojë para 1928-30, nji periudhë që kurrkushi sot nuk di me thanë, a thue ka me sjellë paqen e perbotshme, apo rrenimin e Europës.
Këtu, pra, s’ka tjeter, veç prej miqve të vërtetë me lypë nji moratorium astensioni të politikës direkte prej nesh me ta, derisa të shfrytëzohet divergjenca e të kointeresuemve fqij anmiq në favor të rindertimit të shtetit shqiptar mbrenda atyne bazave konvencionale që ata vetë i mbajnë porsi bazat e natyrshme të nji Shqypnie vërtetë neutrale e e zoja me ekuilibrue çashtjen ballkanike e adriatike. Ky, lum Mustafa, âsht shkambi që do të shperthehet sot prej nesh, per me dalë nesër në lamën e nji politikës reale me miq e anmiq. Këtu lypet njeni!
Uliksi shqiptar, i vetmi njeri që do të kishte mujtë me drejtue barkën e shtetit shqiptar neper gjiret e hatashme të këtij rivaliteti internacional, sot kalbet nën dhe, e na naufragt të gjithë jemi turrë me ia ngjitë timonit, pa pasë uzdajë të plotë asnjeni në tjetrin; kështu që, ndërsa anija siellet në atë gjiri ku e shtynë plumbi i Baltion Stambollës, Ahmeti flenë i qetë, Baltionat tallen me Shqipninë e shkretë, me këtê Penelope që shtynë nji ditë në tjetrën, kot tue kqyrë sytë e ndonji Telemakut të shkretë që, perveç uzdajet, nuk ka ma tjetër perdoresh, veç me mbytë nanën e veten.
I dashun Mustafë! Era prap na ka hjedhë nder brigjet e Trojës… te koha e Ali Pashë Tepelenës mbrendë, te koha e Esat Pashës, 1915-1918 jashtë. Prap me mbytë Trojen!
Këtu duhen prijësa nën nji prijës e nji ushtri nën prijësa. Ushtrinë e kemi gati: populli i shkretë i lodhun prej tiranije pret ditën se kur po na vjen; por, tue pa se prijësat e tij janë hallakatë pikë-pikë, nji dëshprim e kapë që e lodhë ma teper se tiranija që e ban tiraninë ma të kandshme se nji oligarki zhonturke-klikare. Kush âsht ai i çmendun, që e mohon këtê fakt se qe kah ditë do të ishte kaperdi kjo gjendje, po të kishin ra në godi Noli, Koculi, Mustafa Kruja, Tasi, Shaqir Curri e Shuk Gurakuqi, Xh. Bushati e R.Dani? Po të kishin kapë rremat e barkës së shtetit, të rrëxuemen Gurakuqi e në drejtimin e Qazim Koculit me mësye Adriatikun, a thue sakt se deri tash nuk do të kishim dalë në breg, ku ma se nji Telemak pret ditën e kushtrimit? Boll dam per ne! Ahmeti me tufë kecanash, por të lidhun rreth nji orakullit, dërmoi monarkizmin shqiptar me gjithë prijësa të vet, pse këta, të kuptueshmit me edukatë politike nuk ditën, pse s’deshen me dalë prej klanit personal, nji lëngatë psikike e shqiptarit të shkretë e me u ba regjiment i organizuem, i drejtuem e i primë prej nji prijësi të vullnetshem.
Qe pse u rrutullue shkambi dje, s’mund të ngjitet sot e ka me u rrotullue neser, pse udhëheqësit nuk janë dakord me vijue politikën shtetnore të Gurakuqit, mbas dekës së tij, jo pse s’dinë, por pse nuk duen. E tash shifet se ku kanë dashtë me dalë ata komplote që u bajshin në Tiranë, ndërsa Gurakuqi mbronte çashtjen e perbashkët në Lidhjen e Kombeve.
A din çka, lum Mustafa. Këtu nder ne mbas tiranijet lypet nji diktaturë me nji diktator per krye e këtu të bjen Ty, pse…je i krutanë e ju veç mundeni me dyndë strofullin njiherë e pergjithmonë tiranisë feudale e klikare, me impozue nji sistem administrimi që i pershtatet besimit të plotë të tre elementare e neser me i dorëzue Shqipninë Skanderbegut të vogël, per të cilin prit se u banë mjaft do vorre, sidomos ai i Shpellës së Dragobisë.
Per me i dalë këtij qellimi duhet nji direktorium i perbamë prej Tasit, Koculit, perfaqësuesave të Currit e të Gurakuqit, që t’i japin drejtimet e nji Mustafë per krye që të çojë me energji sot e me urtí nesër planin e Gurakuqit në vend. E, mos u tremb, se nuk kishe me kenë vetëm: nji lidhje ushtarësh intelektualë gurakuqjanë e currista perreth teje kishin me të mjaftue per me zhbi feudalizmën në Shqipninë e Mesme, me zhdukë klikë e klikarë e me i lanë lamën e lirë zhvillimit të këtyne partinave:
- Në Shqipnítë Mesme e të Jugut, partija e bulkut, nën kryesinë tuej.
- Në Vlonë e në Korçë, partija nacionaliste, nën kryesinë e Qazim Koculit, Nolit, Tasit.
- Në Kosovë, Shkodër:
Qendra e Nordit nën partinë e Gurakuqit e të Bajram Currit që në bazë të pikave të caktueme prej Gurakuqit per formimin e kësaj qandre në 1924 të bijnë ndershej të evolucionit të politikës së shtetit shqiptar.
Prej Hasan Prishtinës lypë atdheu nji vade kohë, nji armëpushin me shtet jugosllav, deri sa të konsolidohet gjendja e re, pra, abstenim, prej anës sonë kah çashtja e minoriteteve, tue formue Hasani me kosovarë nji klub indipedent per mbrojtjen e minoritetit shqiptar nën avokaturën e gjermanëve e neser edhe të rusëve, pranë Lidhjes së Kombeve.
Deri sa të konsolidohet shteti e të shfrytëzohet rivaliteti i të interesuemve per çashtjen adriatike, shteti shqiptar me ndjekë rrjedhjen e austriakëve kundrejt Tirolit.
Hasan Prishtina do të ishte i vetmi diktator që, tue drejtue çdo veprim, ka nji qellim të caktuem, mbrenda gjashtë muejve kishte me vû qetësinë e sigurinë në vend, me gatue evolucionin e natyrshem të partive, që permendem sypri e me nji asemble omogjene me vû Shqipninë mbrenda binarit të vet, mbas atij projekti që Gurakuqi i paraqiti popullit shqiptar me proklamën e qeverisë revolucionare. Mirëpo, Hasani sot nuk mund të permendet per mos me urtue drejtperdrejt ma të parin shfrytëzues, Jugosllavinë e per konsekuencë Francën. Prandej Hasani do të rrijë rezervë e mësheftë po, por jo e paorganizueme, ashtu si ta lypë rrethana politike. Hasani do të jetë organizuesi indirekt i Grupit të Currit, perba prej nji elementi, per faqe antiirredentist. Si të hinë gjermanët me shokë në Lidhje të Kombeve ka kush sulmon çashtjen e minoriteteve.
Mbas Hasan Prishtinës mund t’i perveshen diktaturës vetem dy vetë: Mustafa Kruja e Qazim Koculi, rrethue prej nji moraturiumit monarkist latent që me energji të percjellin shtetin neper fazat e kritikshme, deri sa t’i kapet qellimit – pa revolucion, por me nji evolucion të natyrshem.
I duelëm këtij qellimi, atëherë ka shpëtue Shqipnija e meritimi i jet (i mbetë) prap nji kruetani.
Të marr ngrykë
At Bernardin Palaj (firma)
(Origj. në AQSH, F. P., botue per herë të parë në “Milosao”, 17 maj 2009)