Rubrika- Tingëllime vëndemrash ilire (3)/
Ne Foto: Vëndbanimi i lashtë në Palokastër të Gjirokastrës, aty ku bashkohet lumi Drino me lumin e Kardhiqit, që është identifikuar me Phanote-n e lashtë./
Nga Prof. Nelson ÇABEJ/
Palokastra është një fshat i komunës së Cepos në rrethin e Gjirokastrës. Fshati ndodhet aty ku bashkohet lumi Drino me lumin e Kardhiqit. Në këtë fshat ndodhet një kështjellë e ndërtuar në vitet 314-315, por edhe një vëndbanim i lashtë që ka ekzistuar të paktën që nga shekulli IV p.e.s.
Vëndbanimi i lashtë në Palokastër të Gjirokastrës, aty ku bashkohet lumi Drino me lumin e Kardhiqit, që është identifikuar me Phanote-n e lashtë.Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1980 kështjella dhe fshati dalin me emrin Palokastra1, që pasqyron opinionin mbizotërues se ky vëndemër ka prejardhje të huaj (nga fjalët greqisht paleos ‘(i,e) vjetër’ dhe latinisht castrum, castellum ‘kështjellë’). Por ky opinion sipërfaqësor ndesh në vështirësi të pakapërcyeshme.
Ndërkohë që dihet se kështjella e Palokastrës është ndërtuar në shekullin IV të erës sonë, vëndbanimi qytetar i lashtë aty ka ekzistuar të paktën 7 shekuj para se të ngrihej kështjella dhe ai vëndbanim sigurisht kishte një emër të ndryshëm nga Paleokastër me që qyteti ende nuk kishte kështjellë (castrum) e aq më pak kuptim do të kishte që në atë kohë ai qytet të quhej Paleokastër (kështjellë e vjetër). Atëhere, si e kanë quajtur banorët e vëndit qytetin e tyre shumë shekuj para se të ndërtohej aty kështjella?
Ndërkohë që përbërësi i dytë latin castrum ‘kështjellë’ mund të përjashtohet nga hetimi për të gjetur emrin e hershëm të këtij vëndbanimi, nga pikëpamja gjuhësore, si objekt kërkimi mbetet përbërësi i parë, paleo, edhe pse ai tingëllon qartë si një emër grek.
Ne do ta shfrytëzojmë këtë fjalë vetëm për të mbështetur të dhënat historike të burimeve të lashtësisë dhe hipotezat e historianëve modernë rreth emrit të Palokastrës në lashtësi.
Në vitin 1835 studiuesi britanik W.M. Leake2 që kishte shëtitur nëpër këtë rajon, duke u mbështetur në përshkrimet e betejave të konsullit romak Apius Claudius në Iliri dhe Epir dhe në gjeografinë krahasuese erdhi në përfundimin se në këtë rajon, në Kardhiq, në veri të Gjirokastrës, ndodhej qyteti i lashtë epirot, Phanote të cilin fillimisht e rrethoi por pastaj e braktisi konsulli. Këtë mendim mbrojti më vonë, në vitin 1862, edhe filologu dhe arkeologu gjerman Conrad Bursian (1830- 1883). Por në vitin 1938 Eugen Oberhummer (1859-1944), pas një hetimi më të hollësishëm, nëpër harta më të plota të kësaj zone, arriti ta saktësojë vëndndodhjen e Phanotës së lashtë në fshatin Palokastër, pikërisht aty ku bashkohen lumi Drino me lumin e Kardhiqit, ku sot gjëndet një vëndbanim i periudhës klasike.
Phanote me sa duket ishte nje qytet skajor jugor i fisit ilir të atintanëve ose të amantëve. Një vëndbanim tjetër i lashtë me po këtë emër, Phanote gjëndej në një rajon tjetër të Epirit, në brigjet e lumit Thyamis (sot Kalamas), aty ku sot është fshati çam Raveni, në rrethin e Filatit, Greqi.
Në mbështetje të këtij lokalizimi, të përligjur nga ana historike dhe arkeologjike, vjen edhe një argument gjuhësor: grupi ph në greqishten e lashtë nuk lexohej f, sic jemi mësuar ta shqiptojmë nga greqishtja mesjetare dhe e re, por ashtu siç shkruhet, ph. Veç kësaj, duhet të mbahet parasysh edhe fakti që për vëndemrat e huaj ph- e autorëve të lashtë grekë shumë herë qëndron për një p- të origjinalit3.
Në periudhën e parë të formimit të gjuhës shqipe, qyteti do të jetë quajtur Phanote/Panote, por, me ngritjen e kështjellës në shekullin IV të erës së re, të paktën në burimet e shkruara qyteti do të dilte me emrin *Phanotcastron (nga Phanote + castrum ‘kështjellë’). Më vonë do të ketë ndodhur disimilimi n > l, që nuk është i panjohur në gjuhën shqipe e madje është dëshmuar edhe në vëndemra si në rastin e Panormos së lashtë, që sot njihet si Palermo, në bregdetin jonian të Shqipërisë.
Në formën e sotme Palokastër, ky vëndemër përfaqëson një dëshmi tjetër se qyteti Panotë dhe rajoni rreth tij kanë qënë banuar nga shqiptarë, të paktën qysh nga lashtësia e vonë.(Vijon rubrika)
Referencat
1. Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985). Akademia e Shkencave e RPSSH, Tiranë.
2. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece, I, London, J. Rodwell, New Bond Street, f. 72-73.
3. Kretschmer, P. (1896). Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache. Vandenboeck and Ruprecht, Göttingen, f. 268.