Nga Kolec TRABOINI/
Proverbi biblik: “Fali Zot se nuk e dinë çfarë bëjnë!”- është për të gjithë ata mëkatarë, që të marrakatun pas interesave a marrëzive të veta u shkaktojnë vuajtje e dhembje të tjerëve. Por kjo nuk i takon vetëm një kategorie njerëzish e në këtë gjasë nuk ka pse përjashtohen edhe njerëzit me veladon nëpër objektet e kultit. Shkuar pas kësaj urtësie biblike edhe unë këtu e vite të shkuara, kur tokën e varreve të familjes na e përgjysmoi një njeri me lejen e bekimin e një prifti me origjinë nga Kosova në Kishën Katedrale të Shkodrës, nuk ia përmenda emrin asnjëherë atij prifti, nuk e mallkova anipse dhimbja që më ka shkaktuar ka qenë fort e madhe. Se toka e varreve familjare nuk është pasuri, por është e shenjtë e nuk bën të tjetërsohet se është dinjitet, është kujtim amshimi për brezat paraardhës për të cilët në ballë të Rrmajit shkruhet “Faljua Zot pushimin e pasosun!”. Ndaj kam thënë e them: “Fale Zot priftin nga Kosova se nuk ka ditur çfarë bënte”.
Nuk do të isha kujtuar për këtë episod disi elegjiak, sikur këto ditë të mos isha ndodhur sërish para një prapësie, të mos i kisha përsëritur sërish fjalët: “Fali zot se nuk dinë çfarë bëjnë!”, e fjala këtu ishte sërish për njerëz me veladon.
Pranë kishës katolike në rrugën e Kavajës, në Tiranë, më zunë sytë një shtëpi me numur 149 me çati e mure të rrënuara e në oborr të saj një mjet i rëndë shkatërrues. Dukej një punë e nisur dhe e pambaruar. Pyeta taksistët që janë aty përditë e më thanë se ka patur një konflikt të vjetër mes Kishës Katolike dhe banorëve të shtëpisë, së pari për pronësinë e së dyti se Kisha donte t’i nxirrte jashtë pasi kishte arritur dosido të vërtetonte se në vitin 1956 apo ‘57 një firmë italiane që kishte pronësinë mbi të ia kishte dhuruar Kishës( mesa duket një falje fiktive për të shpëtuar nga konfiskimi shtetror). Banorët nuk bindeshin dhe deklaronin se kjo qe e gjitha një kurdisje që të merrej prona ku ata ishin qiraxhinj të shtetit. Njerëzit u nxorrën jashtë e në këtë nxjerrje të përdhunshme pati një tragjedi. Në ndërgjegjen e meshtarëve apo administratorit të Kishës Katolike në rrugën e Kavajës është jeta e humbur një njeriu. Gjergj Skënderaj banonte në atë shtëpi prej vitesh. Ishte dhe i sëmurë. Por Kisha arriti ta nxirrte në rrugë dhe i mjeri njeri flinte aty përjashta dhe një natë të ftohtë aty dha shpirt, në derë të kishës, në rrugën e Kavajës.
A thua e vrau ndërgjegjia ndonjë prej meshtarëve të asaj Kishe?! A thua shkoi zëri deri lart në hierarkinë fetare për shuarjen e jetës së një njeriu nga i ftohti i natës e hidhërimi që e nxorrën në rrugë?! Nuk dimë ndaj nuk mund të flasim. Ajo çfarë mund të themi është se aty dha shpirt në hidhërim e pikëllim të thellë shqiptari Gjergj Skënderaj.
Po koha qenka e tillë që shumë shpejt harrohen edhe dhembja edhe plagët, e sa për vrasje ndërgjegjeje as që bëhet fjalë.
Sikur të mos kish ndodhur asgjë, sikur Gjergj Skënderaj të mos kish qenë kurrë në këtë botë, ndërgjegjia e pavrarë e njerëzve me veladon në Kishën Katolike në rrugë të Kavajës, ndërmarrin një veprim tjetër që tregon se në shpirtin e tyre nuk ekziston institucioni i kristian mëshirës së Jezu Krishtit, por i pamëshirës.
Anipse çështja e kësaj ndërtese vazhdon të jetë në gjyq, siç na thanë banorët, sepse gjyqet e dy shkallëve i kanë fituar qytetarët ankues dhe ndodhet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, Kisha bën një veprim të papritur, për ta bërë gjithë këtë çështje një punë të kryer në favorin e saj, pra një lloj vetgjyqësie. Vendos prishjen e ndërtesës, anipse ajo është nga ato ndërtime për të cilat shoqatat që merren me urbanizmin në kryeqytet e që dinë të protestojnë edhe për një dru, duhej të ishin bërë gjallë për t’i ndaluar dorën Kishës me shkakun serioz se ndërtesa paraqet vlera arkitekturore. Por, kush e di ku i fle lepuri i këtyre shoqatave. E për ta bërë punën të kryer e të pakthyer, Kisha gjeti dhe personat që e kanë mjeshtri shkatërrimin. Koha më e përshtatshme u mendua ajo në të cilën na ranë edhe dy tërmete (siç duket për t’ia vënë fajin tërmetit për shkatërrimin) dhe kësisoj të thuhej se “Kështu desh Zoti!”.
E që puna të bëhej sa më e paqme, asgjë të mos binte në sy, u zgjodh edhe ora 2 pas mesnate. Kështu mjeti i rëndë shkatërrues hyri në oborrin e ndërtesës në krah të Kishës e nisi shkatërrimin. At kohë një tërmet i vërtetë alarmoi e u prishi gjumin banorëve që i kanë shtëpitë ngjitur me ndërtesën në fjalë.
Qytetari Dritan Dinaj tregon se çfarë tmerri kish pësuar atë natë, si e kishte rrëmbyer vajzën 6-muajshe dhe megjithë gruan kishte dalë përjashta në rrugë duke menduar se një tërmet shkatërrues po e rrafshonte Tiranën. Veç kur kanë dalë jashtë kanë parë eskavatorin. Eskavatoristi i ndodhur përballë banorëve të acaruar u ka kërkuar falje duke u thënë se e kishin siguruar se shtëpitë e banimit të lagjes ishin 16 metra larg e jo ngjitur njëra pas tjetrës. Të revoltuar rreth 30 banorë kanë lajmëruar Policinë e Bashkinë dhe më së fundi po kjo bashki që u ka dhënë lejen e prishjes në kundërshtim me ligjin, sepse procesi gjyqësor vazhdonte, kjo pra parkoi një makinë të policisë bashkiake tek porta dhe pezulloi vazhdimin e shkatërrimit.
Në të vërtetë djallëzia nën veladon e ka bërë punën, sepse çfarëdo vendimi që do të marrë Gjykata e Lartë, gjysma e ndërtesës tashmë është shkatërruar dhe ajo duket si t’i kishte rënë bomba. Kisha e imponoi zgjidhjen. Po kujt i shërbeu me këtë imponim? A ia vlen që një institucion kulti të hyjë në konflikt me banorët e lagjes, të cilët tashmë e shohin kishën si një uzurpatore të dhunshme që nuk ka as durimin të presë vendimin e Gjykatës së Lartë. Për më tepër se kanë dalë fjalë se tërë kjo mizanskenë konfliktesh është e inicuar nga disa persona të lidhur me krerët bashkiakë dhe krerët e kësaj kishe të cilët siç thonë kanë për qëllim që në vend të një ndërtese karakteristike të ndërtimeve të Tiranës pas vitit 1920 të ngrihet një kompleks tregtar fitimprurës. Pyetja shtrohet se qëkur edhe njerëzit e veladonit kanë nisur të miklohen prej bisneseve sa të rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve që nga Gjergj Skënderaj, por edhe dy ish banorë të kësaj ndërtese që vdiqën pikërisht prej hidhërimit se i nxorrën në rrugë?! Rrezikuan deri edhe fëmijë 6-muajsh. Ne themi i faltë Zoti se nuk dinë çfarë bëjnë, por a thua i fal Zoti këta njerëz që me fjalë predikojnë mëshirën e nën veladon fshehin pamëshirën?
Dritan Dinaj, i tmerruar për fatin e vajzës së vet ferishte thotë se i ka shkruar Papës në Vatikan dhe do t’i shkruajë përsëri duke shpresuar se do t’u ndalet dora veladonëve të rrugës së Kavajës. Ai beson se kjo do të ndodhë se Kisha Katolike Romane i ka themelet e saj në mëshirën dhe dashurinë njerëzore.