• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË SHPËTOJMË ATË QË NA NDIHMON NË KABUL

June 13, 2021 by dgreca

Nga PAOLO MIELI-E përktheu Eugjen Merlika/Bën përshtypje kujdesi I pakët me të cilin mediat perëndimore ndjekin tërheqjen ushtarake nga Afganistani, që duhet të përfundojë brënda 11 shtatorit t’ardhshëm. Ushtarët që lenë tani Kabulin bëjnë pjesë n’atë kontigjent që u dërgua njëzet vite më parë, fill mbas atentatit të Kullave Binjake. Gëzonin miratimin e Kombeve të Bashkuara; misioni i tyre ishte ai i shkatërrimit të Al Qaedës, të mundnin talebanët e t’i siguronin Vendit lirinë politike së bashku me mundësinë e ushtrimit të të drejtave themelore. Fatkeqësisht gjërat nuk shkuan simbas dëshirave të OKB: asnjëri prej atyre synimeve nuk u arrit, luftën e humbëm e tani do të pregatitemi të jemi të pranishëm në skena të zakonshme në këto lloj rrethanash. Të gjithë ata që, në çfarëdo mënyre, e kanë ndihmuar  regjimin e “liruesve” do të kenë frikë se do të pësojnë pasoja e do të grumbullohen në portat e ambasadave tona për t’u lutur të mos braktisen në kthetrat e fituesve. Siç ndodhi më 1783 në kolonitë amerikane (atëherë ishin administrata dhe ushtarët britanikë që duhej të shkonin), më 1962 atëherë kur francezët u detyruan të lëshonin Algjerinë, më 1975 kur Shtetet e Bashkuara u shtrënguan të braktisnin Vietnamin, i kobshëm do të jetë humori i atyre që do të braktisin fushën.

Por akoma më i mbyllur do të jetë fati i atyre që kishin shpresuar tek “shliruesit”, dolën haptas pë t’i ndihmuar ata dhe tani do të pësojnë trajtimin që në raste të tilla i u ruhet “bashkëpuntorvet”. Do të lulëzojë – siç ndodhi në Saigon në pjesën e dytë të viteve Shtatëdhjetë – një letërsi mbi paligjshmëritë administrative të kryera në dy dhjetëvjeçarët e fundit nga disa qytetarë afganë së bashku me pushtuesit. Korrupsioni – nga ana tjetër i paditur e i dokumentuar nga mediat perëndimore – që tashmë do të shërbejë si shkak për të ndëshkuar cilindo që nuk do të dojë t’i nënështrohet regjimit të talebanëvë të rinj, duke filluar nga gratë.

Që tani lexohet për disa prej tyre të rrahura në Herat në sheshin publik. Për të tjera të gjuajtura me gurë. Për makinën e një doktoreshe të hedhur n’erë në Jalalabad. Për dy vajza që punonin për një tv vendor të vrara me të shtëna revolveri. E për një pafundësi rastesh të tjera të llojit. Gratë janë e do të jenë akoma më shumë të parat që duhet të paguajnë një çmim tejet të lartë sepse kanë zgjedhur jo për të hequr perçen – shumë e kanë mbajtur – por për fajin se kanë jetuar si njerëz të lirë. E sepse kanë rritur një brez të mësuar të jetojë me liritë që i kanë hije Vendeve jo despotikë. Në një intervistë në këto faqe dhënë Andrea Nicastro-s, Muhamed Naimi – zëdhënës i talebanëve në tryezën e bisedimeve të Doha-s, ka siguruar se nuk do të ketë probleme të këtij lloji nga çasti kur ”islami i siguron grave të drejtën e studimit e të punësimit”. Por më pas ka shtuar se “natyrisht” këto të drejta duhet të ushtrohen “në dritën e traditave afgane”. Shpresojmë të gabohemi, por neve na duket se ky bisht përmban një kërcënim.

Pak, kemi thënë, janë ata që i venë kujdes mënyrës se si po përmbyllet misioni   “Resolute Support” n’ Afganistan. Ndërmjet këtyre është Bernard-Henri Lévy që ka folur për një “nisje pa lavdi”, e ka përcaktuar si “të padëgjuar” mënyrën me të cilën afganët braktisen në fatin e tyre në përfundim, për më tepër, të një “disfate të vetëpësuar”. Pak a shumë ajo që – me të njëjtën shkujdesje – Shtetet e Bashkuara kanë bërë pak kohë më parë me kurdët në Siri dhe n’Irak.

Filozofi Michael Walzer ka propozuar që Shtetet e Bashkuara të marrin me vete të gjithë “burrat, gratë që, me familjet e tyre, janë në rrezik përndjekjeje, burgimi ose vdekjeje”. Mbi të gjitha për shkak të atij që e ka përcaktuar “mvatimi i ynë”. Njerëz që rrezikohen “drejtpërsëdrejti” sepse “kanë bashkëpunuar me ne”, ose “tërthorazi” sepse kanë demostruar për demokracinë, organizuar sindikata ose kanë hapur shkolla për të rinj”. Një bashkëpunim që ka ndodhur në dritën e diellit sepse ishte “nën mbulesën tonë”. Gjithsej bëhet fjalë për shtatëdhjetë mijë njerëz që tashmë kanë kërkuar vizën për në Shtetet e Bashkuara. T’i marrim me vete, ka thënë Walzer, “është një detyrim moral absolut”.

Në shëmbullin e fjalëve të Walzer-it, shtojmë se janë nja pesëdhjetë përkthyes që kanë shërbyer për kontigjentin italian e që tani – së bashku me familiarët e tyre (gjithsej rreth katërqind veta) – na kërkojnë të jenë të pritur në Itali për të mos pësuar pasoja për ndihmën që na kanë dhënë. Do t’ishte mirë që ministri i Mbrojtjes Lorenzo Guerrini – i cili ka treguar se është në njohuri të këtij problemi të veçantë – të zotohej publikisht për të mos i braktisur ata njerëz në fatin tashmë të shënuar. Nuk duam t’i shtojmë më shumë se pesëdhjetë të rënëve n’atë tokë, edhe të vdekur ndërmjet atyre që kanë punuar për neve.

 Një luftë që nuk merr përsipër një problem të këtij lloji është e paracaktuar të kujtohet si një përvojë pak e ndershme. Që t’a kemi humbur nuk është agjë në krahasim me turpin e të lënit të paguajnë çmimin e plotë të humbjes atyre që kanë qenë për dy dhjetëvjeçarë përbri nesh.

“Corriere della Sera”, 6 qershor 2021  E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Kabul, PAOLO MIELI

ORGANIZATA BOTËRORE E SHËNDETËSISË, GABIME QË NUK DUHET TË PËRSËRITEN

May 30, 2021 by dgreca

Nga PAOLO MIELI-Përktheu Eugjen Merlika/

Taivani ka pak më shumë se një të tretën e banorëve që ka Italia (23 milionë e gjysmë, kundrejt 60 milionëve tanë. U godit nga Covidi pak a shumë në të njëjtën kohë kur pandemia u përhap tek neve, në fillim të vitit 2020. Por që atëherë ka patur një numur të infektuarish krejtësisht të papërfillshëm në krahasim me atë italian (1256  kundrejt 4milionë e 150 mijë) dhe një pjese shumë më të pakët sasie të vdekurish (12 kundrejt 125.000 tonëve). Për të krahasuar Taivanin dhe Italinë duhet të shumëzojmë për tre pozitivët e tyre (do t’ishin pak më pak se 4.000) dhe të vdekurit e tyre (do të ngriheshin deri në 36). Në çdp rast nuk mund të shmanget llogaria përfundimtare: Taivani ka patur një tregues infektimesh dhe vdekjesh pabesueshmërisht më t’ulët se ai italian (e i të gjithë Vëndeve perëndimore).

Sigurisht Taivani është një ishull, ka mësuar të mbrohet nga virusi që nga kohët e krizës Sars (2003), është i pajisur me një aftësi të madhe ravijëzimi, ka një sistem mjekësor të shkëlqyer. Por duhet thënë se nuk “gëzon“ një regjim komunist (që do të thotë një qëndrim mbikqyrjeje, tipik i sistemit të trashëguar nga Mao). Megjithatë i ka bërë ballë koronavirusit  pa shpallur edhe një ditë të vetme mbylljeje.

Në një libër të rëndësishëm sapo të botuar, “Peshku i vogël. Një histori  virusesh e sekretesh” (Feltrinelli), Françesco Zambon sjell një hollësi kërshëruese: Taivani nuk bën pjesë në Organizatën botërore të shëndetësisë; megjithatë ishte i pajisur me një plan për të përballuar pandeminë në çdo drejtim, më të mirë se ai i Vëndeve “të mbuluara” nga OBSH. Zamboni është ai funksionar i OBSH i shtrënguar një vit më parë të tërhiqte një raport të miratuar nga drejtuesit e Organizatës në të cilin zbulohej se plani pandemik italian – në ndryshim nga ai i Taivanit – nuk ishte përditësuar që nga viti i largët 2006. Kurrë. Ranieri Guerra, zëvendës i Kryetarit të Organizatës botërore të shëndetësisë – përgjegjës, edhe se jo i vetmi i atij përditësimi të munguar – u muar (së bashku me Hans Kluge, drejtor i OBSH për Evropën) me rastin në mënyrë të tillë për të mos i dhënë asnjë lloj keqardhjeje ministrit të Shëndetësisë Roberto Speranza e mbi të gjitha kryeministrit Giuseppe Conte që, në fundin e janarit, kishte shkuar në televizion për të lëvduar përshtatshmërinë e atij plani. Si? Sa hap e mbyll sytë raporti i Zambonit u zhduk nga qarkullimi; mbas kësaj autori i raportit i qortuar u shty të largohej nga OBSH. Por edhe Ranieri Guerra ka paguar një çmim: për maturi u ndje i detyruar të mungonte në ekranet e dashura televizive, nëpërmjet të cilëve duke u imponuar si njëri ndër më të zellshmit komentatorë të gjithë çështjes Covid.

Më  vonë një rezolutë e Asamblesë botërore të shëndetit i ka besuar trembëdhjetë personaliteteve detyrën për të hetuar se përse koronavirusi ka vërshuar në Vendet e OBSH në mënyrë kaq rrënuese. Të trembëdhjetët (siç ka treguar ditë më parë Guido Santevecchi) kanë zbuluar se përgjegjësi të mëdha bien pikërisht mbi OBSH-në. “Jetojmë në shekullin e njëzetëenjëjtë, por sillemi si të ishim në Mesjetë”, ka paditur bashkëkryetarja e komisionit të hetimit, ish kryeministreja e Zelandës së Re, Helen Clark. Tjetra drejtuese e panelit të të trembëdhjetëve, ish presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf (Çmim Nobel për Paqen në 2011), ka paditur kryetarët e qeverive në fuqi më  2020 se nuk kanë marrë në konsideratë dosjet mbi krizat e mëparëshme shëndetësore dhe nuk e kanë ndjerë për detyrë të përshtasnin, në dritën e atyre dosjeve, planet pandemike.

Përgjegjësi i kësaj pengese të hatashme ka një emër e një mbiemër: Tedros Adhanom Ghebreyesus. Tedros ka qënë ministri tejet i kundërshtuar i shëndetit n’Etiopi nga 2005 deri më 2012; më 2017, në sajë të aftësisë së tij të manovrimit, u emërua drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Vërtetoi menjëherë se ishte një politikan shumë i zoti, endës i madh i marrëdhënieve me qeveritë: sapo u ngjit në drejtim të OBSH-së – kujton Zamboni – emëroi diktatorin e Zimbabvet, Robert Mugabe (një zgjedhës i madh i tij), “Goodwill Ambassador për sëmundjet jo ngjitëse”. Dhe, për t’a përligjur emërimin, e përcaktoi Zimbabven “një Vend që ve në qëndrën e politikave të tij mbulesën shëndetësore universale dhe promovimin e shëndetit për t’i siguruar kura shëndetësore të gjithëve”. Në të vërtetë i mbilëvduari sistem shëndetësor i Mugabes, fatkeqësisht ishte i rrënuar dhe – sapo u muar vesh – Tedros u shtrëngua të tërheqë tinëz nderimin e despotit.

Por vazhdoi të bëjë për vete drejtuesit e Vëndeve të OBSH-së për të siguruar qëndrueshmërinë e tij e të funksionarëve në majë të organizatës. Qe paturpësisht sylesh me Kinën në muajt e parë të pandemisë dhe hyri në ndeshje për këtë me Donald Trump-in. Ajo që përbënte fatin e tij n’ata çaste ishte fakti se kundërtrampianët e tërë botës e falën në çast për çfarëdo shkujdesjeje, duke shfajësuar në të njëjtën kohë vetveten për veprime të padenja e të hapura si ato të paditura nga Zamboni.

Tani të gjithë Vëndet që kanë diçka për të fshehur (e për të kërkuar falje) sa i përket papregatitjes dhe moskokëçarjes me të cilën kanë përballuar pandeminë, bëhen gati për të rizgjedhur Tedrosin në drejtimin e OBSH. Dhe deri sa Tedros të qëndrojë në shalë, mund të jemi të sigurtë se Zambonëve të gjithë botës, pak a shumë në heshtje do t’u tregohet dera. N’atë pikë duhet vetëm të shpresojmë që virusi të mos paraqitet në trajtat e sotme apo në të tjera.

N’atë rast do t’ishte e këshillueshme që të merrej me kohë qëndrimi në Taivan. Edhe  se ishulli – për inat të një fushate për t’a pranuar të Giulio Terzit dhe Matteo Angiolit n’emër të Komitetit global për shtetin e së drejtës ”Marco Panella” – nuk gëzon gjithsesi konsideratë nga ana e Organizatës botërore të shëndetësisë.

“Corriere della Sera”, 16 maj 2021   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Organizata Boterore e Shendetesise, PAOLO MIELI, Përktheu Eugjen Merlika

MERITAT E HARRUARA TЁ KURDЁVE

November 6, 2017 by dgreca

…Ne perёndimorёt kishim premtuar se nё rast se ajo betejё do t’ishte fituar, nuk do t’i kishim braktisur kurrё nё dorё tё ushtrive shiite tё armatosura nga Bagdadi dhe Teherani. Dhe ata na besuan. Tё themi tё vёrtetёn : n’atё kohё, as edhe mё ciniku prej nesh, do tё mund tё pёrfytyronte qё (mbasi i kishim pёrdorur pёr tre vite tё pambarueshme nё luftime trup me trup e metёr pёr metёr), do t’i kishim braktisur nё fatin e tyre. E qё, madje, do t’u kishim hapur rrugёn xhelatёve tё tyre, sa hap e mbyll sytё. Por ndodhi./

1PAOLO MIELI

Shkruar nga PAOLO MIELI/“Corriere della Sera”/E shqipёroi pёr Dielli-n Eugjen Merlika /

Nё orёt nё tё cilat bota e tёrё (dhe ne bashkё me tё) prekeshim pёr viktimat e atentatit terrorist tё Manhattan-it, na duket e detyrueshme – pёr tё kuptuar nёse ka tё çara ose vetёm paqartёsi nё zotimin tonё kundёr radikalizmit t’armatosur tё islamistёve – tё ndaleshim pёr tё pёrsiatur mbi tragjedinё qё po jeton populli kurd. T’atyre kurdёve qё, mbasi kanё ndihmuar gjatё tre vjetёsh tё pafund Amerikёn dhe Perёndimin pёr tё shpartalluar  terroristёt e Daesh-it, janё lёnё prè e ushtrive shiite Hashd al – Shaabi, tё drejtuara nga gjakёsori Kasem Sulejmani. E sё bashku me tё tё kujtdo nё rajon, qё do tё donte tё pёrfitonte nga cfilitja e tyre nё luftёn e gjatё kundёr Kalifatit, pёr t’i shqyer njёherё e pёrgjithmonё. Njё tradhёti e tmerrshme, e jona. Ai popull qё, me çmimin e flijimeve tё papёrfytyrueshme nё jetё njerёzore, na ka bёrё tё mundur tё hidhnim n’erё qёndrёn e terrorizmit botёror (pa menduar se nё sajё tё tyre skajorёt islamikё mund tё quhen pёrfundimisht tё shpartalluar), pikёrisht nё kёto ditё i jepet pёr haje xhelatёve t’ardhur nga Irani dhe Iraku. Ndёrsa kryetari i tyre, Massoud Barzani, edhe sepse i tradhёtuar nga njё grupim kundёrshtar, ёshtё i shtrёnguar tё japё dorёheqjen me fjalё plot dinjitet, tё cilat mbas pak vitesh do tё pёrfundojnё nё librat e historisё. Edhe kurdёt, nё tё njёjtёt ditё tё Katalonjёs, kishin shpallur njё referendum pёr tё pёrcaktuar pavarёsinё e tyre. Bota nuk tregoi vёmёndje pёr kёtё kalim tё çёshtjes sё tyre historike.

Edhe se, nё ndryshim nga pasuesit e Puigdemont-it, populli i Barzanit gёzonte tituj tё posaçёm ligjёshmёrie morale pёr tё ecur n’atё drejtim. Ashtu si – pёr tё sjellё njё shёmbull fantazie (nёnvizoj fantazie tё thjeshtё) – do t’i kishte patur populli katalanas nёse, nё fillim tё viteve 40, tё kishte mbetur i vetёm duke luftuar kundёr ushtrive naziste. Katalanasve nuk i u ёshtё dhёnё rasti tё tregonin vlerёn e kёtyre meritave. Kurdёve po. Dhe ёshtё njё padrejtёsi e stёrmadhe fakti, qё e gjithё bota perёndimore nuk don tё njohё borxhin moral qё duhej tё ndiente kundrejt tyre. E qё, pёrballё dramёs sё kёtyre njerёzve, tё kthejё kokёn nga ana tjetёr.

Historia nuk ёshtё e re pёrballё kёtyre pabesive tё tmerrshme. Mjafton tё kujtojmё, duke zgjedhur rastёsisht, traktatin e Campoformio-s, qё mori emrin nga njё fshat friulan nё tё cilin mё 17 tetor 1797 Napoleon Bonaparti i dhuroi Austrisё qytetin e Venedikut, krenarisht i pavarur prej mё shumё se njёmijё vjetёsh. Venediku, me asnjanёsinё e tij, deri nё atё çast kishte ndihmuar ushtrinё franceze n’Itali, madje dhe i ishte dorёzuar asaj. Mbasandaj gjenerali francez e kishte shpёrblyer me Campoformio-n. Ai veprim cinik i Bonapartit shkaktoi pёrçmim tek intelektualёt e gadishullit, pёrveçse, nga ai çast e mё tutje, njё mosbesim skajor  kundrejt Napoleonit. Ёshtё e mjaftueshme tё lexohet ndonjё faqe nga Letrat e fundit tё Jacopo Ortis, pёr tё matur  fuqinё e atyre ndjenjave tё mospёlqimit. Por tashmё, sa i pёrket kurdёve nuk ka (me pёrjashtime rastesh shumё tё rralla) ndonjё Ugo Foscolo qё tё kujdeset pёr fatin e tyre.

Ajo kurde ёshtё njё histori e gjatё dhe e mundimёshme. Pёr tё ndenjur vetёm nё 150 vitet e fundit, kurdёt u pёrdorёn nga turqit nё luftёrat me rusёt tё viteve 1877 – 1878. Por kur, tё udhёhequr nga Ubayd Allah, kёrkuan tё merrnin autonominё, e cila u ishte premtuar nё mёnyrё tё heshtur, u shtypёn barbarisht nga vetё turqit (me miratimin e heshtur t’anglezёve). Pastaj u pёrdorёn nga otomanёt, mё 1915, nё holokaustin armen, e vetmja njollё e pashlyeshme nё tё shkuarёn e tyre. Edhe atё here nuk fituan asgjё. Ndёrmjet 16 e 18, qenё nxitur kundёr perandorisё sё Portёs sё Lartё, mё parё nga Rusia cariste e mё pas, nё fazёn pёrmbyllёse tё luftёs sё Parё botёrore, nga Britania e madhe qё u premtoi atyre, ashtu sikurse arabёve dhe hebrenjve, njё “vatёr” kombёtare.

Mbas luftёs, mё 1920, me traktatin e Sèvre-s arritёn tё kenё kёnaqёsi e mё sё fundi u pёrcaktua nё hartёn gjeografike njё Shtet i Kurdistanit. Ose, sё paku, kёshtu u duk : ёndёrra zgjati shumё pak dhe u bё copё e çikё nga mёsyemja e turkut Mustafa Qemal (e jo vetёm nga ai). Kaluan tre vjet e me Traktatin e Lozanёs (1923) bashkёsia kurde u copёtua ndёrmjet Turqisё, Sirisё, Irakut dhe Iranit. Qё nga ai çast loja e fuqive rrethuese ishte ajo e tё nxiturit njёri kundёr tjetrit. Nё kёtё qe shumё e vlefshme Turqia, por akoma mё shumё, qё nga vitet Tetёdhjetё, Irani i ajatollahёvet. Nё fillim tё viteve Nёntёdhjetё, mbas luftёs sё parё tё Gjirit (1991) Shtetet e Bashkuara dhanё shenja pendese dhe detyruan njё no-fly zone, mbi territoret kurdё, deri atёherё, tё masakruar nga Sadam Huseini. Doli si njё farё vetqeverie, e majisur nga nji luftё mes tarafesh kurde kundёrshtare (veçanёrisht e pёrgjakёshme ndёrmjet 1994 e 1997). Kaluan katёrmbёdhjetё vite tё tjera – me luftёn e dytё kundёr Sadamit (2003) – dhe nga 2005 u krijua njё krahinё kurde gjysёm e pavarur nё Veriun e Irakut. Njё e tillё u krijua, mё 2012, nё Veri-Lindje tё Sirisё, t’asaj Sirie nё tё cilёn kishte filluar kryengritja kundёr Asadit. Mё pas, mё 2014, erdhi stina e Kalifatit dhe kurdёve i u besue misioni qё t’a luftonte nё terren, aty ku ushtritё, irakene e siriane, ishin pёrlarё nga njerёzit e Al Bagdatit. Peshmergat luftuan me njё guxim e njё kёmbёngulje qё, nё fillim, asnjё nuk mund t’i pёrfytyronte. Amerikanёt dhe rusёt dhanё ndihmesёn e tyre nga qielli, por tё pёrgjakeshin nё terren kundёr atyre kokёprerёsve tё tmerrshёm ishin ata e, pothuajse, vetёm ata : kurdёt. Ne perёndimorёt kishim premtuar se nё rast se ajo betejё do t’ishte fituar, nuk do t’i kishim braktisur kurrё nё dorё tё ushtrive shiite tё armatosura nga Bagdadi dhe Teherani. Dhe ata na besuan. Tё themi tё vёrtetёn : n’atё kohё, as edhe mё ciniku prej nesh, do tё mund tё pёrfytyronte qё (mbasi i kishim pёrdorur pёr tre vite tё pambarueshme nё luftime trup me trup e metёr pёr metёr), do t’i kishim braktisur nё fatin e tyre. E qё, madje, do t’u kishim hapur rrugёn xhelatёve tё tyre, sa hap e mbyll sytё. Por ndodhi.

E tani ? Shteteve tё Bashkuara nuk u bёhet vonё fare pёr ta. Evropa, si gjithmonё, tregohet e shkujdesur nё prani tё kёtyre lloj tragjedive. Ndoshta me pёrjashtim tё Parisit ku sonde, nё kinemanё e Saint – Germain numur 22 tё rrugёs Guillaume – Apollinaire, do tё organizohet njё manifestim solidariteti kundrejt atij populli heroik : do tё titullohet “Sё bashku me Kurdёt mё shumё se kurrё”. Do tё marrin pjesё Bernard Kouchner, Kendal Nezan, Caroline Fourest, Bernard – Henri Lévy, gjenerali Hajar Aumar Ismail, Anne Hidalgo dhe Manuel Valls. N’atё rast mund tё dёgjohen fjalё adhurimi pёr luftёtarёt e kthyer mbasi kanё dhёnё njё ndihmesё themelore sipёrmarrjes qё bёri copё e thёrrime tiraninё e Isis-it. Nё tё njёjtёn kohё tё padisё – lexojmё nё afishen e thirrjes nё ngjarjen e Saint – Germain – tё “tankseve amerikane Abrams, qё i kanё bёrё tё mundur divizioneve irakene dhe ushtrive iraniane t’ardhura nga Teherani tё zotёrojnё Kirkukun”. Ёshtё pak ? Po ёshtё pak. Shumё pak. Gjithsesi tek neve, n’Itali, nuk do tё ketё asnjё kinema qё do tё strehojё njё mbrёmje tё tillё.

“Corriere della Sera”, 2 nёndor 20017     E shqipёroi Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, MERITAT E HARRUARA TЁ KURDЁVE, PAOLO MIELI

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT