• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARAVOTA

January 15, 2013 by dgreca

nga Vullnet Mato/

Paraja dhe vota, në dukje dy dukuri të kundërta, kanë mes tyre një lidhje të ndërsjellë tepër të ngushtë. Kanë një dashuri fryme, pa të cilën nuk mund të ekzistojnë. Besoj nuk e teproj po të them, se paraja dhe vota kanë krijuar një çiftim të përbashkët si atë të burrit me gruan dhe ekzistojnë në një lidhje organike si mishi më kockën.

Këtë e kam vënë re qysh herët, e kam parë te disa të njohur, por dhe e kam dëgjuar me veshë nga përvoja e të tjerëve. Një rast të tillë, tepër interesant dhe pothuajse mjaft përgjithësues për këtë fenomen, do ta sjell në këtë tregim me kumbim të vërtetë.

Atëherë kisha çelur zyrën e një enti botues, te rruga “Qemal Stafa” në Tiranë, ku siguroja botime për shtypshkronjën e tim vëllai në Sarandë. Shkurt, në fillim të punës sigurova disa dorëshkrime librash që nga kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të asaj kohe, deri te disa shkrimtarë e krijues me emër. Më pas çmimet e botimit u rritën, tatimet u rënduan dhe pas tre vjetësh u detyrova ta mbyll atë zyrë, në kohën kur mezi shkula nga policia tatimore fotokopjen, kompjuterin dhe printerin e sekuestruar prej tyre.

Gjatë asaj periudhe më erdhi në zyrë një djalosh simpatik i tërhequr nga tabela e madhe mbi derë “Enti botues Milosao”. Ai kishte veshur një kostum me vija të spikatura dhe më kujtohen sidomos flokët e tij tepër të zinj, të ndritshëm e të dendur, në kontrast me flokët e mi të rralluar e në rënie e sipër. Djaloshi kishte një pamje fytyre të butë e të qeshur dhe pas paraqitjes së dorëshkrimit me fabula, më tha se ishte sekretar i komunës P. në periferi të Tiranës. U njohëm dhe u miqësuam shpejt. Sepse me pëlqyen fabulat e tij origjinale dhe kur më ftoi për kafe, i fola me superlativa për shpërndarjen e këtij libri, sidomos te mësuesit dhe nxënësit e shkollave të të gjitha kategorive.

-Kam qenë mësues, – tha ai, pasi kuptoi kureshtjen time sesi një sekretar komunie shkruante fabula. – Kam dy vjet, pas zgjedhjeve të fundit që kalova në komunë.

-Mesa duket, ke qenë aktivist shoqëror i zoti, që të zgjodhën të punosh në atë zyrë.

Ai qeshi dhe më kundroi drejt në sy me atë syndritjen e tij të mprehtë.

-Përkundrazi, – ma ktheu në çast, – kam qenë një dembel stambolli, por e pashë se nuk çahej me nxënësit e tetëvjeçares dhe çava ndryshe, duke u afruar me një parti politike. Ajo më vuri në komisionin e votimeve dhe ashtu u bëra sekretar…

-Po më çudit, – vijova me kureshtje, – si kështu, tak-fak, nga anëtar i thjeshtë i një partie, në karrigen e një drejtuesi të komunës?…

A qeshi ëmbël sërish dhe më pyeti;

-Ju bëni pjesë në ndonjë parti?

-Mos e dhëntë zoti, kam alergji nga pjesëmarrja nëpër parti.

-Edhe unë, – tha menjëherë, – por ja, që pa atë kërcim së larti, nuk mund bija dot në kolltukun butë të sekretarit që kam sot.

-Sidoqoftë, ke pasur ndonjë mik, se nuk bëhet aq lehtë dembeli, siç e the ti, një nëpunës i devotshëm…

-Dembel, pehlivan, – qeshi ai. – E shoh se u bëre kurioz, po ty që rri larg partive, do të ta tregoj… Kërkova të më vinin në komisionin e votimeve për partinë S. ku beja pjesë. Dhe që të mos e zgjat muhabetin, aty e luajta mirë pehlivanllëkun tim. Kur shkoi mesnatë dhe përcollëm vëzhguesit, ne të komisionit u mblodhëm veçmas. Hapëm kutitë dhe numëruam votat. Partia ime S. kishte fituar fare pak vota. Po në fund te fundit numërimin e saktë e bën Shën Leku…

– Pse, leku ynë shenjtërohet në votime?!-bëra sikur u habita unë.

– Po, bëhet si ai medaljoni që mban papa i Romes në gjoks kur shuguron besimtarët e zgjedhur. Nejse, kryetari i komisionit të votimit, një burrë autoritar si në pamje edhe në tonin e të folurit, tha pa e zgjatur më tej: “Kush nga ju e gjen këtë gjëagjëzë: Një herë në mot, del e kullot?…”
Drapri… nxitova ta them i pari unë, që lëvroja fushën e fabulave dhe të gjëagjëzave. Bravo, më tha kryetari. Ti e meriton plotësisht një dorë me para nga drapri i komisionerit, që një herë në katër vjet del e kullot një tufë të mirë me lekë. Nuk fola sepse ai vazhdoi vetë: “Ata të partive lartë, kullosin nga kolltukët e tyre gjatë gjithë vitit, ngrenë vilat dhe shëtisin me vetura ku u do kokrra e qejfit. Ne or vëllezër, këtë rast kemi, t’u çojmë fëmijëve e grave tona të hanë ndonjë pllakë me bukë gruri të ngrohtë. Vetëm po të jemi budallenj, si ata që thonë jemi militantë dhe në fund të votimeve hanë kakërdhitë e të zgjedhurve… Për mua nuk ka rëndësi fiton Cani apo Ceni, le të fitojë ai që jep llapushka, jo ai që kërkon vetëm të marrë…” Ai fliste me aq bindje e siguri në ato që thoshte, sikur të ishte brenda shpirtrave të secilit nga anëtaret e komisionit. Sepse asnjëri nuk reagoi kundër. Aty pashe se leku ka magjinë që të bën memec. Pastaj kryetari nxori një shishe rakie, na mbushi të gjithë nga një gotë dhe tha duke e ngritur të tijën mbi kokat tona: “Hajt gëzuar e na daltë për hair!”… Gëzuar, thamë të gjithë, ndërkohë që kryetari nxori dhe një qeskë me salçiçe të skuqura dhe djathë kaçkavall. Filluam të përtypemi të uritur, se nuk kishim ngrënë darkë deri në ato çaste…

– Me një fjalë, kryetari u korruptoi me salçiçe e kaçkavall? – bëra shaka unë.

-Jo, ore, ai e kishte muhabetin më të dhjamosur. Se sapo pimë nga dy gota raki, iu drejtua komisionerit të partisë kryesore A. duke e pyetur: Sa hedh ti, or mik, për të gjithë ne të komisionit?… Njëzetekatër milionë!- hodhi ai… Na bien nga pak, tha kryetari me pakënaqësi të dukshme në fytyrë. Shto dhe ca, se jemi lodhur e do rraskapitemi akoma me shumë, derisa t’i mbyllim këto gjethet e thata të dushkut që kemi përpara!… Nuk më dhanë më shumë, kaq më dhanë, tha komisioneri A… Atëherë hidhu ti, i tha atij të partisë B… Dyzetetetë milionë! – tha ai me krenari… Fjala e fundit?- e pyeti kryetari me gëzim tashmë… E fundit fare, për kokën e kalamajve!… Epo, kështu po, tha kryetari, ka lezet të shpiem të paktën nga tetë milionë në shtëpi. Hajt, gëzuar dhe o burra, të mbyllim procesverbalet për firmë se shkoi vonë e po gdhihet!

-Unë nuk firmos!- kërceva unë me vendosmëri, sikur hodha një shashkë që krisi me gjëmim mbi kokat e tyre.

Të gjithë komisionerët shqyen sytë nga habitja se si po hidhja poshtë tetë milionëshin tim dhe atë çast, ata mu dukën sikur do kërcenin të gjithë bashkë të ma nxirrnin nga fyti salçiçen qe sapo kisha kapërcyer.

– Je militant qukapik, që troket sqepin nëpër mitingje?- më pyeti kryetari me sarkazmë në zërin e çjerrë tashmë dhe i bëri sytë sa dy vezë laraske.

– Jo, jam mësues harabel, që cicëroj gjithë ditën për të mbledhur thërrimet e qindarkave të mia dhe pas votimeve do shkoj prapë të çuçurit klasë më klasë me tridhjetë e ca orë mësimi në javë…

-Pse, ç’farë do ti më shumë, po tu shtosh qindarkave të tua dhe tetë milionë?!… – më tha i habitur komisioeri i partisë B, i cili do të merrte kryesimin e komunës për kandidatin e tij.

-Dua që ai kryetari yt të më marrë sekretar të komunës… Se unë veç hallit që u thashë, ia kam dhënë votat që fituam partisë sime me celular dhe…

– Ajo e celularit, korrigjohet prapë, – ma preu ai, – me demek, u thua na u prish rezultati, se erdhën me vonesë votat nga zonat e fundit. Ndërsa punën e sekretarit ta siguroj unë! – më premtoi me seriozitet komisioneri B.

-Si ta besoj?- kërceva prapë duke qëndruar mbi telin tim të pehlivanit.

-Na! – tha ai dhe mori një copë letër e ma shkroi premtimin të firmosur.

E lexova me kujdes dhe me ndritën sytë me tepër se drita e dobët e dy llambave elektrike që kishim përsipër.

-Atëherë hajt, gëzuar e u mbledhshim prapë pas katër vjetësh kështu si sot, kur drapri ynë del e kullot!- thashë unë dhe së fundi u mbyll ai muhabet.

Filluam të firmosim procesverbalet dhe afër mëngjesit, futëm në xhep secili nga një shuk me para të mbështjella në zarf të veçantë.

Por dhe puna ime, u tha, u bë. Pas një jave unë ia lashë sqepin e harabelit një mësuesi të ri në shkollë dhe u ula në kolltukun e butë të zyrës së komunës, duke u kthyer nga harabel thërrimesh, në skifter zyre. Ja, kështu!- tha krejt gazmor…

– Por pas dy vjetësh, do bëhesh prapë harabel! – ia ktheva unë duke e kundruar me simpati.

-Kismet, ku i dihet, mbase shtegtimi i ri, na krijon prapë mundësinë të bëjmë ndonjë fole të re, më të rehatshme…

Libri i këtij fabulisti të shkathët doli i plotë dhe i ilustruar nga një grafist i talentuar, me figurat përkatëse për çdo fabul. Në kopertinën e parë, unë sajova një harabel që cicëronte mbi tel dhe ai e pëlqeu pa masë.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Paravota, Vullnet Mato

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT