Deputetet e listave partiake, klanore, nuk e perfaqesojne popullin!/
NGA SADIK ELSHANI/* Me 11 qershor ne Kosove u mbajten zgjedhjet per deputete te Kuvendit te Kosoves, ndersa me 25 qershor ne Shqiperi do te mbahen zgjedhjet per deputete te Kuvendit te Shqiperise, Ky proces zgjedhor ne formen e tanishme nuk duhet te jete i pranueshem ne te artdhmen, sepse kandidatet per deputete nuk konkurojne individualisht, ne menyre te drejtperdrejte ne zonat e tyre zgjedhore perkatese. Ata jane pjese e listave te perpiluara nga boset e partive perkatese. Keto lista te pakuptimta e te pavlera me kujtojne listat e Çiçikovit, personazhit te romanit “Shpirtera te vdekura” te Gogolit. Çiçikovi bredhte neper stepat e Rusise dhe nga pronaret e tokave mbledhte (fuste ne lista) sherbetoret qe kishin vdekur. Pra, shpirtera te vdekur, per ta mashtruar pastaj qeverine… te tilla jane edhe listat e deputeteve te perpiluara nga prijesit, zotet e partive politike. Ato lista jane te pakuptimta, sepse nuk i sherbejne askujt, nuk i sherbejne popullit, por vetem interesave te boseve, zotuesve, pronareve te partive politike. Thene me mire, klaneve, grupeve mafioze te tyre. Kryetari i partise dhe nje rreth fare i ngushte rreth tij vendos se kush duhet te jete ne liste dhe ku duhet te kandidoje ai kandidat. Kush ben fjale per demokracine e brendshme ne parti?! Ndodh shpesh qe nje kandidat qe kurre nuk ka jetuar ne nje qytet, apo rreth, caktohet qe te perfaqesoje ate qytet, ate rreth. Keshtu e kerkojne ineresat partiake, klanore – kush pyet per interest e vendit, popullit! Pra, kujt i sherbejne deputete te tille? Ke perfaqesojne keta deputete? Popullin? Jo, ata perfaqesojne interesat e uleta klanore, partiake. Ata tani nuk jane sherbestare te popullit, por servile te verber te bosave te partise – parti qe me shume ngjajne me grupe mafioze, grupe gangsteresh, sesa me organizata politiko – shoqerore te mirefillta.
Shumica e deputeteve te Kuvendit te Kosoves dhe atij te Shqiperise jane njerez te zhveshur nga çdo vlere morale e njerezore. Jane njerez qe as qe e cajne koken per hallet, per mireqenjen e popullit, por vetem e shfrytezojne poziten e tyre per t’u pasuruar ne menyre te pandershme e te paligjshme, per t’i mbrojtur interesat e familjareve dhe klaneve te tyre. Kuvendi (Parlamenti) duhet te jete nje tempull i demokracise se nje vendi ku rrahen problemet e vendit, çeshtjet madhore te kombit. Te ne ndodh e kunderta: Kuvendet tona jane shnderruar ne sheshe betejash ku hidhet gaz lotesjelles, arena gladiatoresh ku deputetet fyejne, shajne e rrahen me njeri – tjetrin, sepse sipas tyre, keshtu e kerkojne interest e partive te tyre. Njerezve te tille u mungojne ndjenjat, vetedija, ndergjegja kombetare, u mungon vizioni i qarte per perspektiven e vendit, u mungon pergatitja profesionale dhe kultura politike, parlamentare. Çka eshte edhe me e keqja, atyre u mungojne edhe rregullat minimale, me elementare te miresjelljes.Prandaj, ne sot nuk kemi nje program kombetar, nje platforme kombetare, nuk flasim me nje ze dhe nuk mbajme nje qendrim te perbashket per çeshtjet jetike te vendit tone. Kuptohet, partite politike duhet t’i kene profilet e tyre, dallimet e tyre, por jo dallime te tejskajshme (ekstreme), sa ta konsiderojne njeri – tjetrin armik e jo vetem kundershtar politik. Mund t’i kene dallimet ne qasjet per zgjidhjen e problemeve te ndryshme, por kur vjen çeshtja per mbrojtjen e interesave kombetare te gjithe duhet te flasin me nje ze, te behen nje. Nuk ka kurrefare bashkepunimi ne mes te partive politike shqiptare per ndonje çeshtje te caktuar per ta permiresuar mireqenjen e popullit, per t’i bashkerenduar veprimet per interesat madhore kombetare. Udheheqesit shqiptare, udheheqesit e partive politike shqiptare me me kenaqesi takohen me Vuçiqin (ish kryeministrin, tani kryetarin e Serbise), sesa me njeri – tjetrin.
Gjendja e sotme ne Kuvendin e Shqiperise, atmosfera qe eshte krijuar ne ate Kuvend eshte nen nivelin e Kuvendit te Pare te Shqiperis te gati 100 viteve me pare. Te kujtojme se ne ate kohe depute ishin: At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Stavri Vinjau e shume te tjere. Fjalori i ndyre, sjelljet e pahijshme, jodinjitoze nuk duhet te kene vend ne Kuvendin e Shqiperise dhe ate te Kosoves, as ne skenen politike shqiptare, madje as ne rruge. Tani gjate fushates zgjedhore keta deputete na paraqiten si engjuj, thua se gjer me tani kane jetuar ne ndonje planet tjeter. Harrojne se ata jane vete pergjegjes te drejtperdrejte per gjendjen e rende ekonomike, shoqerore politike qe sot ekziston ne vend. Na premtojne mrekullira, por populli yne e ka nje fjale te urte: “Ujku qimen e nderron, zakonin s’e harron”. Na bombardojne me parulla: “Rilindje”, “Republika e Re”, “Koha per Fillimin e Ri’, etj. Asnjera nga keto emertime terheqese nuk mund te permbushen me riciklimin e politikaneve jokombetare, te korruptuar, mashtrues e genjeshtare. Degjojme fjalet: te majte, te djathte, por ne skenen politike shqiptare nuk e degjojme fjalen: kombetar, sepse askush nuk eshte duke punuar per ceshtjet kombetare, por vetem per ato vetjake, klanore, partiake. Edhe populli duhet te zgjohet, te marre pjese masovikisht ne zgjedhje dhe te zgjedhe kandidatet me te pershtatshem e t’u thote jo, demagogeve, palaçove, matrapazave. Ne demokraci, vota e lire eshte arma me e fuqishme qe e ka populli ne duart e tij.
Kuvendet kane luajtur nje rol te rendesishem ne historine e popullit tone. Ato kane qene institucione shteterore kur shteti shqiptar nuk ekzistonte. Ne ato kuvende jane mbledhur burrat e zgjedhur dhe kane kuvenduar me maturi, mençuri per çeshtje madhore te kombit tone, per fatet e tij ne rrethana shume te veshtira historike. Ne keto kuvende jane derguar burrat me te zote, me te mire, me trima te zonave te tyre. Fjalet kyce te ketyre kuvendeve kane qene:besa, lidhja, beselidhja, bashkimi. Nje nga keto kuvendet e rendesishme, ndoshta me i rendesishmi deri ne shpalljen e pavaresise se Shqiperise u mbajt pikerisht diten e sotme (10 qershor) 139 vite me pare ne Prizren: Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ne Prizren u mblodhen perfaqesuesit nga te gjitha trevat shqiptare me nje qellim te perbashket, per te mbrojtur teresine tokesore te trojeve shqiptare, per formimin e shtetit autonom shqiptar dhe per t’i treguar botes se ky vend ka zot.
Edhe sot te mesojme e te frymezohemi nga pervoja historike e bashkimit kombetar te Lidhjes se Prizrenit. Te marrim shembull nga Rilindesit tane mendjendritur, te lartesojme vlerat tona kombetare, kodin tone te larte etik e moral. Per nje kohe te gjate ideologjite e huaja te te gjithe spektrit politik dhe te gjitha ngjyrave politike i kane sjellur perçarje e deme te medha kombit tone. Partia e shqiptarit le te jete kombi, Shqiperia, dhe ideologjia e tij te jete: shqiptarizmi. Kjo eshte jehona dhe porosia e idealeve te Epokes se ndritur te Lidhjes se Prizrenit. Vetem te bashkuar mund te ecim perpara!
Filadelfia, qershor, 2017
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.