-Mbi 100 mijë pjesëmarrës sot në aksion: përfaqësuesit e institucioneve më të larta shtetërore, Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, KFOR-i, organizatat joqeveritare, shoqëria civile, kompanitë private dhe të gjitha institucionet publike përfshirë nxënësit e shkollave fillore, të mesme dhe të gjithë studentët në tërë territorin e vendit/–Kryeministri Haradinaj: E filluam sot këtu, por nuk do të ndalemi deri në pastrimin e vendit tonë nga mbeturinat/
-Në aksionin e sotëm, mori pjesë edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blend Klosi/
PRISHTINË, 15 Shtator 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ “Ta Pastrojmë Kosovën” është aksioni që ka nisur sot, për të vijuar tre muaj, deri në 15 dhjetor. Aksioni nisi në kuadër të “Ditës së Pastrimit të Botës” që organizohet nga lëvizja globale “Let’s Do It World”, ku synohet që në rreth 200 shtete të botës të mobilizohen mbi 5% e popullsisë botërore që do të pastrojnë në një ditë.
“Në vendin tonë ky aksion do të vazhdojë për tre muaj dhe do të zgjasë deri në eliminimin e të gjitha deponive ilegale, me qëllim krijimi të një impakti sa më të madh të vetëdijesimit përballë problemeve mjedisore në nivel global”, thekson një deklaratë e qeverisë së Kosovës.
Pjesëmarrës në aksion janë: përfaqësuesit e institucioneve më të larta shtetërore, Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, KFOR-i, organizatat joqeveritare, shoqëria civile, kompanitë private dhe të gjitha institucionet publike përfshirë nxënësit e shkollave fillore, të mesme dhe të gjithë studentët në tërë territorin e vendit.
Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” ka nisur në mëngjes me mbledhjen e vullnetarëve në Sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet, Prishtinë, dhe në sheshet kryesore të qyteteve e qendrat e lokaliteteve, ndërkohë që në nivel vendi e edhe nëpër komuna të Kosovës janë themeluar task forca.
KRYEMINISTRI HARADINAJ: E FILLUAM SOT KËTU, POR NUK DO TË NDALEMI DERI NË PASTRIMIN E VENDIT TONË NGA MBETURINAT
“E fillojmë sot, dhe s’do të ndalemi pa e përfunduar. Por pasi ta përfundojmë heqjen e këtyre mbeturinave, nuk do të lejojmë që të hidhet mbeturinë kështu”, ishte mesazhi i sotëm i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në aksionin “Ta Pastrojmë Kosovën”, aksion ky, që po zhvillohet në kuadër të “Ditës së Pastrimit të Botës” të organizuar nga Lëvizja Globale “Let’s Do It World”.
Nën praninë e shumë përfaqësuesve të huaj e vullnetarë të ndryshëm, që sot iu bashkuan aksionit, Kryeministri Haradinaj, tha se për dy dekada është hedhur mbeturinë dhe mbetje në të gjithë vendin. Por, e bëri të qartë se një situatë e ngjashme nuk do të ndodhë më.
“Vendi ku jemi sot, do të kthehet në park, do të jetë një park për fëmijët, rininë, për të gjithë”, tha Kryeministri Haradinaj, nga vendi ku edhe u bë hapja e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, tek deponia ilegale më e madhe në kryeqytet.
Duke i falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen, Kryeministri Haradinaj theksoi se pikërisht në “Në Ditën Botërore për të pastruar botën” , sot edhe Kosova po pastron, pa dallim gjinie, feje, gjuhë, etni, moshë apo profesion. “Të gjithë jemi bashkë për ta pastruar vendin tonë”, vlerësoi ai.
Ndërkaq, nga ana e tij, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, bëri të ditur se e njëjta situatë është në të gjithë Kosovën, por që në 35 komuna të Kosovës i kanë dërguar agjendat e tyre. “Edhe vetë kryetarët e komunave janë në vendet e aksionit dhe po presim që mbi 100 mijë vetë sot të jenë pjesë e aksionit për pastrimin e vendit”, tha ai.
Në aksionin e sotëm, mori pjesë edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blend Klosi, i cili tregoi se janë sot në këtë iniciativë për të mbështetur lëvizjen vullnetare të të rinjve, të shoqërisë civile, e cila, siç theksoi ai, edhe sot po dëshmohet si në të gjithë botën, po ashtu edhe në Shqipëri e Kosovë.
“ Janë për mjedisin, janë për pastërtinë, janë që të kemi një mjedis të pastër, por në radhë të parë që të kemi një jetë të qëndrueshme”, shtoi ai.
Po ashtu, pjesë e këtij aksioni ishin edhe FSK-ja, Policia e Kosovës, KFOR-i, agjencitë e ndryshme shtetërore, ambasadorë të huaj në Kosovë, Ministritë, Komunat, nxënësit e mësimdhënësit, kompanitë private dhe ato të pastrimit. Kësaj inicative të Kryeministrit Haradinaj, iu bashkua edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” do të zgjasë deri më datën 15 Dhjetor 2018, dhe është nismë e Kryeministrit Haradinaj që për qëllim ka pastrimin gjeneral të Kosovës nga mbeturinat e grumbulluara prej dy dekadash dhe aksion që do të pasojë me vendime restriktive për keqkpërdoruesit.
Në aksionin e sotëm, Kryeministrin Haradinaj e kanë shoqëruar Kabineti qeveritarë dhe punonjësit e Zyres së Kryeministrit.
FSK-ja ME KAPACITET NJERËZORE DHE TEKNIKE NË AKSIONIN GJITHËKOMBËTAR “TA PASTROJMË KOSOVËN”
Sot, në afërsi të ujësjellësit rajonal “Prishtina”, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, hapi aksionin vullnetar gjithë kombëtar “Ta pastrojmë Kosovën”, aksion i cili do të zgjasë për tre muaj rresht. Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, i cili shoqërohej nga zëvendësministri Burim Ramadani dhe Komandanti i Komandës së Forcës Tokësore të FSK-së gjeneral brigade Enver Cikaqi. Pjesëmarrës në këtë ngjarje, që ju kishin përgjigjur aksionit vullnetar nga MFSK dhe FSK, ishin edhe zyrtarë, oficerë, kadetë dhe ushtarë të shumtë.
Duke vlerësuar lartë rëndësinë e këtij aksioni, ministri i FSK-së ministri Rrustem Berisha shprehi mirënjohjen si dhe përgëzoi të gjithë pjesëtarët që janë angazhuar në detyra të ndryshme në kuadër të mbështetjes së këtij aksioni. Ai me këtë rast edhe një herë ju bëri ftesë të gjithë pjesëtarëve të MFSK-së dhe FSK-së dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, që edhe individualisht të ndihmojnë këtë aksion në mjediset ku jetojnë.
Në këtë aksion, përveç forcës njerëzore, FSK ka angazhuar një numër të madh të mjeteve teknike xheniere, makineri, mjete transporti si dhe forcë njerëzore në 7 komuna të Kosovës.