
Nga Sokol PAJA /
Të gjitha diktaturat Sigurimin e Shtetit e kanë pasur aleatin e tyre më të fuqishëm në forcimin e pushtetit, eleminimin, përndjekjen e kundërshtarëve dhe mbajtjen nën survejim, përndjekje, panik, frikë, e shantazh të qytetarëve të zakonshëm. Sigurimi i Shtetit ishte baza e ruajtjes së pushtetit dhe e funksionimit të shtetit diktatorial. Qeveria neokomuniste e Edi Ramës përveç shumë “monizmave” të tjerë të shfaqur në qeverisje dhe administrim pushteti me vota të bandave, riktheu fuqishëm në tregun politik “Patronazhimin”. Kjo metodë e ndyrë dhe e paligjshme e monitorimit ekstrem të çdo kundërshtari politik e deri te qytetarët më të thjeshtë, është kryekëput një metodë komuniste e shantazhimit të qytetarëve të republikës. Patronazhimi vepron njësoj si Sigurimi i Shtetit që u kthye në tmerrin dhe lemerinë e shqiptarëve në kohën e diktaturës. Prej regjimit të egër dhe shtypjes, frika dhe tmerri u kthyen në institucion në Shqipërinë komuniste. Sigurimi i Shtetit kishte depërtuar në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare dhe të njëjtën gjë po bëjnë patronazhistët neokomunistët e sotshëm duke hyrë thellë te çdo individ dhe familje. Ashtu sikurse “sigurimsi” në një shtet komunist-terrorist që ishte njeriu më i urryer dhe më i dëmshëm për shoqërinë, edhe patronazhisti sot nuk bën as më pak as më shumë veçse kthehet në një vegël të ndyrë e përbuzëse me qëllim çelikosjen e “unitetit” të popullit dhe të partisë-shtet. “Patronazhimi” është një skemë e pastër përndjekjeje e jashtëligjshme e realizuar njësoj si Sigurimit të Shtetit përgjatë regjimit diktatorial 50 vjeçar në Shqipëri. Patronazhimi është një skandal i paprecedentë në historinë e shtetit modern shqiptar. Të dhëna personale, sensitive, të mbrojtura me ligj, institucionet shtetërore i trafikojnë, i klonojnë, i shpërndajnë te militantë partiaktë të pacertefikuar, të cilët depërtojnë në çdo qelizë intime të jetës dhe veprimtarive të qytetarëve të republikës. Shteti i shet partisë të dhëna për pushtet. Shteti, partia e pushteti të gjitha në dorën e kryeministrit i cili thyen çdo ligj, çdo normë, çdo procedurë, çdo rregull me qëllim ruajtjen me çdo kusht të pushtetit. Patronazhistët janë një koloni militantësh partiakë të punësuar në administatën shtetërore pa merita, pa konkurs, jo në përputhje me formimin profesional, të verbër politik që nuk bëjnë asgjë tjetër veçse informojnë partinë për preferencat, sjelljet, qasjet, frymën, statusin politik, ekonomik, civil apo gjithçka tjetër. Patronazhistët informojnë në qendër partinë në çdo moment, në kohë reale më shpejt se agjencitë e informimit të sigurisë kombëtare duke përndjekur frikshëm si pullë poste çdo qytetar dhe kundërshtar politik. Procedura e patronazhimit është një cënim i pastër i lirisë dhe privatësisë së shtetasve shqiptarë. Shteti bie në gjunj para pushtetit. Shteti kthehet në një organizatë partie. Një skandal me përmasa të jashtëzakonshme për të cilin institucionet e hetimit të parandalimit të krimit flënë gjumë. Poshtërues është fakti sesi Shqipëria një vend i NATOS-s trafikon të dhëna të qytetarëvetë saj, rast që cënon sigurinë dhe besimin e shtetit tonë në familjen e aleancës më të madhe botërore të sigurisë ku bëjmë pjesë. Patronazhimi është gjurmim i paligjshëm dhe i dënueshëm me ligj për të gjithë ata që në kundërshtim me ligjin dhe të drejtat e njeriut marrin përsipër të përndjekin qytetarët e lirë për interesa të pastra e të verbëra politike. Shteti jo vetëm që nuk duhet të shesë të dhënat personale, por duhet ti sigurojë, ti mbrojë dhe të garantojë lirinë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë.