Nga Frank Shkreli/
Të Dielën me 17 Shkurt Kosova dhe mbarë kombi shqiptar festoi 5-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nga Serbia. Ekspertë të ndryshëm kanë pohuar se mos të ishte për përkrahjen e madhe diplomatike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara për shqiptarët e Kosovës, Kosova nuk do e kishte fituar kurrë pavarësinë e shpallur më 17 Shkurt, 2008. Duke u bazuar në deklaratat që udhëheqësit e saj më të lartë bënë me rastin e 5-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë të angazhuara, me sinqeritetin më të madh të tyre, për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës duke punuar së bashku me institucionet e Republikës së Kosovës dhe me ortakët ndërkombëtarë, për një Kosovë ku mbizotëron rendi e ligji, për një Kosovë të begatë me një ekonomi të fortë dhe me një shoqëri demokratike e tolerante me një qeveri dhe shoqëri civile të fortë dhe të qëndrueshme. Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se ato vazhdojnë së punuari me aleatët e tyre evropianë për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës për integrimin e shtetit më të ri në Evropë në organizmat euro-atlantike.Ashtu si edhe në të kaluarën, këto ndjenja miqësie dhe mbështetjeje për Kosovën u ritheksuan edhe në mesazhet që udhëheqsit më të lartë amerikanë i drejtuan popullit të Kosovës me rastin e 5-Vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.Listën e urimeve të udhëheqësve amerikanë e kryesoi Presidenti Barak Obama, i cili në mesazhin e tij, drejtuar Presidentes Atifete Jahjaga, i përcolli asaj dhe popullit të Kosovës, “urimet më të përzemërta me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së shtetit tuaj.” Presidenti Obama uron Kosovën për, ”hapat historike në realizimin e përfundimit të mbikqyrjes së pavarësisë”, duke shtuar se, “Ndonëse mbetet ende punë për t’u bërë, Kosova ka ecur përpara në konsolidimin e institucioneve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit, në ekonomi dhe në zhvillimin e një shteti tolerant, gjithpëfshirës dhe shumë kombësh.” Presidenti amerikan nënvijon gjtihashtu përparimet e bëra në, ”dialogun me Serbinë, që ka çuar përpara mundësitë drejtë normalizimit të marrëdhënjeve, nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e Kosovës, fqinjtë dhe i githë rajoni.” Në mesazhin e tij, Presidenti Obama, në emër të vendit që ai përfaqëson, shprehet se, “Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë miqët tuaj të ngushtë dhe si partnerë mbesim të përkushtuar në qëllimin tonë të përbashkët që Kosova të sigurojë vendin e saj të merituar me një të ardhme evropiane të integruar, demokratike dhe të përparuar. “Admirojmë përparimin që Kosova ka bërë në këto pesë vite të pavarësisë dhe mirëpresim që të punojmë së bashku me ju për arritje të tjera në vitet në vijim”, tha udhëheqsi amerikan në mesazhin e tij, drejtuar presidents Jahjaga dhe nepërmjet saj popullit të Kosovës.
Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në një mesazh me të njëjtën frymë miqësie karshi Kosovës shprehet se, ”Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të angazhuara për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe shumë etnike”, duke thënë se, ”uron udhëheqsit e Kosovës për dedikimin e tyre ndaj ndërtimit të institucioneve demokratike, avancimit të mundësive të reja ekonomike, promovimit të zbatimit të ligjit dhe përpjekjeve drejtë integrimit evropian.” Sekretari amerikan i Shtetit këshillon udhëheqsit e Kosovës se, ”vazhdimi i punës në këto fushë, shërben për sigurimin e stabilitetit rajonal si dhe të prosperitetit për vendin tuaj”, duke përfunduar se “ndërsa ju festoni këtë ditë të veçantë, duhet ta dini se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë pranë Kosovës si partnere dhe mike.”
Nuk munguan as urimet e miqëve të shqiptarëve në Kongresin amerikan, të prirë nga Kongresmeni Eliot Engel i shtetit New York, nën-Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtëme të Dhomës së Deputetëve dhe njëherazi edhe kryetar i grupit të ligjvensëve që mirren me çështjet shqiptare në Kongresin amerikan. Në mesazhin e tij, Zoti Engel tha se, ”Ka qënë një nder dhe kënaqësi të qëndrosh përkrah popullit të Kosovës ndërsa ata kaluan nga tragjedia në triumf gjatë 20 vjetëve të fundit. Por beteja nuk ka mbaruar. Kosova ende pengohet nga mungesa e vullnetit të disa vendeve për ta njohur atë, ndërsa vende të tjera ende e bllokojnë Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së dhe të përparojë normalisht drejt një të ardhme euro-atlantike”. Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre evropianë që siç tha ai, ”Përparimi i Kosovës drejtë strukturave euro-atlantike, Bashkimit Evropian dhe NATO-s të jetë një prioritet”, duke shtuar se, ”Kosova duhet të përfshihet në Evropë së bashku me fqinjët e saj, pasi në të kundërtën do të krijonim një gropë të zezë në Ballkan, ku shqetsimet më të këqia për krimin dhe korrupsionin mund të bëhen realitet.” Rruga e Kosovës drejtë NATO-s, sipas Kongresmenit Engel, kërkon zhvillimin e një ushtrie, hapat e parë drejtë së cilës janë hedhur tanimë”, dhe u shpreh se ”pret me padurim ditën kur trupat e Kosovës do të qendrojnë krah për krah me ushtarët amerikanë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.” Si mik i sinqertë i shqiptarëve, Zoti Engel ve në dukje sfidat serioze me të cilat përballet Kosova, prëfshirë papunësinë dhe korrupsionin si pengesa kryesore për zhvillimin e ekonomisë, por edhe marrëdhënjet ndër-etnike. Miku i vjetër i shqiptarëve në mesazhin e tij siguron Kosovën se, ”Shtetet e Bashkuara kanë qënë dhe do të vazhdojnë të jenë miqtë më të mirë të Republikës së Kosovës. Ne do të vazhdojmë të nxisim zhvillimin e Kosovës, respektin për sovranitetin e saj dhe zgjërimin e numrit të vendeve që e njohin atë. Me miqësinë në rritje mes dy vendeve dhe popujve tanë, kam shpresë se pesë vjetët e ardhshme do të jenë edhe më të mira sesa këto pesë vjet të para të pavarësisë”, përfundoi mesazhin e tij Kongresmeni Eliot Engel.
Një tjetër ligjvenës amerikan, Kongresmeni Gary Peters nga shteti Michigan, gjithashtu anëtar i grupit që merrret me çështjet shqiptare në Kongres, dhe njohës I mirë dhe mbështetës i çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, në urimin e tij thotë se, “Jam krenar që jam mik i shqiptarëve”, dhe shton se do të festojë këtë përvjetor me shqiptarët në shtetin Michigan. Kongresmeni Peters thotë se gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri dhe në Kosovë kishte parë aq shumë shtëpi dhe objekte ku flamuri amerikan valvitej krahas atij shqiptar – dhe shprehet se ai do,”të mbështesë lidhjet e pandërprera midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe do të punojë për të forcuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”.
Edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, roli i të cilit është i njohur mirë në forcimin e marrëdhënjeve të ngushta që ekzistojnë midis Kosovës, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara – por edhe për përpjekjet e tija për të sensibilizuar opinion amerikan mbi fatin e shqiptarëve në Ballkan — e ka shënuar këtë përvjetor — duke zhvilluar aktivitete të ndryshme festive. Madje edhe gazeta e dytë më e madhe në New York, The Daily News, pasqyroi aktivitetet e shumëta të shqiptarëve të New Yorkut. Gazeta thotë se megjithse kanë kaluar 5-vjetë nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, entuziazmi i tyre për Kosovën nuk është pakësuar aspak, ndërsa ata festojnë në lagjën Bronks dhe anë e mbanë qytetit new York. Daily News citon asamblistin e parë shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj, i cili disa ditë më parë paraqiti në Asamblenë e New Yorkut një rezolutë me rastin e këtij përvjetori se, “këjo është një ditë krenarie për popullin e Kosovës, për shqiptaro-amerikanët dhe për shqiptarët anë e mbanë botës.”
Konsulli i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës në New York, Ambasadori Bekim Sejdiu, në mirënjohje ndaj rolit të Shteteve të Bashkuara, i tha me ketë rast gazetës së New Yorkut, Daily News se, “Mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara për Kosovën ka qenë dhe është një faktor jetik për përparimin e gjithanshëm të Kosovës, dhe ne do të jemi gjithmonë shumë mirënjohës për këtë”, dhe shtoi se diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara “ka qenë aktive dhe e pazëvendsueshme”, në zhvillimet pozitive në atdheun e tyre. “Në këtë 5-vjetor”, i tha ai gazetës Daily News të New Yorkut, se “të gjithë ne kemi shumë arsye të festojmë, pasi shqiptarët nga Kosova që jetojnë këtu janë krenarë për kontributin e tyre ndaj lirisë, demokracisë dhe begatisë së Kosovës. Ata janë krenarë si qytetarë të mire të Shteteve të Bashkuara dhe në të njëjtën kohë gëzohen dhe festojnë arritjet e mëdha të Republikës së Kosovës”, përfundoi përfaqsuesi i Kosovës në New York.Komuniteti shqiptaro-amerikan në New York, por edhe anë e mbanë Shteteve të Bashkuara ku ka përqendrime të konsiderueshme shqiptarësh festoi këtë përvjetor, përfshirë drekën që shtroi organizata pan-Shqiptare Vatra dhe gazeta Illyria organizoi një darkë të madhe, për të nderuar personalitete amerikane dhe shqiptare që ndihmuan në realizimin e Pavarësisë së Kosovës.
Këto janë urimet dhe dëshirat e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të autoriteteve më të larta të Shteteve të Bashkuara, të një vendi dhe të një populli mik që ia ka dashur dhe ia do të mirën Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi. Këto janë fjalët dhe këshillat e sinqerta të udhëheqësve të një vendi, miku të madh për një kauzë të drejtë dhe të nevojshme që është integrimi i plotë i shqiptarëve në organizmat Euro-Atlantike. Nëse Shqipëria dhe Kosova dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj bote euro-atlantike për të cilën bëjnë thirrje udhëheqsit amerikanë dhe për të cilën udhëheqsit shqiptarë në të dy anët e kufirit kanë shprehur gatishmërinë e tyre, të pakën me fjalë — atëherë udhëheqsit e sotëm të kombit shqiptar nuk mund të mos përfillin këtë zë të fuqishëm miqësor që i bën thirrje të drejtë për drejtë ndërgjegjes kombëtare dhe patriotizmit më të shëndosh shqiptar.