
NGA PELLUMB LAMAJ*/
Ndodhesha me pushime në Shqipëri, dhe prej dy ditësh endesha Tiranës në kërkim të ndonjë materiali që do të më ndihmonte për dokumentarin kushtuar figurës së Mit’hat Frashërit por pa rezultat. Të gjitha dyert më mbylleshin sapo përmendja emrin e tij ndërkohë që arshiva e tij personale mbahej peng nga ish sigurimi i shtetit dhe veglat e tij. Në pamundësi vendosa të kthehsha në Vlorë pasi dhe data e kthimit për në punë në USA po afronte dhe doja të kaloja ditët e mbetura më Nënën dhe Familjen me të cilët takohesha më shpesh kur isha në burg se tani që kisha marrë rrugën e mërgimit të detyruar. Kisha dal nga hoteli dhe pasi piva një kafe u nisa drejt Zogut të Zi ku mund të merrja një fugon për në Vlorë dhe pasi bëra disa minuta rrugë dëgjova një zë që më thirri në emër. Ktheva kokën dhe prapa meje u afrua një bashkëvuajtës me të cilin kisha bërë vite burgu në Spaç. U përshëndetëm dhe e ftova të uleshim diku për një pije por ai më tha se nuk kishim kohë se fillonte tubimi.
– Cili tubim? – e pyeta
– Përpara kryeministrisë – mu përgjigj ai
-Nuk di gjë- i thashë
-Edhe unë …sapo më lajmëruan- u përgjigj ai – s’merret vesh kjo punë. Jemi bërë njëqind shoqata, jemi bërë për ibret të Zotit. A do vish?
-Patjetër- iu përgjigja – Jam pjesë e juaja edhe unë.
-Këshilli i Europës ka nxjerrë një deklaratë ku kërkohet dënimi i krimeve të komunizmit dhe sot do të lexohet në parlament – vazdoi ai.
-E dëgjova para një jave – i thash – por si vonë. Drejtësia e vonuar nënkupton drejtësinë e mohuar megjithatë le të shikojmë rrjedhën.e ngjarjeve
Pash që nuk i erdhi mirë ashtu sikundër nuk i vjen mirë një fatkeqi në mes të oqeanit të cilit i thua se në horizont ajo që duket nuk është anije por valë e detit dhe shkuma e saj. Vazhduam rrugën dhe pas disa minutash arritëm përpara kryeministrisë ku ishin mbledhur rreth njëqind vetë, disa prej të cilëve me nga një parrullë në dorë. Në krye qëndronte një barkalec me mikrofon tek goja që herë pas here i drejtohej turmës që shpërthente në thirrje e brohoritje.
-Kush është ky? – e pyeta
-Lere, lere – më tha. -Ai s’ka qenë as në burg as në internim. Është misionar i PDsë por ç’të bësh, kështu jemi kantadisur.-
Tubimi vazhdoi për gati një orë dhe pata rastin të takoj edhe bashkëvuajtës të tjerë që kisha vite pa i parë.Më në fund barkaleci me mikrofon në dorë lajmëroi fundin e tubimit dhe një pjesë nisi të shpërndahej ndërkohë që pjesa tjetër qëndronte ende në grumbull.
-Janë familjarë të të pushkatuarëve shumica-më sqaroi ai dhe kanë vendosur që tubimi të vazhdojë përpara parlamentit.Akoma nuk kanë një varr ku të vendosin një tufë lule dhe ende nuk dihen eshtrat e familjarëve të tyre..
Mu dhimbsën dhe iu afrova duke i përshëndetur një nga një e ashtu bashkë u nisëm drejtë parlamentit.
Po gjysma e turmës përse u largua – pyeta-
Oh janë ata të PDsë tha …dikur kanë qenë të privilegjuar e prapë presin t’ju hedhin ndonjë kockë.
Më në fund arritëm përpara portës kryesore të parlamentit ku na priste një rresht policësh me shkopinjtë e gomës që herë herë i tundnin për të na frikësuar por edhe për të kënaqur instiktin e tyre prej xhandari.Në oborrin e parlamentit deputetët bënin xhiro e kjo bëri që turma të shpërthej në thirrje e brohoritje dhe ti afrohet edhe më shumë portës kryesore duke u përballur me policët që nisën të shtyjnë e të kërcënojnë grevistët.Ndërkohë arritën forca të tjera policësh si dhe mediat e shkruara dhe ato vizive.U shkëputa nga grumbulli i grevistëve dhe iu afrova një gazetareje dhe fillova ti flas për grevën dhe kërkesat e saj.Të njëtën gjë bënë edhe disa grevistë të tjerë.Ndërkohë pranë meje u afrua Zenel Hoxha dhe më tha;
Kërkuam një takim me kryetaren e parlamentit nuk di a do të pranojë apo Jo! .
E pashë gjatë në sy dhe qesha
Ai e kuptoi dhe nisi të qesh edhe vetë.
Epo në të ….po s’deshi ,ne bëjmë detyrën tonë përpara historisë.Turpi le t’ju bjerë atyre dhe iu bashkua turmës.Kishte kaluar më se një orë dhe nga oborri i parlamentit pamë të afrohej një grua rreth të tridhjetave që foli me dikë që ishte më afër portës e pasi nxorri një letër nga çanta kërkoi që të shkruheshin emrat e atyre që do të shkonin në takim me kryetaren e pasi dikush shkruajti emrat,ajo u nis për në zyrën e saj.Zeneli mu afrua përsëri dhe më tha-
Do të jesh edhe ti në takim me kryetaren.
-Më mirë mos ta kishit dhënë emrin tim-i thashë se pastaj do thoni që na prishi punë Pëllumbi -dhe nisa të qesh. Qeshi dhe ai me të madhe dhe vazhdoi:
-Ti duhet të jesh se s’bën se ua përplas troç në fytyrë dhe ata ashtu e duan.
Kaluan rreth njëzet minuta dhe sekretarja u duk te porta dhe me listën në dorë filloi të lexoj emrat e personave të cilët hynë një nga një brenda portës.Të njëjtën gjë bëra dhe unë e duke ndjekur hapat e sekretares, ngjitëm shkallët dhe mbritëm pranë zyrës së kryetares.
-Uluni këtu – na u drejtua sekretarja- se zonja kryetare është e zënë për momentin me një takim tjetër.
U ulëm dhe ndezëm nga një cigare ndërkohë që sekretarja u nis për tek zyra e kryetares që ishte e ngjitur me paradhomën ku qëndronim ne dhe pas dy, tre minutash doli prej andej duke lënë derën gjysëm të hapur.
Duke qëndruar në këmbë përball nesh, na u prezantua – Unë quhem Valbona Çollaku. Jam edhe unë e persekutuar si ju. Kam patur në burg Xhaxhain Qaniun, besoj e njifni dhe e keni dëgjuar. Tundëm kokën një nga një në shenjë pohimi dhe pa na lënë kohë të flasim vazhdoi:
-Jemi me fat që kemi në krye të parlamentit njeriun tonë, të shtresës tonë dhe duhet ta dëgjojmë se ajo i di gjërat më mirë nga të gjithë dhe donte të vazhdonte më po nuk mu durua dhe i thashë:
-Para së gjithash ajo nuk është si ne këtu përball teje. Ne kemi qenë në burg ndërkohë që ajo s’ka bërë asnjë ditë burg dhe internim. E dyta, ajo nuk i di gjërat më mirë se ne, sepse ne i kemi kaluar mbi kurriz. Është e vërtetë që ajo është në krye të parlamentit sikundër edhe Pjetër Arbnori por jo se dinë më shumë se ne. Koha tregoi dhe po tregon se ata nuk janë gjë tjetër veçese vegla të Katovicës dhe bandës neo-koministe në pushtet me një ndryshim. ata janë bërë të pasur dhe bënë karierë në saj të mundit dhe vuajtjeve tona ndërkohë që shtresa jonë ende jeton në mjerim.
-Kush je ti që zë në gojë Arbnorin dhe Zonjën Kryetare?- mu drejtua ajo
– Qesha dhe me qetësi i thashë-
Edhë unë jam një i mbijetuar i Ferrit komunist por që tashmë jetoj larg këtij vendi plot lot, mëri, dhe padrejtësi, larg këtij parlamenti të turpshëm e anti-njerëzor ku deputetët e persekutuar janë nën urdhërat e deputetëve persekutues e që sëbashku zbatojnë skenarin e R.Alisë, por e di ç’ke ti… ne kemi ardhur këtu të bisedojmë me kryetaren dhe jo me ty, moj shoqe e partisë.
Ajo u skuq në fytyrë dhe në ç’ast mu drejtua: – Nuk jam shoqe partie-
-Po – i thashë duke qeshur. -Je anëtare dhe shoqe partie e PDsë, prandaj je edhe këtu. Ndërkohë anash nesh u hap një derë dhe një person i gjatë i veshur me uniformë qëndroi përballë nesh e duke u krekosur si kaposhi maj plehut na hodhi një vështrim prej xhandari dhe filloi.
-Edhe unë jam si ju, i persekutuar, por juve nuk bëni mirë që mblidheni përpara parlamentit e bërtisni. Lereni parlamentin të punoj, prandaj i kemi zgjedhur. Nuk mu durua dhe ju drejtova në çast
-Ç’punë bëni ju?-
Oficer Garde- u krekos ai
-Aha, tani e mora vesh-i thashë me ironi, shko atje tek dera e kryetares se atje e ke vendin! Ai më vërshtroi me inat ndërkohë që edhe unë nuk ia hoqa sytë dhe pastaj u largua.Ata që ishin në dhomë qeshën. Ndërkohë nga zyra e kryetares doli Valbona, sekretarja, që na shoqeroi brenda zyrës ku priste kryetarja. Kryetarja qëndronte në këmbë, me një fytyrë të nxirë që nënkuptonte se stuhia nuk ishte e largët. Na dha dorën, një nga një, dhe na bëri me shenjë të uleshim. U ula përball saj ndërkohë të tjerët u ulën dy nga dy anash . Edhe ajo u ul, pastaj në çast u ngrit, mori një copë letër dhe një laps, dhe u ul përsëri. Vuri këmbën mbi këmbë, u dha një të shtytur ballukeve dhe pasi na hodhi një vështrim që reflektonte qartë urrejtje dhe denigrim na u drejtua.
-Kush jeni ju? Cilën shoqatë përfaqsoni?-
I pari e mori fjalën Tanush Kaso, i cili më duket se kishte edhe ai një vulë shoqate. I spiegoi se kishte qenë në një grup me P.Arbnorin ndoshta për ta zbutur e prekur sado pak, dhe vazhdoi ti shpegonte gjendjen e mjerueshme ku ndodhej dhe arësyet përse ne ishim aty. Pastaj i erdhi rradha Syrja Lamçes, Ylli Mançes, dhe Tomorrit, të cilët ju prezantuan,dhe më në fund më erdhi radha mua. I thashë kush isha, vitet e burgut dhe shkurt arsyet përse ndodheshim aty. E pashë që nuk i erdhi mirë, rrudhi vetullat, u ngrit në këmbë, u largua dy tre hapa për te fundi i dhomës dhe shpërtheu me një zë të çjerrë:
-Kush jeni ju që dilni në grevë e bërtisni përpara parlamentit? Ju s’na tregoni dot neve se ç’duhet të bëjmë dhe pasi bëri një xhiro nëpër dhomë vazhdoi- Ju s’jeni kurkush duke na vështruar plot inat. Ndërkohë Tanushi që ndodhej më afër saj ju drejtua
– Më falni Zonjë, por edhe ne jemi pjesë e kësaj demokracie dhe kemi votuar për juve.-
Ndërkohë ajo ju afrua me një vështrim të egër dhe kërcënus dhe me gishtin tregues nisi të bërtas.
– Demokracinë e solli Sali Berisha dhe jo ju pesë… dhe ju mor pak goja e mbushur me pështymë siç duket nga që nuk gjeti dot fjalën e duhur. Tanushi uli kokën e ndërkohë mua nuk mu durua.
-Pak respekt- ju drejtova. – Nëse ne jemi në këtë gjendje faji i bie klasës politike dhe juve. Ajo bëri disa hapa mbrapa dhe me gishtin tregus, klithi.
– Takimi mbaroi dhe ndigjoni ju… Edhe me ardhë prapë unë kam me jua pre juve do spiunë, hajdutë, e ordinerë dhe ndërkohë ngriti gishtrinjtë në formë gërshëre, ato gishtrinjë të pudrosur e me manikyr që fshihnin aq mëkate dhe turpe. Ndërkohë shoqëruesi hapi derën dhe ajo pa brejtjen më të vogël të ndërgjegjes zgjati dorën.Ata i dhanë dorën një nga një dhe u nisën drejtë derës e ndërkohë më erdhi rradha mua të dilja.U nisa për te dera ku qëndronte ajo me dorën ngrehur ,i hodha një vështrim denigrues më e shumta që mund ti bëhet një femre dhe para se të dilja i thashë:
Ti s’je gjë tjetër veçese një komuniste dhe nisa të dal jashtë zyrës duke ja lënë dorën në ajër.E si mund ta takoja atë dorë pas gjithë asaj balte që ajo kishte hedhur mbi ne?
Dolëm nga parlamenti ku na prisnin bashkëvuajtësit të cilët e kuptuan menjëherë nga fytyrat tona se ç’kishte ndodhur në atë zyrë paçavure që prodhonte vetëm pisllëqe,ku luhej me fatet e një populli të pafat e mjeran.Rrugës u shpjeguam se ç’kishte ndodhur dhe i vetmi ngushëllim për ta ishte ajo ç’ka i kisha përplasur në fytyrë kryetares .Bëmë dhe pak rrugë bashkë dhe pastaj ju thashë se më duhej të nisesha për në Vlorë .Ndërkohë Tanushi më tha se sonte është seanca parlamentare ku do të lexohet deklarata e Këshillit Europian për dënimin e krimeve të komunizmit. dhe lejohen të burgosurit të marrin pjesë
E pashë me keqardhje dhe i urova natën e mirë.
Unë do të shkoj më tha ai-e kështu u ndamë nga grupi e pasi mora një fugon pas disa orësh arrita në Vlorë dhe kur erdhi ora e seancës hapa televizorin për kuriozitet por nuk pashë aty as Tanushin e as ndonjë nga bashkëvuajtësit që kishim qenë në takim me kryetaren me përjashtim të disa ushtarëve të PDsë që na kishin kthyer shpinën prej kohësh .Një listë e veçantë ndalonte pjesëmarrjen tonë atë natë me urdhërin e kryetares .Ndeza një cigare dhe pastaj fola me zë të ulët…Eh kështu ka qenë e do të jetë bota.Jo të gjithë e mbarojnë rrugën e nisur dhe jo të gjithë i qëndrojnë besnik vetëvehtes dhe idealit për të cilin jetojnë,vuajnë e luftojnë….. ndryshe nuk do të kishte renegatë……..
Korrik 2006
* Fragmeniti është marrë nga Libri “RENEGATET” i autori Pellumb Lamaj.