• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FRANK SHKRELI I SHKRUAN KRYEMINISTRIT PËR VLERËSIMIN E AT GJERGJ FISHTËS

June 28, 2018 by dgreca

KUR DO T’I VIJË RADHA VLERËSIMIT HISTORIK TË AT GJERGJ  FISHTËS, Z. KRYEMINISTËR?/c

2 Franku

*-Besoj se po të pyetej Eqerem Çabej, ai do të dëshironte dhe do të ishte krenar, që si dy miq të vjetër, ta kishte bustin e At Gjergj Fishtës aty pranë tij, në kopshtin e Akademisë së Shkencave./

Nga Frank Shkreli/

Në fillim të kësaj jave, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama inauguroi bustin e gjuhëtarit Eqerem Çabejt, një akademiku dhe njeriu të letrave shqipe, me të vërtetë me vlerë dhe i merituar.  Kryeministri shqiptar, me të drejtë, ngriti lart figurën e Çabejt, duke vlerësuar rolin dhe kontributin që ai ka dhënë për gjuhën shqipe.  Media të ndryshme shqiptare i bënë jehonë këtij aktiviteti ndërsa njoftuan se busti i gjuhëtarit dhe albanologut të shquar shqiptar Dr. Eqerem Çabejt është vendosur në kopshtin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  Në ceremoninë e inaugurimit foli edhe, Z. Rama, i cili u shpreh se, “Busti i Eqerem Çabejt në zemër të Tiranës, një vepër e bukur për një njeri të bukur, të cilin përkushtimi dhe kontributi për gjuhën e shqipe e ktheu përjetësisht në Lartmadhërinë e shkencave albanologjike”, është shprehur Kryeministri Rama.

Me këtë shënim të shkurtër nuk dua të marr përsipër asnjë kritikë për askënd. Prof. Eqerem Çabej meriton bustin në kopshtin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ose kudo tjetër në trojet shqiptare. Siç u shpreh edhe akademiku Vasil Tole, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, gjatë inagurimit të bustit,  Eqerem Çabej, “Është më së pari një simbol, simbol i shkencëtarit dhe i atdhetarit, i ndërgjegjes shkencore dhe i ndërgjegjes qytetare, i fisnikërisë njerëzore dhe i moralit njerëzor, kjo e provuar vijueshmërisht në tri sisteme: gjatë mbretërisë, pushtimit nazifashist të vendit si dhe komunizmit”.   Dr. Eqerem Çabej mund të jetë i vetmi që u mbijetoi të tre sistemeve, sidomos komunizmit, ndryshe nga shumë bashk-kohas të tij, duke mënjanuar etiketimin si armik i popullit nga regjimi i Enver Hoxhës.   Megjithëse, siç njoftonte edhe gazeta Kombi më 4 nëntor 1943, Dr. Eqerem Çabej ishte një ndër anëtarët e qeverisë së formuar atë vit, prej Rexhep Mitrovicës. Për fatin e tij të mirë, të familjes së tij dhe të kulturës dhe gjuhës shqipe, Dr. Eqerem Çabej nuk e pësoi nga regjimi komunist, ashtu siç e pësuan kolegët e tij të cilët ishin pjesëtarë me ‘të, në qeverinë pro-naziste shqiptare, disa prej të cilëve e paguan me jetë pjesëmarrjen e tyre në këtë qeveri.  Pjesëmarrja e Dr. Eqerem Çabejt në qeverinë e Rexhep Mitrovicës nuk ia ulë aspak vlerat dhe kontributet e tija, por përkundrazi, e rritë atë në vijimësi, sidomos për kontributet e tija në fushën e historisë filologjike shqiptare, por edhe në studime të tjera të albanologjisë, në përgjithësi. Me të, gjuha shqipe dhe kultura shqiptare janë më të pasura. Andaj u ngrit busti i tij para ndërtesës së Akademisë së Shkencave.

Pyetja nuk është se pse i ngrihet busti Prof. Eqerem Çabejt, por pse nuk vlerësohen për kontributet e tyre – në tre sistemet gjatë të cilave jetoi dhe veproi ai — edhe figura të tjera të ndritura të Kombit shqiptar që vepruan gjatë asaj periudhe, si për shembull, At Gjergj Fishta*, shtëpia ku ka jetuar ai, ndonëse e shpallur monument kulture, është këthyer në një gërmadhë të vërtetë ku flejnë zogjët e natës.

Ndoshta pak njerëz e dinë, por Prof.Eqerem Çabej ka pasur konsideratë të lartë për At Gjergj Fishtën – i cili për arsye që dihen nuk mundi t’a shprehte gjatë regjimit komunist, pasi Fishta ishte shpallur “armik i popullit dhe tradhëtar i Kombit”, i ndaluar rreptësisht nga komunistët shqiptarë, për hatër të komunistëve jugosllavë. Por Çabej ka vlerësuar lartë At Gjergj Fishtën — para sundimit komunist kur Eqerem Çabej mund të shprehej lirisht– duke e cilësuar Fishtën, ndër të tjera edhe si “Poeti kombëtar i Shqiptarëve”. Duke shkruar për vlerësimet edhe konsideratat e E. Çabej për Fishtën, i ndjeri Prof. Dr. Engjëll Sedaj është shprehur se –vlerësimet e tija për Gjergj Fishtën — si “Poet Kombëtar i Shqipërisë”, si “Përfaqësues më i pari i leteraturës së sotme shqiptare”  dhe sidomos si poet më i avancuar epik ballkanik i shekullit, (Çabej) i mbështet kryesisht në Lahutën e Malcis”, veprën kryesore të At Gjergj Fishtës.

Në një prej vlerësimeve të tija për Lahutën e Malcis dhe për Fishtën,Prof. Eqerem Çabej është shprehur: “…Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar te njësia më e madhe e kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe mbërrin te Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit. Duket qartas përpjekja e tij të zgjerojë dalëngadalë botën në një brendi më fort nacionale, të ngrejë kështu veprën në sferën kombëtare. Kështu vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar…duke qenë njëkohësisht në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik.  Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në dukje të zanave që u përngjajnë Dianës e Atenës…”.

Ndërsa katër vjet para se të vdiste Fishta, Prof. Çabej jep këtë gjykim për At Gjergj Fishtën: “Gjergj Fishta është bërë, sidomos në Lahutën e Malcis, përfaqësuesi më i parë i literaturës së sotme shqiptare”.  Dhe më tej Çabej është shprehur se, “Në fakt, në poezinë epike të Fishtës është kënduar thelbi i shpirtit të shqiptarëve, elementi i konservuar i popullit që njëherit më së mirë dëshmon njësinë e kombit”.   Çabej ka shkruar gjithashtu për epërsinë artistike të Fishtës, se në, “Ngjarjet e një natyre më shumë lokale, që përbën bazën historike për veprën” Lahuta e Malcisë, At Gjergj Fishta — ka theksuar Prof. Eqerem Çabej — “Prej kësaj bëri një epope kombëtare”, kështu që sipas tij, “Kjo epope nganjëherë i kalon kufijtë e shqiptarisë, duke qënë njëkohësisht, në një farë kuptimi, edhe një epos ballkanik”.  Ndërkaq, për kontributin e Fishtës në zhvillimin e gjuhës shqipe në përgjithësi, albanologu austriak, Prof. Dr. Norbert Joklka shkruar se, “Me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zojë.  Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit, u caktue njëherë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen.  Me At Gjergjin zuni fill shkolla, me shqipen gjuhë mësimi…” është shprehur albanologu i njohur austriak.

Besoj se po të pyetej Eqerem Çabej, ai do të dëshironte dhe do të ishte krenar, që si dy miq të vjetër, ta kishte bustin e At Gjergj Fishtës aty pranë tij, në kopshtin e Akademisë së Shkencave.  Fatkeqsisht, për derisa politika shqiptare — e cila vendos çdo gjë në atë vend, madje edhe për gjërat që nuk i takojnë siç janë gjuha, arti, trashëgimia kulturore, letërsia e të tjera – e trajton At Gjergj Fishtën kështu siç e ka trajtuar këto 28-vjet post-komunizëm – në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë! Është e vërtetë se njerëzit në Shqipëri janë të lirë të blejnë dhe të lexojnë librat e Fishtës, por nga pikpamja e pranimit dhe njohjes zyrtare të kontributit të autorit të “Epopesë Kombëtare”, siç e ka quajtur Gjergj Fishtën Prof. Eqerem Çabej, nuk ka asnjë ndryshim. Se pse At Gjergj Fishta anashkalohet dhe pse mbahet gjithnjë në harresë zyrtare, kjo është një pyetje për mbarë shoqërinë dhe Kombin shqiptar, por, veçanërisht, është një pyetje që duhet ti drejtohet Kryeminsitrit Rama, Ministrisë së Kulturës, Akademisë së Shkencave dhe enteve të tjera përgjegjëse të qeverisë dhe të shtetit shqiptar.  Pikë së pari, pyesni për këtë Ministren e Kulturës.

Një bashkohas i tij, At Benedikt Dema është shprehur pas vdekjes së At Gjergj Fishtës se “Shqypnia do të nisë me e çmue ma tepër At Fishtën, kur në raste në të cilat Kombi kërkon e lyp ndërmjetësimin e nevojshëm të autoritetit e të veprimtarisë së tij”.  Fatkeqsisht, Atdheu i At Gjergj Fishtës nuk vepron më me entuziazmin e idealeve që ishte program i jetës së tij, “Për të vendosur themelet e patundura të idealizmit kombëtar, për të prirë në luftime në mbrojtje të Kombit, për t’i gërshetue kunora lumnije racës mijëvjeçare shqiptare, gjakut të derdhun e flijeve të vuajtuna të Kreshnikëve të Kombit”, ka shkruar dikur Benedikt Dema, duke shpresuar njëkohësisht se shqiptarët, si Komb i qytetëruar, do të dijnë t’i çmojnë njerzit e mëdhej të tij, duke i ndërtuar atij gjeniu, atij Ati të Atdheut, një përmendore të pashlyeshme, “një shenjë të përherëshëme e të denjë, për një komb të përparuem”.  Shpresojmë, por deri kur?  Pa At Gjergj Fishtën, pa vlerat kombëtare dhe pa idealet e tija, Shqipëria nuk është e përparuar dhe njëkohësisht, nuk është as Shqipëria që duam!  Z. Kryeministër, kur do t’i vijë radha At Gjergj Fishtës, që të zejë, zyrtarisht, vendin që ai meriton dhe që i takon në historinë dhe në kulturën e Kombit shqiptar?

Ju falënderoj për vëmendjen, Zoti Kryeministër!

Frank Shkreli

*Në kujtim të fjalimit të At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqës, 1919:

https://sq.wikipedia.org/wiki/Fjalimi_i_At_Gjergj_Fishtës_në_Konferencën_e_Paqës 20 qershor (1919)

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kryeministrit Rama, leter, per At Fishten

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT