Në vitin 1925, pasuria që i ishte grabitur popullsisë çame nga grekët llogaritej 2.700.000 napolona ari.
Ne Foto: Kopertina e librit “Çështja çame”/
Kanë kaluar plot 90 vjet që kur ambasadori shqiptar në Athinë, apo ministri fuqiplotë, si quhej asokohe, luftonte për çështjen çame.
Kur flitet shumë për diplomacinë dhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku mollë sherri është pa dyshim Çamëria, vjen për lexuesin një përmbledhje letrash, që Mid’hat Frashëri, ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë u dërgon eprorëve apo homologëve të vet gjatë periudhës që ai shërbeu në Athinë. Historianët Luan Malltezi e Sherif Delvina kanë përgatitur librin “Çështja Çame- Mid’hat Frashëri Ministër Fuqiplotë, Athinë (1923-1926)”. Një qëmtim i kujdesshëm i materialeve, nxjerrë kryesisht nga Arkivi Qendror i Shtetit, që na sjell në vëmendje një temë të nxehtë si ajo e Çamërisë. Janë komunikime me ish-ministrin e Jashtëm, me atë të brendshëm, me vetë Presidentin e Republikës, asokohe, Ahmet Zogu, por edhe me homologët grekë. Është një raportim i rregullt për marrëdhëniet me vendin fqinj, por më së shumti për çështjen çame, për shpërnguljet, burgimet, vjedhjen e pasurisë, depërtimin në Turqi. Frashëri ishte këmbëngulës në kërkesat e veta dhe nuk përtonte t’u dërgonte qindra letra eprorëve të tij, edhe pse shumë herë nuk merrte përgjigje, ndonëse gjendja siç thoshte ai ishte katastrofike. Madje ai shkonte dhe më tej, pa pritur reagimin e shtetit të tij, i propozon Kryeministrit grek Pangallos, të ndërrojë popullsinë çame me atë të minoritetit grek në Shqipëri.
Letra që Mid’hat Frashëri u dërgon eprorëve të tij në Tiranë
Athinë, 8 shtator 1925
Shkëlqesës së Tij
Zotit Ministrë të P. të Mbrendëshme
Tiranë
Zoti Ministrë,
Si mbas vendimit të komisionit për nënshtetësin e Shqiptarëvet në Greqi, në mbledhje të tij të 7 corente, kam nderin të paraqit shënimet e mëposhtme mbi atitudën e autoriteteve Greke drejt Shqipëtarëvet.
Elementi shqiptar në Greqi duhet t’a ndajmë në dy pjesë:
A.Elementi Orthodhoks,
B.Elementi Mysliman
Orthodhoksët Greqija i quan si grekër, me qenë se, pas mentalitetit të Helenëvet, një orthodhoks nuk mund të jetë përveç se Grek.
Do të shtyrtojmë pra situatën e Shqiptarëvet Myslimanë.
Këta gjendenë:
A. Si popullsi kompakte në Çamëri, dua të them në zallë të dett që zgjatet nga Stilos gjer në Prevezë. Largë zallit gjejmë shqiptar muhamedanë: Në Janinë, Konicë, Voshtinë.
B. Popullsi kompakte e dytë, në Prefekturat Fllorinë dhe Kostur, me 37 katunde dhe 2 qytete, me afro 35.000 njerëz.
C. Popullsi e përndarë (sporadike) në shumë qytete të Maqedhonisë: Selanik, Karaferia, Vodena, Niausta, katerinë, Allasonjë, kavalle.
S’dihetë numuri i drejtë i këtyre shqiptarëve; po mund të jetë gadi 100.000 frymë, mbase ma tepër dhe jo më i pakët.
Tani të shohim çë ka qenë atituda e Greqisë kundrejt këtyre minoriteteve?
Që ditën e nesërme të luftës Ballkanike, politika helenike u shfaq çiltazi për të ndjekurë dhe të përzënë elementin mysliman Shqiptar nga Epiri dhe Maqedhonija.
Realizimi i kësaj politike filloi me anë të çetave hajdutësh dhe të sjelljeve të autoriteteve sivil dhe militarë.
Po, kjo politikë morri nji gjyrë të re dhe fare militante pas motit 1920.
Në atë mot Greqija mori do masa për elementin turk të Maqedhonisë, nga shkaku se gjendesh në luftë me Turqinë, masa të cilat duke dashurë, dhe me gjithë protestimet dhe rekomandimet, i zbatoj edhe mbi elementin Shqiptar, mbase në nji mënurë më të fortë dhe më të rëndë se nga ato që zbatonte mbi Turqit.
Këto masa janë:
1. U përzunë me dru dhe me të rahurë prej gjindarmërisë greke, të 35.000 shqiptarët e Follorinës dhe Kosturit.
Këta të ndjekur u bë me një program dhe enkas, me qenë se Përfaqësonjësi Shqiptar në Athinë i kishte dhënë komisionit Mikst nji radhua të atyne katundaret, si edhe vetë popullsia që reklamoj origjinën shqiptare dhe të drejtën për të ndenjurë.
2. Prapë kundra dekllaratësë që bëri Delegati Grek në Lausanne Z. Caclamanos, në Janar 1922, u përzunë me pahir dhe me dru:
A. Të tërë Shqiptarët e Prevezës
B. Të tërë Shqiptarët e Janinës.
C. Një pjes e madhe e shqiptarëvet të Konicësë
D. Të tërë Shqiptarët e Pargës
E. Një shumicë shqiptarësh të vetë Çamërisë.
3. Shqiptarët mysliman në Epir ose në Maqedhoni s’kanë të drejtë as të shesin as të japin me qera, as të marrin të hollat e pasunivet të tyne.
4. As nji shtëpi s’ka mbetur e lirë: tekdo kanë kallur me pahir refugjatë, duke hedhurë rrugaçet të zotërit e shtëpivet.
Shumë shtëpi rrijnë të zbrazura dhe prapë refugjatët grek qeverija i instalon në shtëpi të shqiptarëvet.
5. Refugjatët me lejen e autoriteteve, grabitin pasuninë, kopshtet, ullinjtë, fiqtë, vneshtët dhe drithit e Shqiptarëvet.
6. Pasuni e grabiturë gjer më sot me llogarinë më të poshtme arin vleftën 2.700.000 napolona ari.
7. Dyert e drejtësis janë të mbylluna për Shqiptarët, dhe të rrahurët, të grabiturët, të burgosurët, janë buka e përditëshme për ta. Kjo situatë tragjike është dëftyerë edhe në raportet e Z. Carl Bratli, që udhëtoj në Çamëri, nga ana e Shoqënisë së Kombevet. Qëllimi i këtyne sjelljeve është që të shtrëngohenë Shqiptarët të ikin nga Greqija, dhe të grabitet e doravisht pasuni e tyre.
8. Mbi këto Qeverija Greke ka bërë dhe nomin eksproprimit, e cila, në realitet është një mënyrë konfiskimi dhe grabitje pa çdëmtim. Ky eksproprim do të jetë edhe më i keq akoma për ata myslimanë shqiptarë nënshtetas grekë.
9. Ligji i eksproprimit gjer më tani ka lënë rrugaçet me qindra fëmijë të pasurë, të cilët tani s’kan bukë të hanë.
10. Po pika më esenciale është: Shqiptarët në Greqi s’kanë:
A. Të drejtë për votim;
B. S’kanë deputet;
C. S’kanë të drejtë për shkolla;
D. Xhamitë dhe Teqetë e bektashivet janë të konfiskuarë prej Qeverisë.
Këto janë pikat kryesore me të cilat Greqija ka dëftyerë se nuk do të respektojë shqiptarët muslimanë as si minoritet kombësije, as si individ, që ka të drejtë për rrojtje.
Pritni ju lutem, Zoti Ministrë, të falat e mia me nderime.
Përfaqësuesi i Shqipërisë në Athinë
Midhat Frashëri
Athinë, 17 tetor 1925
Nr. 1310
Shkëlqesës së Tij
Zotit Ministrë të P. të Jashtme
Tiranë
Zoti Ministrë,
Nga shperngulja e popullsise Çame ne fillim te shekullit te kaluar
Ditën e dytë të ardhjesë s’ime këtu në Athinë poqa Z. Rendis, Ministrë të P. të Jashtme, si dhe Kartanxhogllu, sekretarin (drejtorin) gjeneral të Ministrisë.
Mbemë dakord me ta që më shënojnë ditën kur do të mundim të fillojmë bisedimet për lidhjen e marrëveshjesë relative me nënshtetësinë.
Sot poqa Z.-in Pangalos.
Sipas porosisë që më kishte bëtë zoti Kryetar i Republikës, i thashë të falat dhe shtova se, jam porositurë të them që marrëdhanëjet nërmiet të shteteve i kemi dhe më teprë akoma i ka në dorë Greqija, që t’i bëjmë miqësore.
U përgjigj se dëshëron edhe ay fort shumë që të jemi miq, dhe pandaj ka dhën urdhrë në Ministri të Pun. të Jashtme të kërkohetë nga Shqipërija agrementi për Gjeneral Kondulin, si Ministrë. Shtoj se Kondulin e ka mik personal dhe se është shovinist shqiptar.
Duke sjellë fjalën, pas një bisedimi tjatrë, mbi çështjen e Shqipëtarëvet të Greqisë dhe sidomos të Çamëvet, i thashë se, situata e tyre dhe komentet e shumë që bëjnë gazetat Shqipëtare, krijon pakë pengim për harmoninë midis dy shteteve.
I kallëzova qysh autoritetet lokale bëjnë ekses zelli dhe si 104 Çamër janë të arrestuarë dhe burgosurë pa nonjë shkak real. I rrëfeva pastaj shtrëngimet e bërë në Çamëri duke marrë shtëpitë dhe pasurinë e tyre.
Z. Pangalos, duke marrë shënim, më premtoj që të japë urdhra kategorike ne komandanti i Janinës dhe ne Ministri i Bujqësisë që të këqyrin këtë punë. Z. Pangalos nuk dinte, ose bëri sikur ignoronte zotimin e Greqisë të bërë në Lauzanë, në favor të Çamëvet. I thashë se, në qoftë se Greqija ka qëllim që t’i përzërë Çamët, ose t’i shtrëngoje gjer sa të ikin, atëherë më mirë të marrim masa që tani për të bërë dhe ne si Tyrqija, do me thënë për të këmbyerë grekofonët tanë me Çamët e Greqisë.
Me këtë rast Zoti Ministrë, do të përsërit ato që pata nderin të parashtronj në raportin t’im Nr. 1289, me datë 15 Ct.
Se është më mirë të na qahen dhe të na luten neve grekët, se sa ne tyreve. Sot, një mik që ka udhëtuarë nga Parga, më rrëfente se, sekretari i dytë i asaj Krahine, i kish thënë “Të ju them të vërtetën, Qeverija ka marrë në sy që t’i shtrëngojë Çamërit dhe të ikin. Edhe Musa Demin që arrestojnë çdo muaj dhe e burgosin, nuk’ ka no një shkak tjetrë.
Për Kondulin do të them se është nga Levsina (Elevsis) si dhe Pngalloj, dhe ka lënë një kujtim të mirë në Korçë, në kohë të luftësë, ku ka qenë si prefekt.
Po marr vesh se qarket Vorio-epirote kanë shkelurë këmbë që të mos vejë Konduli në Shqipëri; ata duanë të emërohetë Z. Jorgopullo, një shef zyre i ministrisë së P. Të jashtme, të cilit i kanë marrë më teprë besim për politikën e tyre.
Z. Pangallos duke bërë fjalë për Z. Panurjas (të cilin pa dyshim un e lëndova) më tha se ka bërë shumë gafe.
Pritni ju lutem, Zoti Ministrë, të falat e mia me nderime.
Midhat Frashëri
Athinë, 4 nëntor 1925
Nr 1433
Shkëlqesës së Tij
Zotit Ahmed Zogu
Kryetar i Republikës
Tiranës
Zotni Kryetar,
I inkurajuarë prej porosisë që më bëtë të ju shkronj drejt për drejt kur të kem nevojë për no një send, po marr lirinë të ju bënj këto lutje që më vijojnë më posht:
1. Punët tona në Shoqërin e Kombevet sa vete po shtohenë, dhe e shoh fort të nevojëshme qi të emërohetë në Genevë një zyrtari i zoti, me vullnet të math, dhe që të dijë mirë punët e Shqipërisë.
2. Puna e Shqiptarëvet të Greqisë, dhe në teprë ajo e Çamëvet, ka ardhurë në një fazë kritike që nuk mund të durojë më teprë kështu të mvrauarë.
Kam bërë çdo javë më teprë se një raport në Ministrit tënë, dhe kam rekomanduarë masa reciproke.
Edhe die kuvendonja me një koleg t’im mbi këtë punë. Më pyeti në kemi edhe ne në Shqipëri grekër. I thashë se kemi disa mijë. “Po atëherë çë i mbani? Pa i përzeni, le të vijnë këtu në Greqi, pa atëherë Qeveri e Athinës të ju lutet juve.
3. Puna e refugjatëvet që po vijnë në Shqipëri, ose duanë që të vijnë, ka nji importancë fare kryesore për neve, mjerisht transportimi dhe instalimi i refugjatëvet nuk po bëhetë as pak në rregull, dhe nga kjo parregullsi mund qi të na ngjajë no një fatkeqësi e madhe.
Shkëlqesa Juaj kishte pasurë mirësinë të më premtoni se një njeri i zoti, energjik dhe i ndershmë do të emërohetë si Drejtor i Përgjithshëm për Instalimin dhe Rikonstruktim.
Kjo nevojë sot më duket edhe më e madhe akoma, se çështja na kanoset me një katastrofë kombiare, Zoti mos e dhantë.
Pranoni Ju lutem, Zoti Kryetar, të falat e mia me nderime.
Midhat Frasheri d.v.
Athinë, 11 nëntor 1925
Zotit Sir Erik Drumond
Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve
Gjenevë
Nr. 1483
Qeveria shqiptare sapo u njoftua që një projekt do të ishte përpiluar në Komisionin Mikst, në Kostandinopoli, për të dënuar nga atdheu i tyre 5000 (5 mijë) çamë (shqiptarë shtetas grekë të Epirit) duke iu nënshtruar shkëmbimit të detyruar. Në emër të qeverisë sime unë jam i detyruar të protestoj me të gjitha energjitë e mia kundër një vendimi të tillë. Sikundër keni dijeni ju, zoti Sekretar i Përgjithshëm, shkëmbimi i popullsisë është vënë në jetë nga Greqia dhe Turqia në Konferencën e Lozanës, ku, sipas kërkesës së Shqipërisë, myslimanëve me origjinë shqiptare u është njohur e drejta e përjashtimit nga ky shkëmbim. (janar 1922)…
Dua të shtoj se deri tashti, më tepër se 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) shqiptarë janë dëbuar prej vatrave të tyre dhe janë dërguar në Azi të Vogël kundër dëshirës së tyre.
Duke pasur parasysh atë që paraprin projekti për të shpërngulur 5000 shqiptarë të tjerë, është në kontradiktë të dukshme me letrën dhe frymën e zotimeve të qeverisë greke dhe turke, si dhe vendimeve të marra nga vetë Këshilli i Lidhjes së Kombeve. Do të isha shumë mirënjohës nëse ju dëshironi të merreni me këtë ngjarje dhe me urgjencë të tërhiqni vëmendjen e Komisionit Mikst, duke ftuar të heqë dorë nga planet për dëbime të reja të shqiptarëve.
Ju lutem, zoti Sekretar i Përgjithshëm, pranoni konsideratën time më të lartë.
Ministri i Shqipërisë në Athinë(Materialin e solli per Diellin Sali Bollati)