KUJT JA SHESIM “ZYLON” PËR DISIDENCË?!/
Nga KOLEC TRABOINI/
“Shkelqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit e kemi lexuar që në fillim pjesë-pjesë në faqet e revistës “Hosteni”, kur nuk ishte e nuk quhej ende roman, por një satirë nga ato që edhe Qamil Buxheli, Miço Kallamata, Hyskë Borobojka, Dionis Bubani, madje dhe plot të tjerë, bënin me shumicë. Të talleshe me drejtorët e kryetarët e kooperativave të burokratizuar nuk ka qenë ndonjë gjë e ndaluar nga diktatura, përkundrazi stimulohej. E vetmja gjë që bëri Dritëro Agolli është se e ngriti stekën pak me lart, në një drejtori të vogël në rang ministror, kulturor. Megjithatë nuk ja bëri gjëmën sistemit satira “Zylo”. Përkundrazi. Të mos e shesin për disidencë, sepse nuk ishte gjë tjetër veç jehonë e luftës kundër burokratizmit pasi që Enver Hoxha mbajti i fjalimin famë-zi, pas të cilit nisi fortuna nëpër institucione. I dërgonte artistët në prodhim dhe në fshat për të punuar me shatë e lopatë. Kinezëri. Pra ajo vepër, “Zylo”, ishte një ndihmesë e çmuar, si një manual satirik i Partisë për ruajtjen e aparatit komunist nga ndryshku mikroborgjez. Është karakteristikë se në komunizëm e shisnin sapunin për djathë, ashtu si dhe sot apologjetë e letërsisë se real-socit vazhdojnë si baxhoxhinj të sapunit të partisë.
Lufta kundër burokracisë, për të cilin sot nuk flitet aspak, bashkë me tufëzimin kanë qenë ndër iniciativat e përdhunshme të Komitetit Qëndror të PPSH, ndër më barbarët ndaj intelektualëve në qytetet e fshatrat shqiptare. Ndër përçudnimet më të mëdha të regjimit diktatorial.
Prandaj duhet tu thuhet apologëve të real-socit shtërpë, se Dritëro Agolli, as si njeri e as si vepër, nuk ka nevojë për avokaturë, nuk ka nevojë ta mbrojë askush, sepse është punë e kotë dhe kohë e kryer. Duhet pranuar se ai ishte një njeri me karakter të fortë. Kurrë nuk e ka kërkuar këtë ndihmë që duan ti japin, nuk ua ka kërkuar këtë nder as atij takëm pseudostudiuesish, që paturpësisht kanë veshur edhe kostumin e akademikut.
Prandaj duhet tu thuhet apologëve të real-socit shtërpë, se Dritëro Agolli, as si njeri e as si vepër, nuk ka nevojë për avokaturë, nuk ka nevojë ta mbrojë askush, sepse është punë e kotë dhe kohë e kryer. Duhet pranuar se ai ishte një njeri me karakter të fortë. Kurrë nuk e ka kërkuar këtë ndihmë që duan ti japin, nuk ua ka kërkuar këtë nder as atij takëm pseudostudiuesish, që paturpësisht kanë veshur edhe kostumin e akademikut.
Dritëro Agolli ka qenë i drejt për drejtë, na pëlqen apo jo. Konsekuent deri në fund i partishmërisë se vet. Personalisht i kam bërë një ese në të gjallë, “Poetika e Dritëro Agollit”. Esenë time ai e ka lexuar dhe nuk e kanë pëlqyer në rrethin e vet, por edhe nuk ka reaguar. Gjithësesi unë nuk e kam sulmuar kurrë, siç duan ta shesin lajkaxhinjtë shkrimin tim, por jam munduar të shoh pozicionin e Agollit si krijues në mes absurditetit të dy kohëve, në mes të dy krahëve, disa që e ngrenë në qiell si perëndi e të tjerë që i hedhin përsipër tonelata mëkate. Ai nuk ishte gjeni siç e shesin bejtexhinjtë e televizioneve dhe vjershëtorët e mbetur peng në kohën e Hasan Zyko Kamberit, as novator, as patriark. Thjeshtë ka qenë një shkrimtar, një poet i natyrshëm, i cili sa i përket lirikave tradicionale të frymës popullore, folk, është i pëlqyeshëm dhe ka vendin e vet në letërsi. Retorikat bajate përtej kësaj janë vetëm punë tifozësh në stadiume, që mblidhen për berihaj.
Sa për “Zylon”, që ta mbyllim aty ku e nisëm, lëreni atë vepër të luftojë kundër burokratizmit se për atë mision u krijua, paçka se duan ti japin oksigjen për të mbijetuar edhe në kohët që nuk i përkasin.
9 shkurt 2017