• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SI MUND TE SHKRUASH GJITHE JETEN PER FEMIJET

June 28, 2021 by dgreca

Nga Naum Prifti /

Vajza ime Rafaela udhëtoi dje nga Nju Jorku në Boston për të marrë pjesë në ceremoninë për të nderuar pesëdhjetë vjetorin e përkushtimit fetar të Kancelarit tonë Atit Artur Liolin. Kur u kthye, ajo më tregoi përjetimet e festimit në kopshtin meditativ të Katedrales së Shën Gjergjit. Nga mysafirët dhe të ftuarit që takoi, më përcolli të fala nga Stefan Koçi. Ai i kishte treguar se në kohën e fëmijërisë së tij në Shqipëri kishte lexuar te revista Fatosi diçka që nuk e kishte harruar kurrë. Naum Prifti thoshte se ai kurrë nuk do largohej nga letërsia për fëmijë dhe se do shkruante për ata gjithë jetën e tij. Agroni i tregoi Rafaelës se ky lloj premtimi e kishte ngritur shkrimtarin në një idhull për të. Më duket se kur arrin të kesh jetë të gjatë të bie të përjetosh ngritje e rënie, shkëlqime dhe zbehje të veprës. Për mua po afrohen tre dekada të jetës dhe punës në Amerikë, ose një të treta e moshës sime. Fëmijët që lexonin revistën Fatosi, tani i takon të jenë bërë baballarë e mbase gjyshër. Megjithatë Agroni sot e kësaj dite e mban mend sesi u ndje kur lexoi se shkrimtari Naum Prifti kurrë nuk do rreshte së shkruari për fëmijët. Mendoj se kam të drejtë të them se e kam mbajtur këtë premtim. Ja sesi: Tek parathënia e librit Pas Abetares kam shkruar se vëllimi u hartua posaçërisht për t’u ardhur në ndihmë nxënësve të klasës së parë, menjëherë pas mbarimit të Abetares. Botimi i tij i parë në vitin 1997 hapi një rrugë të re të koordinimit të librave të leximit jashtëshkollor me programin mësimor. Kjo ngjan si një vazhdimësi e logjikshme por të tilla tekste mungonin aso kohe. Kur flisje me mësuesit e klasave të para, ata i shprehnin konkretisht vështirësitë e nxënësve të moshës gjashtë apo shtatë vjeçare që sapo përfundonin mësimin e abetares. Pra, ngatërresat e germave me grafi të përafërt si b-d (e shprehur në gjuhën e tyre me pyetjen: Si ta shkruaj? Me bark para apo me bark mbrapa?”) dhe p-q; së dyti, tinguj të përafërt siç janë dh-ll dhe f-th e bënin të vështirë dallimin mes tyre në të shkruar; së treti, germat e alfabetit që përdoren më rrallë sikurse c, ç, h, x, xh, z, xh shkaktonin hutim në leximin e fjalëve dhe së fundi, grupet me bashkëtingëllore treshe si ngr, ngj, ndr, shtr, ishin veçanërisht problematike. 

Në mesin e viteve 1980 hyri për herë të parë LEXIMI 1 në sistemin shkollor. Për hartimin e tij, Shtëpia e Librit Shkollor ngriti një grup pune me shkrimtarët e njohur për fëmijë: Bekim Harxhi, Ivoni Reso, Naum Prifti dhe me konsulentë për aparatin pedagogjik: Profesor Shefik Osmani dhe Enrieta Bimbashi. Redaktor prej entit botues u caktua Hamza Minarolli. Para se të hartonim fillin tematik, mësuesi i apasionuar Kolë Xhumari, i cili gjithë jetën ia kushtoi abetares, i parashtroi grupit të autorëve vështirësitë nga observimet e mësuesve dhe didaktika praktike. Synimi ynë ishte hartimi i një teksti vërtet të dobishëm nga ana pedagogjike e mësimore por dhe të përshtatshëm nga ana psikologjike. Me gjithë dëshirën e mirë, grupit të punes i mungonte përvoja dhe tradita për këtë projekt. dhe nuk mundi të jetësonte asnjë nga kërkesat e drejta. 

Pasi i përfunduam tekstet e Leximit 1, 2, 3 dhe 4, nisa të mendoja seriozisht për vështirësitë që na kishte parashtruar veterani i tekstit të Abetares, profesor Xhumari. Nisa të mendoj sesi mund të gërshetoheshin pjesët letrare të leximit jashtëshkollor me kërkesat konkrete gjuhësore. Atëhere për herë të parë e ndjeva gjurmën që kishte lënë në arsim, varfëria e letërsisë didaktike. Të thuash se kjo lloj letërsie përçmohej nga autorët, do të thotë të pranosh të vërtetën. M’u desh të rropatesha disa kohë për t’u orientuar drejt. Mendova se e gjeta rrugëzgjidhjen duke krijuar përralla, fabula e tregime letrare, në disa raste edhe adaptime nga letërsia angleze. 

Për shembull tek “Bishtaja me pesë kokrra” përdora dendur germa me grafi të përafërt, “b-p” ndërsa “Te Kopshti i Qershive” ka shpesh fjalë me “d-p”. Te “Dhelpra Thinjoshe dhe Falkoi i Fushës” përdoren dendur bashkëtingëllore me tinguj të ngjashëm “th” e “f” kurse te “Llani dhe Kotelja Dhora” janë përsëritur fjalë me bashkëtingëlloret “dh” e “ll”. Në disa krahina shqiptare këto ngatërrohen gjatë shqiptimit, ose përdoren njëra për tjetrën, në kundërshtim me rregullat e drejtshqiptimit dhe drejtshkrimit.

Hulumtoja dhe qëmtoja subjekte ku mund të përsëritja dendur fjalë me germa të ngjashme, me tinguj të përafërt, germa pak të përdorura, ose grupe tribashkëtingëllore. Te pjesët letrare “Hutini Del Natën Për Gjah”, “Cjapi Kruan Zverkun”, “Xhuli Thërret Dajon”, Çakalli Makut, “Gënjeshtari që Gënjeu Veten” ka denduri fjalësh me germat c, ç, gj, h, z, x, xh, të cilat përdoren më rrallë në alfabetin tonë, prandaj edhe nxënësit hasin më shumë vështirësi në fjalët ku ato janë të pranishme. Germat me përdorim të rrallë duhen dalluar edhe në trupin e fjalëve. 

Harmonizimi midis përmbjatjes letrare-edukative dhe plotësimit të kërkesave didaktike ishte një mjeshtëri që kërkonte njohje psiko-pedagogjike për fëmijtë e moshës gjashtëvjeçare. Për fat unë kisha tashmë përvojë dhe njohuri nga hartimi i leximeve të cilklit të ulët. Te “Breshëri Sa Një Kokërr Arre” vihen përballë -r dhe- rr, ose si u thonë ndryshe r e butë dhe r e fortë, dallimi midis të cilave në disa zona shqiptare është i pandjeshëm.

Te “Dudumi Blen Një Poç Elektrik” dhe “Ngatërrestari e Pësoi” përdoren fjalë me bashkëtingëllore treshe si lpr, shtk, ngr, shtr etj, si psh “Duke u pispillosur, kaloi përpara kasolles së dhelprës bishtkuqe.”

Pjesët me shkronja të zeza u përdorën për të sjellë njohuri praktike për shkallët e mbiemrit. Te “Ngatërrestari e Pësoi” dhe te “Stina më e Mirë” ka shembuj praktikë për kohën e tashme dhe të ardhme të foljeve. 

Libri Pas Abetares u mirëprit nga mësuesit dhe prindërit, sa unë iu ktheva ta punoja dhe ta pasuroja përmbajtjen artistike dhe didaktike të librit. Botimet e mëpasshme u shtuan me copëza të reja, me njohuri të thjeshta për shkallët e mbiemrit, për tri kohët kryesore të foljeve, si edhe ushtrime të thjeshta logjike dhe humor. Për mësuesit ishin të qarta synimet didaktike të çdo cope leximi. Prej vitit 1997 deri tani libri është ribotuar gati vit pas viti, çka shënon një rekord në fushën e botimeve për fëmijë. Pas Abetares mund të jetë leximi jashtëshkollor më me vlerë për breza me radhë. Veç kësaj pas njësimit të mësimit të Abetares, ky botim vlente për nxënësit e shkollave shqipe në Kosovë dhe në trevat shqiptare jashtë atdheut. 

Uroj që Stefani ta di se e kam mbajtur premtimin. Dhe se i mbetem mirënjohës që është nga lexuesit që e bëjnë autorin të jetë i përgjegjshëm deri në fund.

Filed Under: Opinion Tagged With: Naum Prifti, per femijet, Si mund te shkruash

Papa: ta bëjmë botën më njerëzore e më të denjë për fëmijët

December 25, 2017 by dgreca

1 Papa71 PAPANë Solemnitetin e Lindjes së Zotit, nga Lozha Qendrore e Bazilikës së Vatikanit, Ati i Shenjtë u drejtoi Mesazhin tradicional besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit dhe gjithë atyre, që e ndoqën përmes radios e televizionit, duke dhënë edhe bekimin Urbi et Orbi.

 Të dashur vëllezër e motra, gëzuar Krishtlindjen!

Në Betlehem, nga Virgjëra Mari, lindi Jezusi. Nuk lindi përmes vullnetit njerëzor, ishte dhuratë e dashurisë së Zotit Atë, që aq fort e deshi botën, sa të jepte një të vetmin Birin e vet, që kushdo beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetën e pasosur (Gjn 3,16).

Kjo ngjarje përtërihet sot në Kishën, shtegtare në botë: feja e popullit të krishterë rijeton, në liturgjinë e Krishtlindjes, misterin e Zotit që vjen, që merr natyrën tonë të vdekshme, që bëhet i vogël e i varfër për të na shpëtuar. E kjo na mbush me emocion, sepse tejet e madhe është dashuria e Atit tonë.

Të parët që e panë lavdinë e përvuajtur të Shëlbuesit, pas Marisë e Jozefit, ishin barinjtë e Betlehemit. E njohën shenjën që u dhanë engjëjt dhe e adhuruan Foshnjën. Këta njerëz të përvuajtur, por të pagjumë, janë shembull për besimtarët e çdo kohe që, përballë misterit të Jezusit, nuk shkandullohen nga varfëria e Tij, por, ashtu si Maria, besojnë në fjalën e Zotit dhe e kundrojnë me sy të thjeshtë lumninë e tij. Përballë misterit të Fjalës së mishëruar, të krishterët e çdo vendi shpallin, me fjalët e Shën Gjonit Ungjilltar: “E kundruam lavdinë e Tij, lavdi si e Birit të vetëm, që vjen nga Ati plot me hir e vërtetësi” (1,14).

Sot, ndërsa mbi botën fryjnë erëra lufte e një model zhvillimi tashmë i vjetëruar, vijon të prodhojë degradim njerëzor, shoqëror e ambiental, Krishtlindja na kujton shenjën e Fëmijës, për ta pranuar në fytyrat e fëmijëve, posaçërisht të atyre, për të cilët, ashtu si për Jezusin, “nuk ka vend në bujtinë” (Lk 2,7)

E shikojmë Jezusin në fëmijët e Lindjes së Mesme, që vijojnë të vuajnë për shkak të thellimit të tensioneve ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. Në këtë ditë feste i kërkojmë Zotit, në lutje, paqen për Jeruzalemin e për gjithë Tokën Shenjte. Lutemi që ndërmjet palëve të ketë epërsi vullneti për të rifilluar dialogun e të mund të arrihet, më në fund, në një marrëveshje që krijon kushtet për bashkëjetesë ndërmjet dy shteteve brenda kufijve të  konkorduara ndërmjet tyre e të njohura ndërkombëtarisht. Zoti i  mbështetët edhe ata që, në bashkësinë ndërkombëtare, frymëzohen nga vullneti i mirë për ta ndihmuar këtë tokë të martirizuar që të gjejë, pavarësisht nga pengesat e rënda, harmoninë, drejtësinë e sigurinë e pritur prej shumë kohe.

E shikojmë Jezusin në fytyrat e fëmijëve sirianë, të cilëve u duken akoma shenjat e luftës, që e gjakosi këto vite vendin. Uroj që në Siri të rikthehet, më në fund, respektimi i dinjitetit të çdo njeriu, përmes angazhimit të përbashkët për rindërtimin e indit shoqëror, pavarësisht nga përkatësia etnike e fetare.

E shikojmë Krishtin Fëmijë në Irakun, akoma të plagosur e të përçarë nga ndeshjet e këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit, e në  fëmijët e Jemenit, ku vijon konflikti i harruar nga një pjesë e mirë e botës, me pasoja të rënda humanitare mbi popullsinë, që vuan nga uria e nga përhapja e sëmundjeve.

E shikojmë Jezusin në fëmijët e Afrikës, posaçërisht në ata që vuajnë në Sudanin Jugor, në Somali, në Burundi, në Republikën Demokratike të Kongos, në Republikën Qendrafrikane e në Nigeri.

E shikojmë Jezusin në fëmijët e mbarë botës, atje ku paqja e siguria kërcënohen nga rreziku i tensioneve dhe i konflikteve të reja. Lutemi që në gadishullin korean të kapërcehen kundërvëniet e të thellohet besimi reciprok në dobi të mbarë botës.

Krishtit Fëmijë ia besojmë Venezuelën, që të mund të rifillojë një ballafaqim i qetë ndërmjet anëtarëve të shoqërisë, në dobi të mbarë popullit të dashur venezuelan. E shikojmë Jezusin në fëmijët që, së bashku me familjet e tyre, pësojnë dhunën e konfliktit në Ukrainë, si dhe pasojat e tij të rënda humanitare e lutemi që Zoti t’i japë sa më parë paqen këtij vendi të dashur.

E shikojmë Krishtin Fëmijë në fëmijët, prindërit e të cilëve nuk kanë punë e nuk arrijnë t’u sigurojnë bijve të tyre një ardhmëri të sigurt e të qetë.

E në ata, të cilëve iu rrëmbye fëmijëria, të detyruar, siç janë, të punojnë që në moshë të njomë, ose të  mobilizuar ushtarë nga mercenarë pa skrupuj.

E shikojmë Jezusin në një mori fëmijësh, të detyruar t’i lënë vendet e tyre, të shtegtojnë të vetëm, në kushte çnjerëzore, pre e lehtë e trafikantëve të qenieve njerëzore. Përmes syve të tyre shikojmë dramën e shumë emigrantëve të detyruar, që rrezikojnë deri jetën, për të përballuar udhëtime kapitëse, të cilat nganjëherë përfundojnë në tragjedi. E rishikoj Jezusin në fëmijët, që i takova gjatë shtegtimit tim të fundit në Mianmar e Bangladesh, e uroj që bashkësia ndërkombëtare të vijojë të përpiqet që dinjiteti i pakicave të pranishme në rajon të mbrohet me kujdesin e duhur. Jezusi e njeh mirë dhembjen e mosmikpritjes dhe raskapitjen e njeriut që nuk ka vend ku të mbështesë kokën. Zemra jonë të mos mbyllet, si u mbyllën shtëpitë e Betlehemit!

Të dashur vëllezër e motra,

Edhe ne na tregohet shenja e Krishtlindjes: “një fëmijë i mbështjellë në fasha…”(Lk 2,12). Ashtu si Virgjëra Mari e Shën Jozefi e si barinjtë e Betlehemit, në Krishtin fëmijë, ta pranojmë dashurinë e Zotit të mishëruar për ne e të angazhohemi, me hirin e Tij, ta bëjmë botën tonë më njerëzore, më të denjë për fëmijët e sotëm e të nesërm.

 Papa Natën e Krishtlindjes: në Fëmijën përqafojmë kë nuk ka vend/

Fati i Zotit – fat i njerëzve të kohëve tona, i të dëbuarve nga toka e tyre, i shtegtarëve ngarkuar me shpresa, që gjejnë një derë të hapur në Natën e Betlehemit, kur lind përsëri për ta Shëlbuesi, Krishti Zot” (Lk 2,10-11)

Ky, gëzimi i kësaj nate, që na përket të gjithëve, që duhet ta kremtojmë e ta kumtojmë. Gëzimi me të cilin Zoti,  në mëshirën e tij të pambaruar, përqafoi paganë, mëkatarë e të huaj e na nxit edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë. Ky, edhe thelbi i homelisë së Papës, në Meshën e Natës së Krishtlindjes.

“Maria nxori në dritë djalin e saj të parëlindur, e mbështolli në fasha dhe e vuri mbi grazhd, sepse për ta nuk pati vend në bujtinë” (Lk 2,7). Me këtë shprehje të thjeshtë por të qartë, Luka na çon në zemër të kësaj nate shenjte: Maria e nxori në dritë, Maria na dha Dritën. Një rrëfim i thjeshtë  për të na kredhur në ngjarjen, që e ndryshoi përgjithmonë historinë tonë. Gjithçka në këtë Natë bëhet burim shprese – tha Papa – e në vijim rikujtoi ngjarjen e Betlehemit; dekretin e perandorit, udhëtimin e Marisë e të Jozefit, ngarkuar me shpresë, e njëkohësisht, me paqartësi e rreziqe, tipike për njeriun, që e pret një tokë ku për të nuk ka vend.

“E pikërisht në këtë realitetet ishte sfida – pohoi Papa – Maria na dhuroi Emmanuelin. Birit të Zotit iu desh të lindë në një stallë, sepse të tijtë s’patën vend për të. E atje, në mes të territ të një qyteti, pa skutë as skaj për të huajin që vjen nga larg, në mes të errësirës së një qyteti në lëvizje të plotë, që në këto çaste dukej sikur dëshironte të ndërtonte, duke ia kthyer shpinën tjetrit, pikërisht atje ndizet shkëndija revolucionare e dashurisë së Zotit”.

Në Betlehem u hap një derë për ata, që e kishin humbur tokën, atdheun, ëndrrat; deri për ata, që qenë dorëzuar përballë asfiksisë të jetës së mbyllur.

Në hapat e Marisë e të Jozefit fshihen të gjitha hapat, shikojmë gjurmët e familjeve të tëra, që sot detyrohen të nisen. Të ndahen nga të dashurit, të dëbuar nga toka e tyre. Për disa, kjo nisje është e ngarkuar me shpresë, me ardhmëri; për të tjerë, ka një emër të vetëm: mbijetesë! Shpëtim nga herodët e turnit që, për të imponuar pushtetin e për të shtuar pasuritë, derdhin, pa pikën e problemit, gjak të pafajshëm.

“Maria e Jozefi, për të cilët nuk pati vend, e përqafuan të parët Jezusin, që vjen të na japë të gjithëve dokumentin e qytetarisë – theksoi Françesku – Atë, që në varfërinë e vogëlsinë e tij dëshmon se pushteti dhe liria e vërtetë mbrojnë brishtësinë e më të ligshtit”.

Këtë natë, Ai që nuk pati vend për të lindur, u kumtohet atyre që nuk kanë vend në sofrat e në udhët e qytetit. Barinjve, të parëve. Burra e gra, të cilëve u duhej ndenjur larg. Me frikë. Njerëz që konsideroheshin paganë ndërmjet besimtarëve, mëkatarë ndërmjet të drejtëve, të huaj ndërmjet vendasve. E pikërisht atyre, paganëve, mëkatarëve e të huajve – engjëlli u thotë:

“Mos kini frikë: ja, po ju kumtoj një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin: sot, në qytetin e Davidit, lindi për ju Shëlbuesi, Krishti Zot” (Lk 2,10-11)

Ky është gëzimi i kësaj nate, që na përket të gjithëve, që duhet ta kremtojmë e ta kumtojmë. Gëzimi me të cilin Zoti, në mëshirën e tij të pambaruar, përqafoi paganë, mëkatarë e të huaj e na nxit edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë.

Feja e kësaj nate na shtyn ta shikojmë shpesh Zotin në të gjitha situatat, në të cilat kujtojmë se mungon. Ai është pranë nesh në autobus, troket në portat tona. E kjo fe na shtyn t’i hapim rrugën një imagjinate të re, të provojmë pa frikë forma të reja marrëdhëniesh, në të cilat askush nuk duhet ta ndjejë se nuk ka vend mbi këtë tokë. Krishtlindja është kohë për ta shndërruar forcën e frikës, në forcë bamirësie. Bamirësi, që nuk mësohet me padrejtësinë, si të ishte gjë e natyrshme, por ka guximin, ndërmjet  tensioneve e konflikteve, të bëhet “shtëpia e bukës”, toka e mikpritjes. Na e kujtonte këtë Shën Gjon Pali II: “Mos kini frikë! Hapjani, në dy kanatat, portat Krishtit”(Homelia e Meshës së fillimit të Papnisë, 22 tetor 1978).

Në Foshnjën e Betlehemit Zoti vjen të na takojë, për të na bërë protagonistë të jetës, që na rrethon. Ofrohet, që ta marrim ndër krahë, ta ngremë lart e ta përqafojmë. Që në Të të mos kemi frikë të marrim në krahë, të ngremë lart e të rrokim të eturin, të huajin, të zhveshurin, të sëmurin, të burgosurin (krh Mat 25,35-36). “Mos kini frikë!” Hapjani, madje në dy kanatat, portat Krishtit!”. Në këtë Foshnjë, Zoti na fton të  bëhemi mbartës të shpresës, roje  për të gjithë ata, të cilët u shembën nën barrën e dëshpërimit, që lind kur gjen para vetes shumë porta të mbyllura. Në këtë Fëmijë, Zoti na bën protagonistë të mikpritjes së Tij.

“Të prekur thellë në shpirt nga dhurata, Ferishtja e njomë e Betlehemit, t’i lutemi që vaji i Tij të na zgjojë nga indiferenca, t’i hapë sytë tanë për të parë atë që vuan. Dashuria e Tij na zgjoftë nga gjumi e na bëftë  të ndjehemi të ftuar për t’i pranuar të gjithë ata, që vijnë në qytetet tona, në historitë tona, në jetët tona. Dashuria e tij revolucionare na bindtë të ndjehemi të ftuar për të marrë mbi vete shpresat e dhembshurinë e njerëzve tanë”. 

Papa Françesku: Urimi i Krishtlindjes pas Mesazhit Urbi et Orbi/

Ju, të dashur vëllezër e motra, të ardhur nga të katër anët e botës në këtë Shesh, e edhe të gjithë juve që, nga vende të ndryshme, jeni të lidhur përmes radios, televizionit dhe mjeteve të tjera të komunikimit, ju drejtoj urimin tim të përzemërt.

Lindja e Krishtit Shëlbues i përtriftë zemrat, ngjalltë dëshirën për ndërtimin e një ardhmërie më vëllazërore e solidare, ju sjelltë të gjithëve gëzim e shpresë. Gëzuar Krishtlindjen!

Tirane-Durres: Mesazhi i imzot George Frendo për Krishtlindje

1 George Fredo

Birit të Zotit, që u bë njeri për të na shpëtuar e për të na treguar udhën e Qiellit, iu desh duhej të kapërcente të gjitha pengesat, që nuk e linin t’ia arrinte qëllimit. E filloi duke lindur në një grazhd… Vërtet, çka na pengon t’i drejtohemi Zotit, së Mirës së Epërme, është vlera e gabuar që u japim gjërave të kësaj bote, është bindja e marrë dhe qesharake, tepër e përhapur, se lumturia në jetë varet nga pasuritë e jashtme: nderimet, paratë, kënaqësitë. Biri i Zotit vjen në botë për t’i shëruar njerëzit nga gabimet e tyre e për t’u mësuar shkencën e vërtetë që e ndan të mirën nga e keqja. Jezusi, jo vetëm e refuzon lavdinë njerëzore, por shkon drejt skajit të kundërt. E kështu, studion e gjen kalimin më të vobektë për të hyrë në botë; shikon një grazhd e pikërisht andej dëshiron të kalojë. Mbart mbi supe gjithçka shmangin njerëzit, gjithçka prej së cilës frikësohen, gjithçka prej së cilës u vjen ndot, për të na treguar sa të kota e mashtruese i konsideron pasuritë e jetës aktuale: kështu, grazhdi i Tij nuk është më djep i padenjë për Zotin, por një karrocë triumfale, që tërheq pas vetes botën e mposhtur. E për arsye të kësaj fitoreje, na thotë me siguri e plot autoritet: “Guxim, unë e munda botën”. Në këtë drejtim shkon edhe mesazhi i Krishtlindjes i kryeipeshkvit metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo.

Mesazhi i imzot Dodë Gjergjit për Krishtlindje1 Imzot GjergjiKosova ka mjaft ç’të festojë këtë vit, së bashku me lindjen e Krishtit. Katedralja e re kushtuar shën Nënë Terezës, për shembull, por edhe një hov i ri për jetën baritore me konsolidimin e emisioneve të Radio Marisë, janë vetëm disa nga elementet e festës. Natyrisht, këto ditë, zemrat e besimtarëve janë mbushur plot me gëzimin e lindjes së Shëlbuesit të botës. E për këtë gëzim flet mesazhi i Krishtlindjes së ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergjit.

Mesazhi i imzot Rrok Gjonlleshajt për Krishtlindje

1 Gjollesha

Tivari në festë për Krishtlindje, si e gjitha bota e krishterë. Mesha e sivjetme u kremtua në katedralen e re të qytetit, kushtuar Shën Pjetrit. E besimtarëve të shumtë, që e mbushën atë plot, por edhe gjithë të tjerëve në Malin e Zi e kudo ndodhen, u drejtohet mesazhi i galdimit për lindjen e Shëlbuesit të botës dhe urimi i kryeipeshkvit, imzot Rrok Gjonlleshaj.

 

Filed Under: Featured Tagged With: më njerëzore e më të denjë, Papa: ta bëjmë botën, per femijet

Takim festiv per femijet dhe rinine

July 2, 2016 by dgreca

Njoftim/

 Me date 15 Korrik 2016, nga ora 10:00am – 4:00pm ne adresen P.S. 144, 2545 Guther Ave., Bronx, NY 10469, Rev. Que English organizon nje takim festiv per femijet dhe  rinine. E pranishme do te jete edhe Miss. New York-u Serena Bucaj.

Ky event do te shoqerohet me muzike, ushqime e argetime te ndryshme.

Per me shume inofrmacion mund te telefononi ne numrin e telefonit: (718) 231 – 1033

Filed Under: Komunitet Tagged With: dhe rinine, per femijet, Takim festiv

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT