I dashtun Getoar,/
letrën tande e kam lexue me kujdes (nga mosha po lejohem me t’u drejtue në veten e parë). Ndiej kënaqsi që ti, student në pragun e doktorimit këtu në Amerikë, interesohesh për kolegët studenta në vendlindje dhe solidarizohesh me ta për ankesat dhe nevojat që kanë./
Logjikisht, mendimi dhe dëshira e jonë janë që studentat të gëzojnë trajtimin e drejtë dhe përkujdesjen e entevet arsimore, qofshin ato shkolla fillore, të mesme apo universitete, tue pasë parasyshë nevojën jetike të nji kombi për edukimin dhe rritjen e gjeneratave të reja në frymë të shëndoshë të drejtësisë dhe të dashunisë për vendin dhe për fisin arbnor. Ardhmënija mëvaret tek gjeneratat e reja, prandej çfarë kombi do të jemi nesër, mëvaret se çfarë gjeneratash përgatisim sot. Nga kjo kuptohet randësia e jashtëzakoshme e kualitetit të atyne që i edukojnë studentat dhe të atyne që i administrojnë.
E çmoj kërkesen tande që Vatra t’u dali krah studentave të Universitetit të Prishtinës, edhe si dëshmi e besimit që ke në këtë organizatë kombëtare, por, mundësitë dhe mënyrënat tona për t’u dal zot, janë të kufizueme. Besoj se mënyra ma praktike, si fillim, asht publikimi i letrës s’ate, ku përshkruhet mjaft mirë gjendja shqetësuese në Universitetin “Hasah Prishtina”, si dhe nevojat e kërkesat e studentavet. Prandej letrën do t’ia dërgoj Editorit të gazetës “Dielli”, bashkë me përgjegjen time, ku do të pasqyroj, shkurtimisht, disa mendime të mijat dhe të bashkëpuntorëve të mij.
E pëlqejmë rrugën e Grupit të Pavarun të Studentave për protesta paqësore, pse violenca nuk ka vend në universitet dhe asht e damshme kudo. Mënyra paqësore asht arma ma e fuqishme për fitoren e studentavet në kërkesat e tyne, kurse violenca asht rruga e deshtimit.
E mbështesim edhe na mendimin se politika partiake duhet t’i rrijë larg Universitetit dhe institucionevet arsimore në përgjithësi, por si klasa politike, ashtu edhe institucionet shtetnore, qeveritare dhe shoqnore, duhet t’u qasen shqetsimeve të studentavet me interes të përbashkët dhe bashkarisht t’i shqyrtojnë kërkesat e tyne me seriozitetin ma të madh, për të gjetë nji zgjidhje të drejtë, para se protestat të dalin jashtë ambjentit universitar.
Asht fakt i njoftun se protestat e studentavet universitarë, zakonisht, janë shej pakënaqsishë ma të gjana, të cilat vëlojnë në shoqninë civile, por studentat janë të parët që fillojnë me reague. Problemet që shkaktojnë pakënaqsina në shoqninë civile të Kosovës nuk janë të pakta dhe origjina e tyne ka nji emnues të përbashkët, i quejtun KORRUPSION.
Ky përbindsh shumë i përhapun, në proporcion me nivelet: sa ma nalt, aq ma i madh, i ka nxanë frymën përparimit të shoqnisë kosovare në çdo drejtim, por sidomos pengesa e përmirësimit ekonomik ka shkaktue vorfni dhe pakënaqsi të madhe, deri në dëshprim!
Klasa politike nuk mund të rrijë indiferente ndaj gjendjes së tillë. Nuk të vrasin vetëm veshët, por të therin edhe zemrën, klithmat jo të rralla të deshprimit: ”Jena kanë ma mirë nën Serbi!”
Uroj që konflikti mes studentave dhe administratës së Universitetit të Prishtinës të zgjidhet me urgjencë, në mënyrë të drejtë dhe paqësore, para se trazimet të marrin përmasa ma të gjana.
Paqa dhe drejtësia janë borxh i gjakut që u derdh për lirinë, të cilën duhet t’a gëzojnë të gjithë.
Uroj, i dashtun Getoar, që ti edhe na të gjithë, të gëzohemi së shpejti me lajme të mira nga Universiteti që mban emnin e Hasan Prishtinës, njenit nga patriotët ma të kulluet të Rilindjes, i cili, për lirinë e vendit dhe të popullit të vet, sakrifikoi gjithëçka pat, ma në fund edhe jetën.
Të fala të përzemërta,
Gjon Buçaj
6 shkurt 2014