Nga YLLI POLOVINA*/
Politika italiane e kohës u përzje shumë me çështjen e martesës së Zogut, sepse qe njëra prej mënyrave për ta vënë atë nën kontroll dhe mbajtur si vasal. Por, edhe ky i fundit nuk luajti pak me Kastriotët. Del se edhe këta të fundit nuk i qëndruan mënjanë një afrimi, herë të kujdesshëm dhe herë të zellshëm, me beun e fuqishëm të ardhur në Tiranë prej maleve veriore të krahinës së Matit. Në librin e tij “Valixhja diplomatike” Pietro Kuaroni, njeriu i Duçes, shkruan: “Si përherë Sola (Ugo Sola, shefi i kabinetit të Musolinit) kishte pasur një ide të shkëlqyer. Në Napoli jetonte markezi d’Auleta që zbriste nga Gjergj Kastriot Skënderbeu, heroi i madh kombëtar shqiptar. Markezi kishte vajza për të martuar: përse të mos e shtyje Zogun të martohej me këto pasardhëse të Skënderbeut dhe të realizonte kështu bashkimin e dinastisë së atëhershme me dinastinë e re? Natyrisht kjo zgjidhje, më e mira dhe më praktikja, nuk u pranua nga Roma. Përkundrazi, nuk e di mirë se nga cili ishte kristalizuar te ne ideja për ta martuar Zogun me një princeshë italiane me gjak mbretëror.
Arsyetimi i Romës ishte kompleks: Auleta e re, me t’u bërë mbretëreshë e Shqipërisë, kishte rrezik të bëhej më shqiptare se shqiptarët, gjë që do kishte qenë krejt ndryshe me një princeshë italiane”.
Ndërsa në rrethin e ngushtë të Benito Musolinit, shumë kohë para se të vendosej pushtimi ushtarak i Shqipërisë e të kryhej ceremonia e dhënies së kurorës së Skënderbeut Viktor Emanueles III dhe ndërkaq të projektohej zgjidhja e butë e fatit të Shqipërisë me lidhjen martesore italo-shqiptare Kastrioti-Ahmet Zogoll, qe zhvilluar edhe një ngjarje tjetër. E papohuar kurrë. Gjatë bisedës me Xhorxho Marian doli mbi ujë jo përpjekja e administratës musoliniane për ta mbajtur pas Romës të lidhur monarkun e Tiranës me martesën me një Kastriotase Auletë, por i administratës shqiptare me një bijë që rridhte nga degëzimi tjetër i tyre. Ky nuk qe bijëzimi nga Francesco (1779-1862), por e buruar prej vëllait të tij më të vogël, për pasojë jo ato çaste pasardhësi numër një i degës napolitane, Filippo (1783-1835).
Këtë herë bëhej fjalë për interes të vetë Mbretit Zog. Ferdinandi, i cili do të ndërronte jetë në 1978, në moshën 85-vjeçare, kolonel me titullin fisnikëror, baron i Kasteluços… kishte katër vajza, më e vogla e tyre quhej Matilde. Në pemën gjenealogjike e ka të shënuar fillimin e jetës së saj në 1902 dhe mbarimin e saj në 1984. Xhorxho (i cili e kishte hallë Matilden) tha se sipas kujtimeve të së ëmës, Ada Guerriero, e cila jeton në rezidencën e tyre në Napoli, ka pasur një përfaqësi të qeverisë së Tiranës, e cila ka marrë kontakt me familjen, posaçërisht me Matilden. E kishin pyetur në parim nëse do të qe e gatshme për një mundësi martese me Mbretin shqiptar dhe ajo, po ashtu në parim, pati pranuar…
Asgjë në të vërtetë nuk ndodhi më pas. Pra, nuk pati riardhje të zyrtarëve të lartë të kryeqytetit përtej detit apo të bëhej ndonjë lëvizje drejt variantit të Matilde-s, edhe nga ndërmjetësit italianë të Romës. Përveç ftesës dhe pjesëmarrjes së Kastriotëve të degës së Napolit, markezit të Auletës, Francescos dhe Matildës me të vëllanë, Ferdinandon, në dasmën e Ahmet Zogut në 27 prill 1938. Kjo prani është e vërtetuar nga dokumentet e kohës që ruhen në origjinal në Shqipëri, përfshi edhe letra mirënjohëse të tre Kastriotëve dërguar Zogut pas rikthimit në Itali.
*(Marre nga Libri I Ylli Polovines”Pasardhesit e Skenderbeut. Si u mbajten fshehur”