Nga Genti Miho/ Washington/
Ngaherë marinarët kanë parë horizontin ku mund të ketë det me dallgë dhe nga fryjnë erërat e mbara. Pastaj prekin anijen me vela për të kuptuar sa e fortë është për t’u qëndruar shtrëngatave. Me aftësi dhe eksperiencë u duhet ta drejtojnë anijen jo vetëm larg detrave të trazuar, por të bëjnë kujdes që të mos bllokohen në detra të qetë e të pafund, në pritje të erës. Pas marrëveshjes së ashtuquajtur të normalizimit, e cila nuk duhet quajtur e tillë, por për arsye thelbësore dhe historike, thjesht marrëveshje e parë mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, kapitenët e anijeve me shqiptarë kanë nevojë për ndihmë nga të gjithë për të drejtuar vendin drejt së ardhmes evropiane. Hedhja e shikimit në të gjitha anët në horizont quhet ndryshe edhe tour d’horizon.
Në fillimvitin 2012 Zonja Albright, ish-Sekretare e Shtetit, prezantoi në Boston librin e saj të ri “Dimër në Pragë” gjatë një dreke. Prita me durim të mbaronte fjalën. Më parë, në një kurs akademik për Udhëheqje, Politikë të Jashtme dhe Etikë Amerikane në shek. XX me Joseph Nye pata studiuar nga burime të ndryshme, në detaje, strukturën dhe vendimarrjen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare amerikane para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë: në votimin e fundit, përveç Zj. Albright, të gjithë anëtarët ishin kundër ndërhyrjes, siç e mbaj mend, kryesisht për shkak të situatës delikate të shkaktuar nga skandali seksual i asaj kohe në Shtëpinë e Bardhë.
Zj. Albright pati ndërmarrë e vetme dhe “kundër të gjithëve” një odise që do të kurorëzohej me votimin unanim të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, (KSK), në favor të sulmeve të NATO-s, edhe pse më parë ishin kundër, gjë që pasoi me iniciativa udhëheqësish të tjerë, ndër të parët Toni Bler. E kisha kuptuar qartë se Zj. Albright kishte luajtur rol të parë dhe parësor dhe doja të dija përmes pyetjes sime të dyfishtë në publik: 1) pse kishte rrezikuar, edhe karrierën e vet për të ndihmuar shqiptarët në Kosovë – këta njerëz me emra, siç tha ajo vetë, “të pashqiptueshëm” 2) si kishte arritur të sillte ndryshim diametral brenda një strukture të sofistikuar vendimarrjeje si ajo e KSK-së dhe si ishin bindur të gjithë anëtarët e KSK-së, gjë që do të përfundonte me sulmet e NATO-s, vetëm pas masakrës së Reçakut?
Duke pritur përgjigjen e saj e shihja mbijetesën e gati gjysmës së popullit tim të varur në një fije floku. Kisha dëgjuar në një dokumentar të BBC-së nga Wesley Clark, komandanti suprem i NATO-s në Evropë, të cilit Millosheviçi i kishte thënë se zgjidhjen për shqiptarët e kishin të gatshme, si në kohëra më të hershme: “I vramë. I vramë të gjithë”. Zonja Albright, gjithashtu m’u përgjigj gjatë prezantimit të librit, se nga veprimet Millosheviçi i ishte dukur “si Hitleri”. Kjo ngjarje përkonte edhe me imagjinatën time, në fëmijëri, kur më rrëfente gjyshja si kishte shpetuar jetën me të tjerë, duke ikur nga shtëpitë, nga sytë këmbët në gjysmën e parë të shek. XX në jug të Shkumbinit. Shembujt e shumtë dhe ngjashmëria e tyre në kohë dhe hapësirë më kishin bërë të kuptoj drejt situatën e krijuar: si pjesë e një rreziku ekzistencial në rang doktrine të gabuar të lidhur me identitetin, jo vetëm si veprim i rastësishëm i Millosheviçit në rrethanat e krijuara.
Mungesa e alternativave të fqinjëve në rang doktrine për bashkëjetesë me identitetin shqiptar dhe shkaqet e mospërsosjes së politikave të tyre të jashtme për gati dyqind vjet që nga lindja e shteteve ballkanike në shek. XIX më patën bërë përshtypje, ndërsa vëreja hapa të mëdhenj në fusha të tjera si demokraci mes grekëve dhe shtetndërtim mes serbëve. Përpjekjet për sigurinë e tyre kombëtare vazhdonin pandryshueshmërisht si në shek. e XIX, mbi kërcënim me luftë apo mjegullim të identitetit shqiptar, të cilin disa e kuptojnë frikshëm si shfarosje apo asimilim të plotë kur krijohen rrethanat e duhura historike. Ruajtja e jetës dhe identitetit shqiptar janë kushte themelore dhe të nevojshme, edhe pse të pamjaftueshme për një të ardhme më të mirë. Pyetja për Zonjën Albright kishte për qëllim që nga mbijetesa e fundit të nxirrnim mësime për të ardhmen.
Në prag të këtij përvjetori të Pavarësisë së Kosovës, një e ardhme më e sigurt përbën motivin që përshkon këtë shkrim të parë “Për një Tour d’Horizon Shqiptar dhe Evropian”, duke besuar se mbijetesa është njëra anë e medaljes. Ana tjetër përfaqëson ngadhnjimin e plotë të lirisë dhe ku e krijon fatin e vet në rrugë e sipër, pa dogma. Liria vetë përfaqëson vullnetin e lirë për të drejtat, ndriçimin dhe vetrealizimin e njeriut, në vetvete apo si përbërje, në një ambient ku ekzistojnë kushtet e nevojshme për përparim.
Siç thotë Konica për ne të anës kombëtare, duam që “kombi ynë të jetojë me mendime e nder të tija”. Duam që populli ynë të jetojë në paqe e liri me popujt e tjerë dhe, nëpërmjet veçantisë sonë, të kontribuojme për të mirën dhe për veçantinë e popujve të tjerë, me po aq energji sa njeriu jeton e punon brenda familjes, deri në sakrificë. Duam që harmonia jonë e brendshme me njëri-tjetrin të manifestohet si popull shqiptar dhe popullsi evropiane, por edhe si qytetarë të botës së lirë.
Në këtë harmoni identitetesh, njeriu nuk mund të mbetet rob i një feje apo i një shteti, porse, në radhë të parë, thjesht i afërt për tjetrin si njeri dhe gjithmonë si emër i përveçëm. Me një karakter kombëtar, një gjak ose një identitet, si shqiptarë dhe evropianë, duam të përsosim arsyen, shpirtin dhe ndjenjat përmes këngëve, valleve, poezisë dhe artit tonë si mundësi personale dhe shprehja më e lartë e të qenit vetvetja.
Këtë të ardhme ne nuk e shikojmë si konstrukt gjeo-politik, por nëpërmjet lupës së dashurisë. Megjithëse njohja jonë për dashurinë është e pakët, besojmë që dashuria është gjithcka. Besojmë Nënë Terezën, e cila thotë se vetëm duke dashuruar gjer në dhimbje, dhimbja zhduket dhe mbetet vetëm dashuria. Dashuria është në thelb ajo që përfaqësojmë, kërkojmë dhe për të cilën jetojmë ne shkodranët, kosovarët, labët, malcorët, korçarët, gegët, iliridasit, çamët, toskët, katundarët, arvanitasit, arnautët, arbëreshët, shqiptaro-amerikanët dhe të gjithë shqiptarët e tjerë në botë.
Harmonizimi i dashurisë për liri dhe dashurisë për të tjerët përbën thelbin tonë si popull shqiptar mbi tokë. Harmonizimi i së bukurës me të mirën në sjellje, në këngët dhe vallet tona na mundëson arritjen e dashurisë dhe na bën të paqtë.
Himni i dashurisë shqiptare shfaqet edhe nëpërmjet mendimeve filozofike dhe politike të Ukshin Hotit. Ndryshe nga Nietzsche që udhëton drejt klimave të ngrohta, hyn në thellësi mendimesh dhe i bën thirrje përsosjes estetike dhe humorit, por nuk gjen paqe – Ukshin Hoti rrugëton mundimshëm si udhëheqës shpirtëror dhe veprimtar, por nuk dorëzohet dhe e hedh poshtë çmendurinë e luftës. Bashkë me Ismail Kadarenë hedhin kushtrimin në Evropë, se liria pa dashuri nuk ka vlerë dhe nuk mund të ngadhnjejë mbi të pamundshmen. Të dy bëjnë thirrje, si pjesë e ndërgjegjes evropiane, që të mos jetë e çalë dhe e kërrusur në real politik, por të ecë me kokën lart drejt dashurisë për tjetrin.
Ukshin Hoti është dëshmori i parë i Rilindjes Evropiane, i humbur ose pa varr, në dymijëvjeçarin e Erës sonë. Ai sakrifikohet me vetëdije për humanizmin që ka rënë në gjumë në zemër të Evropës. Me vetmohim personal si Adem Demaçi, ai gjithashtu përfaqëson shpirtin dhe “veçantinë” shqiptare.
Konteksti historik i çështjes dhe “veçantisë shqiptare” është refren me idealistë vendas, të cilët sakrifikojnë për të mirën e përgjithshme, sidomos për lirinë. Ata synojnë dhe shpesh realizojnë projekte zakonisht të ndërmarra nga mbretëri apo shtete me burime përkatëse, por gati të pamundshme nga individ apo një grup i vogël. Një shembull vjen nga At Gjergj Fishta që përmend shtatëmbëdhjetë shkolla shqipe të hapura në Shkodër në 1920-n nga grupe të vogla njerëzish të zakonshëm, ndërsa në Mal të Zi kishte vetëm një shkollë të hapur nga Rusia. Përpjekjet e njerëzve të zakonshëm që nuk kërkojnë mirënjohje dhe nuk marrin asgjë në këmbim, sfidat më shumë se arritjet kanë sjellë frymëzim te ne për të vazhduar përpara në rrugë të vështira e të pashkelura.
Në kohën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, para se të lindte koncepti i kombit-shtet, shqiptarët si bashkësi gjeografike apo komb me të njëjtin gjak apo identitet, gjithnjë me lidhje të forta mes njëri-tjetrit kanë përfshirë mes tyre edhe etni të tjera që kanë jetuar në të njëjtin territor dhe kanë mbrojtur së bashku lirinë. Së bashku kanë luftuar kundër disa prej fuqive më të mëdha të kohës: edhe kundër sulltanëve otomanë myslimanë, edhe kundër vasalëve të tyre serbë ortodoksë, edhe kundër aristokracisë së venedikasve katolike, por edhe kundër vendasve që janë bashkuar me të huajt dhe kanë kërcënuar jetën apo mënyrën e tyre të jetesës. Kjo etje për liri qoftë individuale, në bashkësi apo si komb i ka karakterizuar në shekuj njerëzit që jetojnë në këto troje. Në përbërjen e këtyre njerëzve ka jo vetëm shqiptarë etnikë, por edhe të tjerë që ndajnë këtë karakter të pamposhtur, deri në heroizëm apo vetëmohim. Liria përbën pjesën e parë thelbësore të karakterit kombëtar shqiptar dhe veçantisë shqiptare.
Për të mbrojtur jetën dhe lirinë shpesh nuk ka pasur alternativë përveç heroizmit. Siç e përshkruan poeti dhe diplomati Alphonse de Lamartine, trimërinë te shqiptarët “nuk ka as penë ta përshkruajë, as penel ta pikturojë” ndërsa Bajroni thotë “ku është armiku që ua ka parë shpinën”? Ky heroizëm është njëherazi edhe sacrificë ose vetsakrifikim, sipas Lamartine, të kristalizuar në legjendën e Rozafës: nëna që i jep jetë fëmijës së vet deri në momentet e fundit. E ardhmja, jo e shkuara është leitmotivi ynë.
Etja për liri u manifestua edhe gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës. Vepra monumentale dhe pa precedent historik në Evropë e krijimit të një shteti sui generis, në emër të lirisë dhe të së ardhmes ishte në lartësinë e sfidave epokale me të cilat u përballën kryesisht kosovarët, sepse jetonin aty dhe luftonin për shtëpinë e tyre. Megjithatë, si zakonisht në momente të vështira, shqiptarët reaguan si komb për të shpëtuar veten, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin rajonal e botëror.
Heroizmi i karakterit shqiptar sipas traditës vazhdoi me këngë deri në momentet e fundme të Adem Jasharit, sikurse Çerçiz Topulli. Shfaqet në emër të së ardhmes dhe njerëzores edhe në nivel intelektual, përmes Ukshin Hotit, i cili mbronte studentët e Universitetit të Prishtinës me vetëdije të plotë: “Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund të paguaj sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe”.
Dëshira më e madhe për të jetuar sesa domosdoshmëria për t’u flijuar mbizotëron te shqiptarët. Vetëm rrëfimi i Besarta Jasharit, e vetmja e mbijetuar nga familja Jashari mjafton për një të huaj të kuptojë shpejt karakterin shqiptar në këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës. Njerëzorja është ajo që synojnë shqiptarët dhe ajo që gjallëron me lirinë pas luftës. Vetë patriotizmi nuk ka kuptim përvecse në rend të dytë dhe brenda kornizës së lirisë dhe njerëzores, mishërim edhe nën udhëheqjen e Presidentit Rugova.
Kjo është arsyeja, sipas At Gjergj Fishtës, që në Shqipëri “nuk gjindet nji vorr të vdekuni prej urie”, ndërsa në Evropën e at’hershme në vitet ’20 por edhe në ditët e sotme, uria shkakton krime në situata krizash. Njerëzorja është tipari i dytë thelbësor i karakterit kombëtar shqiptar që sidomos manifestohet në mbrojtjen e më të dobëtit apo tjetrit në nevojë, si besë apo si dicka krejt normale e jetës, e institucionalizuar ose jo.
Ukshin Hoti, një burrë shteti si Ismail Qemali, me dije dhe intuitë politike me përmasa botërore, si Ismail Kadare si mendimtar e letrar, por më pak i njohur se ky i fundit, shtjellon si teori filozofike një tjetër dukuri shqiptare që lind në shekuj drejtpërdrejt nga liria dhe njerëzorja: demokracia autentike ose e quajtur ndryshe demokracia e vërtetë, e lindur nga brenda çdo strukture, jo e imponuar.
Ky fenomen shfaqet shpesh te shqiptarët si dukuri e harmonisë apo bashkëjetesës fetare, por në brendësi është më i rëndësishëm. E kupton në vetvete lirinë e gjithkujt për të zgjedhur sipas dëshirës, por pa cënuar lirinë e tjetërkujt – si të drejtë të patjetërsueshme dhe të barabartë dhe vlerë e qenësishme e karakterit njerëzor. E shikon tjetrin pa paragjykim, nëpërmjet këndvështrimit të lirisë dhe njerëzores, por gjithashtu e konsideron si qenie të aftë dhe racionale për të vendosur për veten e vet natyrshëm, që nuk mund të konceptohet ndryshe dhe kuptohet si ajri kur mungon. Ky mekanizëm rregullator shoqëror konsideron lirinë si të shenjtë por e shikon në disa plane, edhe si vetkontrollim për të mos rënë në gabim.
Është vëzhguar dhe shtjelluar pak, por thellë nga Ukshin Hoti që shikon çdo shqiptar jo si mbret, por, në radhë të pare, si individ dhe kreshnik malesh, një tjetër Gjeto Basho Muji. E përçon në Evropë si të kuptuarit e vetes dhe tjetrit si kreshnikë malesh dhe evropianë në të njëjtën kohë. Demokracia autentike ose e vërtetë përbën thelbin e hotianizmit dhe njëkohësisht tiparin e tretë thelbësor të karakterit kombëtar shqiptar. Përbën edhe një faktor të qenësishëm për stabilitet të brendshëm që shoqëron shqiptarët në shekuj në kombformim.
Sipas hotianizmit, ky është kontribut i popullit shqiptar për njerëzimin, po aq sa demokracia nga grekët apo institucionet nga anglezët. Demokracia autentike e mendimit, në praktikë apo si formë organizimi, është zhvilluar edhe kur rrethanat historike nuk kanë krijuar hapësirë për shtetformim apo mirëqenie të ngjashme me kombet e tjera. Së bashku me lirinë dhe njerëzoren përbëjnë tre tiparet thelbësorë të karakterit kombëtar shqiptar dhe “veçantinë shqiptare”.
Njohja më e thellë e vetvetes fillon nga tiparet e përbashkëta, si njerëz të lirë që jetojmë me dashuri në një shoqëri me demokraci autentike, në ditë të mira apo të këqia, kudo mbi tokë.
Në këtë përvjetor të pavarësisë së papërfunduar të Kosovës, shqiptarët duhet të kuptojnë më mirë veten e tyre dhe karakterin e tyre kombëtar përpara se të përvetësojnë nga popujt e tjerë më shumë dije për vetrealizim. Kjo do t’i ndihmojë edhe për të evituar pasoja të padëshirueshme politikash ekonomike si ato mbi raportet njerëzore dhe familjen në Singapor e Japoni dekadat e fundit.
Kompaktësia shpirtërore dhe identiteti janë cështje jetike gjatë krizash gjeopolitike, por edhe faktorë bazë për të ndërtuar të ardhmen si komb brenda shtetit të Evropës. Në shekuj kanë drejtuar këta njerëz me tipare të përbashkëta, të cilët sot quhen shqiptarë. Kjo është tradita jonë.
Politikat shtetërore apo jashtështetërore që synojnë ndryshimin e këtij identiteti pa studjuar mirë pasojat negative në të kaluarën, sjellin brishtësi shtetërore dhe destabilizim në të ardhmen si për shqiptarët edhe për evropianët e tjerë. Kësisoj nuk mund të njehen si miqësore, edhe nëse e kanë burimin në vende mike apo kryeqendra evropiane.
Genti Miho është bashkëthemelues i organizatës “Vizion 21” në Washington D.C., që punon me të tjerash për ndriçimin dhe vetrealizimin e shqiptarëve. gentimiho@gmail.com(Vijon)