• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

QEMAL XHAKA KISHTE SHPIRT ARTISTI

April 25, 2013 by dgreca

Nga Albert HABAZAJ*/

 Për vlerat njerëzore dhe intelektuale që mbartte Qemal Xhaka në kujtesën e Tërbaçit përherë, në memorien e Vlorës dhe Tiranës intelektuale të viteve 1965 – 1990, do të ngelet një meteor i ndritshëm. “Ai kishte një shpirt të madh dhe shpirt artisti – shprehet me mall e dhimbje Avdurraman Meçe, pedagog në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, një njeri që gëzon respekt qytetar për mirësinë dhe diturinë e tij në rrethet elitare të shoqërisë vlonjate. “Jemi njohur në shkollën “Ali Demi” aty nga vitet 1965 – ’66 – shfleton kujtimet e bukura Durua. – Ai vinte nga Llakatundi, pas një fluturimi nga Tregtarja… E zura shok qysh në takimin e parë dhe u bëmë vërtetë shokë e shokë të ngushtë. Atë kisha shok unë! Ishte i vërtetë i drejtpërdrejtë, i sinqertë e shumë i dashur. Ai lexohej në sy; në xixëllimat e syve i lundronte shpirti i pastër, zemërmirësia e admirueshme. Nuk qe konfliktual Qemali. Nuk ishte dogmatik. Aq sa ishte i gjerë, aq dhe nuk pranonte asgjë verbërisht. E vetmja dogmë e tij qe letërsia dhe arti. Qe me kulturë Qemali! E njihte shumë mirë rusishten dhe ndiheshin të lumtur kur flisnin për Mbretërinë e Letrave Ruse, për mbretërit e princërit rus, të paarritshëm në artin e tyre. Ç’është e vërteta, letërsinë ruse e ishim të dy dobësi. Na magjepste!

E ç’të kujtoj më parë – ngazëllehet Durua i gëzuar, që i kërkova të më thotë dy fjalë për njeriun tim të adhuruar, për atë njeri punë shumë e fjalë pak, që paskësh rastisur dhe shok i ngushtë i tij. Dhe me atë vrull e respekt gati vëllazëror tok gotën e rakisë me mua e më thotë: – “Berti, tani të respektoj dy herë më shumë. Jo vetëm për hir të penës, por patjetër  dhe për faktin që ti e njohte, dhe sidomos e paske idhull Qemal Xhakën. Për kujtimin e paharruar të Qemal Xhakës, se kur merrnim rrogën, të dy pinim birra jo një e dy, por disa. Shokë të pastër!…”. Ishte një mozaik emocional ylberor takimi dhe biseda me Duron, pedagogun e aftë, metodistin e zot, eseistin mbushmendës, njeriun e mrekullueshëm, poetin e shkëlqyer, të cilin Dritëroi dhe Kadareja e njohin mirë, kur shpërtheu Avdurraman Meçe, por…Biseda u bë vërtet e pashlyeshme kur një glob loti diellor u rrukullis nga brinja e faqes fisnike të të vërtetit mik Duro, kur folëm për të madhin , të thjeshtin, të veçantin, Qemalin tonë të paharrueshëm.  Qemal Xhaka qe njeri i bukur, burrë i bukur, zotni burrë në kuptimin e vërtetë të fjalës. E meriton nderimin e nevojshëm, se ishte i ditur, me vlera e virtyte fisnike e Tërbaçit i bën diell krahas dritësuesve të tjerë që ngrohin jo vetëm hapësirat e kaltra tërbaçiote.

Qemal Xhaka kudo ku shkonte ndriste me diell Vlore dhe dashuri Tërbaçi. Unë kam patur fatin ta njoh nga afër, kur isha skënderbegas në Tiranë, në vitet 1975 – ’79. Në jetën time kam patur një ecuri, të cilën e kam arritur me ndershmëri, me aftësi e profesionalizëm, me thjeshtësi e dashuri altruiste ndaj njerëzve, pa i ditur bërrylat e xhelozitë, se s’kanë të bëjnë me mua, me edukatën e prindërve të mi, me uratën e dinjitetin e gjyshit nga baba e gjyshes nga nëna. Fatet dhe antifatet s’ më janë ndarë. Ndër pengjet e mia, që i kanë hapur një rrëke antifatit, janë dy vdekje të parakohshme,që më kanë tronditur, se i kam dashur shumë dhe më kanë bërë dëm, se më kanë munguar. Dy ikjet e papritura të dy yjeve shqiptarë, Kastrot Gjinit – Migjenit të pentagramit shqiptar dhe e prof. Qemal Xhakës – të dy me origjinë nga Tërbaçi më kanë bërë dëm. Pse? Do të pyesni ju natyrshëm dhe pak të çuditur. Po, se më mungonin kur më duheshin. Po të ishin ata dhe unë do të isha dikush tjetër, më i dukshëm në produktivitetin shpitëror pozitiv. E di që nuk flitet me në qoftë se… Por unë prapë jam dhe në këmbë, aq sa, ashtu si, veç se me dinjitet, me shikim drejtë përpara, jo sy poshtë, për vete, për familjen time, pë të parët e mi,për të nesërmen tonë qytetare europiane me identitet integrues, por edhe për ata dy diellorët tanë: Otin dhe Profesorin. Ruaj një kujtim të çmuar nga Qemal Xhaka: Disertacioni i tij që më ka dhuruar me autograf, qysh atëherë, në fillim vitet ’80 – të  shekullit që lamë pas, kur po përfundoja studimet  e larta në Tiranë e  vija shpesh herë në shtëpi të tij, atje te bërryli i Lanës, për mua është një thesar dhe e ruaj në Bibliotekën time personale si një manifest kuture e diturie, që duhet të dish ta lexosh estetikisht.

Jo vetëm për lexuesit e gazetës “ Çika e Tërbaçit”, por nëpërmjet gazetës “Dielli” për të gjithë ata që e njohën e punuan me të brenda e jashtë vendit, si dhe  për mbarë njerëzit që duan kulturën dhe që respektojnë njerëzit me kontribute të larta në shkencat humane, letërsinë elitare e kritikën profesionale për botimet nga Perandoria Letrare e Kohës së tij, siç qe letërsia ruse, si dhe për ndihmesën e dukshme njerëzore ndaj diturisë në tërësi, kam nderin që t’ ju sjell në kujtesë një diamant të kthjellët, të tejdukshëm, me shkëlqim të madh e të pastër që e ka emrin Qemal Xhaka, PROFESOR QEMAL XHAKA!

Për nderim të Qemal Xhakës lexuesit tonë po i sjell dy materiale të tjera të veçanta:

Kujtime  nga  Isuf R. Xhakaj:

 Qemali u lind në vitin 1937 në Tërbaç. Shkollën fillore e kreu në vendlindje kurse atë 7-vjeçare në qytetin e Vlorës. Në Elbasan kreu shkollën e mesme pedagogjike ku mori titullin e mësuesit. Studimet e larta i kreu në Bashkimin Sovjetik për gjuhë-letërsi ruse në Leningrad. Mbi dy dekada ka punuar si pedagog i gjuhës dhe letërsisë ruse në Universitetin e Tiranës. Ishte punëtor dhe studiues sistematik e këmbëngulës. Zotëronte disa gjuhë të huaja dhe mbante titullin Profesor. Qemali ishte me të vërtetë i veçantë. Kujdesi i tij për të tjerët, për t’iu gjendur pranë, për t’i ndihmuar e lehtësuar në hallet e tyre e bënte të dallueshëm nga ne të tjerët.

Mjafton t’i thoshe kush ishe, nga ishe dhe çfarë halli kishe e ai menjëherë do të vihej në dispozicion duke sakrifikuar kohën e tij që ishte shumë e çmuar dhe e paktë për kohën dhe studimet që bënte.

Me respekt e konsiderata flasin për Qemalin breza studentësh dhe ne na kënaqet shpirti kur dëgjojmë edhe sot e kësaj dite për atë që ishte dhe bëri Qemali ynë.

Ish studenti i Qemalit, Paskal Milo, ish-deputet i Kuvendit Popullor dhe ministër i jashtëm i Shqipërisë, thotë:

“Qemal Xhaka nuk ishte vetëm një intelektual me gjerësi e thellësi mendimi në shumë fusha, por edhe me koncepte moderne për jetën. Ai ishte njeri human, me zemër të madhe dhe të pastër”.

Si njeri i letrave dhe i shkencës që bënte një jetë moderne qytetarësh mes intelektualësh e kuptonte mungesën që kishte për jetën e thjeshtë të fshatit dhe të ndenjurit në mes të natyrës.

Në verën e vitit 1960 u ndodha me leje në fshat. Ato ditë erdhën për vizitë te ne për të ndenjur ca ditë xha Ademi me Tahirenë dhe Qemalin.

Ishte kërkesa dhe dëshira e Qemalit që të shkonim te burimi i Kiçe pastaj të rrinim në Hundën e Meços.

Te burimi ai lau sytë dhe piu ujë me grushta, u kthye dhe takoi babë Karafilin, i cili qerasi me fiq. Hëngri 3 – 4 kokrra fiku e më tha: “Këtu edhe fiqtë kanë një shije ndryshe”.

Kur dolëm në Hundën e Meços, hapi krahët dhe mori frymë thellë, sikur u çlirua nga ndonjë barrë e rëndë.

“Shiko,-më tha mua,-sa bukur duket këtu Vozdoli, Çika, Çipini, ja dhe Shefqeti me dhi në majë të Rrethit. Ja babë Kapua tek punon me bletët, ja dhe xha Seferi që po gdhend diçka para portës. Sa më ka marrë malli.

Sa dëshirë kam të ngjitem në Çikë, të ngas dhentë në shtrungë, të ha një përshesh me qumësht e të fle në hijen e tendës me sharkun e xha Elmazit”.

U martua me Peza Faik Elmazaj nga Ramica e Vlorës.

Peza ishte me profesion mësuese, por edhe një zonjë e vërtetë shtëpie.

Ajo shumë shpejt e njohu nga afër botën shpirtërore, karakterin dhe hobet e iu përshtat aq mirë Qemalit sa të dukej se ata të dy i kishte bërë një nënë. Lindën dhe rritën 3 djem: Sokolin, Gencin dhe Leonardin.

Më 31 dhjetor 1996, pas një sëmundjeje të rëndë, Qemali ndahet nga jeta para kohe duke lënë jo vetëm brengë, por edhe një shteg të cilin nuk e zëmë dot asnjeri nga ne të gjithë.

Peza aktualisht jeton në Tiranë, në pension e rrethuar nga kujdesi i fëmijëve të saj që i ka të dashur e të respektueshëm”.

Dhe një poezi e pastër shpirtërore nga miku i Qemalit dhe Tërbaçit, poeti Irfan BREGU

Labirint i vetmisë

 Qemal Xhakës mikut tim, që vdiq në kulm të krijimtarisë intelektuale

Ti je zog

e ai tjetri kërkon të të presë krahët…

E ti s’mund t’ia shpjegosh?

Vetëm të distancohesh:

të fluturosh.

 

Ti je njeri!

E ai tjetri kërkon që të thuash si të tjerët:

Amin!

Kurse ti, njeri duke qenë ngaherë,

vetëm veten mund të përtëritësh.

E ti s’mund t’ia bësh të qartë,

atij që me shpirt asnjë metër lartësi nuk arrin?

Duke fluturuar

ta shikosh nga lart!

 

Kush e kërkon çelësin e çdo personaliteti,

s’ka mësuar pse Sokrati nuk pranoi të vidhet

nga burgu,

pse Odhiseu, që kish mall për djalin dhe gruan

e bukur

parapëlqente të fshehtat e jetës,

udhët e detit të turbullt…

 

Në ta kërkofshin çelësin disa mendjelehtë,

ose më saktë: ata që duan të të mbërthejnë

si Krisht,

hidhe çelësin në det o njeri,

që të jesh i qetë,

në do të shpëtosh prej pabesisë.

 

Dhe unë dhe ti dhe ai

ka Babiloninë e vet,

ka labirintin e vetmisë

ku është i lirë, krejt i sinqertë.

 

Në shumë çaste kam thënë: ah, si nuk jam memec!

Kur ai tjetri si Juda

në tryezë më rri.

Vetëm unë brenda vetes i qetë mund të ec.

Brenda vetes jam

Perëndi.

* Poet, studiues, Kryetar i shoqatës Atdhetare – Kulturore ‘TËRBAÇI”,  drejtues i gazetës “ÇIKA E TËRBAÇIT”

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, per Qemal Xhaken

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT